Serbia në panik nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, alarmon Brukselin!!! |
Publikuar më 09 prill, 2015 në orën 20:15 ( ) |
Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion | |
|
|
Barometri diplomatik
*** Edi Rama: “Nëse BE-ja vazhdon t’i mbajë të mbyllura dyert për integrimin e Kosovës, atëherë Kosova dhe Shqipëria, do të jenë të detyruara, që të bashkohen “ në mënyrë klasike”, edhe pse ne jemi përcaktuar që bashkimi të bëhet “via Bashkimit Evropian”(BE).
Ndërkaq, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq në mënyrë kërcënuese, duke e humbur vetëkontrollin dhe durimin politik e kundërshtoi këtë Deklaratë të kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama (edhe pse ishte eksplicite, e peshuar politikisht, demokratikisht dhe krejt në frymën paqësore, ligjore dhe të standardeve të BE-së dhe të së drejtës ndërkombëtare) , se gjoja Serbia “kurrë nuk do të lejojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Unë i premtoj kryeministrit Edi Rama se Kosova dhe Shqipëria kurrë nuk do të bashkohen në mënyrë klasike!” (http://www.reporter.al/vucic-irritohet-nga-rama-sdo-te-lejoje-kurre-shqiperine-e-madhe/04/07/2015/).
Po, nëse Edia Rama e pyet Serbinë se a të ribashkohet Kosova me Shqipërinë apo jo, atëherë, kryeministri serb, Aleksanda Vuçiq, le ta përmbushë premtimin kërcënues se “kurrë nuk do ta lejojë” këtë lloj ribashkimi sipas “modelit klasik” të së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, kjo është vetëm një floskulë e politikës propagandistike e viteve të 90-ta të shekullit të 20-të, që ka për qëllim helmatisjen e marrëdhënieve shqiptare – serbe, si dhe dezinformimin e BE-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare se kinëse kryeministri Edi Rama “po u fryka daulleve të luftës për të destabilizuar dhe rrezikuar paqen, sigurinë dhe paqen në Ballkan”. Kjo është vetëm një gënjeshtër sui generis dhe mashtrim millosheviqian dhe sheshelist për të shpërqëndruar vëmendjen e BE-së, të NATO-s, të Amerikës dhe të OKB-së nga “tema kryesore”-mosndryshimi i Kushtetutës së Serbisë (2006) , si dhe mosshfuqizimin e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara (10 qershor 1999), dokumente këto, që të dyja nuk njohin statusin e pavarësisë së Kosovës, edhe pse kjo që nga 17 shkurti 2008, është e pavarur dhe sovrane, e cila si e tillë ka të drejtën e plotë ligjore, që të ribashkohet me Shqipërinë. Në këtë pikëvështrim Serbia nuk mund të pengojë gatishmërinë, vullnetin dhe dëshirën e ligjshme të Tiranës dhe të Prishtinës.
Nuk ka asnjë dilemë se, sikur të pyeteshin shovinistët ulgtranacionalistë serbë të “kallëpit” : Nikoliq, Vuçiq, Daçiq, Vulin, Gjuriq… etj., të cilët, sot në sy të Amerikës, të OKB-së, të NATO-s, të BE-së dhe të OSBE-së po shiten si “demokratë dhe “paqësorë” (gjoja se prej tyre varet fati, ardhmëria, qëndrueshmëria, paqja dhe siguria e Ballkanit), sigurisht se Serbia, duke përdorur forcën dhe agresionin, do të pengonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mirëpo, tani, këtu e 15 vite, rrethanat politike kanë ndryshuar në favor të Kosovës dhe të Shqipërisë në Ballkan. Kosova është bërë e pavarur më 17 shkurt 2008, kurse Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s më 1 prill 2009.
Pra, kryeministri Aleksandar Vuçiq, si dhe bashkëmendimtarë e tij serbë kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duhet të mbajnë parasysh faktin se tani në Ballkan janë krijuar realitete të reja historike dhe politike; më nuk mbretërojnë të njëjtat kushte dhe rrethana “atmosferike” të stuhishme sikurse ato të viteve të 90-ta të shekullit të 20-të, kur Serbia e Slobodan Milosheviqit shkaktoi tri agresione dhe gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.
Atëbotë, Kosova ishte në sundimin kolonial dhe në shtetrrethim të hekurt nga Serbia, pa asnjë mbrojtje qoftë nga Shqipëria ose nga ndonjë shtet evropian. Ndërkaq sot, Kosova është e lirë, e pavarur dhe sovrane, e mbrojtur nga NATO-ja dhe Amerika. Kështu që Serbia nuk ka asnjë gjasë që ushtarakisht të ndërhyjë në Kosovë për të penguar ribashkimin e saj me Shqipërinë, sepse do të ndëshkohej rigorozisht nga NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare për shkak të rrezikimit të paqes dhe të sigurisë jo vetën në Ballkan, por edhe në Evropë dhe në shkallë ndërkombëtare.
Kjo “llogari pa hanxhiun” e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka karakter negativ të ambivalences destruktive të politikës dhe të diplomacisë së krerëve drejtues të Serbisë, sepse kukamat dhe shpifjet e këtilla propagandistike të Beogradit zyrtar, kanë për qëllim që ta frikësojnë dhe ta dezinformojnë BE-në dhe popullin serb, se kinëse deklarata e Ramës për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, “nuk është në funksion të paqes, të stabilitetit, të integrimit, të bashkëpunimit dhe të sigurisë në rajon, por është në kundërshtim me këto vlera evropiane”.
Kjo akuzë politiko-propagandistike e kryeministrit Vuçiq, nuk është e re, por e vjetër, e sajuar që në vitet e 90-ta të shekullit XX së bashku me bashkëpunëtorët dhe me bashkëveprimtarët e tij të ngushtë (sipas detyrës) kryeliderët serbomëdhenj politkë, partiakë dhe shtetërorë, Vojislav Sheshel dhe Slobodan Milosheviq, të cilët e dezinformonin Evropën, botën dhe serbët se autonomia eksituese ose, në rastin më të keq, njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, “do të digjte Ballkanin dhe do ta destabilizonte gjithë Evropën” etj.
Përkundrazi, në vend të këtij parashikimi tendencioz dhe të trilluar në formën më perfide paranoide kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në Ballkan ndodhi Serbia gjenocidale fashiste, e cila për t’i zgjeruar kufijt artificialë të Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit (1844), kreu tre gjenocide brenda një dekade (1989-1999) kundër kroatëve në Kroaci, kundër boshnjakëve myslimanë në Bosnjë dhe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Pra, më në fund ( me një vonesë dhjetëvjeçare), u bind edhe Evropa, edhe bashkësia ndërkombëtare, se Ballkanin e dogji dhe e destabilizoi në themel, Serbia e Madhe e Vuçiqit, e Sheshelit dhe e Milosheviqit, jo shqiptarët e Kosovës, që me plot të drejtë kërkonin jetësimin e së drejtës së tyre të vetëvendosjes, ashtu sikurse popujt e tjerë në rajon.
Sa më sipër, duhet të nënvizojmë se një parashikim i tillë i strategjisë politke antishqiptare i millosheviqëve, i sheshelëve, i vuçiqëve, i drashkoviqëve, i akademikëve: Dobrica Qosiq, Vasilije Krestiq, Mihajlo Markoviq, Milorad Ekmeçiq, Antonije Isakoviq…etj., i masmediave të instrumentalizuara të regjimit fashist serb dhe i Kishës Ortodokse Serbe etj., nuk u realizua as teorikisht e as praktikisht, sepse pavarësimi i Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk solli në djegjen e Ballkanit, as nuk e destabilizimin e tij, as të Evropës, por e qetësoi dhe e konsolidoi paqën dhe sigurinë në Ballkan, duke e mbyllur përgkjithmonë një kaptinë të përgjakshme 100-vjeçare midis Serbisë kolonialiste dhe Kosovës shqiptare.
Kështu, nëse vjen në shprehje ribashkimi i Kosovës me Shipërinë, ashtu sikurse ka deklaruar kryeministri i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, qoftë “via BE-së” ose në mungesë të saj, në “mënyrë kalsike”, nuk do të destabilizohet, as nuk do të përflaket Ballkani, por krejtësisht në mënyrë normale, ligjore, demokratike dhe paqësore, do të ribashkohen dy shtete të të njëjtit komb shqiptar. Kështu që, pa asnjë dyshim, një ribashkim i këtillë, do të thellonte, përshpejtonte dhe fuqizonte edhe më shumë procesin e bashkëpunimit dhe të integrimit evropian në Ballkan, duke mos rrezikuar interest strategjike as të BE-së, as të NATO-s e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është çështje e Serbisë, por e marrëveshjes së Prishtinës me Tiranën
Këtë fakt të rëndësishëm, duhet ta mbajë parasysh Beogradi zyrtar, sepse një ribashkim i tillë i Kosovës me Shqipërinë, është i lejueshëm dhe plotësisht legal mbase është në frymën e normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, këtë process nuk mund ta pezullojë, as parandalojë Serbia si vend i tretë fqinjë, sepse fjala është për ribashkimin e dy shteteve shqiptare, jo për bashkimin e asnjërës prej tyre me Serbinë.
Në rastin konkret, Serbia nuk ka asnjë të drejtë morale, as ligjore, që të zhvillojë gjithë atë fushatë të ethshme politike dhe propagandistike mediale kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse Kosova e as Shqipëria, në asnjë kuptim, nuk janë pjesë territoriale të Serbisë (edhe pse Kushtetuta në fuqi e Serbisë flet ndryshe se “Kosova është province serbe”), por janë dy shtete krejtësisht të pavarura, të krijuara në territorin e tyre autokton historik, gjeopolitik dhe etnik.
Fundja, këtë të drejtë, nuk mund t’ua mohojë askush, prandaj, as presidenti Tomislav Nikoliq, as kryeministri Aleksandar Vuçiq, as ministri Jashtëm Ivica Daçiq e as Marko Gjuriq, sepse konkretizimi dhe realizimi i saj në praktikë varet vetëm nga pëlqimi i ndërsjellë i të dy qeverive të Tiranës dhe të Prishtinës, nëse ato dakordohen për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë qoftë “via BE-së”, qoftë në “mënyrë klasike” siç parashikon e drejta ndërkombëtare. Kjo formë nuk do të thotë kurrfarë kërcënimi as për Ballkanin e as për Evropën, sepse është e sanksonjuar në parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare.
Ribashkimi “në mënyrë klasike” është normë dhe parim i së drejtës ndërkombëtare, jo kurrfarë kanosjeje për Ballkanin dhe për Evropën!
Prandaj, deklarata e kryeministrit Edi Rama, se në rast dështimi të ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë “via BE”, do të vinte në shprehje ribashkimi “në mënyrë klasike”, në asnjë formë, nuk mund të cilësohet si “kërcënim” as si “rrezik” për paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë e Ballkanit, sepse është tërësisht e ligjshme-në përputhje me rregullat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Natyrisht, që edhe kjo formë ligjore i pengon krerëve drejtues të Serbisë (Nikoliq, Daçiq, Vuçiq, Gjuriq, Vulin etj.) sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Serbisë në fuqi, ku thuhet se “Kosova është e Serbisë”, gjëqë kjo anomali kushtetuese serbe, do të duhej ta frikësonte dhe shqetësonte edhe Ballkanin, edhe Evropën, sepse është kërcënim direkt i paqes dhe i sigurisë së Ballkanit.
Kjo formë e Kushtetutës së Serbisë(2006) i ngjet Kushtetutës së Hitlerit, i cili, duke u mbështetur në të, okupoi Poloninë, Çekoslovakinë, Francën dhe shtetet e tjera të Evropës, duke mospërfillur normat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe Kartën e Lidhjes së Kombeve, e cila më pas nuk qe në gjendje për të siguruar lirinë, drejtësinë, mëvetësinë dhe paqen as në shkallë evropiane e as në atë ndërkombëtare.
Deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, janë antitezë e Kushtetutës së Serbisë (2006) sipas së cilës teorikisht “Kosova ende është krahinë e Serbisë. Për më tepër, janë në focus të bashkëpunimit, të mirëkuptimit, të respektimit të ndërsjellë ndërfqinjësor, të drejtësisë, të pajtimit dhe të paqes së qëndrueshme në Ballkan.
Ato, kështu, duhet kuptuar si përfaqësuesit e politikës zyrtare të Serbisë, ashtu edhe shtetet e tjera fqinje në Ballkan, sepse ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë e parashikon si Kushtetuta në fuqi e Shqipërisë, ashtu, edhe e drejta ndërkombëtare qoftë në formë konfederate a federate të përbashkët.
Ndaj, deklaratat racionale dhe vizionare të kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në asnjë kuptim nuk kanë karakter “luftënxitës”, as “bombardues” e as “destabilizues” të Ballkanit, ashtu si ka deklaruar kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe “ambasadori” i tij në Prishtinë, Marko Gjuriq, por Serbia është ajo që, me mosnjohjen e Kosovës së pavarur, paraqet rrezik potencial jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin. Këtë rrezik parashikues e dëshmon edhe Kushtetuta në fuqi e Serbisë e vitit 2006, sipas së cilës “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Ky absurd dhe paradoks për të drejtën ndërkombëtare dhe për sistemin juridik pozitiv ndërkombëtar, duhet ta shqetësojë Evropën dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare (Brukselin, Uashingtonin dhe Nju-Jorkun), sepse Serbia në këtë rast ka sheklur të gjitha detyrimet e saj si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe si anëtare e Kombeve të Bashkuara, duke e futur Kosovën e pavarur në dispozitat e Kushtetutës së saj në fuqi (të vitit 2006).
Ky është problemi që kërkon zgjidhje urgjente nga BE-ja, NATO-ja, Amerika, OKB-ja dhe OSBE-ja, sepse asnjë shtet në botë nuk gëzon kurrfarë të drejte që në kushtetutën e vet, të sanksionojë, përkatësisht ta tjetërsojë ndonjë territor ose shtetit të huaj, siç është rasti konkret i Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.
Fundja, le të shpifiin dhe le të gënjejnë politika dhe propaganda serbomadhe “çfarë të duan” në kurriz të së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve në Ballkan (ashtu sikurse gjatë shekujve të kaluar), por, duhet të mbajnë parasysh faktin se nuk mund të ëndërrohet kurrfarë ekulibri ballkanik, pa zgidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan. Këtë fakt të rëndësishëm për ruajtjen dhe ardhmërinë e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkan, duhet ta mbajnë parasysh jo vetëm Serbia e Madhe, por edhe i gjithë Ballkani edhe Evropa e sotme demokratike. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është jo vetëm hapi i parë i domosdoshëm strategjik, politik dhe diplomatik, por edhe çelësi i zgjidhjes së problemit kolonial shqiptar në rajon.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 46 vizitorë |
Lexuar:
1,137 herë
|
|
|
|
|
|
|