Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NË KOSOVËN E SHQIPËRISË ETNIKE NUK KA KOMB KOSOVAR, POR VETËM NJË PJESË E KOMBIT SHQIPTAR
Publikuar më 28 qershor, 2012 në orën 23:25 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
BAROMETRI DIPLOMATIK

***Kushdo (në mënyrë individuale) le të "abonohet" në kombin kosovar të Nexhmedin Spahiut, por populli shqiptar i Kosovës së Shqipërisë Etnike, nuk ka asnjë arsye, që ta ndërrojë KOMBIN SHQIPTAR!

*** Madje, edhe në kuptimin alegorik të figuracionit stilistik të “shkencës” miksologjike-kozmopolite të proceseve integruese rajonale, kur të përkthehet politikisht përmbajtja e kombit kosovar, del se, formula e përkufizimit të tij diletant multietmik, është kjo: “lyeje shijshëm, lyeje shëndetshëm, lyeje me dobro jutro”, që do të thotë se, edhe kombi kosovar, do të krijohet po në këtë frymë të politikës tregtare serbo-kosovare. Mirëpo, shqiptarët e Kosovës, nuk duhet të pranojnë, të jenë pjesë përbërëse e kombit kosovar, sepse është në funksion të mohimit dhe të shpërfytyrimit të KOMBIT SHQIPTAR dhe të SHTETIT KOMBËTAR SHQIPTAR-SHQIPËRISË ETNIKE.

*** Pavarësisht nga krahasimet spekuluese të Nexhmedin Spahiut, se “ shqiptarët e Kosovës ende nuk janë komb, por do bëhen një ditë…”, duhet t’ia rikujtojmë këtij “zbuluesi epokal” të kombit kosovar se, në asnjë periudhë historike shekullore, shqiptarët nuk kanë qenë minoritet në Kosovë (pavarësisht se si i kanë trajtuar të tjerët, minortet apo pakicë kombëtare), por shumicë dërrmuese-pjesë e pandashme e KOMBIT SHQIPTAR dhe e SHQIPËRISË ETNIKE. Kjo është e vërteta, iu pëlqeu apo jo armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Shqiptarët Kosovës nuk kanë bërë asnjë kryengritje dhe asnjë luftë për të krijuar kombin shqiptar në Kosovë, apo ndonjë komb tjetër, i ashtuquajtuar komb kosovar, por për ta ruajtur, për ta mbrojtur, për ta çliruar dhe për ta pavarësuar atë nga sundimet e huaja kolonialiste shekullore, si dhe për t’iu bashkuar tërësisë së KOMBIT SHQIPTAR dhe SHQIPËRISË ETNIKE.

*** Shqiptarët e Kosovës(1900-1999), e , edhe UÇK-ja(1993-1999) nuk kanë luftuar për krjimin e ndonjë kombi të ri alla kosovar-produkt gazetaresk dhe politiko-tregtar propagandistik i kohës konsumatore të "globalizmit" alla ballkanik të autorit Nexhmedin Spahiu, por kanë luftuar dhe derdhur gjak më se një shekull , që të realizojnë të drejtën e tyre natyrore, legjitime historike dhe të drejtën e vetëvendosjes si pjesë e pandashme e KOMB SHQIPTAR dhe e SHQIPËRISË ETNIKE.

Kjo është e vërteta e pamohueshme, jo teza e çoroditur dhe vulgarizuese e Nexhmedin Spahiut se gjoja shqiptarët e Kosovës nën Jugosllavi, të gjitha luftrat e derisotme i kanë bërë për formimin e kombit kosovar, duke theksuar se “ me vetë faktin se çdo shtet ka pronarin e vet edhe pronari i shtetit të Kosovës sigurisht se është kombi kosovar, janë shqiptarët e Kosovës…”[1]
Me keqardhje, por duhet ta pranojmë se, ky konstatim i Nexhmedin Spahiut, është një spekulim politik arbitrar për t”ua bërë qejfin “pronarëve” të sotëm privat poltikë drejtues të Kosovës, si dhe për ta justifikuar tezën e tij pseudo-shkencore se gjoja “pronari i shtetit të Kosovës, sigurisht se është kombi kosovar…”!?
Kjo tezë e shpërdredhur falsifikuese nuk ka asnjë pikëmbështetjeje historike, faktike e as argumentuese, sepse pronar legjitim dhe legal i Kosovës, është i gjithë kombi shqiptar dhe Shqipëria Etnike, jo assesi kombi kosovar, i cili nënkupton të gjithë qytetarët dhe shtetasit e sotëm të Kosovës ( shqiptarë, serbë, turq, romë, kroat, boshnjakë etj.).

Pra, pa dyshim se, zotërues legjitimë të Kosovës, janë vetë shqiptarët, por jo, në asnjë mënyrë kombi kosovar i Nexhmedin Spahiut.
Edhe kjo tezë më e re shpërfytyruese e kombit shqiptar e Nexhmedin Spahiut, është njësoj e gabuar dhe antishkencore, sikurse teza e tij paraprake: “ Kosova kurrë nuk do bëhet shtet, para se të formohet kombi kosovar.”!?

Mirëpo, ndërkohë, këtë tezë të pasaktë alla serbo-sllave të Nexhmedin Spahiut, e përgënjeshtroi njohja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008-krijimi i shtetit të pavarur dhe sovran i Kosovës, i cili u bë, para se të formohej “KOMBI KOSOVAR” i zbuluesit Nexhmedin Spahiu, që në të vërtetë nuk është kurrfarë kombi (por vetëm një pykë shkyese-antitezë e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Etnike), sepse atë nuk e pranojnë as serbët, as turqit, as kroatët, sepse kanë kombet e tyre në Serbi, në Turqi dhe në Kroaci!

Ky është fakti dhe argumenti se kombi kosovar i Nexhmedin Spahiut, është një falsifikat sui generis, pa asnjë mbështetje teoriko-shkencore të mirëfilltë. Mirëpo, kot, edhe pse i dështuar dhe i vetëmuar në “zbulimin epokal shkencor” të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, kursesi të bindet dhe të pajtohet me vetëvetën se në Kosovë nuk ekziston kurrfarë “kombi kosovar”, por ai vazhdon me tezat e tij të gabuara trilluese, fantastike dhe astrologjike të “lëndës së parë” sllave, se kinëse kombin kosovar, “e hudhin poshtë dhe e mohojnë ata që kanë pretendime për zgjerime territoriale “!?

Kjo akuzë shpifëse me përmbajtje serbo-sllave nuk ka të bëjë me ata patriotë shqiptarë që po e krtikojnë dhe nuk po e pranojnë në asnjë formë kombin kosovar, por vetëm me kolonialistët dhe me imperialistët serbo-sllavë të Basllkanit, të cilët me pushtime barbarike dhe me gjenocid kanë zgjeruar territoret e tyre në kurriz të territorit të Kosovës,dhe të territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike (1878-1945). Mirëpo, ka ndërruar tezën, në vend se t’i krtikojë serbo-sllavët për pretendimet dhe për zgjerimet e tyre territoriale në kurriz të territoreve etnike shqiptare. Ai pa kurrfarë të drejte, pa kurrfarë “busulle” etike, profesionale dhe kombëtare, si dhe pa kurrfarë faktesh dhe argumentesh të qëndrueshme, hedh baltë dhe njollos oponentët shqiptarë (duke ua hedhur fajin për “pretendime të zgjerimit territorial”), të cilët me të drejtë dhe me argumente të parrëxueshme kanë përtrollisur tezën e tij falsifikatore mbi “kombin kosovar”.

Ja, se si Nexhemdin Spahiu, duke u shërbyer me formën krahasuese të disa paradigmave të huaja sllave dhe josllave, i ka denoncuar mohuesit e kombit kosovar, së këndejmi edhe tezën aksiomatike të ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, i cili në përgjigjen e tij publicistit Nexhmedin Spahiu, i thotë se : “S’ka komb kosovar”. Këtë të vërtetë e dinë të të gjithë shqiptarët, por jo edhe Nexhmedin Spahiu “zbuluesi” i kombit kosovar, i cili, sipas këtyre shembujve konkret ka akuzuar rëndë dhe, pa asnjë argument, shqiptarët edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, gjoja se ata, duke mohuar kombin kosovar “kanë pretnedime për zgjerime territoriale” në kurriz të territoreve të huaja fqinje.
Eh, pikërisht, kjo është tezë akuzuese antishqiptare, e rreme, e fasifikuar dhe e ndryshuar, bazuar në burimet e historiografisë, të politikës, të diplomacisë, të shkencës, të publicistikës dhe të propagandës serbo- ruso-bullgaro-greko sllave, që me shkuj mohon identitetin dhe ekzistencën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.
Mirëpo, duke qenë se Nexhmedin Spahiut i mungon etika parimore dhe profesionalizmi i mirëfilltë shkencor, kur është fjala për përkufizimin teorik të kombit, ai, kështu e mbron dhe e justifikon tezën e tij për kombin kosovar: “ edhe bullgarët kanë qëndrim se nuk ekziston kombi maqedonas, edhe serbët që nuk ekziston kombi malazez, edhe rumunët që nuk ekziston kombi moldav. Kjo është një gjë e natyrshme, sepse të gjitha këto shtete pretendojnë zgjerimin e territoreve të veta dhe nuk pajtohen që nga gjaku i tyre të lind një komb i ri. Ky është qëndrim dominant edhe në Shqipëri, e fatkeqësisht edhe në Kosovë, ka thënë Spahiu përmes telefonit për Kosovapress.”[2]

Pavarësisht se Nexhmedin Spahiu këto krahasime i ka bërë me qëllim që të mbrojë tezën e tij kuazishkencore të kombit kosovar, si dhe t’i akuzojë shqiptarët për irredentizëm, Serbia ka të drejtë që nuk njeh kombin malazez, sepse pjesëtarët e tij, janë me origjinë serbë. Gjithashtu, edhe Bullgaria ka të drejtë që nuk e njeh kombin maqedon, sepse pjesëtarët tij, janë bullgarë. Si malazezët, ashtu edhe maqedonët, Jugosllavia me dekretin e saj politik të Titos dhe të Kardelit, i shpalli dhe i njohu si kombe më vete, me qëllim që mbi këtë parim, të formonte gjashtë republikat e saj. Pra, si malazezët, ashtu edhe maqedonët, janë produkt politik artificialë i regjimit komunist titist, ashtu sikurse kombi kosovar, që ka për qëllim shkëputjen nga kombi shqiptar dhe nga Shqipëria Etnike.

Gjithashtu, Nexhemdin Spahiu gabon rëndë, kur thotë se, “shteti i Kosovës u krijua nga një komb”, duke aluduar në kombin kosovar të tij. Mirëpo, edhe sikur të ishte e kundërta, shteti i Kosovës, nuk është krijuar nga ASNJË KOMB, siç pohon Nexhemdin Spahiu, por si rezultat i luftës së drejtë dhe antikoloniale të UÇK-së, i luftës së NATO-s dhe i Amerikës. Këta janë tre faktorët kryesorë, të cilët e kanë krijuar shtetin e pavarur të Kosovës, e jo “një komb”, siç thotë nexhemdin Spahiu, por vetëm NJË PJESË E KOMBIT SHQIPTAR dhe e SHQIPËRISË ETNIKE.
Sepse, sikur të ishte ashtu siç pohon N. Spahiu, se “Kosovën e ka krijuar një komb”(duke harruar se, para disa vitesh, ai ka pohuar të kundërtën se” pa formimin e kombit kosovar, nuk mund të formohet shteti i Kosovës). Sikur të ishte ashtu, Kosova qe katër vite (2008-2012), do të ishte e bashkuar edhe si komb, edhe si shtet shqiptar-SHQIPËRIA ETNIKE.Për më tepër, sikur shtetin e Kosovës, ta kishte krijuar KOMBI SHQIPTAR, ajo nuk do të ishte ende nën pavarësinë e mbikëqyrur evro-ndërkombëtare, as e ndarë nga Shqipëria Etnike, por do të kishte realizuar të drejtën e saj të vetëvendosjes, që të bashkohej me gjithë KOMBIN SHQIPTAR dhe me SHQIPËRINË ETNIKE.
Kjo është e vërteta e pamohueshme doktrinare, faktike dhe argumentuese, që përjashton tezën diletante të Nexhmedin Spahiut se “shqiptarët e Kosovës kanë luftuar për të formuar kombin e tyre”! Përkundrazi, si theksuam më sipër, shqiptarët e Kosovës nën sundimin e egër kolonial të të gjitha regjimeve tiranike gjenocidale serbo-jugosllave (1878-1999), kanë luftuar jo për krijimin, por për ruajtjen e idenitetit të tyre kombëtar shqiptar, si dhe për formimin e Shtetit të tyre-SHQIPËRISË ETNIKE brenda kufijve natyralë historikë dhe gjeopolitikë të saj në Ballkan.

Kombi kosovar përimitim i tezave të kombit të falimentuar jugosllav, as më pak e as më shumë!

Sa më tepër të bëhet shamatë dhe propagandë me prapavijë politike, karrieriste, egocentrike, tregtare dhe promovuese për përhapjen dhe për imponimin e tezës së kombit kosovar me përmbjatje hibride etnike dhe subetnike( shqiptarë, serbë, turq, romë, kroatë, boshnjakë, goranë, ashkalinj dhe egjiptianë), aq më komik, më zhbindës, më dështues dhe më kuazishkencor del autori i tij, Nexhemedin Spahiu, si dhe disa partizanë të tij, të cilët nuk kanë kurrfarë njohurie se kombi kosovar është i barasvlershëm me kombin jugosllav, të patnetuar nga jugosllavët “internacionalistë” dhe “kozmopolitë”, Tito dhe Kardeli, të cilët, në këtë formë të marketingut politiko-propagandistik (sikurse Nexhmedin Spahiu) tentuan, që Evropën dhe botën demokratike, ta bindnin se në Jugusllavinë e tyre kishte lindur një komb jugosllav, që para botës, donte të thoshte se në Jugoslavinë titiste, “ishte zgjidhur çështja kombëtare”!?

Mirëpo, kjo nuk qe fare e vërtetë ngase në Jugosllavi nuk kishte kurrfarë kombi jugosllav dhe, nuk ishte zgjidhur çështja kombëtare, edhe pse në letër ishte krijuar “kombi kugosllav” dhe i ashtuquajturi “bashkim-vëllazërimi” mbase ky farë i ashtuquajtur komb jugosllav, ishte artificial dhe i imponuar, sepse nuk kishte kurrfarë baze historike, as etnike, as kulturore, as gjuhësore, as tradicionale të përbashkët me kombin shqiptar të cilit, “internacionalistët” komunistë ortodoksë serbo-jugosllavë, kurrë nuk ia njohën të drejtën e vetëvendosjes si komb shqiptar, edhe pse në Kosovë shqiptarët etnikisht përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë.

Duke mos u hedhur në historinë e shekujve XVIII dhe XIX, por duke u kufizuar vetëm nga shekulli XX, shqiptarët e Kosovës, kurrnjëherë nuk kanë luftuar që të formojnë kombin shqiptar (sepse ai ishte formuar në kohën, kur ishin krijuar edhe kombet e tjera të Evropës dhe të Ballkanit), por për ta mbrojtur dhe për ta ruajtur identitetin e tij nga fqinjtë hegjemonistë dhe kolonialistë sllavë të Ballkanit (serbët, malazezët, bullgarët, grekët etj.).
Në këtë kontekst, edhe lufta e fundit e UÇK-së (1993-1999), u zhvillua kundër sundimit kolonial, ekspansionist dhe gjenocidal të Serbisë, në mënyrë që Kosova të shkëputej nga Serbia kolonialiste, të fitonte lirinë dhe pavarësinë dhe t’i bashkohej Shqipërisë. Pra, as shqiptarët e as UÇK-ja nuk kanë lufuar për formimin e ndonjë kombi të ri alla kombi kosovar, por vetëm për mbrojtjen e identitetit të tyre kombëtar shqiptar dhe për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Duke qenë se Nexhmedin Spahiu nuk po u bindet fakteve dhe argumeneve se në Kosovë nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë komb kosovar, atëherë, është e drejtë personale e Nexhmedin Spahiut “që ta zgjedhë një komb tjetër”, ashtu siç ka pohuar me të drejtë, edhe ambasadori fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, Islam Lauka, duke nënvizuar se ““Ai që e ndjen veten se nuk i takon kombit shqiptar, është i lirë të zgjedhë një komb tjetër, sepse jemi në demokraci, s’ka problem. Bën zgjedhjen e vet. Kush e ndjen se s’e ka kombin e vet, është i lirë të kërkojë, sepse edhe mund ta gjejë. Por në gjykimin tim, shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të kërkojnë komb, ata e kanë, dhe jo vetëm e kanë, por janë lulja e kombit shqiptar”[3]

Në këtë vështrim, ambasadori Islam Lauka me plot të drejtë e ka hudhur poshtë si të dëmshme, inekzistente, të paprnaueshme dhe si “pseudoshkencore” tezën e kombit kosovar të autorit Nexhemdin Spahiu, duke konsideruar se [b]“ bartësit e kësaj ideje e kanë vetëm një qëllim, që ta lënë kombin shqiptar pa histori, dhe si rrjedhojë e kësaj, ta lënë atë edhe pa të ardhme.”[4][/b]

Nuk ka asnjë dyshim se, ky edhe është fakti dhe argumenti, si dhe qëllimi i parë dhe i fundit i autorit të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu dhe i “bashkaminuesve” të tij të verbër diletantë, që ta bastardojnë dhe mohojnë historinë e djeshme dhe të sotme të kombit shqiptar, pjesë e pandashme e të cilit janë edhe shqiptarët e Kosovës së Shqipërisë Etnike.

Deri kur do të jemi robër të tezave ruso-serbo-sllave antishqiptare?!

-Sa herë duhet të thuhet dhe të shkruhet në mënyrë të argumentuar se, asnjë komb në botë nuk ka autor inidividaul, ashtu sikurse na doli Nexhmedin Spahiu me autorsinë e tij mbi kombin kosovar?
-Sa herë duhet rikujtuar Nexhmedin Spahiun se, asnjë popull në botë nuk ka DY KOMBE, por vetëm NJË?
- Sa herë duhet përsëritur të njëjtat fakte dhe argumente se në Kosovë, është krijuar NJË SHTET I RI, JO NJË KOMBI I RI KOSOVAR?!

-Pavarësisht se si e quajnë evro-perëndimorët në gjuhën e fjalorit të tyre politik dhe juridik në anglishte: “kosovar nation”. Në gjuhën shqipe, ky nocion, do të thotë “shtet kosovar” apo “shtet i Kosovës”, jo assesi “KOMB KOSOVAR”. Pra, pikësëpari Nexhmedin Spahiu, duhet ta bëjë dallimin ndërmjet këtyre dy koncepteve, ç’është “kombi” dhe ç’është “shteti”? –Mëpastaj, me argumente të qëndrueshme teorikeo-shkencore, ta bindë shkencën shqiptare, se në Kosovë, është në formim e sipër një “komb kosovar”. Mirëpo, sipas shtruarjes dhe interpretimit të tezave antishkenocore të autorit Nexhmedin Spahiu mbi “kombin kosovar”, rezulton se, në asnjë aspekt të përmbajtjes së tij nuk ka asnjë element të përbashkët me KOMBIN SHQIPTAR.

Sa më sipër, pavarësisht nga tezat e pajustifikueshme të kombit kosovar të Nexhmedin Spahiut, populli shqiptar në Ballkan, nuk mund të jetë i vetmi PËRJASHTIM në botë dhe t’i ketë DY KOMBE TË NDRYSHME, pavarësisht se tani ka dy shtete (Shqipëria londineze dhe Kosova), e nesër, ndoshta mund t’a ketë edhe të tretin, apo të katërtin. Gjithashtu, edhe pse shqiptarët kanë tri fe (islame, katolike dhe ortodokse), këta kanë vetëm NJË KOMB TË PËRBASHKËT SHQIPTAR, i cili nuk njeh kurrfarë KOMBI KOSOVAR të Nexhmedin Spahiut dhe të disa ithtarëve të tij, që me fanatizëm dhe në mënyrë miope e kanë përqafuar atë si “produkt shkencor” të kohës së integrimit dhe të globalizmit. Mirëpo, ipso facto kombi kosovar nuk ka të bëjë me asnjërin prej këtyre dy koncepte, porse është vetëm tezë e dështuar dhe stereotipe e kombit jugosllav, të diktuar, i cili në dekadën e fundme të shekullit XX (1989-1999) çoi në shthurjen e Jugosllavisë titiste dhe, në shpërthimin e tre luftrave agresive gjenocidale të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.

Referencat:

1. //www.kosovapress.com/11/06/2012//
2. Po aty.
3. Po aty.
4. Po aty.


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 58 vizitorë
Lexuar: 2,574 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi