Reagim ndaj shkrimit „Është e udhës të hiqen maskat“ |
Publikuar më 09 mars, 2009 në orën 14:33 ( ) |
Opinion | |
|
|
Reagim mbi një tentativë për eliminim politik me metodat më të ndyra:
Sulmojnë Rexhep Maqedoncin për të eliminuar konkurencën
Rexhep Maqedonci është njeriu më i përfolur në ilegalen shqiptare. Duke qenë pionier i kundërzbulimit shqiptar, ai vazhdon të qëndrojë në shënjestër të sulmit të kundërzbulimit serb. Fushata kundër tij është një përpjekje për të mënjanuar zgjedhjen e tij në postet më të larta shtetërore.
Pak kohë më parë në faqet e Kohës ditore dhe gazetës Expres u botuan disa thash e thëna të sinkronizuara mbi Rexhep Maqedoncin, ish i burgosur politik i dënuar me 14 vjet burg pas demonstratave të vitit 1981. Ai i burgos dhe u dënua si pjesëtar i PKMLSHJ së bashku me dy vëllezër të tij. Zhvillmi i ngjarjeve po tregon që Rexhep Maqedonci do të vazhdoi të jetë objekt i goditjeve të përqendruara të po atyre qarqeve që me zell i shërbyen ish-regjimit jugosllav, me qëllim të eliminimit të tij si kandidat i mundshëm për ndonjë detyrë të lartë, në strukturat e Drejtësisë dhe ato shtetërore në Republikën e Kosovës.
Kjo fushatë ka për qëllim që të godet edhe atë Organizatë ilegale të cilës ai i ka takuar, nga frika se pjestarët e saj , në të ardhmen, mundet të vijnë në pushtet në Republikën e Kosovës. Kjo imponon mendimin se e tërë fushata koordinohet nga Beogradi. Akuzat e fundit janë identike me ato akuza të montuara të shkollës së Kumrovcit që gjykata serbe i nxori në gjykimin kundër ti dhe shokëve të ti në atë kohë. Janë po ato akuza që u nxorën në “RILINDJE” në vitin 1981 në një fejton i cili ishte i nënshkruar nga Rr. Rugova kundër organizatave ilegale që i organizuan dhe që morën pjesë në demonstratat e vitit 1981.
Janë po të njejtat akuza që u përdorën kundër LPK dhe UÇK dhe që sot po përdoren kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Para do kohe me një akuzë të tillë u akuzua rrejshëm edhe Fazli Veliu, ish Kryetar i LPK, ndaj të cilit po ashtu u përdorën “dokumentet” e rrejshme jugosllave që u publikuan në një gazetë të Shqipërisë. Edhe Fazli Veliu, më parë ishte i dënuar me 15 vjet burg nga regjimi jugosllav. Gati që nuk ka personalitet historik të kombit tonë pas të cilit nuk janë bërë intriga të tilla, duke e përfshirë këtu edhe Gjergj Kastriotin. Qëllimi i tyre ka qen dhe është ta shëmtojnë historinë tonë të përgjakshme, plot dhimbje, plot vuajtje, por edhe plot krenari! Ata duna të na mohojnë të kaluarën për ta barrikaduar të ardhmen.
Mirëpo, historia ka dëshmuar se e vërteta mund të vonohet, por s’mund të mos triumfojë mbi të pa vërtetën.
Akuzat “për bashkëpunim me UDB-en dhe KOS-in” janë akuza të rënda. Maskat si duket mendojnë se shqiptarët janë “lopë”, dhe mund të mashtrohen akoma. Koha kur likuidime e tilla politike kanë pas “sukses” ka perënduar.
Rexhep Maqedonci mund t’i tradhtonte vetëm shokët vet
Rexhep Maqedonci ka pasur mundësi t’i “tradhtoi, t’i spiunoi dhe të bashkëpunoi” në llogari të UDB-ës dhe KOS-it, vetëm kundër shokëve të tij të PKMLSHJ dhe kundër askujt tjetër. Asnjë prej shokëve të tij kurrë nuk e ka akuzuar Rehep Maqedoncin për diçka të tillë. Akuzat e tilla vijnë nga ata që në veprimtarinë ilegale kurrë s’kanë bashkëpunuar me Rexhep Maqedoncin. Kjo flet që Maqedonci nuk kishte mundësi të spiunonte ndokend tjetër jashtë PKMLSHJ.
Personat që nxjerrin akuza të tilla, pavarësisht se në llogari të kujt e bëjnë këtë, duhet t'i dokumentojnë ato me fakte që flasin konkretisht:
- me kend ka qen ai në bashkëpunim?
- kush është tradhtuar?
- kush është spiunuar?
- veprimet konkrete?
- për çka konkretisht është fjala?
- kush ka pasur pasoja nga ato veprime?
- me kend konkretisht ka qen ai bashkëpunim?
- aktet që e dokumentojnë akuzën ?
- cilat janë pasojat e asaj veprimtarie? dhe
- Cilat janë lidhjet e akuzuesit me UDB-ën dhe KOS-in?
Dëshmi të tilla mungojnë. Sikur ato të ekzistonin “autori” i shkrimit do t’i kishte publikuar. Të dhënat e tilla mund të nxirren vetëm në bashkëpunim me UDB-ën dhe KOS-in. Përveç fakti që Rexhep Maqedonci është detyruar me dhunë në një gjykim të montuar politikë të dëshmojë rrejshëm, për një njeri të pafajshëm se ai është patriot, të tjerat janë sajime që s’kanë të bëjnë aspak me të vërtetën. Përkundrazi, dëshmia se Rexhep Maqedonci nuk është patriot, është e rrejshme.
Pionier i kundërzbulimit shqiptar
Në vitin 1981, në kohën kur është burgosur Rexhep Maqedonci ka qen në uniformë policore. Në raport me organet shtetërore ai ka pas për detyrë të kundëriformoj UDB-ën dhe KOS-in në mbrojtje të PKMLSHJ. Me këtë detyrë ai është ngarkuar nga PKMLSHJ dhe e ka bërë për mrekulli. Në historinë e kundërzbulimit shqiptar nuk njihet ndonjë rast më i madh i kundërzbulimit se sa ai i veprimtarisë së Rexhep Maqedoncit.
Hakmarrja e shërbimit serb të kundërzbulimit
Ngjarjet e marsit dhe të prillit të vitit 1981 shënojnë fillimin e shkatërrimit të Republikës Federative të Jugosllvisë. Në këtë kuptim ato shënojnë edhe fillimin e përfundimit të hegjemonisë serbe mbi popujt e Federatës. Pas këtyre ngjarjeve njëri nga anëtarët e Kryesisë së Federatës duke përmendur PKMLSHJ-në pat deklaruar se autorët e këtyre ngjarjeve s’do të shpëtojnë kurrë pa u hedhur para gjyqit të popullit. Gjyqet serbe në Kosovë dënuan rreth 140 anëtarë të PKMLSHJ për organizimin e demonstratave të vitit 1981, vranë pa gjyq Afrim Abazin nga Ferizaj tek po përgatiste 2 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 dhe zhvilluan në Gjermani një atentat kundër Abdullah Prapashticës. Rexhep Maqedonci, i gjykuar në krye të grupit të PKMLSHJ u dënua me 14 vite burg. Së bashku me te u dënuan edhe dy vëllëzërit e tij Lutfi Maqedonci dhe Osman Maqedonci. Një pjesë e anëtarëve që i kishin takuar PKMLSHJ-ës morri pjesë aktive në luftë, dy prej tyre u vranë.
Abdullah Prapashtica, drejtues i PKMLSHJ ishte gjatë luftës pjesëtar i UÇK-ës ndërsa pas luftës Nd. Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas vitit 1999 asnjë prej pjesëtarëve të PKMLSHJ-ës nuk është pasuruar. Asnjë prej tyre nuk mban ndonjë post të rëndësishëm qeveritar. Ata po e vazhdojnë edhe sot, pa zhurmë, punën në drejtim të përmbushjes së aspiratave kombëtare. Akuzat e kundërzbulimit serb kundër Rexhep Maqedoncit kanë për qëllim të njollosin veprimtarin e Rexhep Maqedoncit deri në vitin 1981 dhe të hakmerren për dëmin që ia bëri atij regjimi. E gjithë kjo që u tha këtu ka të bëjë me të kaluarën historike para vitit 1982 dhe kjo mund të dokumentohet me dëshmi e dëshmitar konkrete që kanë qen bashkëpunëtor të drejtpërsëdrejt të ti në veprimtarinë ilegale kundër Jugosllavisë. Sa i përket akuzave se “...ka ardhur në pushim ka shkua prej pushimit” sa ka qenë ushtar e pallavra të tjera, ato nuk janë asgjë tjetër pos një kakofoni e cila nuk thotë asgjë!
Për akuzat tjera pas 1982, prej atyre për të cilat flitet për “para dhe pas lufte” si dhe ato për burgosjen e një ish deputetit hajn Sabit Rrahmanin dhe avokatit të dehur që ka prish rendin, kanë po ashtu karakter të rrejshëm derisa me asnjë dëshmi nuk dokumentohet e kundërta.
Shënime Biografike për njërin nga ish të burgosurit politikë më të përfolur nga viti 1981
Rexhep Maqedonci i lindur në Mars 1956 në Prishtinë nga Nëna Sabile (amvise) dhe Babai Nazifi (punëtor). Shkollën fillore e kreu në Prishtinë pranë Shkollës fillore “EMIN DURAKU” dhe të mesmen pranë Gjimnazi “SAMI FRASHERI” në Prishtinë. E kreu Fakultetin Juridik në Prishtinë. Rexhep Maqedonci rrjedh nga një familje patriotike qytetare që i takonte vegjëlisë së qytetit të Prishtinës. Babai Nazifi ka prejardhje nga fshati Maqedonc i cili u robërua nga Serbia pas Kongresit të Berlinit kur kufijtë e Shqipërisë u shtynë nga Nishi në drejtim të jugut. Nazif Maqedonci lëvizte në ato rrethe të punëtorëve të Prishtinës të cilët e përkrahnin Adem Demaqin edhe në kohën e regjimit rankoviqian. Nazif Maqedonci ia dha Kosovës 4 djemtë e vet pa i bërë syri vërr për as një çast, edhe pse i kishte rritë me mundime të mëdha. Tre nga ata u dënuan me burgje të rënda për pjesëmarrje në organizimin e daljes me kërkesën për Republikën e Kosovës në demonstratat e vitit 1981!
I edukuar në frymë patriotike Rexhep Maqedonci merr pjesë si shumë i ri në Demonstratat e 27 dhe 28 Nëntorit 1968 në Prishtinë. Në shenjë falënderimi ndaj kujdesit të Nazif Maqedoncit, Adem Demaçi e vizitoi këtë familje pas daljes nga burgu i dytë në vitet e shtatëdhjeta. Kjo vizitë ishte edhe orientim për Rexhep Maqedoncin dhe vëllezërit e tij, Osmanin, Lutfiun dhe Qamilin të cilët do të kyçen në detyra të ndryshme brenda PKMLSHJ duke filluar qysh nga viti 1975 – organizatë kjo që i organizoi demonstratat me kërkesën për Republikën e Kosovës. Rexhep Maqedonci u zbulua në vitin 1982 si pjesëtar i ilegales sëbashku me Osmanin e Lutfiun dhe dënohen me 14 vjet, me 7 dhe me 5 vjet ( këta tre vëllezër dënohen me 26 vjet burg) dhe lirohen dikush më herët e dikush më vonë, por as njeri pa kaluar gjysma e dënimit – sipas rregullave të asaj kohe. Vëllai u vogël Qamili nuk u burgos, sepse ishte tepër i ri edhe pse edhe ai kishte qenë i angazhuar në disa veprime ilegale.
Rexhep Maqedonci u dënua në krye të grupit më të madh të gjykuar në atë kohë prej 23 vetave. Gjykimi i tij do të mbahen në mend me atë se, Rexhep Maqedonci si absolvent i Fakultetit Juridik në Prishtinë e kishte përgatitë mbrojtjen e vet vetë dhe nuk e la avokatin e tij zyrtar të e thotë as një fjalë në mbrojtjen e tij. Ai e arsyetoi kërkesën për bashkimin e viseve shqiptare nën sundimin e ish RSFJ dhe për krijimin e Republikës Shqiptare të Kosovës, me të drejtë në vetëvendosje deri në shkëputje.
Autoriteti i tij dhe i familjes Maqedonci bëhet pengesë për regjimin titist dhe UDB-a nuk mjaftohen, e dënimin pre 26 vjetëve që u kanë dhënë tre vëllezërve Maqedonci, por vazhdon me thurjen e komploteve të ndryshme ndaj kësaj familje. Nën torturat çnjerëzore dhe nën kërcënim me jetën e tij dhe të vëllezërve, UDB-a atë e detyrojnë të bëhet dëshmitar në një gjykim të montuar ndaj një njeriu të pafajshëm në një gjykim të montuar politik. Dhe kur ai del në gjyq për të dëshmuar, ai edhe pranë rrezikut me jetë, tregon para gjyqit se është detyruar me dhunë të dëshmoi dhe gjykimi prishet dhe rimontohet sërish. Nga frika se Rexhep Maqednci mund të bëhet lider i të burgosurve politik brenda burgjeve, UDB-a përhap intriga brenda të burgosurve politik për Rexhep Maqedoncin dhe për organizatën të cilës ai i takonte. Burgjet jugosllave ishin fundi i ferrit për Rexhep Maqedoncin, për vëllezërit dhe shokët e tij. Në fund të atij ferri fillonte edhe një ferr tjetër, autorët të cilit ishin disa të burgosur shqiptarë që mbi plagët e shkaktuara nga UDB-a hapnin plagë të reja, në vend se tua lehtësonin ato që ua shkaktonte armiku. Nuk thonë kotë se më i rënd se burgu janë vet të burgosurit!
Ky diferencim dhe izolim brenda burgjeve shkoi paralelisht me diferencimin e Azem Vllasit që ai e bënte kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve të Lëvizjes për Republikën e Kosovës jashtë burgjeve. Jashtë burgjeve fillonin vuajtjet e familjeve të tyre duke filluar prej prindërve, vëllezërve, motrave, bashkëshortëve e deri te fëmija. Ata përveç se detyroheshin të përballeshin me terrorin fizik e psikologjik të UDB-es, përveç që përballeshin me skamjen e mjerimin social, iu duhej të duronin edhe intriga e thashetheme nga më të poshtrat që mund të sajojnë mendjet e sëmura të njerëzve të panjerëzishëm! Për disa nga familjarët e tyre kjo përfundoi me pasoja tragjike për shëndetin e për jetën e tyre.
Fronti i tretë i komploteve të tilla ndaj Rexhep Maqedoncit dhe ndaj PKMLSHJ zhvillohej përmes veglave të UDB- edhe në emigracionin politik shqiptar. Rexhep Maqedonci dhe PKMLSHJ u vuan mes dy zjarreve. Luhej loja që Rexhep Maqedonci dhe PKMLSHJ të komprimitohen e të nxjerrën nga “loja” në frontin politik si një njeri shumë inteligjent që mund t'i konkurronte dikujt në skenën politike, dhe si një organizatë shumë e përparuar në krahasim me pjesët tjera të ilegales në atë kohë. Përpara ishin masat brutale të regjimit e pas shpine thikat e intrigave të veglave të regjimit dhe të maskarenjve e hiçave që kishin hyrë edhe brenda ilegales. Ishte kjo një luftë fizike e psikike e cila nuk mund të kalonte pa pasoja të dukshme dhe të padukshme fizike e shpirtërore as për Rexhep Maqedoncin e familjen e tij, as për pjesëtarët e organizatës së cilës ai i ka takua. Vuajtjet e prindërve, (nëna dhe daja i vdiqën disa muaj pasi u burgosen tre vëllezërit Maqedonci, dhe pastaj edhe babai i tyre, nga dhimbjet e streset psikike). Ishte kjo një luftë nervash që ata u dashtë t'i përballonin.
Dhe si u pa këto ditë nga këto komentet e reja, komplotet rreth tij në gazetat e verdha, akoma nuk paskan përfunduar edhe tani kur u nisë me u jetësua Republika e Kosovës! Nga ky shembull i rënd mund të mësohet edhe arsyeja pse Atë Gjergj Fishta në një moment të zhgënjimit e tha atë fjalën e famshme kapitale “ Le ta dijë bota mbarë....”! Procesi historik në të cilët Rexhep Maqedonci ishte njeri nga liderët kryesor ende nuk ka përfunduar, prandaj derisa disa rrahin gjoks për punët që i kanë bërë të tjerët, Rexhep Maqedonci vazhdon të heshtë. Vet armiqtë sllavë kanë pas më shumë respekt për Rexhep Maqedoncin, sepse ata e dinë se ai ishte njeriu nga të rrallët që Jugosllavisë i shkaktoi aq plagë të rëndë sa ajo nga ato, nuk u ngritë më në këmbë të veta.
Nga karakteri që ka dhe nga përvoja në të cilën ka kaluar Rexhep Maqedonci, ai ka dëshmuar se munde t'u përballojë fushatave të tilla të ndyra dhe të dalë fitimtar edhe mbi vet djallin e shegertët e tij të vjetër e të rinj! Nëse edhe ndodh të thyhet, atëherë janë shqiptarët injorantë, ata që rrënuan një nga shtyllat më të forta të kombit të vet të kësaj gjenerate! Por, besoj se përpara do të thyhen ata njerëz të lig që qëndrojnë pas këtyre komploteve.
Mos t'i shkoj askujt mendja se mund të kalojnë pa dhanë përgjegjësi për këto krime monstruoze ndaj ish të burgosurve politik që flijuan jetën e vet e të familjeve të veta për Komb e për Atdhe! Posa të fitohet përfundimisht lufta ndaj armiqve sllavë, do t'u vie radha edhe veglave të verbëta të tyre që të japin llogari përpara drejtësisë dhe para popullit!
BESNIK PRISHTINA
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 64 vizitorë |
Lexuar:
4,041 herë
|
|
|
|
|
|
|