Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
RRUGËT E SAKRIFICËS TË POPULLIT SHQIPTAR QË SHPIEN DREJT ÇLIRIMIT TË KOSOVËS (PAVARËSISË)
Publikuar më 16 shkurt, 2008 në orën 06:25 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shkruan: SADIK (VELI) KRASNIQI

Ndonëse në vitin 1912 Shqipëria londineze e fitoi pavarësinë, por pjesa tjetër që mbeti jashtë kufijve politik- administrativ i vazhdoi përpjekjet e saja për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar.
Shqiptarët të pakënaqur me gjendjen e rëndë okupuese u organizuan ne luftë përmes çetave kryengritëse që luftuan në dy fronte kundër forcave të fuqive të paktit dhe po ashtu edhe kundër forcave të Atlantës.
Shqiptarët e Kosovës derisa gjendeshin nën okupim ballafaqoheshin me rrethana shumë të vështira politike, ekonomike, sociale, arsimore, etj.
Me vendosjen e forcave Austro-Hungareze- Bullgare në Kosovë shqiptarët u gjetën në një pozitë më të mirë në krahasim me sundimin Serbo-Malazez mirëpo prapë se prapë gjatë viteve 1916-1918 ata luftuan për lirinë e tyre, të udhëhequr nga prijësit e tyre si: Azem Bejta, Idriz Seferi, etj.
Shqiptarët e vazhduan rezistencën edhe pas ri-okupimit nga forcat e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene përgjatë tërë periudhës së luftërave botërore.
Lëvizja çlirimtare e shqiptarëve jehoi sidomos gjatë viteve 1918-1925 që udhëhiqej nga Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me qendër në Shkodër (e themeluar me 1 maj 1918 dhe e udhëhequr nga atdhetarët Hoxhë Kadriu dhe Bedri Pejani).
Gjatë kësaj periudhe si një ndër kryengritjet më të mëdha që u zhvillua gjatë vitit 1919 ishte ajo e Rrafshit të Dukagjinit që udhëhiqeshin nga Sadik Rama, ndërsa më vonë kjo rezistencë u përhap edhe nëpër territoret tjera si në Llap, Gollak, Karadak, Anamoravë, Drenicë, etj.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kosova dhe viset tjera shqiptare ishin ndarë në tri zona të pushtuara ; nga Italianët, Gjermanët dhe nga Bullgarët.
Shqiptarët edhe pse të okupuar gëzonin disa të drejta më të mëdha në raport me Jugosllavët , por me gjithë këtë ata u ngritën në luftë kundër fashistëve pushtues dhe u rreshtuan përkrah koalicionit antifashist me qëllim të çlirimit definitiv dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare etnike në një shtet kombëtar të përbashkët.
Sidomos Kosova që ishte ende e pushtuar nga jugosllavët u fut në luftë duke shpresuar se pas saj do i bashkohej shtetit amë Shqipërisë. Këtë e artikuloi më së miri përmes Konferencës së Bujanit e mbajtur me 31 dhjetor ,1 e 2 janar 1944, mbi bazën e së cilës parashihej e drejta për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës, që nënkuptonte bashkimin me Shqipërinë.
Kjo rezolutë u nxor nga shqiptarët, përkatësisht nga LNÇ-ja ngase frikësoheshin nga një rikthim në gjendjen e paraluftës që për shqiptarët ishte e padurueshme dhe mjaft diskriminuese. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi deri në luftën e UÇK-së të vitit 1998-1999 që triumfoi me fitoren e shqiptarëve të Kosovës të ndihmuar nga Aleanca Veriatlantike- NATO.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 Kosova u ri-kolonizua nga Serbo-jugosllavët, fillimisht duke e ndarë apo copëtuar në tri shtete në mes të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, e më vonë duke e aneksuar nën Serbinë Federale. Me fjalë tjera shqiptarët e përjetuan një terror shtetëror me qëllim të nënshtrimit permanent të tyre. Vetëm gjatë viteve 1945-1966 strukturat udhëheqëse jugosllave keqtrajtuan, plaçkitën , dogjën , burgosën, rrahën, e vranë një numër shumë të madh të shqiptarëve .
Si p.sh. me 1 prill të vitit 1945 në Tivar u vranë disa mijëra ushtar shqiptar. Në shkurt të vitit 1945 kreu jugosllav nga shpallja e administrimit ushtarak vranë rreth 50.000 shqiptar. Nga ana tjetër shqiptarët menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore rezistuan në luftë me jugosllavët që nga Drenica në krye me Shaban Polluzhën e deri në Ferizaj e Gjilan.
Pushtuesit jugosllav në prill të vitit 1945 bënë rekuizime nëpër fshatrat e Kosovës duke grumbulluar sasi të mëdha të ushqimeve në vlerë prej rreth 3.763.000 kg drithë dhe 1.157.000 kg mish.
Në vitin 1956 në Prizren strukturat serbo-jugosllave organizuan gjykime kundër shqiptarëve që ngarkonin me akuza spiunimi dhe veprimtari të fshehta kundër shtetit. Policia sekrete (UDB) kishte hapur dosje për 120.000 qytetar shqiptar nën pretekst të dyshimit .
Okupatori serbo-jugosllav antishqiptar e arriti kulminacionin me grumbullimin e armëve (otkupi) gjatë viteve 1955-1956. Ky aksion ishte koncentruar kryesisht nëpër fshatra duke iu nënshtruar një reprezalje të paparë si duke i rrahur deri në vdekje, burgosur, keqtrajtuar, etj. Ndërkaq vetëm ndërmjet viteve 1945-1966 shqiptarët nga hapësirat e Jugosllavisë u shpërngulën me dhunë në Turqi rreth 246.000 veta. 100.000 prej tyre ishin nga territori i Kosovës.
Në vitin 1968 shqiptarët të pakënaqur me gjendjen e përgjithshme në vend u ngritën me demonstrata duke kërkuar që Kosova të bëhej Republika pra të barazohej me republikat tjera të federatës jugosllave. Dhe pikërisht si rezultat i këtyre demonstratave u përshpejtua procesi i ndryshimeve kushtetuese e cila më vonë u kurorëzua me Kushtetutën e vitit 1974 vlen të theksohet fakti se prej këtyre viteve të kushtetutës e deri te viti 1981, Kosova shënoi disa të arritura në lëmenj të ndryshëm si në arsim , kulturë, ekonomi, gjendje sociale, etj.
Kosova edhe përkundër faktit që gjatë viteve 1968-1981 pati një zhvillim të hovshëm shumëdimensional prapë se prapë ishte nga rajonet më të pazhvilluar në Jugosllavi. Prandaj me qëllim që Kosova të avancohej në planin politik, ekonomik, juridik, social e mbi të gjitha Kosova synonte të ishte republikë e barabartë e Federatës Jugosllave.
Me fjalë tjera populli i Kosovës u ngrit në demonstrata me 11 Mars 1981 me parullën kryesore Kosova-Republikë.
Realisht demonstratat e vitit 1981 në vazhdim pasuan me burgosje, vrasje, keqtrajtime, diferencime, largim nga puna, etj. Ndërmjet viteve 1981-1990 rreth 700.000 shqiptar iu nënshtruan trajtimeve nga organet policore 10.000 prej tyre u dënuan në shkallë gjykimi me kundërvajtje, 3500 të tjerë u dënuan në shkallë gjyqësore të mesme prej 1-7 vjet burgim.
Gjatë këtyre viteve UDB-ja organizoi skenarë për ndjekjen dhe vrasjen e një sërë veprimtarësh të organizatave ilegale si brenda dhe jashtë vendit siç ishin vëllezërit Gërvalla , Kadri Zeka, Enver Hadri, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Metush Krasniqi, Fahri Fazlia, Afrim Zhitia e shumë të tjerë.
Pastaj shumë nga intelektualët shqiptar u larguan nga puna dhe u burgosën siç ishin atdhetari i shquar Ukshin Hoti, Ali Hadri, Hajredin Hoxha, etj.

Që pas demonstratave vitit 1981 institucionet relevante serbo-jugosllave siç ishin : Akademia, Kisha dhe politika te cilat punuan nën rrogoz skenarë perfide kundër shqiptarëve që ishin fatale për Kosovën e këto u panë në vazhdimësi gjatë historisë bashkëkohore me theks të veçantë prej vitit 1989 deri te lufta e fundit 1997-1999.
Është me rëndësi të potencohet fakti se institucionet serbo-jugosllave të lartpërmendura filluan të publikojnë brenda dhe jashtë vendit materiale tendencioze ndaj shqiptarëve. Këto shkrime (botime) buronin nga studime pseudoshkencore (përpjekja për përgënjeshtrimin e historisë shqiptare para botës) ku flitej për prapambetjen e shqiptarëve, për dhunime, shkatërrime kishash, shkelje varrezash, etj. Pastaj propaganda serbo-jugosllave shkonte aq larg duke i quajtur shqiptarët si njerëz me bishta (bisha), barbar, vandal, e çka jo tjetër vetëm e vetëm që të krijojnë alibi për sulm ndaj tyre.
Me ardhjen në pushtet në Serbi-Jugosllavi të një kaste politike në krye me Sllobodan Millosheviqin, gjendja politike në Kosovë dhe në të gjitha hapësirat jugosllave u thellua edhe më shumë.
Synimet e pushtetit serbo-jugosllav, për ndryshimet kushtetuese pashmangshëm çuan drejt suspendimit të autonomisë së Kosovës. E cila edhe pse u kundërshtua nga shqiptarët prapë se prapë u suprimua nga serbët në rrethana shtetrrethimi (me dhunë) me 23 mars 1989.
Edhe akti i heqjes së autonomisë së vitit 1974 për Kosovën ishte i përgjakshëm. Shumë shqiptar në mbrojtje të autonomisë u ngritën në revolta, demonstrata një numër i madh prej tyre u rrahën dhe një pjesë u vranë. Meqë Kosovës iu muar autonomia serbo-jugosllavët në muajin prill 1990 e zbutën kursin politik. Arsyet ishin dy:
-E para në një mënyrë ia arritën qëllimit që ta suprimojnë autonominë e Kosovës dhe
-E dyta për faktin se këtë akt e dënoi media ndërkombëtare.
Gjatë vitit 1990 masave regresive shqiptarët iu përgjigjen me formimin e partive politike siç ishin: formuar tashmë LDK e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, Partia Parlamentare e Kosovës e udhëhequr nga Veton Surroi, Partia Social-demokratike e udhëhequr nga Luljeta Pula-Beqiri, etj.
Gjatë viteve 90-ta ndodhën edhe disa ngjarje të rëndësishme si aksioni për pajtimin e gjaqeve i udhëhequr nga Profesori Anton Çetta. Shpallja e deklaratës kushtetuese me 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës me datën 7 shtator 1990 në Kaçanik shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këtyre veprimeve politike iu kundërpërgjigj qeveria serbe duke ndërmarr një sërë masash si: suspendimin e Kuvendit të Kosovës, gjykatës, qeverisë, mediave (radio televizionin e Prishtinës- Rilindja) shkatërrimin e sistemit ekonomik, arsimor, shëndetësor, etj, me fjalë tjera në Kosovë u instalua një gjendje e rëndë.
Nga ana tjetër shqiptarët e Kosovës si kundërveprim krijuan sisteme paralele në shumë fusha sidomos në atë të arsimit. Populli i Kosovës me 26 -30 shtator 1991 organizoi referendum shtetëror për Kosovën e pavarur rreth 87.99% e popullit u deklaruan pro pavarësisë. Në këto rrethana shqiptarët e Kosovës organizuan zgjedhje, por ishin të pa efektshme (formë e improvizimit pa pushtet real).
Konferenca e Dejtonit u mbajt në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje. Kjo konferencë shqiptarëve të Kosovës iu hapi sytë duke iu dhënë të kuptojnë së çështja e Kosovës nuk ishte marrë në konsideratë fare.
Prandaj shqiptarët filluan të ndryshojnë nga një politikë paqësore (joproduktive ) në atë aktive (radikale). Dhe kjo u pa më së miri me 1 tetor 1997 kur shqiptarët e lodhur nga pritja, dhuna, nënshtrimi, përmes studentëve të Universitetit të Prishtinës u ngritën në protesta duke dhënë kështu indikacione se tashmë kishte ardhur koha që edhe legalisht të shkohet drejte krahut revolucionar-luftarak.
Krahas politikës legale në Kosovë, vepruan edhe shumë organizata ilegale, përmes veprimtareve atdhetare në kontinuitet deri te dalja e UÇK-së në skenë.
Veprimtaria shumëvjeçare e lëvizjeve ilegale ndryshe konsiderohej parahistoria e
UÇK-së, që kishte gjenezën që prej pas Luftës së Dytë Botërore pikërisht me rastin e ri-kolonizimit të Kosovës nga serbo-jugosllavët. E ato ishin: (1945-1947) Organizata Nacional Demokratike shqiptare udhëheqës të së cilës ishin: Ymer Berisha, Marie Shlllaku, Gjon Sereqi, Ajet Gërguri, etj. Besa Kombëtare Shqiptare, Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve 1964 e udhëhequr nga Adem Demaçi, që më vonë pasoi me formimin e Lëvizjes për Çlirim Kombëtar të Kosovës (LÇKK) e udhëhequr nga atdhetari i njohur Jusuf Gërvalla. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK) që konsiderohej si njëra ndër organizatat më masive pas demonstratave të vitit 1981, e cila u formua në vitin 1976 që udhëhiqej nga veprimtar të shquar si: Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, etj. Me 17 shkurt 1982 pas disa përpjekjeve të vazhdueshme dhe të vështira u bashkuan organizatat LÇKVSHJ e OMLK me PKMLSHJ në lëvizjen për Republikën Socialiste të shqiptarëve në Jugosllavi (LRSHJ). Organizata, Partia e Luftës së Kosovës ishte organizatë që vepronte në bazë të programit të Lëvizjes së Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Kjo organizatë synonte organizimin luftarak në Kosovë me qëllim të institucionalizimit të saj në arenën ndërkombëtare. Këtë organizatë e udhëhiqnin Rexhep Mala, Nuhi Berisha e shumë të tjerë.
Në praktikë është e natyrshme të kuptohet se grupet e vogla të bashkohen për të formuar një të vetëm. Kështu ndodhi me formimin e LPRK-së që erdhi si rezultat i bashkimit të dy grupeve në mes të OMLK-së dhe LRSHJ-së.
Pas bashkimit të këtyre dy organizatave përkatësisht pas shkrirjes së OMLK-së në LRSHJ me 15 maj 1982, LRSH-ja i vazhdoi aktivitet e veta deri në vitin 1985 e cila këtë vit u shndërrua në Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) që si pararojë të saj e vendosën OMLK-në e re, e cila u shndërrua në një organizatë masash. Kjo organizatë dhe disa tjera më vonë do të shërbejnë si promotor i ngjarjeve që çuan drejt luftës së UÇK-së. Më këtë rast vlen të theksohet fakti se në vitet 1989-1990 disa anëtar të
LPRK-së u lidhen me familjen Jashari në Prekaz që njihej si familje militantësh.
Gjatë viteve 1990-1991, në Kosovë i kemi organizimet e para ushtarake nga Adem Jashari dhe shokët e tij (të njohura si ushtria e Kosovës që e pohonte vet Adem Jashari) të cilat në një formë apo tjetër e krijojnë një bazë të mirë për formimin e UÇK-së. LPRK-ja e pa kënaqur me situatën vendosën të thërrasin një mbledhje të fshehtë në Drenicë në vitin 1993 të cilët në bazë të divergjencave që patën u ndan në dy organizata të reja e ato ishin LPK-ja dhe LKÇK-ja. Pas ndarjes së këtyre organizatave menjëherë filluan organizimet p.sh. LPK-ja ishte më e organizuar në perëndim dhe botonte organin e lëvizjes “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër. Ndërsa nga ana tjetër LKÇK-ja organizimin e përqendroi kryesisht brenda në Kosovë dhe e botonte organin e lëvizjes “Çlirimi”.
Shqiptarët e Kosovës prej vitit 1993 e deri në prag të luftës nga dhuna serbe përjetuan një spastrim të heshtur etnik . Sipas shifrave statistikore të eksodit shqiptar të Kosovës sillej rreth 100.000 njerëz të vendosur kryesisht nëpër vendet Evropës-Perëndimore.

Në vitin 1994 me bashkimin e grupeve guerile në Kosovë krijohen rrethana pozitive për formimin e SH.Q. të UÇK-së i cili vepronte në rrethana të ndryshme në disa vende të Kosovës. Ndër themeluesit kryesor të UÇK-së ishin Adem Jashari, Nait Hasani, Rexhep Selimi, Luan Haradinaj, Lahi Ibrahimaj, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Zahir Pajaziti dhe disa pjesëtar të tjerë jashtë vendit si: Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaqi, etj .
Gjatë viteve 1994-1997 organizimi i UÇK-së kryesisht ishte horizontal dhe është përdorur në atë mënyrë që secili pjesëtar i UÇK-së e kishte mundësinë të jetë edhe ushtar edhe udhëheqës me fjalë të tjera (udhëheqës sipas shembullit).
Në Z.O. të Drenicës përveç grupit të Prekazit ishin edhe grupe tjera që vepronin në Llaushë, Açarevë, Abri, Baicë, Vojnik të cilat njësite më vonë formuan bazën e Z.O. të Drenicës.
Në Dukagjin grupet kryesore të UÇK-së ishin në Jabllanicë dhe Gllogjan të cilat më vonë e krijuan Z.O. të Dukagjinit.
Në Llap grupi i Zahirit i cili më vonë rezultoi me formimin e Z.O. të Llapit.
Në territorin e Shalës ishte i angazhuar Rrahman Rama që më vonë rezultoi me formimin e Z.O. të Shalës.
Në territorin e Pashtrikut ishte grupi i Drenocit të Rahovecit që më vonë u zgjerua dhe me grupet tjera që erdhi deri te formimi i Z.O. të Pashtrikut.
Në territorin e Nerodimes ishte grupi i Ferizajit dhe Kaçanikut që rezultoi me formimin e Z.O. të Nerodimes.
Në territorin e Karadakut ishte grupi apo bërthama e parë nga Avdullah Tahiri, që rezultoi me formimin e Z.O. të Karadakut.
Vetëm gjatë viteve 1992-1995 sipas shifrave serbe kishte pasur reth 136 sulme me armë nga UÇK-ja kundër policisë serbe në tërë Kosovën. Luftimet e para që u zhvilluan ballëpërballë ndërmjet armikut dhe forcave të UÇK-së domosdoshmërisht çuan drejt daljes publike të UÇK-së, me 28 nëntor 1997 me pjesëmarrjen e mëse 20.000 njerëzve të cilët kishin ardhur në varrimin e mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe disa ditë më herët në Llaushë të Drenicës. Me këtë rast u shfaqën publikisht tre pjesëtar të UÇK-së. Ky akt shënoi fillimin e daljes publike të UÇK-së. Familja Jashari e cila ishte cak i sulmeve nga forcat serbo-jugosllave edhe dy herëve tjera më parë me 5, 6 dhe 7mars pas rrethimit që iu bë fshatit Prekaz nga forcat policore e ushtarake u zhvilluan luftime të ashpra përgjatë 3 ditë dhe pas një qëndrese titanike familja Jashari në krye me Komandantin Adem Jashari bien në Altarin e lirisë 51 dëshmorë, kryesisht anëtar të familjes së ngushtë të Adem Jasharit, ndër të cilët edhe fëmijë, gra e pleq. Vrasja e familjes Jashari dhe e Komandantit legjendar Adem Jashari padyshim i masovizoi radhët e UÇK-së, në tërë hapësirat e Kosovës dhe më gjerë. Me këtë rast grupi i kontaktit iu kërcënua Serbisë me një varg sanksionesh.
Pas luftimeve të drejpërdrejta në mes të UÇK-së dhe policisë e ushtrisë serbo-jugosllave në rajonin e Drenicës shumë shpejt ato u përhapen edhe në Dukagjin, Pashtrik, Shalë, Llap, Nerodime, Karadak dhe kështu në tërë Kosovën.
Forcat serbe nga bombardimet artilerike dhe nga të shtënat e thjeshta për aq sa arrinin nëpër vendbanimet e popullatës shqiptare zbraznin, vranin, masakronin, dhunonin, etj. Skenari i gjithë këtyre veprimeve ishte spastrimi etnik dhe ç’rrënjosja e UÇK-së, të cilën nuk mundi asnjëherë ta realizoi okupatori. Bilanci i luftës gjatë vitit 1998 u mbyll me marrëveshjen e arritur në mes emisarit amerikan Richard Hollbruk dhe Sllobodan Millosheviqit me 12 tetor 1998 , me ç’rast në Kosovë u futën vëzhguesit e misionit të OSCE-së që kishin për qëllim ruajtjen e paqes. Kjo marrëveshje në mes palëve ndërluftuese u prish në dhjetor 1998 të provokuar në mes veti (serbët) filluan luftimet në rajonin e Llapit.
Në janar të vitit 1999 ishte zbuluar masakra e Reçakut në të cilën u masakruan 45 civil shqiptar në mesin e tyre edhe fëmijë. Këtë rast Z. Villiam Voker, Shef i misionit verifikues e dënoi hapur duke i akuzuar forcat serbo-jugosllave për gjenocid kundër njerëzimit. Kjo ngjarje ndikoi tek faktori ndërkombëtar që të thirret një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, e cila do të mbahej në Rambuje-Paris të Francës.
Në këtë marrëveshje të përkohshme për paqe që e inicioi grupi kontaktit i mblodhi dy palët ndërluftuese atë shqiptare dhe serbo-jugosllave. Nga pala shqiptare delegacioni përbëhej nga UÇK-ja si udhëheqëse nga LDK-ja dhe LBD-ja, si dhe nga dy përfaqësues të pavarur. Derisa bisedimet zhvilloheshin në Rambuje në Kosovë një zë kundërshtues i këtyre negociatave ishte ai i Adem Demaçit –përfaqësues politik i UÇK-së i disa pjesëtarëve tjerë të UÇK-së dhe nga LKÇK-ja. Pas shumë ekzibicioneve e përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar, pala shqiptare e nënshkroi dokumentin, ndërsa delegacioni serb e kundërshtoi dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen. Si kundërveprim NATO-ja me datën 24 mars 1999 filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë dhe Serbi (territori i Jugosllavisë). Nga 24 marsi e deri më 10 qershor për rreth 72 ditë bombardime u kryen 2.300 sulme ajrore me ç’rast u hodhën 22 mijë ton eksploziv kundër 8 caqeve në Serbi dhe 70 në Kosovë, me fjalë tjera aleanca NATO për ajri dhe UÇK-ja për toke luftoi deri në kapitullimin përfundimtar të ushtrisë jugosllave në qershor të vitit1999.
Për shkak të bombardimeve të NATO-së forcat serbo-jugosllave si kundërveprim filluan të hakmerren ndaj civilëve shqiptar duke i përdor si mburojë nga NATO, duke i vrarë, e masakruar, duke djeg e shkatërruar, duke plaçkitë tërë pasurinë, duke i dëbuar me dhunë nga shtëpitë e veta duke dhunuar femrën shqiptare, etj.
Sipas një bilanci përfundimtar i cili erdhi si pasojë e veprimeve negative të shkaktuara nga forcave serbe ne Kosovë ishte me sa vijon : 800.000 shqiptar civil të dëbuar me dhunë nga Kosova, rreth 15.000 të vrarë e të masakruar prej tyre 2000 dëshmor të
UÇK-së, djegia e disa qindra e mijërave shtëpive, grabitja e pasurisë, dhunimi i rreth 2.000 femrave shqiptare, etj.
Marrëveshja ushtarako-teknike e Kumanovës e mbajtur me 3 qershor 1999 parashihte tërheqjen e forcave serbo-jugosllave dhe hyrjen e trupave të NATO-së në Kosovë. Rezoluta 1244 e OKB-së me 10 qershor 1999 rregullonte qeverisjen e përkohshme në Kosovë nga faktori ndërkombëtar.
Pushteti civil në Kosovë kaloi në duart e UNMIK-ut, ndërsa KFOR-i u caktua forca kryesore ushtarake e sigurisë. Në bazë të marrëveshjes për ç’militarizimin e UÇK-së ajo u demobilizua, ndërsa një pjesë e tyre kaluan në TMK. Statusit përfundimtar politik të Kosovës iu dha mundësia të zgjidhet me mjete politike që pasuan në vazhdim.
Nga kjo që u pa më lartë ,shihet qartë përpjekja shekullore e shqiptarëve te Kosovës për çlirimin e vendit nga okupatori serbo-jugosllav, të cilën e pagoi shumë shtrenjtë.
Natyrisht kjo formë e Pavarësisë që pritet të shpallet të (dielën) me 17.02.2008 për shqiptarët e Kosovës është e pranueshme për këtë moment, por jo përfundimtare. Ngase aspirata e fundit (finalizimi) është integrimi i shqiptarëve në një shtet shqiptar në kontekst të integrimeve Euro-Atlantike…


Autor i këtij shkrimi është: –Historian dhe bashkëpunëtor profesional në Muzeun e Kosovës
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 5 vizitorë
Lexuar: 1,914 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi