Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Publikuar më 24 nntor, 2009 në orën 00:21 ( ) Isuf B. Bajrami | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTË

SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NUK MUND TË REALIZOHEJ PA BASHKIMIN KOMBËTAR DHE UNITETIN TERRITORIAL TË POPULLIT SHQIPTAR

Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, të kushtëzuara nga rrethanat historike, ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike,të brendshme e të jashtme. Megjithatë, shoqëria shqiptare në fillimin e shek.XIX, krahas ndryshimeve, kishte mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet ballkanike fqinje dhe arriti të krijonte, ndonëse me vështirësi e ritme të ngadalshme,që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, të gjitha premisat të cilat çuan në formimin e kombit shqiptar dhe në lindjen e lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes, u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mendimet e para për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine u dhanë nga pionierët e Rilindjes sonë, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Thimi Mitko etj. Ato u pasuruan më tej në zjarrin e kryengritjeve popullore që mbushën epokën e Rilindjes, e sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),u pasqyruan në mënyrë më të plotë dhe konsekuente në një literaturë të tërë politike dhe artistike, në dhjetëra memorandume e protesta që iu dërguan Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha gjatë gjithë Rilindjes deri në Shpalljen e Pavarësisë e në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Çështjen e bashkimit kombëtar rilindësit e shtronin jo vetëm me pasionin e zjarrtë të atdhetarit, por edhe si dijetarë të shquar. Konceptet e tyre për kombin shqiptar dhe për rolin e unitetit kombëtar, të mbështetura në argumente historike, etnike, gjuhësore, gjeografike dhe ekonomike, ishin të drejta dhe i përgjigjeshin realitetit shqiptar, të cilin ata e njihnin aq mirë. Evokimi i epokës së Skënderbeut shërbente si shembull i shkëlqyer i forcave që u jepte shqiptarëve bashkimi përpara armiqve. Pashko Vasa shkruante më 1879 se suksesi i qëndresës, që shqiptarët u bënë pushtuesve osmanë në shek.XV, i kishte rrënjët në bashkimin e tyre rreth një ideje patriotike, "se pikërisht në atë kohë u lidh bashkimi shqiptar i kryesuar nga Skënderbeu" (P.W.:La veritesur l'Albanie et les Albanais. Paris, 1879, fq.40-41.). Naim Frashri u përcillte shqiptarëve "amanetin"e Skënderbeut me vargjet "...po të ini të bashkuar, /është e bërë Shqipëria". (N. H. Frashëri; Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1953, fq.341.).

Si dëshmi të unitetit të shqiptarëve rilindësit përdorën gjuhën e përbashkët shqipe, e cila përbën tiparin më thelbësor të kombit, pikën qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje e klase shoqërore. Thimi Mitko i konsideronte shqiptarët vëllezër e të bashkuar, sepse flisnin të njëjtën gjuhë, gjuhën e bukur shqipe, sepse kishin të njëjtin atdhe- Shqipërinë. Po këtë ide mbronin Samiu dhe Rilindësit e të tjerë kur shkruanin se pa gjuhë shqipe nuk mund të ketë shqiptarë dhe Shqipëri, se nga ruajtja dhe lëvrimi i saj varet jo vetëm bashkimi i shqiptarëve, por edhe jeta shuarja e kombit shqiptar. Mbi gjuhën e përbashkët shqipe, të cilën e vlerësonte si "provën më të madhe e më të plotë të afrimit:, kërkonte të hidhte themelet e bashkimit të shqiptarëve edhe Jani Vreto ("Bashkimi", Shkodër, nr. 6 e 6 shkurtit 1910). Gjuhën shqipe vendosjen e një alfabeti të njëjtë, që nisin me miratimin e alfabetit të Stambollit më 1879 e u krye me vendimet e Kongresit të Manastirit të 1908-ës, lëvrimin e gjuhës në literaturë dhe përhapjen e shkollave amtare, rilindësit nuk i shikonin thjeshtë si çështje kulturore, por edhe në rrafshin politik, si mjet të fuqishme propagandistike e veprime patriotike që do të ndihmonin për unitetin e kombit shqiptar.

Përvoja e luftës shekullore të popullit shqiptar dhe ajo e epokës së rilindjes tregoi se uniteti kombëtar nuk mund të arrihej pa një organizim të shëndoshë. Nevoja e organizimit u bë edhe më e ngutshme për shkak të gjendjes së rëndë dhe tepër të rrezikshme që u krijuan për Shqipërinë me shpërthimin e luftës Ruso-Turke të 1877-1878-ës dhe me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878, të cilat parashikonin copëtimin e trojeve shqiptare midis monarkive ballkanike, synonin të zhduknin nga harta e Ballkanit kombin shqiptar. Në këto rrethana, kur ekzistonin edhe premisat e brendshme për vendosjen e një uniteti politik e luftarak të popullit shqiptar, me përpjekjet e atdhetarëve rilindës, të kryesuar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Zija Prishtina, Pashko Vasa etj. u themelua më 10 qershor të vitit 1878-Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lindi kështu ajo Organizatë Politike-Ushtarake mbarëshqiptare, e cila kreu detyrën historike që shtronte koha, krijoi një bashkim të vërtetë të popullit shqiptar, të mbështetur në luftën e përbashkët të të gjitha forcave patriotike të vendit për çlirimin kombëtarë të shqiptarëve dhe ruajtjen e tërësisë së trojeve të tyre. Bashkimi në Lidhje i të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, përforcohej edhe me një strukturë të qartë organizative. Komiteti Qendror me në krye Ymer Prizrenin, që e kishte selinë në Prizren, nëpërmjet një rrjeti të tërë degësh e komitetesh, të krijuara në qytetet e ndryshme të vendit, mbante lidhje me të gjitha viset e Shqipërisë, bashkërendonte veprimtarinë e popullit shqiptar drejt një qëllimi të vetëm.

Kombi shqiptar, ashtu si edhe bashkimi e kompaktësia me të cilën veproi në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), nuk mund të lindnin papritur e as të krijoheshin artificialisht. Ato i kishin rrënjët në ndërgjegjen e përbashkët kombëtare të popullit, të formuar prej kohësh në valët e kryengritjeve kundër osmane, ndërgjegje që në vitet e Krizës Lindore të 1875-1881," në çastet kur rrezikohej ekzistenca e Shqipërisë" (S. Pollo-S. Pulaha; Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, dok. 40, 34.), shpërtheu si vullkan që vlonte prej shekujsh e nxori në sipërfaqe lavën e zjarrtë. Ky shpërthim i revoltës së një kombi unik të cilit po i mohoheshin vetëqenia dhe të drejtat politike, i ishte nxjerrë në ankand pasuria më e çmuar, trualli amtar, ndihet i fuqishëm në protestat e shumta që në emër të atdheut, tanimë të bashkuar nga ideja kombëtare, në emër të interesave të mbarë Shqipërisë (Po aty, dok. 63, 65.), iu dërguan, në të njëjtën kohë, Kongresit të Berlinit e Portës së Lartë nga qendra të ndryshme të vendit. Kjo shihej gjithashtu në krismat e armëve të popullit kryengritës, i cili mbrohej me forca të përbashkëta kundër sunduesve osmanë dhe pushtuesve të rijnë ballkanas. Lufta e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit, si edhe gjithë veprimtaria e saj diplomatike për paprekshmërinë e kufijve të Veriut e të Jugut, që zgjati 3 vjet të tëra ( 1878-1881), u shndërrua në një çështje të përgjithshme kombëtare. Pikërisht pse ideja e unitetit u përgjigjej interesave më të larta të atdheut dhe përfaqësonte aspiratat e masave më të gjera, sepse përfaqësonte armën më të fuqishme e më të sigurt që populli shqiptar mund t'u kundërvinte armiqve, shpërthyen ato akte të mëdha solidariteti dhe ai heroizëm masiv që deri atëherë nuk kishte njohur Shqipëria.

Atdhetarët rilindës, duke kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) për copëtimin e trojeve amtare midis monarkive ballkanike, luftuan njëherazi për afirmimin kombëtar të shqiptarëve në Evropë. Për këtë, ata vunë përballë opinionit Evropian provën më të fuqishme, unitetin e shqiptarëve, argumentuan me të dhëna bindëse se populli shqiptar përbën një komb krejt të veçantë e të bashkuar, "një komb të njësuar për nga raca (nënkupto:nga origjina), gjuha, traditat, historia dhe për nga gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar"," komb që ka vullnetin e tij të përbashkët"(Akte të Rilindjes...,dok. 12, 42.). Këtë ide ua shprehu Abdyl Frashëri përfaqësuesve të qeverisë Franceze në Paris, në Pranverën e vitit 1879, kur theksoi se "para lakmive të egra të fqinjëve të tyre dhe rreziqeve që u kërcënohen, shqiptarët janë të gjithë me një betim solemn që me përpjekje të përbashkët të ruajnë ...atdheun, kombësinë dhe gjuhën e tyre"(Po aty, dok. 43.).

Fakti që shqiptarët ishin një komb i bashkuar që kërkonte të respektohej edhe ndaj këtij parimi i kombësisë, e gjejmë edhe në mendimet e atyre personaliteteve evropiane që e njihnin mirë edhe nga afër gjendjen në Shqipëri. Po përmendi relacionin e kryekonsullit Austriak në Shkodër Lipih ( Lippich), dërguar Vjenës më 3 prill 1881 në të cilin e quante "krejt të gabuar e në kundërshtim të vërtetën"pretendimin e italianit Sonino, që kishte shpallur se shqiptarët "janë një grumbull fisesh të palidhura me njëri-tjetrin". Në ç'radhë e vë Soninoja popullsinë e Shkodrës, të Lezhës, Tiranës, Ulqinit, Gjakovës, Pejës, Tetovës, Dibrës, Elbasanit, Kavajës e qyteteve të tjera? Edhe këta kanë të njëjtën kombësi. Jo vetëm Sininoja, por askush tjetër s'do të mund të mohojë kombësinë e shqiptarëve"(Xh. Belegu; Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj 1878-1881, Tiranë, 1939, fq. 88.), shkruante Lipih në relacionin e tij.

Mendimi për unitetin kombëtar të popullit shqiptar u përpunua më tej në veprimtarinë krijuese të rilindësve që vepruan në fundin të shek XIX e në fillimin e shek XX, e sidomos të ideologut të shquar Sami Frashëri, i cili i dha atij një kuptim më të gjerë e më të plotë. Përgjithësimi i përvojës së veprimtarisë trevjeçare të Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e vendit e çoi atë në përfundimin se " Shqipëria duhet të jetë një dhe i pandarë", se "të gjithë shqiptarët duan të quhen vëllezër dhe djemtë e një mëmëdheut të dashur"(Arkivi Qendror i RPS të Shqipërisë (tani AQSH), Fondi 51, dos. 4. S. Frashëri i shkruan De Radës më 20 shkurt 1881.). Në karakterin politik "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet?"(1899) Samiu e trajton bashkimin kombëtar të shqiptarëve si mendimtar revolucionar, me bindjen se ai mund të arrihej vetëm me anë të organizimit dhe të luftës politike dhe të armatosur. Shqiptarët, theksonte ai, s'kanë nevojë të bëjnë gjë tjetër veçse "të bashkohen të gjithë sa janë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga Turqia dhe Evropa. Turqia...do t'u japë ato që kërkojnë me hir a me pahir". Në qoftë se shqiptarët do të arrinin të vendosnin një lidhje të fortë e do të bashkoheshin të gjithë si një njeri i vetëm, arsyetonte Samiu, atëherë nuk do të gjendej forcë që të guxonte t'u kundërvihej Shqipërisë dhe shqiptarëve" (S.Frashëri; Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet? Bukuresht, 1899, Tiranë, 1962, fq. 66.).
Ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, gegë e toskë, zotëron në vendimet dhe veprimtarinë e lidhjes së Pejës (1899-1900) e sidomos në thirrjen "Rruga e shpëtimit është në besa-besë!"që përbën aktin e saj kryesor programatik. Duke ecur ne rrugën e çelur nga Lidhja e Prizrenit, atdhetarët rilindës luftuan që "bashkimi i krijuar nga Lidhja e Pejës të përfshinte gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë", të ngrihej mbi ndasitë fetare e krahinore, për tu provuar armiqve se shqiptarët janë një komb unik, zotë të atdheut të vet dhe të aftë për të qeverisur atë. "Ajo që do ta shpëtojë kombin e atdheut tonë,-theksohej në këtë thirrje,-është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë"(AQSH. Fondi 12, dos. 1. Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën).

Të bashkuar e në një front unik në shkallë kombëtare dolën shqiptarët përball sunduesve osman gjatë kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Dëshmi e unitetit dhe e bashkërendimit të veprimit të tyre ishte si angazhim pothuajse i të gjitha viseve të Shqipërisë në luftën e armatosur popullore që u zhvillua në një kohë, në prill-gusht 1912, në mbar vendin, ashtu edhe kërkesat e njëjta programatike që u shprehën në vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm Shqiptar të Junikut të maj të vitit 1912 dhe në ato të memorandumit të Sinjës, (Berat) të 23 korrikut 1912 që doli nga mbledhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut. Atdhetarët rilindës me të drejtë shihnin në to "bashkimin e vullnetin e tërë shqiptarëve", pa dallim feja e krahina, për ta futur vendin në rrugën e qytetërimit. "Ne,-thuhej në një nga thirrjet që kryengritësit u drejtonin shteteve evropiane,-shkojmë drejt luftës dhe vdekjes për këtë i deal të shenjtë, pa dallim feje; një fe shumë e lartë që i kaloi të gjitha, na vëllazëron, na frymëzon, na nxit, na udhëheq: ringjallja e atdheut tonë, bashkimi dhe liria (Akte të Rilindjes...,dok. 154).

Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar nuk mund të kuptohej pa unitetin territorial, një nga komponentët më të domosdoshëm për ekzistencën e kombit, pa themelin mbi të cilën shqiptarët do të ngrinin shtetin e pavarur dhe do ti siguronin kombit të tyre një zhvillim të plotë dhe unik. Ky bashkim do të arrihej duke kapërcyer ndarjen e trojeve shqiptare në katër vilajetet, të vendosura nga Porta e Lartë, si dhe dallimet krahinore midis Gegërisë e Toskërisë e trevave të tjera më të vogla, të trashëguara nga thellësitë e shekujve e që mbaheshin gjallë nga pushtuesit dhe nga pashallarët e bajraktarët vendas për të penguar unitetin politik të shqiptarëve, për t'i copëtuar e për t'i nënshtruar ata. Në këtë ndarje administrative rilindësit shikonin vazhdimin e parimit të lashtë të pushtuesve "përçaj e sundo!",të cilit, sikurse shprehej Pashko Vasa,"tanimë i ka kaluar koha, sepse rryma e shek. XIX i shtyn popujt drejt bashkim it" (P. Wasa, vep e përmendur, fq. 96).

Lufta për njësimin e tokave shqiptare u ndërthur në mendimin politik të rilindësve me përpunimin e një koncepti të drejtë mbi këto territore. Në argumentimin e përkatësisë kombëtare të trojeve shqiptare ata mbështeteshin në radhë të parë në të dhënat etnike, në faktin që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në këto toka dhe banonin atje në mënyrë kompakte. Abdyl Frashëri ndonëse mbronte me argumente të gjithanshme historike, etnike, gjuhësore, ekonomike dhe ushtarako-strategjike tërësinë e Shqipërisë, e vinte theksin në gjuhën shqipe, që ishte tipari i përbashkët dhe një nga më kryesorët e kombit. "Gjuha e banorëve të Shqipërisë,-shkruante Abdyli,-është shqipja ,dhe banorët e saj janë shqiptarë qysh prej kohëve të lashta "("Basiret", Istambull, nr. 2416, 7/19 prill 1878). Ky koncept i rilindësve për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve, i një popullsie që fliste të njëjtën gjuhë, pavarësisht nga dallimet fetare e ndarja administrative në katër vilajete, ishte një koncept i drejtë, shkencor, i cili qe vënë në themel të formimit të shteteve kombëtare në Ballkan e në tërë Evropën. Këtë parim mbronte edhe F. Engelsi, kur shkruante se "kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët"(K. Marks-F. Engels veprat, vëll. 13, 1959, fq 281).

Për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si dhe për historiografinë tonë të sotme, janë krejtësisht të huaja synimet që u atribuohen nga disa studiues të sotëm të tipit të Dimitrije Bogdanoviçit, i cili duke i dhënë tezës mbi origjinën ilire të shqiptarëve një interpretim krejt të falsifikuar e subjektiv, përpiqet të bindë opinionin publik se, sipas kësaj teze, konsiderohen si shqiptare të gjitha territoret e banuara dikur nga ilirët, ku në shek. XIX jetonin popuj të tjerë. Ai shikon në pikëpamjen për origjinën ilire të shqiptarëve përpjekjen e imagjinuar prej tij, për ta kthyer Ballkanin, madje edhe Evropën, shumë shekuj prapa, në periudhën e dyndjeve të fiseve sllave,në shek VI. (D. Bogdanovic', Knjiga o Kosovu, Beograd, 1985, fq 16).

Si dijetarë, rilindësit i referoheshin edhe historisë, sillnin të dhënat për të drejtat historike të shqiptarëve mbi trojet amtare, për të mbrojtur paprekshmërinë e tyre, por duke u shtrirë këto të drejta vetëm në ato territore, në të cilat banonin në shek XIX, si pasardhës të ilirëve, si një popull autokton e jo i vendosur si rrjedhojë e "dyndjeve të mëvonshme të fiseve shqiptare dhe e shpërnguljes së popullsive sllave", sikurse pohohet në historiografinë e vjetër dhe të sotme jugosllave. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti kombëtar, por për hir të kushteve, në të cilat i vendosi historia, shqiptarët, sikurse shprehej edhe Abdyl Frashëri, nuk kishin ushqyer asnjëherë aspiratat pushtuese ndaj popujve të tjerë. ("Basiret", Istambull, nr. 2416, 7/19 prill 1878).

Ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që e ardhmja e Shqipërisë garantohej me formimin e një shteti të pavarur përballë rrezikut të copëtimit, "të zhdukjes së ekzistencës kombëtare dhe politike të vendit"(A. Frashëri, Letër nga Janina, "Basiret", Istambull, nr. 2416, 7/19 prill 1878), i cili u qëndronte mbi krye shqiptarëve si "shpata e Damokleut", atdhetarët rilindë veçuan si një detyrë tepër të ngutshme dhe imperativë bashkimin e viseve shqiptare, kërkuan nga Porta e Lartë "që vendi i quajtur Shqipëri të bashkohej në një tërësi dhe të formonte një vilajet të vetëm"(Akte të Rilindjes...,dok. 52).

Ata e shikonin këtë si një kërkesë minimale, të përkohshme, si një qëndrim taktik të imponuar nga politika e Portës së Lartë dhe e Fuqive të Mëdha që kundërshtonin autonominë e Shqipërisë. Në këtë çështje ushtroi ndikimin e vet edhe bindja e udhëheqësve të lëvizjes sonë kombëtare për ta përdorur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet, si një shkallëz, si një fazë transitore, për të kaluar më pas në shpalljen e tij si një njësi shtetërore autonome shqiptare.

Pikërisht pse çonte në rrjedhime të tilla,bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet të vetëm e gjejmë edhe në mendimin politik e në veprimtarinë praktike të mendimtarëve të tillë me pikëpamje radikale, si Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, si edhe në vetë aktet e Rilindjes. Abdyl Frashëri, që njihet si luftëtar më i vendosur për autonominë, madje edhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, në memorandumin që i dërgoi sulltanit, më 13 tetor 1880, kur siç shprehej si "Flotat e Gjashtë Fuqive të Mëdha, si zhgaba shqyese, sulmuan një qytet të vogël si Ulqini", u detyruan të kufizohej me një masë të tillë shumë të ngutshme, të domosdoshme dhe nga më të rëndësishmet, siç ishte "bashkimi i Shqipërisë; në një vilajet të vetëm, me emrin "vilajeti i Shqipërisë;". Udhëheqësi i lëvizjes kombëtare e vlerësonte këtë si një nga mjetet që do t'u priste rrugën lakmive të shteteve fqinje", lakmi që nxiteshin edhe nga "ndarja e Shqipërisë në katër vilajetet", ku krahas shqiptarëve që përbënin shumicën e popullsisë së tyre, kishte edhe pakica sllave e greke, si "një masë që do të mbronte e do të siguronte tërësinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane".

Në kushtet e atëhershme tepër të ndërlikuara ndërkombëtare, Abdyli e quante aq kritike gjendjen e Shqipërisë dhe aq real rrezikun që kërcënonte tërësinë e trojeve të saj e vetëqenien e shqiptarëve si komb, sa që u detyrua në këtë memorandum t'u bënte lëshime koncepteve të veta radikale për zgjidhjen e çështjes shqiptare."Le të mos i jepet Shqipërisë asnjë privilegj ose formë administrative e veçantë,-i shkruante Abdyli sulltanit,- Le të administrohet ajo sipas ligjeve, me të cilat administrohen vilajetet e tjera perandorake. Mjafton që të katër vilajetet të bashkohen në një vilajet të vetëm "(Promemoria e A. Frashërit, parashtruar Sulltanit me 13 tetor 1880. Bashbakanllik Arshivi, Istanbull, Yildiz Esas Evraki, Kisim 14, Evrak nr. 2239). Këtë kërkesë Abdyli ia paraqiti sulltanit si një aspiratë të mbarë popullit shqiptar.

Ideja e bashkimit të viseve shqiptare në një vilajet të vetëm përshkon memorandumet dhe peticionet që iu dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX deri në shpalljen e Pavarësisë. Ajo paraqitet në dy forma: së pari, si kërkesë e veçantë që u shtrua sidomos në periudhat e ndërhyrjeve më të ashpra të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive ballkanike, dhe së dyti, si pjesë e platformës autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në memorandumet e peticionet e shumta, e sidomos në ato të kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912. Në të dyja rastet bashkimi i viseve shqiptare do t'i nënshtrohej, sikurse Sami Frashëri, "qëllimit kryesor të shqiptarëve: ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë, të gjuhës dhe të kombësisë shqiptare dhe formimit të një shteti autonom kombëtar" (S. Frashëri, Shqipëria ç'ka qenë,...,fq 59).

Ekzistencën e shqiptarëve si një komb i vetëm dhe të drejtën e tyre për të pasur shtetin e vet të pavarur nuk mund t'i vinte në pikëpyetje ndarja e tyre në tri besime fetare në atë mysliman, të cilit i përkiste shumica e popullsisë në atë katolikë e në ortodoks. Megjithatë, në kushtet e atëhershme, kur Porta e Lartë dhe Patrikana greke e Stambollit u mohonin shqiptarëve kombësinë, vinin shenjën e barazimit midis fesë dhe kombësisë duke i quajtur shqiptarët myslimanë-turq, katolikët-latinë dhe ortodoksët-grekë, besimet e ndryshme ushtronin ndikim negativ në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Në rrethana të tilla, bashkimi kombëtar i popullit shqiptar dhe organizimi i tij në një shtet të pavarur nuk mund të arriheshin pa atë luftë të vendosur që atdhetarët rilindës zhvilluan kundër reaksionit klerikal kundër të të tri besimeve, e cila i dha Rilindjes Shqiptare një tipar të veçantë, e bëri të dallohet nga lëvizjet kombëtare të shteteve fqinje. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ku borgjezia për shkak se popullsia i përkiste të njëjtit besim fetar, e përdori kishën si armë ideologjike në luftën për çlirimin kombëtar dhe më pas për të përmbushur lakmitë e saj pushtuese, në Shqipëri kleri ishte një faktor negativ, siç shprehej F. Noli, "një vegël politike" në duart e të huajve, që punonte për t'i përçarë e për t'i asimiluar shqiptarët, dhe frenonte kështu bashkimin e tyre kombëtar. Ishte meritë e veçantë e rilindësve që e vlerësuan drejt këtë rol reaksionar të klerit, që kuptuan se për të arritur bashkimin e shqiptarëve aq të nevojshëm për çlirimin e tyre kombëtar, duhet të kapërceheshin ndasitë fetare dhe të shkëputeshin masat nga ndikimi përçarës i klerikëve të të tri besimeve. Te bashkimi pa dallim feje dhe krahine, ata shihnin bazën e vetme të luftës për çlirimin e Shqipërisë.

Një luftë e tillë nuk mund të zhvillohej nga pozitat e ateizmit, sepse pjesa më e madhe e rilindësve ishin vetë besimtarë dhe në kushtet e prapambetjes ekonomike e kulturore të vendit, kur feja kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e njerëzve, populli ynë, sikurse theksonin me të drejtë atdhetarët më të përparuar, nuk kishte arritur deri në atë shkallë sa të mërzitej feja dhe t'i shporrte priftërinjtë e hoxhallarët jashtë vendit ("Shqipëria", Magaga (Egjipt), nr 4-5 maj 1907, për ortodoksët). Megjithatë, me qëndresën kundër reaksionit klerikal, iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare Shqiptare në një platformë më të përparuar, në parimin e kombësisë, të shqiptarisë si feja e shqiptarit", që përshkon një literaturë të tërë politike dhe artistike të Rilindje sonë, ishte afetare, një nocion politik që synonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.(St. Pollo; Mbi disa tipare dalluese themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në Studime Historike, Tiranë, 1970 nr.3 fq. 121).

Ideologjisë reaksionare të pan-islamizmit, pan-ortodosizmit etj. që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomanë dhe që identifikonte fenë me kombësinë, rilindësit u kundërvunë racionalizmit të tyre, konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare. "Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman e i krishterë"(S. Frashëri; Shqipëria...,fq. 39.)- shkruante Sami Frashëri. Mendimtarët rilindës i mbaheshin pikëpamjes se kombësia dhe feja nuk janë e njëjta gjë, se ato përfaqësojnë dy kategori të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ata luftuan kundër propagandës halifatiste të sulltanëve osmanë dhe asaj panheleniste të Patrikanës greke që ngrinin "besimin fetar në parim kombësie dhe zëvendësonin racën ( kupto kombësinë) me dogmë, ritin me atdhe, që ishte krejt e pa pranueshme". Nuk janë as myslimanizmi, as krishterimi,-arsyetonin rilindësit,-ata që formojnë popujt, kombet, por gjuha, doket, zakonet e karakteristikat e tjera që i dallojnë kombësitë nga njëra-tjetra. (P. Wasa, vep. e përmendur, fq. 56.S hih edhe ;"I foni tes Alvanias" ,13 tetor 1879 dhe 19 janar 1880). Pas propagandës panheleniste që identifikonte krishterimin me helenizmin dhe i quante grekë shqiptarët ortodoksë, sepse kishin besim të përbashkët me ta, rilindësit shihnin rivendikimet e qarqeve të caktuara politike ndaj popullsisë shqiptare dhe trojeve të tyre.

Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta, shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre "studiuesve" të huaj, të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje "në tri grupe", për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë"një flamur kombëtar", ashtu edhe shtrembërimet që propaganda, duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste, i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.

Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar, pa dallim feja e krahine,që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit ( 1878-1881) dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj, vinte në dukje Sami Frashëri më 1878, "ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria...dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar". ("Terxhumani Shark", 17/19 qershor 1878, nr. 81, fq. 3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës. Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë, që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës, se ky unitet do t ë vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve, të cilët siç theksonin ata, ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t'i dobësonin aspak.(K. Prifti; Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881, Tiranë, 1978, dok. 40).

Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh, në fundin e shek.XIX dhe në fillimin e shek. XX, i përbërë nga Jani Vreto, Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Bajo e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno etj. të cilët duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare, të mbjella nga kleri, zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane.("Kombi", Boston, nr. 58, 25 tetor 1907).
Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t'i përçajnë e t'i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë "hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore", se "ndryshimet fetare s'kanë qenë shkak për t'i shtypur në përçarje" (P. Vasa, vep e cituar, fq. 91). Është një e vërtetë e provuar historikisht që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit, se shqiptarët "nuk kanë njohur ato grindje, luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur"jo vetëm në v endet e Lindjes, por edhe "në vendet e qytetëruara të Evropës" (S. Frashëri; Shqipëria ....,fq. 45-46).

Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (J. Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1973, fq. 225), zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare, përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta, por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas, për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.

Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë, jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen, por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. "Në emër të të gjithë popullit mysliman e të krishterë, në emër të të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912, nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese" (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963. dok. 3, 6-9, 11, 13).

Vetë Kuvendi i Vlorës që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori, kishte një karakter mbarëshqiptar, shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t'u bashkuar në shtetin e vet kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik, në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej tyre. Këtë vendosmëri shqiptarët e Kosovës, të Shkupit e Dibrës dhe të viseve të tjera, të udhëhequr nga një bërthamë unike ushtarako-politike të përbërë nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Sali Gjuka, Ramadan Zaskoci, Isuf Xhelili etj. e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës, por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo ushtrive serbo-malazeze, të cilat u dyndën në trojet shqiptare. Këto nuk ishin beteja thjesht lokale për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës, por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar, ose siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912, për t'i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë", "për t'i parë trojet shqiptare të bashkuara, me një formë të qeverisuri e sundimi politik"(Akte të Rilindjes...dok. 169).

E parë nga pikëpamja e kontributit që dha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, qeveria e Ismail Qemajlit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë. Me krijimin e saj dhe të vetë shtetit kombëtar, shqiptarët siguruan atë qendër udhëheqëse që u kishte munguar prej rreth pesë shekujsh, e cila siç shprehej shtypi patriotik, "do të bashkonte nën flamurin e Shqipërisë gjithë popullin shqiptar" (A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914 Tiranë, 1978, fq. 126-127, "Liri e Shqipërisë", Sofje, 22. 07. 1913). Ndonëse nuk pati jetë të gjatë, Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike që u grumbulluan rreth saj zhvilluan një veprimtari të dendur, dolën të bashkuara si brenda vendit ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar kundrejt lakmive pushtuese të monarkive fqinje dhe vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Londër më 1912-1913. Qeveria e Përkohshme i kundërshtoi vendimet e Konferencës së Londrës, sepse ato binin ndesh me aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, të cilët siç theksohej në deklaratat e kësaj Qeverie, si"grupimi etnik më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik ", kishte të drejtë të formonin shtetin e tyre të bashkuar, sepse ato vendime nuk merrnin parasysh parimin e kombësisë,por e zëvendësonin atë me" të drejtën e luftës e të pushtuesit".

Në viset e pushtuara nga ushtritë serbe protesta kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës u shoqërua me kryengritjen kundër zgjedhës serbo-malazeze që shpërtheu në Dibër në shtator të vitit 1913, u shtri gjatë muajit tetor në Ohër, Srugë, Tetovë, në Malësinë e Gjakovës, në Prizren e në vise të tjera të Kosovës. Në thirrjet drejtuar Fuqive të Mëdha, më 15 tetor 1913, kryengritësit dibranë e kosovarë ngritën zërin kundër krimeve të ushtrisë serbo-malazeze, që mbyti në gjak fshatrat shqiptare, i ktheu ato në krematoriume, ku u dogjën për së gjalli qindra gra e fëmijë, dhe kërkoi nga Evropa si mjet shpëtimi "t'u jepte të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm" (Qeveria e Përkohshme e Vlorës... dok. 322, shih edhe D. Tucoviç, Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë, 1968, fq. 82-84). Kryengritja e shtatorit të vitit 1913 ishte shkëndija e parë e asaj lëvizjeje masive që do të zhvillohej në vitet 1 918-1925, në Kosovë e në viset e tjera të aneksuara nga Jugosllavia nën drejtimin e Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës".

Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. I.Qemali dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar. Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre, duke masakruar e shpërngulur nga vatrat amtare qindra mijëra shqiptarë. "Zgjidhje" të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme e vendeve fqinje, u imponuan nga "interesat e borgjezisë" dhe interesat "dinastike" të monarkive ballkanase, si edhe nga borgjezia reaksionare, imperialiste e Evropës që "nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare", midis popujve.
Ishte Serbia dhe monarkitë e tjera ballkanike fqinje që pa u kënaqur me cungimin e rëndë që u bënë trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës, më 1913, u orvatën me forca ushtarake e mjete diplomatike të likuidonin qysh në embrion shtetin e pavarur shqiptar. Në sintezë të politikës së Serbisë dhe të Jugosllavisë që u krijuan më pas, e cila i përshtatet edhe qëndrimit të monarkive të tjera ballkanike, ka dhënë funksionari i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, Ivan Vukotiçi, në raportin dërguar qeverisë së tij në vitin 1939. "Ne,-shkruante ky,-asnjëherë nuk kemi pasur simpati për ta (kupto: për shqiptarët )...Në kombinacionet tona politike dhe diplomatike, si edhe në politikën tonë diplomatike, si edhe në politikën tonë Ballkanike, ne vazhdimisht kemi synuar të luftojmë të gjitha kërkesat shqiptare për krijimin e shtetit të pavarur, thjeshtë për arsye se ky shtet mund të themelohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona kombëtare" (B. Krizman, Studim i Dr. Ivo Andriçit mbi Shqipërinë në vitin 1939. në"Qasopis za Sovremenu Povijest", Zagreb, Godina IX, 1977, nr.2(24)).

Rreziku i copëtimit përfundimtar i kombit tonë, i zhdukjes së shtetit të pavarur shqiptar që u shfaq me gjithë forcën gjatë Luftës së Parë Botërore, e sidomos në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit të viteve 1919-1920, mund të kërcënohej vetëm në qoftë se shqiptarët do të dalin para saj si një popull i bashkuar e kompakt me qeverinë e tyre, e cila do ta përfaqësonte zyrtarisht shtetin shqiptar. Marrëveshja që arritën në këtë Konferencë, më 13-14 janar 1920, përfaqësuesit e Anglisë, të Francës e të Italisë për copëtimin e Shqipërisë, midis Italisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë, sipas klauzolave të Traktit të Londrës të 26 prillit të vitit 1915, shkaktoi një shqetësim të madh e të ligjshëm në mbar popullin shqiptar, i dha një shtysë të re e të fuqishme forcave të ndryshme shoqërore të vendit e të afroheshin me njëra-tjetrën, të forconim unitetin politik dhe të thërrisnin në janar të vitit 1920 Kongresin e Lushjës. Ky ishte një kuvend mbarëshqiptar siç thuhet në dokumentet e tij, fryt i "përfundimit të një marrëveshje të përgjithshme e të gjitha viseve të Shqipërisë", që mori përsipër detyrën e "forcimit të bashkimit e vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve, për tu siguruar vetëqeverimin e plotë të Shqipërisë dhe unitetin e gjithë shqiptarëve"(M. Çami; "Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (përmbledhje dokumentesh) Tiranë, 1976, vëllimi II-të dok. 1). Ajo që karakterizoi Kongresin e Lushnjës dhe Qeverinë Kombëtare e Sulejman Delvinës, ishte bashkimi rreth saj i të gjitha forcave patriotike të popullit dhe i trojeve shqiptare. "Asnjëherë në historinë e vet,-deklaronte në atë ditë Aqif Pashë Elbasani,-kombi shqiptar nuk ka qenë i bashkuar si është sot, me një dëshirë të patundur që të ketë qeverinë e vet, pas formulës " Shqipëria për shqiptarët "(Po aty, vëllimi II-të dok. 89).

Në një kohë me përpjekjet që bëri në rrafsh ndërkombëtar, pranë Konferencë së Paqes së Parisit, kundër traktativave për copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinje dhe për pavarësinë e plotë të vendit, qeveria e re e vendosi në Tiranë në shkurt të vitit 1920, vazhdoi me konsekuencë veprën e nisur nga Ismail Qemali; bashkoi njëra pas tjetrës viset e ndryshme të atdheut. Por u desh të çlirohej edhe Vlora me krahinën përreth që kishte mbetur ende nën pushtimin Italian, të derdhej gjaku i qindra luftëtarëve të tjerë që të kryhej vepra e bashkimit kombëtar. Lufta për çlirimin e Vlorës ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një epope e lavdishme, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë e saj forca e unitetit të popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Shtypi shqiptar shkruante në ato ditë "Lufta e Vlorës është një çështje e përbashkët e lidhur me jetën e Shqipërisë; ("Populli", Shkodër, 17. 07. 1919, "Drita", Gjirokastër, 16. 06. 1920 dhe 31 .07. 1920). Në betejat e përgjakshme e të pabarabarta që u zhvilluan në qershor-korrik të vitit 1920 kundër një ushtrie të shumtë në numër e të armatosura deri në dhëmb, në Drashovicë, në Kotë, në Kaninë, në Gjormë, Llogara, Tepelenë e brenda në Vlorë, bashkë me fshatarët e qytetarët e këtyre viseve që përbënin bërthamën kryesore të forcave shqiptare,ishte përfshirë një komb i tërë,i gjithë Shqipëria,mijëra vullnetar nga të gjitha anët e vendit, jo vetëm nga krahinat e afërta të Beratit e Gjirokastrës, por edhe nga Tirana, Elbasani, Korça, Peqini, Kavaja, Shijaku, Kruja, Mati, Dibra, Gramsh etj. (Lufta e popullit shqiptar..., vëllimi II-të, dok. 323). Ishin kompaktësi, uniteti i veprimit, guximi, patriotizmi i zjarrtë, që populli shqiptar shfaqi në luftën e armatosur të Vlorës, ata faktorë që bënë të pavlefshëm Traktatin famëkeq të Londrës të 26 prillit 1915,si dhe projektet antishqiptare t ë Konferencës së Paqes, ata faktorë që ruajtën shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e vitit 1913.

Ndonëse i takojnë një periudhe disi të largët, këto projekte të atdhetarëve shqiptar për bashkimin kombëtar, mbajnë gjithnjë një theks aktual. Me jehonën që rrezatuan në periudhat pasardhëse, me gjurmët e pashlyeshme që lanë në mendimin politik dhe në veprimtarinë praktike të lëvizjes demokratike e asaj revolucionare të mëvonshme, ato përbëjnë një trashëgimi të vyer, e cila kaloi brez pas brezi si një mësim e testament i madh që historia e kaluar i la së tashmes e të së ardhmes të popullit tonë.

Gjilan, nëntor 2004

FUND

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf B. Bajrami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 5,160 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi