Kosovë, dëgjoje zërin e poetit! |
Publikuar më 09 prill, 2009 në orën 00:53 ( ) |
Kulturë | |
|
|
Me poetin në mërgim Zeqir Gërvalla
Liria e Kosovës e forcon, e zbukuron lirinë e gjithë botës. Kosova sot të gjithëve shqip na thërret me dashuri…Kosova është dashuria jonë që nuk plaket as nuk vdes kurrë. "Por shqiptarët, pa një kushtetutë mbarëkombëtare mbeten prapë Kështjellë e Rozafës”.
Poeti - Zeqir Gërvalla Poeti - Zeqir Gërvalla
Kudo që përmendet emri i Poetit Zeqir Gërvalla, të gjithë e dinë se sa peshë të rëndë ka ky njeri për Kosovën, për Shqiptarinë. Atdhetar, poet, njeri i fjalës, shok dhe luftëtar i lirisë së Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin, Fazli Graiçevcin, Shaban Shalen, Rexhep Elmazin, Azem Beqirin, Selman Berishen e shumë të tjerë. Ishte një gjeneratë qe mori përsipër guximin, luftën, dhe hapi rrugën që të tjerët të frymëzohen dhe te ecin kësaj rruge të vështirë, por që solli deri te fitorja dhe liria që ka Kosova sot.
Dëshiroja të bëja një intervistë me Bacën Zeqë, por më lindi ideja dhe zgjodha mënyrën të shëtis nëpër shkrimet që gazetat, këtu ne Kosovë, dhe Amerikë shkruan për të madhin Zeqir Gërvalla. Lash intervistën dhe zgjodha këtë formë komentimi.
Shkëpusim një shkrim nga gazeta Rilindja me titull “FATE KRIJUESISH TANË”, nga autori Vehbi Bajrami - Amerikë.
Ja se çka shkruan kjo gazetë:
Poeti mu shfaq para syve në Nju-Jork një ditë dhjetori, kur mileniumi i vjetër po i linte vend të riut. Autori Vehbi Bajrami kishte punuar me poetin në gazetën “BOTA E RE”. Në mes tjerash në këtë shkrim Zeqir Gervalla shpalos kujtimet nga koha kur u burgos.
-----------------
Z.Gërvalla: Na burgosën vetëm pse e donim me shpirt gjuhën e ëmbël shqipe. Na burgosën vetëm pse e donim me shpirt Kosovën, Shqipërinë, Çamërinë dhe donim si të gjithë popujt tjerë të botës të gëzonim lirinë në atdheun tonë të ribashkuar në një shtet - në një Shqipëri Etnike. Për këtë qëllim më 1963 formuam Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH) me në krye Adem Demaçin. Unë në kuadër të lëvizjes veproja në këto territore: Prishtinë, Mitrovicë, Podujevë, dhe Gjilan. Në Gjilan me ndihmoi poeti dhe atdhetari Rexhep Elmazi, të cilin më vonë më 16 maj 1978, një kriminel shqiptar i paguar nga UDB-ja, e goditi dhe nga plagët vdiq disa ditë më vonë.
- Aksioni që kreu lëvizja ndërmjet 12 e 13 prillit 1964, ishte më i madhi që është bërë ndonjëherë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Qytetet e Kosovës në atë kohë i mbushëm me flamuj tanë kombëtarë, pa yll, përveç flamurit më të bukur të qëndisur nga Nefise Qerimi që ishte me yll dhe që e vumë mbi varrin e mësuesit dëshmor Shaban Shala, të cilin tri ditë para se të lirohej, me tortura UDB-ja e mbyti në qelitë e burgut të Prishtinës. Mëngjesi i 13-prillit zbardhi anembanë Kosovën me flamuj kuqezi. Në popull fliste tinëz me gëzim për flamujt kombëtarë qe i kishim vënë nëpër shtylla elektrike, dyer fabrikash, minare xhamish e kupola kishash. Një flamur e kemi vendosur në një lokomotivë treni qe shkonte nga Prishtina në Beograd. UDB-ja dhe policia serbe reagoi shpejt. Më 8 qershor të atij viti na ranë në gjurmë e na burgosen. Unë vuajta dënimin në burgun e Prishtinës, Mitrovicës, Nishit dhe Pozharevcit.
Grupi i pazbuluar i Lëvizjes organizoi demonstrata më 1968. Pastaj erdhi edhe 81-shi i madh, pranvera e përgjakur në Kosovë, që e tronditi Jugosllavinë, 89-ta e revoltës së madhe kundër okupatorit dhe në fund lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bota e kuptoi hallin tonë. Amerika na shtriu dorën e ndihmës, duke autorizuar Nato-n për sulme kundër Serbisë.
Vazhdon artikulli-Poezia dhe censura,si “bashkëjetuan”ato tek poeti për gati 30 vjet?
Z.Gërvalla: Poezia dhe censura ishin si drita dhe terri. Ato e luftonin njëra tjetrën. Censura dhe censorët ishin në shërbim të armikut, të errësirës. Dëshironin që ta shuanin çdo shkëndijë drite në mendjen e zemrën e atdhetarëve. Kurse poezia ishte një dritë që shpërthente si rreze, sa këtu,sa atje dhe në errësirë dukej edhe me e frytshme. Kur mundoheshin ta kapnin e ta shuanin, ajo shpërthente e ndriçonte edhe më tepër. Disa nga poezitë e mia të shkruar edhe ne burg kur isha, dhe ku i kam mbajtur në mend dhe pasi jam liruar i kam botuar pa emrin e autorit, dhe i kam titulluar “Në rrugën e dritës”, ku janë shpërndarë dhe shumëfishuar kur kanë rënë në duart e nxenxave dhe studentëve. Pas një kohe të gjatë këto poezi dhe ato të shkruara gjatë viteve 1978, i kam botuar në një libër me titull: ”EKSPOZITË E MËMËDHEUT”.
- Asnjë gazetë nuk guxonte të botonte poezitë e mia, askush nuk guxonte të me merrte në punë, më thoshin se poezitë janë të mira, por nuk guxojmë t'i botojmë.
- Kam botuar me shifra si; Zeqir Gurraj, Lalush Shijaku, Sokol Llapi, Hanëmshahe Bajrami, Flakron Gurari etj. Ka qenë kohë e vështirë, por kurrën e kurrës nuk i jam gjunjëzuar armikut, por gjithmonë edhe më i fortë dhe më me shumë vullnet kam punuar për çështjen e atdheut. Pasi dola nga burgu, fillova të punoj në arsim dhe ditën e parë erdhën agjentët dhe ma hoqën ditarin nga dora, dhe para nxënëseve më larguan nga shkolla, duke i lënë nxënësit me lot në sy. Ka qenë një moment që kurrë nuk mund ta harroj. Isha poeti i anatemuar, edhe për të shkruar, por i anatemuar edhe nga puna. Askush nuk guxonte të më pranonte në punë.
- Por erdhi një kohë dhe më pranoi në punë - kryeredaktori i gazetës “BOTA E RE”, gazetë e studentëve, ishte ky z. Daut Demaku, të cilin e falënderoj.
- Edhe pse shkrimet i kisha të ndaluara për t´i botuar, ishte kënaqësi të punoje me studentët. Unë nuk isha kurrë i anatemuar prej tyre. Ata kurdoherë më ftonin nëpër orë letrare, që ishin bërë tribuna të shprehjes së ndjenjave kundër pushtuesit, përmes vargut poetik. Në vitin 1991 u bëra Drejtor i gazetës “BOTA E RE”, gazetë e studentëve, por pushtuesi duke parë rrezikun që vinte prej kësaj gazete, theu zyrat, dëmtoi inventarin dhe arriti të nxjerrë në rrugë të gjithë punëtorët e gazetës. Më vonë zura punë në gazetën “RILINDJA (me vonë “BUJKU”), ku punova deri sa i thash lamtumirë vendlindjes, për të cilën jam djegë si qiri.
Si arritët të mbijetoni tmerrin derisa erdhët në Amerikë?
Z. Gërvalla. A tregohet tmerri me fjalë? Më rend se gjithçka në jetë e kam përjetuar dëbimin e madh që na u bë ato ditë. Ishte 31 marsi i 1999 kur erdhi në prag të shtëpisë milicia serbe, e maskuar e na i drejtoi automatiket: Për pesë minuta t'i lëshoni shtëpitë. Po nuk e zbatuat urdhrin të gjithëve do ju vrasim!
Pas shumë torturave arritëm në kampin e Stankovecit në Maqedoni, e pastaj na dërguan në Amerikë. Amerika kishte dyert e hapura për shqiptarët, arrita në kampin Ford Dix të Nju-Xhersit, bashkë me mijëra refugjatë.
“Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës”, poezia që lotoi presidentin Klinton
Poezia ”Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës”, më vonë arriti në duart e presidentit Bill Klinton. Motra Jeane Marshall, themeluese e qendrës St. Rita-s në Bronx, ku z. Gërvalla do të shkonte më vonë për të përvetësuar anglishten, ditën që u takua me Presidentin e Amerikës, ia dërgoi një kopje të kësaj poezie.
Motra Jeane, tregon e emocionuar: kur presidenti e lexoi poezinë e z.Gervalla, nuk u përmbjat nga lotët.
KLINTON I PËRGJIGJET POETIT MËRGIMTAR
Nga Ruben Avxhiu
---------------------
Zeqir Gërvalla, poet kosovar që mbërriti në SHBA, me një grup refugjatësh, gjatë luftës në Kosovë, ka marrë një përgjigje nga presidenti Klinton, për poezinë ”Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës”. Kjo poezi është botuar në “Illyria” në variantet e saja shqip dhe anglisht, i ishte dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara si një dhuratë për atë që kishte bërë për Kosovën.
Si për ta sendërtuar”mrekullinë”, poetit i erdhi edhe një letër e nënshkruar nga vet Bil Klinton-president i SHBA, në të cilën shkruhet:
I dashur Zeqir!
Kam marrë një kopje të poezisë ”Amerikë, dëgjoje zërin e Kosovës”; dhe dua t'ju tregoj se shumë jam prekur nga fjalët tuja që buronin nga zemra. Dua të jeni i sigurt se unë mbetem fortësisht i vendosur për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të ndihmuar të gjitha vendet e këtij rajoni, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Shpresoj se ditët që do të vijnë, do t'ju sjellin më shumë lumturi dhe shpreh urimet e mia më të mira.
Sinqerisht, Bill Clinton
Letra që emocionoi poetin mërgimtar, ndonëse i drejtohet personalisht atij është një mesazh për të gjithë shqiptarët.
_____________
OPINIONE
Shkëpusim një shkrim të shkruar nga vet poeti Zeqir Gërvalla, nga gazeta “BUJKU” 1997.
Kushtetuta me Program gjithëkombëtar është e drejtë e jona.
Kushtetuta gjithëkombëtare është ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe për brezat e ardhshëm nëpër shekuj... Andaj, sa më parë që të dalim me një veprim të tillë e te kryer, aq më lehtë do të jetë, jo vetëm për ne, por edhe për miqtë tanë dhe armiqtë tanë këtu në Ballkan, në Evropë dhe në botë.
Termi ribashkim është adekuat për një atdhe të ndarë me aq padrejtësi nga fuqitë grabitqare dhe hileqarja e dikurshme Evrope (siç është rast unik e pa precedent - Shqipëria) që kurrë nuk hoqi dorë e as që do të heqë) nga e drejta e vet e ligjshme për bashkimin territorial etnik.
Këtë e kemi amanet fisnik shpirtëror nga atdhetarët që flijuan gjithçka për Shqipërinë.
Dihet se poeti Zeqir Gërvalla ishte poet i anatemuar dhe veprat e tij filluan ta shohin dritën veç pas viteve 1990.
Deri më tash botoi këto vëllime poetike:
“Prania e sfinksit”,Rilindja”,Prishtinë 1990.
“Det e moçal ballë për ballë” Asdreni Shkup 1993.
“Daullet e pranverimit” Renesansa”,Prishtinë 1994.
“Në rrugët e dritës” Gazeta Rilindja Prishtine 1998.
“Ekspozita e Mëmëdheut” Rilindja Prishtine 1998.
“Lulëzimi i rrënjës” Dea, Prishtin 2000.
Zeqir Gërvalla u lind me 15 maj 1942 në fshatin Lupç i Poshtëm komuna e Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e në Breznicë, shkollën normale në Prishtinë e Mitrovicë, kurse Gjuhën e Letërsinë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Më 8 qershor 1964, Zeqir Gërvalla burgoset nga UDB-ja jugosllave dhe dënohet me 12 vjet burg të rëndë, si bashkorganizator i LRBSH-së, në krye të së cilës ishte Adem Demaçi.
Poeti jeton përkohësisht në Amerikë, por me zemër dhe me shpirt është në Kosovë.
Në një intervistë dhënë RTK-së, poeti Zeqir Gërvalla në fund të intervistës thotë: ”Aq më shumë që rri në Amerikë më i fortë do të kthehem në Kosovë... Kosova është dashuria jonë që nuk plaket e as nuk vdes kurrë”. Poeti ka shumë për të thënë! Poeti flet dhe porosit shumë, prandaj, KOSOVË DËGJOJE ZËRIN E POETIT.
Përgatiti: Kadri Gërvalla |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 22 vizitorë |
Lexuar:
1,552 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|