MURAT TOPTANI, FIGURË POLIEDRIKE E RILINDJES KOMBËTARE |
Publikuar më 16 nntor, 2009 në orën 21:49 ( ) |
Shevki Sh. VOCA | Histori | |
|
|
PJESA E PARË
"Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë.
Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun
e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë"
Murat Toptani
Murat Toptani në vitin 1898 në Bukuresht Toptanët ishin familje e madhe çifligare me tituj bejlerë dhe, si të tillë ata në zonën e Tiranës dhe në Shqipërinë qendrore ishin me influencë. Nga gjiri i kësaj familjeje dolën figura të dalluar, të cilët ani pse ishin me tendenca të ndryshme ata historisë tonë kombëtare i dhanë figura shumë të rëndësishëm.
Rreth familjes Toptanaj ekziston në literaturë një legjendë, të cilën e ka përhapur i pari, me sa dihet, konsulli frëng A. Degrand. Këtë legjendë, konsulli frëng e kishte dëgjuar në Tiranë nga goja e Fuad Bej Toptanit, (kushëriri i parë i Murat Toptanit) tek i cili kishte bujte me rastin e vizitës në këtë qytet në vitet e fundit të shek. XIX (1898). Në vijim e japim përmbajtjen e kësaj legjende që afërsisht tregohet kështu:
“Më 1478, kur pas rrethimit të gjatë, turqit e pushtuan më në fund Krujën, dy jeniçerë, njëri nga Anadolli tjetri nga Rajca e Domosdovës, ndërsa po kontrollonin pallatin e Thopiajve ku kishte banuar edhe Skënderbeu, dëgjuan një zë foshnje në tavanin e njërës dhomë. Kur jeniçerët hipën mbi tavan, panë aty disa gra që qanin rreth një djepi. Ndërsa jeniçeri anadollak filloi të kontrollonte qoshet e servanisë me shpresë se mund të gjente ndonjë thesar të fshehur, jeniçeri shqiptar iu afrua djepit dhe ia rrëmbeu gruas që rrinte mbi foshnjën gjerdanin e artë, që ajo mbante në qafë. Kjo grua ishte, sipas tregimit, motra e Skënderbeut, Mamica, e shoqja e Tanush Muzak Thopisë, kurse foshnja, djali i tyre i tretë. Jeniçeri anadollak i inatosur pasi nuk gjeti asgjë në servani, iu vërsul Mamicës, të cilën e vrau aty për aty. Ai deshi ta vriste edhe foshnjën, por jeniçeri shqiptar, duke pas mëshirë për të, ndërhyri, i ndaloi dorën, i dhuroi si shpërblim gjerdanin dhe kështu e shpëtoi foshnjën, të cilin e mori me vete dhe e shpuri në Rajcë, ku e paraqiti si birin e vetë. Biri i Tanush Thopisë, u rrit në Rajcë, i kthyer në mysliman me emrin Ali. Kur u rrit u futë në radhët e jeniçerëve dhe pasi u shqua në luftë për trimëri e shkathtësi, fitoi titullin Bej, zuri poste të ndryshme derisa u bë qeveritar i Krujës. Këtu ai mësoi se nuk ishte, siç kishte kujtuar i biri i jeniçerit nga Rajca, por i Mamicës, motrës së Skënderbeut dhe i Tanush Thopisë (?), mbrojtësit heroik të Krujës. Si biri i tyre ai mori mbiemrin Toptan që është sipas autorëve të legjendës një turqizëm i mbiemrit Thopia. Ali beu iu lut disa here sulltanit që t’i kthente atij zotërimet e Thopiajve; meqenëse sulltani nuk ia plotësoi dëshirën, ai shpalli pavarësinë e vet. Tërë shqiptarët e Krujës, miqtë e të atit dhe familja e fuqishme e Dukagjinëve-vazhdon tregimi-u bashkuan me të, sepse urrejtja kundër turqve dhe shpirti për pavarësi ishin shumë të gjallë në popullsinë e këtyre anëve. I shqetësuar nga kjo lëvizje sulltani u detyrua t’ia plotësonte dëshirën, me kusht që të mos hiqte dorë nga feja myslimane. Ai i dërgoi një ferman, me të cilin e njihte si sundimtar duke i dhënë në zotërim Krujën dhe tokat që i kishin pasur gjyshërit në Krujë derisa vdiq.”1
Sipas historianit nga Shqipëria, Kristo Frashri, ky tregim ka një kundërvënie historike. Ja pse, “E motra e Skënderbeut, Mamica ishte martuar me Muzak Thopinë dhe jo me Tanush Thopinë. Veç kësaj, i shoqi i Mamicës, Muzak Thopia u vra në betejën e Beratit më 26 korrik të vitit 1455, kurse vetë Mamica vdiq më 1461. Si rrjedhim, kur turqit pushtuan Krujën, djali i Mamicës do të ishte jo foshnjë, siç thuhet në legjendë, por mbi 22 vjeç.”2
Në lidhje me origjinën e familjes Toptani, me këtë rast do ta japim edhe një versionin tjetër dhe mjaft të ngjashëm me at para saj por, që tregohet më shkurtimisht, e cila është botuar në vitin 1898 në revistën “La Nazione Albanese”, që përgatitej në Puheriu, Kalabri dhe botohej në Kozenca nga arbëreshi Anselmo Lorekjo. Këtu sipas gojëdhënës të cilën e kishte dhënë vetë Murat Toptani, shkruan: “Kur u pushtua Kruja pas vdekjes së Skënderbeut, shpëton nga masakrat një pasardhës i Topiasve, të cilin e birëson një jeniçer shqiptar nga rrethinat e Ohrit. Kur djali Topias që tashmë ishte bërë mysliman me emrin Ali, bëhet 18 vjeç vret një njeri për të nxjerr gjakun e një shoku dhe detyrohet të arratiset dhe hynë në ushtrinë osmane. Si rezultat i shkathtësisë dhe zgjuarsisë arrin postin e sanxhakbeut të Krujës.”3 Kjo ishte përmbajtja e kësaj gojëdhëne të ruajtur në traditën gojore të derës Toptani.
Në vitin 1614 në Tiranë sundonte Sylejman Pasha, që u quajt më vonë Sylejman Pashë Bargjini. Pas tij sundimtarë të Tiranës u bënë i biri, i nipi, e stërnipi i Sylejman Pashës, deri te sundimtari i fundit Bargjinas i Tiranës, Amet Pasha. Por në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX për herë të parë në historinë e këtij qyteti, sundimtar i saj u bë një toptanas nga Kruja e pikërisht ishte ky Abdurahman Toptani.4
Përpara se ta merrte sundimin e Tiranës Abdurahman Beu-Toptanasit e Krujës ishin në luftë të ashpër me Bargjinasit, luftë kjo që vazhdoi për gjashtëdhjetë vjet, bile edhe pasi Abdurahman beu u bë sundimtar i saj. Kjo ishte një luftë e cila bëhej për fitime pasurish se kush t’i merrte frenat e qytetit në dorë. Ajo herë acarohej e herë ndërpritej. Këto luftëra që u zhvilluan me intervale deri në vitin 1830, tërhoqën pas edhe popullsinë qytetare, e cila i pagoi shtrenjtë ato grindje me jetën dhe pasurinë e saj. Duke i përshkruar këto pasoja, një i huaj shkruante, më 1838 “Qyteti i Tiranës ka 8000 banorë, por para vuajtjeve të luftës civile të vitit 1830, ai kishte 13.000 banorë. Kjo duket edhe nga numri i shtëpive (1000) dhe i dyqaneve(727), shumica e të cilave kanë mbetur tani gati të zbrazura. Qyteti i madh, i cili ka një pamje të trishtuar, ka mbetur tani pa tregti e zejtari”5
Puna e parë që bëri Abdurahman Toptani ishte të ndalonte luftën njëherë e përgjithmonë e të bëhej pajtimi midis Bargjinasve dhe Toptanasve. Por ajo, siç thamë vazhdoi edhe gjatë shumë vjetëve të sundimit të tij, duke shkaktuar mjaft armiqësi, dhimbje dhe shkatërrime. Në sajë të punës këmbëngulëse të sundimtarit të qytetit, mjegulla e luftës vinte duke rënë. Abdurahman Toptani ishte një njeri i mençur dhe i urtë. Bashkëshortja e tij ishte e bija e Ahmet pashë Bargjinit, ndërsa atij nuk i vinte mirë, që midis këtyre dy familjeve të kishte armiqësi. Në vitet e fundit të sundimit të tij u arrit që kundërshtarët e tij të kthehen në qytetin e tyre dhe të jetonin në miqësi të plotë me Abdurahman Toptanin.
Abdurahman Toptani vdiq më 1837. Ai i kishte katër djem, Ahmetin , Said Sermedinin (baba i Murat Toptanit), Hysniun, dhe Jusufin.6 Ka të dhëna ku Sermedini është i shenuar si vëllau i tretë ndërsa Jusufi si më i madhi.7 Sundimin e Tiranës, pas vdekjes së tij e mori i biri Ahmet Toptani. Kurse prej tyre, vetëm Said Sermedini ndoqi shkollë të lartë. 8
Meqenëse, në këtë shkrim nuk është objekt trajtimi historia e qytetit të Tiranës dhe të dinastisë së sundimtarëve të saj, atëherë nuk dot vazhdojmë më tutje, por duke u ndërlidhur me temë, me këtë rast do ti hedhim disa fjalë për jetën dhe veprimtarinë e Said Sermadin Toptanit, të atit të Muratit.
Saidi lindi në Tiranë më 1823. Pas mbarimit të mejtepit u regjistrua në një medrese të Stambollit. Në këtë medrese kishin kryer studime edhe shumë shqiptarë që vinin nga troje të ndryshme si Tahir Efendi Gjakova, Rexhep Voka, Daut Boriçi, etj.9 Për fillimet e jetës së tij kemi të dhëna të pakta, por të sigurta mbasi janë nxjerrë nga një autobiografi e tij, e shkruar aty nga gjysma e dytë e viteve 50, të shek. XIX. në të cilën ai për vete thotë:
“Unë njoftoj me modesti se në fëmijëri kam mësuar në mënyrë të rregullt arabishten dhe persishten, pastaj studiova në qytetin e Venedikut shkencat e gjeometrisë, matematikës, gjeografisë, fizikës si dhe shkenca të tjera të dobishme. Në këtë mënyrë ia vura vetes si qëllim të kisha nderin të hyja në shërbim të Këshillit të Lartë Perandorak. Kështu në vitin 1260,h (1849) erdha në Stamboll. Këtu mora pjesë në konkurs për të shërbyer në Sekretariatin e Divanit Perandorak dhe si rezultat i provimit që dhashë, u pranova të punoja pranë atij sekretariati,” nga letra autobiografike e Mehmet Seid Toptanit, (emri i plotë i tij ishte Mehmet Sermedin Seit) shkruar në turqishte dhe e fotokopjuar së bashku me përkthim shqip pranë arkivit të Institutit të Historisë, Tiranë.10
Ndërsa, në disa burime tjera thuhet se Saidi pas mbarimit të medresesë në Stamboll, kishte shkuar për studime në Parisë, por nuk kemi të dhëna nëse kishte përfunduar studimet në këtë vend.
Saidi bashkëpunoi me rilindësit dhe u përfshi në lëvizjen Kombëtare. Si rilindës i shquar ai punoi pa u lodhur për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, të arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Saidi bashkë me Pashko Vason, Kristoforidhin, Ibrahim Starovën (Bërzheshta), Jani Vreton, dhe Ismail Qemalin të tubuar rreth Hoxha Hasan Tahsinit, ishin të grupit iniciator që shtruan kërkesa gojore dhe me shkrim Kryeministrit të Turqisë, Ali Pashajt, që t’u epet leja për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare, e cila do të merrej me fiksimin e alfabetit kombëtar shqiptar dhe për kultivimin e literaturës në gjuhën shqipe.11 Për shkak aktiviteteve të tija politiko-patriotike, Saidi burgoset në kështjellën e Akës, por pasi e lejojnë si të internuar në atë qytet ai u njoh dhe u miqësua përveç të tjerëve edhe me familjen e çerkezit, Ahmet Pashë Kurtesi, i cili bashkë me familje, dhe me shumë çerkez të tjerë si të internuar jetonin në këtë qytet. Sa për informim të themi se aso kohe në perandorinë Osmane njiheshin dy lloje të internimeve: “Njëra, ishte një lloj i largimit të padëshiruar, që i bëhej dikujt, bile duke e emëruar me funksione të ndryshme (guvernator qyteti etj.) shumë larg nga Stambolli apo ndonjë qyteti tjetër të rëndësishëm, ndërsa tjetra ishte, dërgimi i dikujt, që kishte bërë faje të rënda, në një qytet të largët, për aq kohë sa ishte caktuar dënimi. I internuari duhej ta paguante vetë qiranë e ndërtesës ku e dërgonin për të banuar, dhe kishte lirin e qarkullimit në qytet, bile të shkonte edhe në qytete tjera më të afërta.” Ahmet Pasha e donte dhe e respektonte Saidin për inteligjencën dhe horizontin kulturor që kishte, për luftën që bënte për lirinë e Shqipërisë etj. Kështu Ahmet Pasha, me kërkesën e Saidit, ia dha vajzën Hanifen për grua, të cilin me zemërgjerësi të madhe e pranoi për dhëndër. Me Hanifen, Saidi me sa dihet pati tre fëmijë, nga ata dy ishin meshkuj-Murati dhe Refiku, dhe një vajzë me emrin Vesime. Se a kishte vajza të tjera ne nuk e dimë.12
Said Sermedin Toptani, pa dyshim se ishte njëri prej personaliteteve të shquara të rilindjes, i cili me veprimtarinë dhe aktivitetin e tij nuk e kurseu veten në asnjë aspekt qoftë në fushën politike dhe ekonomike, qoftë në atë fetare dhe fizike (burgosjet, ndjekjet etj), vetëm për një qëllim, që të shoh se atdheu dhe kombi i tij po ecën përpara. Kështu në vitin 1958 (shtator) në një letër të drejtuar Mexhlisit (Ministrisë) të Arsimit, Saidi kërkon hapjen e një shkolle plotore laike (Ruzhdije) në Tiranë. Dhe fill pas kësaj, pasi që ministria e miratoi atë, ia përcoll pallatit e cila më 4 tetor 1958 e dha pëlqimin e vet ashtu si kishte propozuar kryeministria, që të hapet një shkollë e tillë. Kjo shkollë u ndërtua falë angazhimit politik, dhe jo vetëm politik por edhe financiar të vetë Saidit.13 Shkolla Ruzhdije e Tiranës, ishte një shkollë laike pa drejtim fetar, që nuk mbulohej dhe varej nga kleri Mysliman. Nga lëndët që mbaheshin në këtë shkollë ishin: Letërsia, Retorika, Sintaksa, Matematika, Gjeografia, Astronomia, Fizika etj. Si gjuhë e huaj në këtë shkollë mësohej frëngjishtja.14 Saidi, po ashtu, një kontribut të madh financiar dha për ndërtimin e linjës telegrafike Edrene-Shkodër, e cila linjë do të kalonte edhe nëpër vendlindjen e tij-Tiranë.
Në vitin 1863, në Tiranë, Said Toptani bie në kontakt me albanologun e njohur gjerman Johan Georg von Hahn (1811-1869), i cili ka dhënë kontribut të shquar për studimet shqiptare, dhe ka hyrë në historinë e albanologjisë si gjuhëtar, historian, etnograf, folklorist, gjeograf, onomast, dhe psikolog i popullit shqiptar, por dhe në shumë disiplina tjera.15 Hahni gjatë ditëve që qëndroi në Tiranë, (ishte vizita e dytë e tij në Shqipëri, ndërsa vizitat e para të tija në Shqipëri dhe Tiranë ndodhën në vitin 1852), interesohej të dijë se nga rridhte lumi i Erzenit, dhe se në cilat fshatra të Tiranës ndodheshin shtresa dheu me fosile. I vetmi që e ndihmoi Hanin për këtë çështje ishte Said Sermedin Toptani, i cili siç duket gjatë shkollimit në Venedik ishte aftësuar edhe në shkencën e korografisë ( shkenca gjeografike që merret me përshkrimin e hapësirës, krahinave dhe vendeve).16 Hanit i bëri përshtypje personaliteti i Saidit, horizonti i gjerë kulturor si dhe njohurit që ai kishte për fosilet. Shkencëtari gjerman, Said Beun na paraqet si vëllanë më të vogël të sundimtarit të Tiranës Ahmet Toptanit, dhe duke shkruar shkurtimisht për Said Beun, ai thotë: “Pata rastin të shoh tek ai një djalosh shumë të kulturuar, i cili ishte një filolog i gjuhëve persiane dhe arabe, por që kishte jetuar shumë vite në Parisë dhe për këtë arsye e fliste në mënyrë të rrjedhshme frëngjishten.”17
Saidi luajti një rol mjaft aktiv edhe në ngjarjet e periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast cekim poetin e madh shqiptar Gjergj Fishta, i cili në veprën e tij monumentale “Lahuta e Malcisë” , Saidin e radhit me burra të dalluar të udhëheqjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,18 me ç’rast në këngën e nëntë me titull Lidhja e Prizrenit shkruan:
“... Atëhere vjen në rend Toptani,
qi edhe këtij larg i voj’t zani,
për shka mirë e zi qi bani...”19
Said Sermedin Toptani, siç thonë historianët i përket atyre patriotëve, që nuk dinte ç’është frika dhe nënshtrimi ndaj pushtueseve kush do qofshin ata. Për shkak guximit, trimërisë dhe vendosmërisë së aktiviteteve politike dhe patriotike ai gjatë jetës së tij u arrestua tri here. Said Bej Toptani, vdiq në internim, në Bey-Bazar të Azisë së vogël, në vitin 1882.20
MURAT TOPTANI (korrik1867-shkurt1918). Patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor dhe skulptor, i shkathët në gjimnastikë, kalërues i mrekullueshëm në kali, shenjëtar shumë preciz, mësues shëtitës që punoi shumë për futjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke, zotërues i disa gjuhëve të huaja, si turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht, 21 lindi në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Saidit. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer” të Stambollit, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” po ashtu në Stamboll. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, me që babai i tij ishte miku i familjes Frashëri, ai banoi në shtëpinë e tyre. Në këtë shkollë ku Murati i vijonte mësimet, ndiqte studimet edhe Asija, e bija e Sherif Frashërit, (1843-1874) vëlla i dytë i Abdylit. Mbasi që Sherifi kishte vdekur i ri në moshën tridhjetë e njëvjeçare, Asijën e bijë soj (adoptoi) Naimi i cili tregoi kujdes prej prindi për të. Në një ambient të tillë Murati pati rastin të njihet me Asijen. Kjo njohje motivoi në lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa që më vonë me pëlqimin e gjithë vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u fejuan e më pas edhe u martuan.22 Më vonë lidhjet në mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat dhe Refik Toptanit, u martua me më tëvoglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.
Asija bashkëshortja e Murat Toptanit, ishte një grua me kulturë të rrallë për atë kohë, e arsimuar në shkollat më të përparuara të Janinës dhe Stambollit, njohëse e mirë e tri gjuhëve të huaja, frëngjishtes, turqishtes dhe greqishtes. Zonja Asije si nënë e nëntë fëmijëve ishte e përkushtuar me tërë qenien e saj rreth gjirit familjar, e cila shumë shpesh gjendej pa të shoqin pranë. Ajo kishte përballuar vështirësitë e mëdha që Tirana e veçanërisht familja e saj përjetonin nga trazirat e shkaktuara prej sejmenëve esadistë (Esat Pash Toptani e kishte djegur shtëpinë e Murat dhe Refik Toptanit, me bibliotekë të pasur, dokumentacione të ndryshme, korrespodenca dhe antikuarët23, ndërsa një version tjetër shkruan se shtëpinë e Muratit e kishte djegur Haxhi Qamili)24, bandave xhonturke dhe ushtrive serbe. Nga një letër që Murati ia drejton Asijes nga Vjena, (përmbajtjen e së cilës do ta paraqesim më vonë), kuptojmë se ajo duke e qortuar të shoqin i cili vazhdonte të qëndrojë larg familjes, e informon për vuajtjet, mundimet dhe për hjeket e saja. Murat Toptani nga i ati trashëgoi atdhedashurinë dhe patriotizmin e thjesht dhe entuziast, ndërsa që këto tipare tek ai u nguliten edhe më thellë gjatë shkollimit në Stamboll, e veçanërisht bisedat që në fillim i zhvillonte me Abdyl Frashërin në shtëpinë e tij25, dhe më pas me Naimin dhe Samiun të cilët me të vërtet lozën një rol të madh në qëndrimet e tija burrërore dhe në edukimin e tij në përgjithësi. Kështu Murati, për të cilin një kujdes të veçantë tregoi Naim Frashëri, u bë një nga nxënësit më të zellshëm të tij, i cili pati rastin të lexoi në dorëshkrim krijimtaritë e poetit tonë të madh-Naimit, nëpërmes të cilit Murati u njoh me Hasan Tahsinin, Shahinë Kolonjën dhe intelektualë të tjerë.
Me të përfunduar studimet e larta në “Gallta Saraj” më 1894, dhe pas martesës me Asijen në vitin 1895, Murati bashkë me të shoqen vendoset në Tiranë, ku i përkushtohet tërësisht çështjes kombëtare.
Duhet theksuar se në atë kohë situata politike në Tiranë ishte mjaftë e trazuar, ku banorët e saj ishin të ndarë në dy grupe. Në njërën anë në krye qëndronin udhëheqësit e administratës shtetërore me ithtarët e tyre shqiptarë, të cilët mbronin pushtetin aktual të kohës, ndërsa në anën tjetër ishin kundërshtarët e tyre, të cilët mezi prisnin të çliroheshin nga një absolutizëm shekullor.Sipas njoftimeve të raportit që i jep nënkonsulli i Austro-Hungarisë në Durrës, dy djemtë e Seidit-Murat dhe Refik Toptani qëndronin në krye të grupit të dytë dot thotë në taborin kundërshtar, të cilët gëzonin respektin e të gjitha shtresave të popullsisë, prandaj nuk shikoheshin me sy të mirë nga qeveria. Me ta ishin rreshtuar dhe tre kushërinjtë e tyre-vëllezërit Abdi, Masar (diku shkruan Mazhar Sh. V.) dhe Hamit Toptani.26 Këta tre ishin djemtë e Adem Toptanit.
Qeveria e Portës, ndodhej para vështirësive të reja që ishin krijuar si pasojë e ashpërsimit të gjendjes politike në Turqinë evropiane, e cila nuk mundi ta zgjidhte as çështjen shqiptare dhe as maqedone, por as të parandalonte ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha dhe të shteteve fqinje. Kështu duke u vu nën presionin e Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ballkanike sidomos të Rusisë, Bullgarisë e Serbisë dhe duke dashur të qetësonte opinionin publik evropian, Porta e Lartë miratoi, më 22 prill 1896, dekretin mbi “reformat në vilajetet e Rumelisë”. Megjithëse qeveria e sulltanit shpalli si qëllim kryesor të reformave të projektuara “administrimin më të mirë civil, juridik e financiar, forcimin e rregullit të brendshëm dhe sigurimin e mirëqenies së popullit” , në esencë këto masa që u përfshin në dekretin e ri perandorak ishin një përmbledhje e reformave të pranuara gjatë shek. XIX, të cilat nuk ishin zbatuar asnjëherë. Me këtë dekret Porta, për të siguruar të ashtuquajturën “Barazi” të krishterëve me myslimanët parashikonte që këshillat administrativë (mexhliset) të vilajeteve të Edrenesë, Selanikut, Manastirit dhe të
Kosovës, të kishin secili nga 6 anëtarë, gjysma e të cilëve duhej të ishin të krishterë, sllavë apo grekë. Kështu do të veprohej edhe nëpër mexhliset e sanxhaqeve dhe të kazave të këtyre vilajeteve. Në katër provincat e përmendura më sipër do të emëroheshin ndihmës valinj (zëvendësguvernatorë) nga të krishterët. Gjithashtu parashikohej futja e të krishterëve (e sllavëve dhe grekëve) në xhandarmërinë turke ku do të përbënin 10 për qind të efektivit të saj.27
Mirëpo, me këtë rast duhet theksuar se popullata shqiptare e vilajetit të Manastirit duke parë në këto reforma orvatjen për t’i përfshirë viset shqiptare të këtij vilajeti në territoret sllave, bullgare dhe serbe iu kundërvu qysh në fillim Komisionit të reformave. Dhe për shkak të qëndresës së shqiptarëve, Komisioni i reformave u detyrua të largohet menjëherë nga kazaja e Kërçovës dhe nuk guxoi të shkoi fare në sanxhaqet e Dibrës dhe të Elbasanit. Në këtë drejtim një propagandë të madhe për përhapjen e ideve kombëtare dhe në qëndresën për mos zbatimit të këtyre reformave të zhvilluara gjatë vitit 1896 në Shqipërinë e Mesme dhe në tërë vilajetin e Manastirit, e sidomos në Tiranë, Krujë, Elbasan, Ohër, Strugë etj., bënë Hamdi Ohri, dhe Dervish Hima (Ibrahim Naxhiu), me të cilët bashkëpunonte edhe Murat Toptani. Një lëvizje e tillë u shtri edhe në vilajetin e Kosovës, i cili gjithashtu kërcënohej nga rreziku i copëtimit. Edhe këtu lufta e popullsisë shqiptar kudër orvatjeve të Portës së Lartë për zbatimin e reformave u shoqërua me një varg kërkesash të veçanta për Shqipërinë, që t’i jepet asaj një autonomi. Kurse një rol të rëndësishëm në këtë qëndresë të shqiptarëve luajti Haxhi Zeka, udhëheqës i shquar i lëvizjes kombëtare në Kosovë, i cili mbante lidhje të forta me vëllezërit Frashëri, dhe me Murat bej Toptanin e sidomos me grupin atdhetar rreth kolonel Halit Bërzeshtës.28
Ndërkaq orvatjet e valiut të Kosovës, Hafëz Pashës, në nëntor të 1896-ës për shtrirjen e reformave në Kosovë hasën kudo, në Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Gjilan e qytete tjera, në qëndrimin armiqësor të popullsisë shqiptare. Në lidhje me këtë, konsulli austriak në Shkup i shkruante Vjenës se “çështja e reformave” në vilajetin e Kosovës ka dështuar plotësisht, se këtu është i pa mundur qoftë edhe zbatimi i pjesshëm i tyre, dhe më pas i njëjti duke shprehur opinionet e Vjenës shkruan se “reformat në vilajetin e Shkupit mund të zbatohen vetëm atëherë kur të çarmatosen shqiptarët dhe kur administrata turke të vihet nën kontrollin evropian.” 29 Ndërkaq që, jo rastësisht kemi raportin e konsullit italianë në Janinë, Milleire i cili në relacionin që i dërgonte qeverisë së tij në lidhje me këto ngjarje shkruante se “të gjithë shqiptarët pa dallim feje dëshirojnë autonominë”...Në takimet që kishte pasur me shqiptarët nga Tirana e deri në Prevezë ai kishte dëgjuar po ato fjalë: “Ne e ndjejmë veten se jemi një popull dhe si të tillë kemi të drejtë të gëzojmë lirinë tonë.” Ndërsa midis propaganduesve të ideve kombëtare në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, konsulli në fjalë shkruan se u shquan atdhetari Murat Toptani nga Tirana dhe poeti i shquar Naim Frashëri, të cilët duhet cekur se, krahas kësaj veprimtarie, një kontribut të veçantë dhanë në luftën për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke.30 Duke u ndërlidhur me këtë vlen të theksohet se në kronikat e kohës, Murat Toptani shënohet si mësues i gjuhës shqipe në Malësinë e Shkodrës, Durrësit (këtu për një kohë Murati banoi në hanin e Mustafa Hanxhiut një mik i Seid Toptnit), Elbasan, Pogradec e gjetkë.
Në Elbasan dhe në rrethet e tij qëndresa ndaj reformave u gërshetua gjithashtu me luftën e masave popullore për të siguruar të drejtat kombëtare, veçanërisht në fushën arsimore dhe atë me veprimet e armatosura. Sipas relacionit të konsullit rus në Manastir, Murat Toptani ishte shënuar ndër ata që dha një kontribut të veçantë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke. Në dhjetor të 1896-ës popullsia e krahinës së Shpatit u dërgoi Portës së Lartë dhe ambasadorëve të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë në Stamboll një promemorie në të cilën kërkoi të njihnin kombësinë shqiptare dhe t’u jepej shqiptarëve e drejta e mësimit në gjuhën amtare. Këtë promemorie të cilën e nënshkruan 23 përfaqësues të popullsisë së Shpatit e hartoi atdhetari Murat Toptani. 31
Ndërsa që, Vjena po në dhjetor të vitit 1896 kishte vendosur të dërgonte në Shqipëri nëpunës konsullorë jashtëzakonisht të aftë që njihnin gjuhën e vendit. Ajo këshillonte konsujt e saj që të hynin në kontakt me shqiptar të të gjitha niveleve shoqërore e besimeve fetare, me qëllim që të informoheshin për pikëpamjet e tyre dhe për kushtet ekzistuese në vend. Konsujt duhet të kërkojnë të takojnë personalitete myslimane ndikimi, i të cilëve mund të përdorej te pasuesit e tyre. Ata duhet të ishin të kujdesshëm që të mos lejonin që të lindnin dyshime se Austria ishte interesuar vetëm, ose të paktën në radhë të parë, vetëm për propagandë katolike. Zyrtarët e konsullatave duhej gjithashtu të përpiqeshin për të luftuar idenë që kishte filluar të përhapej në vend se Monarkia kishte ndërmend të pushtonte Shqipërinë, një ide që kishte filluar të hidhte rrënjë në rrethet e udhëheqësve shqiptarë. Përveç kësaj detyra e tyre ishte të vinin në dijeni shqiptarët se Austria ishte e interesuar për zhvillimin e vendit të tyre dhe për bashkimin e popullit të tij dhe, në këtë mënyrë, të siguronin një ndikim të caktuar në përpjekjet e tyre kombëtare. Konsujt nuk duhet të linin të lindte asnjë dyshim se Austria ishte gati të përkrahte interesat kombëtare të popullit shqiptar dhe duhej të bënin të qartë,gjithashtu, se ajo nuk do të përkrahte lëvizje kundër rendit ekzistues.32
Në këtë mënyrë, dhe menjëherë më 1897 Vjena, vendosi që në Tiranë të hap një shkollë fillore për djem, në programin e së cilës përfshihej edhe mësimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Në fillim mendohej që shkolla të vendosej në kishën katolike të qytetit, por pastaj u hoq dorë nga kjo ide, pasi u mendua se shkolla në atë kohë nuk do të frekuentohej nga nxënësit jo katolikë. Si ndërtesë shkollore u zgjodh shtëpia e Osman Elezit. Hapja e kësaj shkolle u prit mirë edhe nga paria e qytetit, me në krye Murat Toptanin dhe kushëririn e tij Abdi Toptani, madje me kërkesën e tyre u vendos që të gjitha mësimet në këtë shkollë të zhvillohen në gjuhën shqipe dhe për shkrimin e saj të përdoret alfabeti i Naimit, siç quhej në Tiranë alfabeti i Shoqërisë së Stambollit. Mësues i saj qe Filip Ashiku nga Shkodra me një rrogë 100 franga në muaj. Por ceremonia e hapjes së shkollës u shty për më vonë, mbasi atë vjeshtë Tirana u trondit nga arrestimi i Murat Toptanit,33 dhe për shkak turbullirave që ndodhën në Vilajetin e Kosovës dhe vende tjera.
Arrestimi i Murat Toptanit, atdhetarit të flaktë dhe tepër energjik bashkë me patriot të tjerë si Dervish Elbasani, Mark Gjoni i Mirëditës, Hamdi Ohri të cilin me urdhrin e portës e kishin burgosur pak më herët etj. ndodhi pasi që shpërthyen përleshjet midis trupave turke dhe kryengritësve shqiptar si në Prizren ashtu edhe në vende tjera në katër vilajete shqiptare. Dhe në nëntor të vitit 1897, qeveria turke për “turbullirat” në vilajetin e Kosovës kërkoi të merreshin masa të rrepta kundër personave që shkaktonin ato në Kosovë, Manastir dhe Janinë. Në arrestimet që u kryen nënvizohej edhe emri i Murat Toptanit të cilin e arrestuan bashkë me djemtë e tij. Akuzat e drejtuara ndaj tij ishin se përkrahte idenë për autonominë e Shqipërisë, për çka zhvillonte një propagandë të madhe, por edhe për përpjekjet e tija që të bashkonte Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut me Besëlidhjen e Haxhi Zekës, duke punuar për ngritjen e shoqërive dhe të degëve të Komitetit Shqiptar në Shkodër, Pejë, Gjakovë, Mat e në gjithë Toskërinë. Arrestimi i Murat Toptanit shpejt u përhap si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë kufijve të saj, me ç’rast shkaktoi edhe reagime të shumta. Kështu konsulli austro-hungarez në lidhje me këtë shkruante:
“Arrestimi i Murat Toptanit nga qeveria turke shkaktoi një zemërim të madh tek populli dhe vëllai i tij Refik. Murati ka pasur armiq, të cilët nuk hoqën dorë nga dëshira e hakmarrjes. Refiku, vëllai i Muratit ka pamjen e një kalorësi evropian, megjithëse nuk ka qenë në perëndim. Ai i shpreh mendimet e tija qartë dhe ka bindjen e fortë se kajmekami e ka paditur Muratin dhe proteston kundër arbitrariteteve të tij. Refiku pa dyshim mbanë një qëndrim patriotik dhe është i gatshëm të bashkëpunojë për çështje të atdheut, por është i frikësuar për gjendjen e krijuar.”
Ndërsa gazeta “Shqipëria” që e botonte kolonia shqiptare në Bukuresht, nën drejtimin e poetit dhe publicistit rilindës nga Korça, Visar Dodani në vitet 1897-1899, lajmin e arrestimit të Murat Toptanit duke botuar në disa numra e dha me këto fjalë:
“Një gjë me rëndësi të madhe u bë këto ditë në Shqipëri. Kartat, që na vijnë që andej, thonë se Turqia zuri Murat beun dhe do ta bëjë syrgjyn. Gazeta në fjalë botoi shkrimin “Murat beu dhe Turqia” ku nënvizon atdhetarinë e këtij “Shkronjëtori dhe poeti”, dhe thotë (duke iu drejtuar portës Sh.V.): një gjë kërkojmë të na njohësh si komb, të na ndash kufijtë dhe të na jepen shkolla kombëtare, të na jepesh autonominë administrative... Turqia për këtë dërgoi e pruri asqer nga Dibra. Shkaku i një të tillë sjellje të Turqisë nuk dihet. Vetëm fletët (gazetat) e Athinës, Neologos dhe Asti, thonë që Turqia e bëri këtë punë se bejlerët e dërgonin në komitetin shqiptarë të Bukureshtit për të kërkuar lirinë e Shqipërisë...”34 Arrestimi i Murat Toptanit, e goditi thellë rilindësin e veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, nga Ohri, Ibrahim Naxhin i njohur me emrin Dervish Hima 1872-1928 (këtë emër ai e mori për shkak të ndjekjeve të shumta nga organet e shtetit).35 që aso kohe vepronte në mesin e kolonisë shqiptare në Bukuresht, i cili gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, kishte bashkëpunuar në ilegalitet me Muratin.
Prej informimit që kishte lexuar nga gazetat greke Dervish Hima, nuk donte ta besonte këtë lajm. “Inshalla nuk është e vërtet.” I shkruante dr. Ibrahim Temos dhe ngarkoi njerëz për ta verifikuar në Shqipëri, këtë lajm, por më kot shpresoj. I bindur më në fund në arrestimin e Muratit kërkoi nga Anselmo Lorekio dhe Faik Konica, që nëpërmjet revistave të tyre të protestonin dhe të merrnin në mbrojtje atdhetarin shqiptar.36
Anselmo Lorekio 1843-1924, ishte një figurë e shquar arbëreshe dhe mori pjesë në lëvizjet patriotike e kulturore të arbëreshëve të Italisë. Është i njohur edhe si botues i gazetës: “La Nazione Albaneze” (Kombi shqiptar).37
Pas burgosjes dhe internimit të Muratit, Dervish Hima vazhdoi të mbante kontakte me vëllaun e tij Refik Toptani, nëpërmes të cilit siguronte futjen e librave shqipe, gazetave dhe materialeve tjera propagandistike që arrinin nga Bukureshti në Manastir, dhe prej andej me anë të qiraxhinjve shpërndaheshin në Strugë, Elbasan dhe në qendra tjera. Kur Refiku ndonjëherë heshtte, Dervishi shqetësohej pse nuk merrte përgjigje prej tij. Ç’bënë ai në Shqipëri ? pyeste. Kishte frikë se mos i ka ndodhur ndonjë gjë, dhe shtonte; ah sikur të kishim një agjent shëtitës në Shqipëri që të takohej me ta!
Murat Toptani mbasi u mbajt i burgosur për disa kohë në Manastir u internua larg Shqipërisë, në fillim në Galipoli të Dardaneleve dhe më vonë në Tripoli të Afrikës Veriore. Nga Tripoli, Murati mbante korrespodencë me drejtorin e revistës “La Nazione Albanese”, z. Anselmo Lorekion, të cilin e përmendëm më lartë.
Gjatë mungesës së Murat Toptanit, në Tiranë u hap shkolla shqipe siç u tha më parë në ndërtesën e Osman Elezit. Inaugurimi u bë më 28 nëntor 1898. Kjo ishte një shkollë e rregullt fillore. Vitin e parë shkolla kishte 11 nxënës (2 katolikë, 3 myslimanë, 6 ortodoksë), në vitin shkollor 1899-1900 pati 14 nxënës (7 katolikë, 7 myslimanë). Viti i tretë shkollor 1900-1901 filloi me 10 nxënës (4 katolikë, 1 ortodoksë, dhe 5 myslimanë), viti i katërt 1901-1902, me 17 nxënës (3 katolikë, 3 ortodoksë dhe 11 myslimanë).
Veprimtaria e shkollës së Tiranës, sado që tërhoqi pak nxënës, ajo shkaktoi reagime të çarqeve islamike lokale nga njëra anë të cilët e përkrahnin shkollën turke të shqetësuar për frekuentimin e shkollës shqipe nga nxënës myslimanë, dhe nga ana tjetër të partizanëve siç i quan historiani Kristo Frashëri, të kishës fanariote të cilët e përkrahnin shkollën greke, dhe që nuk e shihnin me sy të mirë frekuentimin e saj nga nxënës ortodoksë. Veç kësaj, meqenëse nxënësit ortodoksë i përkisnin bashkësisë etnokulturore vllahe, hyri në skenë më 1898 edhe qeveria e Bukureshtit, e cila vendosi të financonte hapjen e një shkolle rumune në Tiranë. Kështu në Tiranë u kryqëzuan në fushën politike, arsimore, katër lëvizje shkollore të ndryshme, të gjitha me prapashpinë politike dhe në garë njëra me tjetrën...Dhe si pasojë e kësaj gare në Tiranë krahas shkollës shqipe, turqishte dhe greqishte, u hap më 1900 edhe shkolla rumune...
Kah mesi i vitit 1898, Murati, bashkë me baba Ahmetin e Prishtinës dhe të famshmin Nevrus Gostivishti siç shkruan Mithad Frashëri38, arriti që të arratiset nga Tripoli, duke dalë jashtë kufijve të Perandorisë Osmane. Në fillim shkoi në Napoli e pastaj u vendos në Brindizi të Italisë.
Lajmin për arratisjen e Muratit nga internimi të gjithë patriotët shqiptar dhe dashamirë të idesë për lirinë kombëtare, kudo që ndodheshin e pritën me gëzim dhe plot entuziazëm. Arratisjen e tij e brohoritën si një akt “për fatmirësinë e Shqipërisë dhe për gëzim të gjithë atyre që ndjejnë shqiptarët.” Z. Anselmo Lorekio dhe Visar Dodani, e përshëndetën si pasardhës i Skenderbeut.39 Dervish Hima me rastin e arratisjes së Muratit tha se lëvizjes kombëtare iu kthye përsëri një nga veprimtarët e dalluar të saj, kurse, mua njëri nga bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Arratisja e Murat Toptanit pati jehonë edhe në çarqet diplomatike evropiane, sidomos ato austro-hungareze. Ndërkaq që arratisja e Muratit nuk u pritë mirë nga vetë Porta e Lartë dhe disa mbështetës të saj nga radhët e feudalëve të mëdhenj që ishin të ledhatuarit e pushtetit, si për shembull Syrija bej
Vlora, Esat pashë Toptani etj. Ndërsa që Syrija bej Vlora në gusht (diku tjetër shkruan korrik) 1898 i dërgoi një promemorie Portës së Lartë, në të cilën me këmbëngulje kërkohej që të shtypeshin me dhunë ushtarake forcat rebele të popullit siç i quante ai, në anën e Korçës, Kolonjës, Elbasanit e Shkodrës, të ndalohej me çdo mënyrë futja në Shqipëri e Murat Toptanit, që po sa ishte arratisur nga internimi në Tripoli dhe e atdhetarëve të tjerë; të vendosej kontrolli në portet detare që të mos hynte prej andej asnjë nga gazetat e revistat “heretike” që botoheshin në Bukuresht e në vende tjera.40 Me mllef të veçantë, shkruante Syrija Vlora për përhapjen e gjuhës shqipe e “cila,-sikurse pohonte ai,-kishte filluar të përdorej edhe në korrespodencat private midis të pasurve të Korçës e të Beratit dhe për më tepër po mësohej edhe në disa shkolla. Meqë qeveria,-shkruan më
tej Syrija Vlora,- nuk ka dhënë leje për mësimin e gjuhës shqipe, mësimi i saj duhet të ndalohet.”41
Në promemorie i propozohej sulltanit që të forconte aparatin e tij policor në Shqipëri; për këtë “të bëhej një verifikim i biografisë të të gjithë efektivit të xhandarmërisë që gjendej në Shqipëri duke filluar nga oficerët e deri tek xhandarët e thjeshtë.”42 Megjithatë, as projektet e tyre, siç ishte Syrja Vlora për zbatimin e masave shtypëse në Shqipëri, as forcat ushtarake që u përqendruan në vilajetet shqiptare, nuk arritën të shuanin aspiratat e popullit shqiptar për të siguruar autonominë dhe të drejtat kombëtare.
Me qëllim që t’i falej dënimi dhe ta ndien veten të lirë dhe të sigurt për të lëvizur dhe vepruar në atdheun e vetë në Shqipëri, Murati, nga Brindizi i Italisë i dërgoi një letër valiut të Mnastirit, Abdyl Kerim Pashë-s i cili me sjelljet dhe veprimet e tij ndaj shqiptarëve tregonte një egërsi të madhe. Me akte të tilla barbare ai orvatej që të ngjallte kudo tmerr e frikë. Në këtë letër Murati pasi që proteston për burgimin e pa drejtë që i është bërë kërkon që të lirohet si njeri i pafajshëm.
“Rashë viktimë e një shpifjeje, shkruan Murati në atë letër, dhe vazhdon; U burgosa dhe u dënova me internim...Po të bëni hetime me siguri të gjithë banorët e vilajetit do të vërtetojnë pafajësinë time. Apo mos vallë dhe shkëlqesinë tuaj e kanë bindur për shpifjet e bëra kundër meje nga njerëz mizorë sikundër janë Mehmet Ali Beu, Islam Petrela, vëllai i tij Sinani, agai i taborit të Durrësit Zenel Aga dhe kacnesët e tij? Gjatë kohës që ndodhesha i burgosur i paraqita selisë tuaj të lartë disa herë lutje me të cilat parashtroja gjendjen time të shkatërruar. Me sa duket aq tepër do të jeni informuar keq për mua sa të mos dëgjoni zërin tim të ankimeve dhe të mos merrni parasysh lutjen time, që kërkonte ndihmën tuaj. Duke qenë i pafajshëm mbeta në qoshet e internimeve, i mjeruar dhe i persekutuar. Mjerimi im i kaloi kufijtë e durimit. Në këto rrethana mora parasysh çdo rrezik dhe u arratisa.”43
Mirëpo, Murati nuk mori kurrfarë përgjigje nga valiu Abdyl Kerim Pasha. Po si të merrte përgjigje pozitive kur dihej se egërsia e tij çnjerëzore ndaj shqiptarëve-ashtu thuhet në dokumentet bashkëkohëse, nuk njihte kufi. Dhe, si rrjedhim i kësaj ai u deshtë që të qëndroi i arratisur në Brindizi, prej ku filloi të bashkëpunoi me Anselmo Lorekion në gazetën e tij. Atje Murati botoi shkrimin kushtrim “Shqipëria e Shqiptarëve”, në të cilën mes tjerash ai shkruante: “Kurrë nga jeta e shqiptarëve s’u del shpresa e dëshira e Lirisë” (versionin më të gjerë të këtij artikulli do ta japim më poshtë), dhe vjershërimet “Vllaznia”, “Shpata e Skënderbeut” etj. Në një letër të datës 20 korrik 1898 drejtuar dr. Ibrahim Temos (një shqiptar rilindës dhe xhonturk, mjek i syve i cili jetonte dhe vepronte në Mexhidie të Rumanisë për të cilin ka të dhëna se kishte qenë edhe anëtarë i organizatës së muratorëve të lirë-mason, Sh.V.) Murati shkruante nga Brindizi: “Jetën time ia kamë falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë.”44 Ndërsa në artikullin “Shqipëria e Shqiptarëve” që e botoi edhe në gazetën “Shqipëria” e cila botohej në Bukuresht nën drejtimin e Visar Dodanit shkruante:
“Ata njerëz që kanë hyrë në Mal të Zi janë faqëzës, shalrrjepë, që s’munden të rrojnë si shqiptarë të vërtetë me pushkë në dorë.
E fort mirë kanë bërë! Të largohen të ligjtë e të mbesin vetëm trimat e lirë. Vetëm zogjtë e Shqipërisë rrojnë nëpër malet e larta me borë! E jo të zezat gala e sorra!
Shumë jetë Shqipërisë! Le të mos lavdërohet Nikolla (mbreti i Malit Zi, Sh. V.): na ka njohtë e do të na njoh.
Le të thotë kush të dojë që shqiptarët janë të egër.
Po! Më të egër se luani jemi, kur një i huaj vë këmbën me dhunë në këtë Shqipëri të bardhë, që është kuqur sot nga gjaku që kemi derdhur e po derdhim për lirin e saj.
Vdekja! Për ne ma mirë një mirë herë! Oh! Po, më mirë vdekja sesa të shohim në kufijtë e Shqipërisë malazeztë.
Kaq vjet, me rrena e me gënjeshtra kanë luftuar T’ia kthejnë mendjen burrave të Shqipërisë, ah! Sot e prenë shpresën edhe zunë pushkën...”45
Në të njëjtën kohë Murati shprehte bindjen se Shqipëria pasi të çlirohej nga zgjedha do të ecte shumë shpejt drejt përparimit; dhe në gazetën e njëjtë shkruante:
“Me njëzet vjet liri, Shqipëria mund të prijë e të shkojë para më shpejt se Bullgaria e se Japonia.
Ne, sa shqiptarë që jemi, do të luftojmë për me liru Shqipërinë. Po, si do të jetë e kundra kujt do që të jetë. Shqipëria është një komb i pandarë: Shqipëria ka qenë e do të jetë!
Këtë ta dijë gjithë bota, që shqiptari kurdoherë, fjalën e lirë e mëmëdhe me gjak e me flakë e ka shkrua e jo me mellan të zi, përmbi letër.
Patriotizmin tonë ia kemi rrëfye botës kurdoherë, shkruar me shtatat tonë rrëzuar në fushat e luftës e kockat tona dhe sot cip për cip ra në fushë...
Kush di dhe Shqipëria ç’ë bahet? Jo, kurrë nga zemra e trimave shqiptarë, kurrë për jetë s’u del shpresa e dëshira e lirisë.
Shqipërinë për shqiptarët.”46
Gjatë qëndrimit në Kalabri, Murat Toptani, si mjeshtër me talent dhe prirje që kishte në çdo gjë, e punoi bustin e Skënderbeut në bronz, me sa dihet i pari skulptor shqiptar, që i kushtoi një bust heroit kombëtar47, ndërsa më vonë në vitin 191748, ai e gdhendi dhe një bust tjetër po për Skënderbeun, e cila bashkë me një karikaturë me akuarel “Premtimet e Anglisë” ruhet në
Galerinë e Arteve në Tiranë49.
Busti i Skenderbeut, punuar nga Murat Toptani - 1917 .
Ai gjithashtu një bust ia kishte punuar bashkëshortes së vetë Asijes. Përveç kësaj ai edhe pikturonte mirë. Kështu një portret të Skënderbeut të cilën Murati e kishte bërë me laps të zi, një kohë të gjatë zbukuronte një odë në shtëpinë e Naim Beut (Frashërit)50.
Në vjeshtën e vitit 1898 Murati, udhëtoi në Napoli, Bari dhe Romë, ku zhvilloi takime me shqiptarët e atjeshëm. Nga Italia shkoi në Bruksel, ku qëndroi për një kohë, dhe bashkëpunoi me Faik Konicën. Nga Brukseli Murati i dërgonte letra Naimit dhe Samiut me çka i informonte për aktivitetet e tij në bashkëpunim me Faikun. Është interesant të ceket se në këtë kohë Faiku kishte vendosur marrëdhënie me Leon Koh (Leon Cohun), një orientalist dhe historian i shquar, me banim në Paris, i cili kishte shkruar mjaft libra për Shqipërinë. Sipas një letre që Faik Konica i shkruante Ibrahim Temos, kuptojmë se Leon Koh kishte marrë për sipër të hapte pranë Universitetit të Parisit një kurs të gjuhës shqipe që do të Përveç kësaj Koheni kishte premtuar të punonte për të çelur në Berat ose në Elbasan ose në Manastir një kolegj franko-shqiptar, që do të vihej nën drejtimin e shoqërisë “Përlindja e Shqiptarëve”. Për këtë kolegj i thoshte Faiku në letër Temos, do të ndihmonte edhe Baroni de
Rothschild, një çifut shumë i pasur dhe njeri i mirë, i cili do t’i jepte shoqërisë çdo vit 7-8 mijë franga, ndërsa për shkollën franko-shqiptare do të çonte një koleksion të veprës “Historia e natyrës”, instrumente për fizikën etj. Mirëpo si duket një kolegj i tillë nuk arriti të hapej në asnjë nga qytetet e Shqipërisë.* Murati pas një kohe të qëndrimit në Bruksel, bashkë me Faikun shkuan në Bukuresht ku nga ana e mërgimtarëve shqiptar që ishin vendosur aty të dyve iu bë një pritje madhështore. Aso kohe në Bukuresht u koncentruan aktivistët më të dalluar të lëvizjes sonë Kombëtare, siç ishin Dervish Hima, Ibrahim Temo, Jashar Erebara, Pandeli Evangjeli, Mihal Lehova, Visar Dodani, Nikolla Naço, e shumë të tjerë, të cilëve iu bashkuan edhe Murat Toptani dhe Faik Konica.
Vijon... |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 23 vizitorë |
Lexuar:
4,707 herë
|
|
|
|
|
|
|