Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
AZEM BEJTË GALICA - Kryekomandant i Çetave Çlirimtare Shqiptare (1912- 1924)
Publikuar më 03 korrik, 2009 në orën 19:04 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
( vazhdim i pjesës - II )

Në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës

Azem Bejtë Galica
QEVERIA SERBE BISEDON ME PRIJËSIT E KAÇAKËVE

Qeveria dhe Mbretëria SKS bënte ndërrime të shpeshta në organet e veta. Zakonisht pushtetin e mbanin në dorë dy partitë më të forta politike: Partia Radikale e Nikolë Pashiqit dhe Partia Demokratike e Svetozar Pribiçeviqit. Si gjithmonë, edhe atëherë, kushdo që vinte në pushtet ndaj shqiptarëve mbante qëndrim të njëjtë, i përbuzte, i injoronte, i maltretone dhe u bënte zullim deri në shfarosje fizike. Të gjithë e kishin një qëllim të përbashkët: zhdukjen dhe shpërnguljen e tyre nga trojet e veta stërgjyshore.
Shqiptarët dhe popujt e tjerë, që nuk gëzonin kurrfarë të drejte ne atë kohë, në fillim e simpatizonin dhe e përkrahnin Partinë Demokratike.Vetëm emri i saj linte të nënkuptohej se ishte më e drejtë dhe më e mirë. Mirëpo ajo ishte e njëjtë me Partinë Radikale. Këtë e kuptuan shpejt edhe shqiptarët. Ata, më 18 dhjetor 1919, në Shkup organizuan Kongresin themelues të partisë “BASHKIMI”. Këtë parti kryesisht e përbënin forcat borgjeze shqiptare-myslimane. Emri i saj i vërtetë ishte “Shoqëria e Mbrojtjes së të Drejtave Shqiptare”, kurse në opinion njihej si “Shoqata Islame muhavazi hukug” (Xhemieti).
Kjo parti e njohur në popull si “XHEMIETI”, udhëheqej nga Nexhip bej Draga e më vonë, pas vdekjes së tij, më 1921, në Vjenë, nga i vëllai Ferat bej Draga. Që atë ditë kur u themelua (morën pjesë 64 delegatë), u formuluan kërkesat minimale të tyre prej 10 pikësh, ku në rend të parë synohej ruajtja e interesave personale e më pak mbrotjja e interesave kombëtare.
Që në zgjedhjet e para të vitit 1920, kjo parti fitoi 12 vende në parlament. Ajo nisi ta nxjerrë edhe gazetën e vet me emrin “HAK” (lexo “Drejtëi”) e më vonë “HAK JOLI” (Rruga drejt drejtësisë), e cila pos tjerash nisi të pasqyrojë edhe probleme kombëtare dhe ta ngrisë zërin kundër zullumeve dhe masakrave që bëheshin mbi shqiptarët.
Azem Bejtë Galica, si dhe shumica e shqiptarëve, në fillim nuk e shikonte me sy të mirë këtë organizatë politike. Ai në një takim me kryetarin e saj, Ferat Dragën, ishte shprehur me këto fjalë: “Krali i Serbisë më fort i trembet pushkës se një kapuçbardhi nëpër male se zhurmës së një grumbulli kësulkuqësh e beglerësh zuzarë brenda dyerve të parlamentit. Prandaj më mirë është një pushkë ndër malet tona se një thes fjalësh në parlamentin e Beogradit.
Dhe vërtet ashtu ishte. Në fillim kryesisht i ruanin interesat e veta klasore. Disa bejlerë, anëtarë të saj, edhe më vonë do të tregohen të tillë. Por nuk duhet harruar se disa prej tyre në çdo mbledhje e kanë ngritur zërin kundër padrejtësive që po bëheshin mbi shqiptarët. Kjo u pa pas vitit 1924-25, kur Ferat Draga dënohet dhe “Xhemieti” shkatërrohet si përkrahës të Lëvizjes Kaçake.
Viti 1923 karakterizoht me vështirësi të shumta për popullin shqiptar të Kosovës. Edhe situata e gjithëmbarshme në Mbretërinë e SKS nuk ishte e kënaqshme. Ishte koha e zgjedhjeve të reja. Partia e “Xhemietit” bashkëpunonte me dy partitë pushtetmbajtëse dhe votat e saj u siguronin pushtetin. Këtë vit në Kosovë propagandohej për Partinë radikale dhe votimet do të zhvillohen nën presionin e armëve. Në disa vend si në Mitrovicë e Prishtinë, u shkaktuan edhe gjakderdhje të mëdha nga demokratët, të cilët i sulmuan dhe i vranë njerëzit e pafajshëm duke dalë në votime.
Se si pësonin ata që e sulmonin politikën e pushtetmbajtësve dhe i mbronin interesat kombëtare më së miri tregon rasti i vrasjes së kryetarit të Shtimes, Ahmet Sylejmanit, i njohur si Ahmet mulla Syla.
Në disa rrethe dhe komuna ishin zgjedhur shqiptarë në vendet udhëheqëse. Një ndër ta ishte edhe Ahmet Syla në komunën e Shtimes. Ai punonte me drejtësi dhe nuk bënte lëshime. Raja dhe serbët e vendit, që ishin mësuar me privilegje, ishin të pakënaqur. Atyre nuk u pëlqente puna e kryetarit të ri dhe shkuan të ankohen te pop Stojani. As fjala e popit nuk solli ndryshime në qëndrimin e kryetarit. Atëherë një delegacion shkon në Beograd dhe ankohet te krali. Ata i qetëson Pashiqi duke u thënë se pas një jave vetë do të dalë në Shkup dhe do ta rregullojë këtë punë.
Vërtet, pas një jave ai vjen në Shkup dhe i thërret të gjtihë deputetët e “Xhemietit” dhe kryetarët e komunave të Kosovës. Ai pasi u foli për zgjedhjet e reja haptas i ftoi të votojnë për Partinë Radikale duke iu kërcënuar.

N’Radikal kokrrat kush s’i qet
S’do të jetë mirë me ketë hyqmet
Në hyqmin tonë si s’ka me kanë
Po le ta lëshoi ai shtetin tonë...

Deputetët shqiptarë pajtohen që të votojnë për atë parti, por me kusht që të plotësohen disa kërkesa të tyre si: heqja e agrarit, ndalja e zullumit pa arsye, hapja e shkollave shqipe, etj. Kur i refuzon të gjitha këto, Ahmet Syla ngritet në këmbë dhe grindet me Pashiqin duke i thënë gjithçka. Del nga mbledhja në mënyrë demonstrative duke iu drejtuar deputetëve shqiptarë:

Shqiptar vetit kush i thotë
N’Radikal kokrrat nuk i qet
Po i qesim t’gjithë n’Xhemiet
Këtë Kosovë po e sundojmë vet...

Fill pas mbledhjes Pashiqi shkon në Beograd dhe i tregon kralit. Ai nga kabineti me telefon urdhëron naçallnikun e Ferizajt që sa më parë ta likuidojë Ahmet Sylën. Kështu naçallniku me xhandarët e rrethit e inskenojnë një aksion, kinse për ndjekjen e çetës së kaçakut të kësj ane - Ymer Devetakut. E thërrasin edhe Ahmetin. Ky e kuptoi lojën, por për hirë të familjes niset bashkë me shërbëtorin e vet besnik, Rexhep Muratin. Kur arrijnë në bjeshkën e Topillës vriten nga prita e kurdisur e xhandarëve më 12.VII.1923.
Pas shuarjes së “Zonës së lirë të Junikut” e veçmas pas marrëveshjes që e bëri qeveria e Zogut dhe ajo e Pashiqit për shuarjen e Lëvizjes Kaçake në Kosovë, çetat kryengritëse u gjenden në pozitë të palakmueshme. Aktiviteti i tyre u kufizua. Tash nuk ishin të lira as në shtetin amë, në Shqipëri. Populli i Kosovës ishte me Lëvizjen, por hiqte të zitë e ullirit, ai që i mbante kaçakët.
Azem Bejtë Galica me çetën e tij kreshnike u kthye në Drenicë. E pa se populli po vuante në çdo aspekt. Gjendja ishte e padurueshme. Njëherë për njëherë nuk kishte gjasa për ndonjë kryengritje masive. Situata diktonte një qetësi të përkohshme derisa të normalizohej gjendja.
Edhe qeveria serbe në prag të zgjedhjeve të reja, ishte për një “armëpushim”. Ajo e ndërroi taktikën e luftës. Përmes kontaktuesve lidhte njëfarë “bese” me krerët e Lëvizjes dhe kështu e lokalizonte veprimin e tyre, që më vonë t’i likuidonte më lehtë. Pashiqi dhe qeveria e tij ishin të interesuar posaçërisht për kryekomandantin e çetave të Kosovës - Azem Bejtë Galicën.
Në qershor të vitit 1923, me të hetuar që u kthye nga Shqipëria, Ceroviqi dërgon njerëz në Galicë, tek Azemi, për të ndërmjetësuar që të fillojnë bisedimet. Emin Lati nga Prekazi shkon dhe e lajmëron Azemin që gjendej në Lugun e Lajthisë, në Kralica. Duke i analizuar rrethanat në të cilat gjendeshin ai pranon që edhe një herë të takohet e të bisedojë me Ceroviqin. Kësaj here vendtakimin e caktoi në territorin e Drenicës, pikërisht në trojet e të parëve të Hasan Prishtinës, në Polac.
Në fushën e Polacit u bënë të gjitha përgatitjet për takimin e rëndësishëm midis qeveritarëve serbë dhe çlirimtarëve në krye me Azem Bejtë Galicën. Vendi ishte shtruar me qilima dhe sixhade të ndryshme. Rojet ishin vendosur përreth. Shotë Galica e kishte organizuar edhe shumë gra të tjera që të marrin pjesë në këtë tubim, në mënyrë që t’u tregohej gjakpirësve se edhe ato janë të gatshme për të luftuar kundër tyre në mbrojtjen e vatrave të veta. U grumbulluan shumë njerëz. Nuk vonoi shumë dhe krimineli i regjur, Ceroviqi me njerëzit e vet, arriti nga Mitrovica. Pa humbur kohë filluan bisedimet. Kësaj here Ceroviqi kishte ardhur, jo për ndonjë marrëveshje, por për t’i bindur Azemin, Shotën dhe çetën e tyre që të heqin dorë nga rruga e tyre dhe t’i dorëzojnë armët. “Krali është i interesuar që lufta me shqiptarët të ndërpritet - u tha ai - dhe të gjitha veprimet e deritashme do t’u falen. Për krerët e kaçakëve do të ketë rroga të majme nëse dorëzohen”.
Në emër të çetës e mori fjalën Shota, e cila tha:
“Krali âsht gjaksi dhe ndrydhësi mâ dinak, prandaj nuk i kemi besue e nuk i besojmë kurrë. Le të tërbohet sa të dojë Krali dhe Pashiqi i Serbisë. Këtu jena. Nuk ikim. Burra e gra kemi me luftue, rroposemi e nuk dorëzohemi. Dhe ka me ardhë dita që mbi gjakun tonë të derdhun ka me mbi liria”.
Ceroviqi kur e pa se nuk po lëshonin pe nisi ta përdorë metodën tjetër - kërcënimin. Por as ajo nuk dha rezultate dhe takimi përfundoi pa kurrfarë marrëveshje. Të frikësuar nga masa e tubuar dhe nga disa krisma pushkësh që dëgjoheshin andej nga Mikushnica dhe Prekazi ata kërkuan besë dhe siguri deri në Mitrovicë. Azemi urdhëroi që të gjithëve t’u ngjitet nga nje dushk në qafë (kjo tregon se ata janë në besë të dikujt dhe ishin të lirë) dhe me vete ua dha një përcjellës, një trim nga fshati Bajë. Të pabesët kur shkuan në Braboniq e vrasin përcjellësin. Kjo vrasje e dëshpëroi shumë Azemin. Ai të nesërmën organizoi zhdukjen dhe likuidimin e postëkomandës së xhandarmërisë në Braboniq.
Pas disa ditësh, bisedimet e mbetura gjysmë, vazhduan përsëri. Edhe kësaj here ato u zhvilluan në Polac. Tash, pos Ceroviqit, kishin ardhur edhe naçallniku i Zveçanit, naçallniku i Deviçit, Martinoviqi dhe ai i Deçanit, Vlado Popoviqi. Në këto bisedime deri diku u arrit një lloj marrëveshje, por mbeti që të vijë edhe vetë zhupani i madh i Shkupit.
Takimi i tretë u caktua të mbahet në Oshlan, në odën e Veli Hysenit. Ditën e caktuar erdhën të gjithë. Kishte ardhur edhe krahinari i Shkupit (zhupani). Pas bisedimeve, që zgjatën tërë ditën, u lidh “besa” ose “marrëveshja” me Serbinë dhe kështu u krijua “ZONA E LIRË E DRENICËS”, e cila si një kështjellë e pamposhtur do të qëndrojë deri më 15 korrik 1924.
Në të njëjtën kohë, kur po bisedohej me Azemin në Drenicë, u bisedua edhe me Mehmet Konjuhin në Dumnicë të Vushtrrisë. Edhe me të ishte lidhur “besa” dhe ishte formuar “ZONA E LIRË E DUMNICËS”. Në të vërtetë Mehmetit iu lejua ta ngrisë një shtëpi sa për të jetuar me familje në lagjen Zagorth. Aty e kishin ngriur kullën edhe vëllezërit Bajqinoci (Rushiti, Hamiti, Salihu dhe Haliti). Kjo “besë” u thye shumë shpejt nga Serbia. Më 10 shkurt 1924 forca të mëdha xhandarësh nga tri rrethe: Vushtrri, Prishtinë e Podujevë nën komandën e major Peroviqit, një orë para lindjes së diellit, e rrethojnë jo vetëm Mehmetin po edhe Bajqinocët, Beqë Ramë Pantën, Musli Konjuhin dhe Rexhep Arifin. Atë natë te Mehmeti gjendej edhe Ajet Zeka - Mulaku nga Cecelia me familjen tetanëtarëshe. Në atë luftë u masakruan 23 veta, kryesisht gra, pleq e fëmijë.
Gazeta “HAK”, më 20 shkurt 1924 i paraqet viktimat e masakruara me emër, mbiemër, moshë e marrëdhënie farefisnore, e që i botoi Muhamet Pirraku.79
Sidoqoftë, deri sot, shënimet më të sakta i ka dhën pinjolli i familjes Zeka, Abdullah Mulaku. Ky, I bazuar në rrëfimet e Avdyl Zekës- Mulakut, dëshmitar i asaj masakre, konstaton së atë ditë u vranë, u poqën ose u masakruan këta njerëz:

1. Musli Konjuhi, 60 vjeçar,
2. Rasim Konjuhi - djali i tij, 22 vjeçar
3. Hashimi Konjuhi - djali i tij, 14 vjeçar
4. Hasa Konjuhi- gruaja e tij , 5 vjeçare
5. Ajshe Konjuhi, vajza e Musliut, 6 vjeçare
6. Zyla Konjuhi, gruaja e Mehmetit, 24 vjeçare
7. Sahare Konjuhi, gruaja e Sahitit, 40 vjeçare
8. Zyhra Konjuhi, vajza e Sahitit, 9 vjeçare
9. Sala Konjuhi, gruaja e Beqë Pantës, 38 vjeçare
10. Ajet Zeka mulaku, 60 vjeçar
11. Rabie (Beselica) Zeka, gruaja e Ajetit, 55 vjeçare
12. Zarife Zeka, gruaja e Ukës, 40 vjeçare
13 Zejnepe Konjuhi- Zeka, gruaja e Abdullahut, 34 vjeçare
14. Sala Konjuhi- Zeka, gruaja e Abazit, 33 vjeçare
15. Azemine Selaci- Zeka, gruaja e Muratit, 24 vjeçare
16. Ahmeti, djali I Ukë Zekës, 9 muajsh
17. Zeka, djali I Avdullahut, 10 vjeçar
18. Maliq Bajqinovci, 55 vjeçar
19. Ali Bajqinovci, 20 vjeçar
20. Rexhë Igrishta nga Dumnica, 55 vjeçar dhe
21. I biri i Rexhës

Beteja e Zagorthit të Dumnicës pati jehonë të madhe. Një javë pas kësaj ngjarjeje, më 18.II.1924, u mbajt mbledhja e Kuvendit Popullor, në të cilën Ferat Draga bëri interpelancë (kërkoi shpjegime) për shumë çështje: Pse gjithë ai zullum në Kosovë? Pse po virten në besë kaçakët? Si mund të shpjegohet rasti i fundit në Dumnicë?, etj. Ministri i punëve të brendshme, radikali Vujiçiq u “zotua” se do të merren masa për të gjitha këto. Vërtet, pas ca kohësh erdhi një komision kinse për t’i vërtetuar gjërat, por kot. Pos dy- tre trupave, të tjerët ishin bërë shkrumb e hi.


Mehmet Konjuhi



Mehmet Konjuhi i plagosur rëndë, tërhiqet drejt Kërshit të Sokolave në Popovë e paskëtaj vjen në Galicë, në kullën e Azemit për t’u shëruar. Azemi këtë trim e ka dashur dhe e ka çmuar shumë. E konsideronte trim mbi trima. Kur e pyetninj a ka më trim se ti ai u thoshte: “Trima ka mjaft, por kur e kujtoj Mehmet Konjuhin këmbët më dridhen”. Atë ditë kur ia sollën të shtrirë një qerre u mërzit shumë, sidomos kur mori vesh për masakrimin e popullsisë së pafajshme. Një plumb nga trupi i nxori vetë Azemi me metodën e malësorëve - plumbin me plumb dhe pati sukses të plotë. Kështu kjo metodë “kirurgjike” zbatohej nga luftëtarët tanë nëpër malet tona, në mungesë të mjekëve dhe spitaleve. Pushka vëhej në grykë të plagës dhe shprazej. Plumbi e nxirrte plumbin e armikut nga plaga. Kështu veproi edhe Martin Kaloshi kur ia nxori plumbin Kalosh Camajt në Kalcë.
Edhe pas këtij rasti qeveria serbe u mundua të bisedojë me kaçakët, por pa sukses. U kuptua se “nuk ka besë me këtë krali”.

ZONA E LIRË E DRENICËS - ARBËRIA E VOGËL

Pas përpjekjesh dhe bisedimesh të shumta, në verën e vitit 1923, në fshatin Oshlan, morën fund negociatat midis Azem Bejtë Galicës dhe qeverisë borgjeze serbe të Nikolë Pashiqit. Si rezultat i tyre lindi “Zona e lirë e Drenicës” apo “Republika e Drenicës”, që me shumë do të njihet me emrin “ARBËRIA E VOGËL” (“Arbania e vogël”. Deri në dimrin e vitit 1923, kjo bërthamë shtetërore, ky shtet brenda shtetit, përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së Prekazit: Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Dubovcin, Beçiqin, Krasaliqin, Prekazin, Tërnavcin, Kuçicën dhe Stërmcin e Ulët. Galica ishte kryeqendër, ndërsa kryetar (kapedan) Azem Bejtë Galica. Që nga janari i vitit 1924, kjo zonë u ngushtua brenda territoirt të tri fshatrave: Galicës, Lubovecit dhe Mikushnicës.
Marrëveshja e nënshkruar përafërsisht kishte këtë përmbajtje:
1. Azemi dhe çeta e tij mbesin të armatosur dhe të lirë brenda territorit të vet.
2. Popullsia e këtyre fshatrave lirohen nga çdo obligimi shtetëror: nuk paguajnë tatim, nuk japin ushtarë, etj.
3. Brenda territorit të lirë nuk guxojnë të hyjnë organet e shtetit serb, përveç xhandarëve (vetëm dy veta) kur vijnë zyrtrisht.
4. Rendin dhe qetësinë në këtë territor e mban Azemi.
Në anën tjetër, luftëtarët e çetës dhe njerëzit e kësaj zone duhet t’i respektojnë dhe t’i plotësojnë dy kushte:
a) Të mos zhvillojnë luftime jashtë territorit të vet dhe
b) Ta lënë të lirë rrugën automobilistike Mitrovicë - Pejë.
Azem Bejtë Galica duke e kuptuar qëllimin e kësaj marrëveshjeje, që Serbisë i konvenonte për ta qetësuar momentalisht gjendjen në Kosovë dhe për ta kufizuar veprimtarinë e kaçakëve, shumicën e luftëtarëve të çetës së vet i la të lirë, të formojnë çeta të vogla dhe të kenë mundësi veprimi jashtë “Zonës së lirë”. Kështu ai vetëm më 22 shokë u lidh për këtë “besë”. Të tjerët kishin mundësi të vepronin kudo që t’u jepej rasti.
Fill pas kësaj marrëveshjeje Azemi vendosi ta ngrisë kullën në Galicë. Ishte kjo e treta, dy ia kishin rrënuar armiqtë. Kësaj here e zgjodhi një vend shumë strategjik, në veri të fshatit, andej nga Luboveci, në një rrafshlartë, prej nga vëzhgohej terreni sin ë shuplakë të dorës. Ngritja e saj u bë shumë shpejt, më pak se për një muaj (për 22 ditë). E ndërtuan vullnetarët nga mbarë Drenica e Kosova. Secili dëshironte të punojë diçka në Kullën- Kështjellë të kapedanit të tyre. Brenda 22 ditësh u lartësua kjo fortesë dykatëshe 22 metra e gjatë e me 32 frëngji që natë e ditë sogjëtonin pa pushim në të katër anët e horizontit. Kati i parë u bë me gurët që u nxorën në Shpatet e Galicës, në Vojtesh të Lubovecit dhe në Lugun e Dhelprave të Oshlanit (atje u morën gurët e butë për t’i gdhendur frëngjitë). Kati i dytë u bë nga tullat, të cilat u barten nga Lkeni i Polacit. Kulmin ia ngritën me lëndët nga Qyqavica, Zabeli i Vakafit dhe nga Kralicat. Trari kryesor, i gjatë 22 metra u mor në arat e Mikushnicës (ia dha Shaqir Osmani Ferizi). Kulla i kishte dy hyrje: hyrja për burra, andej nga Oshlani dhe hyrja për gra andej nga Mikushnica. Të gjitha punët i udhëhoqi mjeshtri kryesor Vesel Zymberi nga Likoci. Dyer e dritare i siguroi Adem Miftari nga Kostërci, i cili jetonte në Mitrovicë.

Harta e Arbërisë së Vogël



Ngritja e kësaj Kulle-Fortesë dhe qëndrimi i përhershëm i kryetrimit të Kosovës në Galicë pati rëndësi të madhe dhe ndikoi pozitivisht në popull. Njerëzit morën zemër. Morali i tyre luftarak u ngrit në shkallë të lartë. Shpërngulja për në Turqi u ndërpre. Derisa po e ngriste kullën, një serb nga Mitrovica, Jovo Miliqi, dikur kaçak në luftë kundër austrohungarezëve, erdhi në Galicë dhe i tha Azemit që nuk është mirë të qëndrosh këtu se po bëjnë plane për të likuiduar. Ai iu kishte përgjigjur. “Nuk kam ku të shkoj përveç shtëpisë dhe vatanit tim. Këtu do të luftoj dhe këtu do të vdes bashkë me gjithë shokët e mi”.
Kjo kullë u bë qendër e Lëvizjes Kombëtare në Kosovë. Në të mbaheshin mbledhje dhe kuvende të rëndësishme kumerreshin vendime me peshë historike për mënyrën e çlirimit dhe pavarësimit të tokave shqiptare që ende po lëngonin nën thundrën serbe. Ajo dhe e tërë “Arbëria e vogël” ishin bërë si një pishtar i ndezur lirie në zemrën e Kosovës kryengritëse, ndërsa për Beogradin një “ishull zjarri”.
Në fillim të muajit prill u bë një tubim i madh në Galicë. Mbi 5000 njerëz erdhën për ta përuruar kullën dhe për të marrë pjesë në dasmën e kryetrimit. Po martohej me nusen e tretë, me Hatën e Hetemit nga Luboveci. Në të vërtetë, në emër të dasmës u shfrytëzua rasti për tubimin e të gjitha çetave të Drenicës dhe për të marrë vendime për punën e mëtejme. Aty u tha se kjo marrëveshje me Serbinë ishte formale. Ajo shërbente vetëm sa për ta shtyrë kohën derisa të bëheshin përgatitjet për një luftë të përgjithshme. Këtë kuvend e përcollën me vëmendje edhe organet e pushtetit dhe vetë Ceroviqi, i cili lajmëroi në Beograd se së shpejti në Kosovë do të ballafaqohemi me një luftë të re.
Në anën tjetër Serbia, me kohë, kishte filluar aksionet e fshehta për likuidimin e Azemit dhe “Zonës së lirë”. Kjo u vërejt edhe në fillim të vitit 1924, kur u bë ngushtimi i territorit të saj. Që në janar të këtij viti u inaugurua stacioni i ri i xhandarmërisë në fshatin Tërnac, ku mori pjesë edhe vetë Ceroviqi. Azem Bejtë Galica me disa shokë, pa e ftuar, shkoi dhe u tha troç se ju nuk jeni duke e respektuar asnjë marrëveshje dhe për këtë mbani përgjegjësi nëse ngjan ndonjë eksces.
Qeveria serbe angazhoi njerëz, spiunë e konfidentë, për ta përcjellë çdo lëvizje të Azemit. Ajo, si zakonisht, përdorte metoda të ndryshme për t’ia arritur qëllimit. Tradhtia ishte zakon i lindur i Serbisë. Këtë e dëshmon edhe vetë naçallniku, i cili kur zihet ngushtë nga kaçaku Mehmet i thotë:

- More Mehmet i paska thanë
Unë trimninë se kam zakon
Veç në Krali na ka thanë
Me tradhti gjithmonë m’u marrë
Se s’mujmë ndryshe ju me u nxanë...

Kështu u provua edhe me Azem Bejtë Galicën. Një spiun të regjur, Hajdin Muhaxheri, e dërgojnë në Galicë kinse për t’u shkruar në çetë si i ikur nga burgu i Mitrovicës. Kur vjen në kullë, Azemit i duket i dyshimtë. I porosit dy shokë që ta kontrollojnë. Ata ia gjejnë një revole, një thikë dhe një sasi helmi. E dërgojnë në malin Zabeli i Vakafit dhe kur e rrahin mirë tregon se është i porositur nga Ceroviqi për ta likuiduar Azemin. Për këtë vepër i kishin premtuar shumë. Kur e sjellin në kullë e gjejnë Azemin duke u rruar. Si e merr vesh kush ishte ai, Azemi çohet në këmbë dhe me briskun e rrojës ia pret veshin e djathtë duke i thënë: “Shko tregoj Ceroviqit dhe këtë vesh ke me e mbajtë gjithë me vete, në xhep, se po të takova e nuk e pate do të të vras krejt”. Thuhet se derisa ka vdekur Azemi, ai nuk ka guxuar të dalë në rrugë pa veshin e prerë, të cilin e kishte futur në qese.
Në pranverën e vitit 1924, në rrethin e Deviçit u bënë disa ndërrime. Martinoviqi, naçallniku që e kishte nënshkruar marrëveshjen për “Zonën e lirë” u zëvendësua me Uzonoviqin. Ky i riu ishte i lirë të vepronte se gjoja nuk e obligonte marrëveshja. Kështu menjëherë, për festën e Bajramit të madh u interesua dhe mori hetime se në cilën xhami do të shkojnë njerëzit e “Zonës së lirë”. Azem Bejtë Galica, duke e njohur tradhtinë e tyre, vendosi që për këtë festë mos të shkohet në xhaminë e Polacit. Mirëpo dy shokë të tij: Shaku i Sulejmanit nga Radisheva (kushëri i Shotës) dhe Ramadan Hysen Imeri nga Druari i Vushtrrisë vendosën të shkojnë në Polac. Madje Shaku ia mori kalin dhe rrobat e Azemit. Kur arrijnë te Xanët e Polacit, xhandarët nga prita i vrasin që të dy. Duke menduar se u vra Azemi me një shok, lajmërojnë në Deviç, e prej andej në Mitrovicë e në Beograd, ku thuhej se Azem Bejtë Galica u vra vetë i dyti. Ishte kjo hera e gjashtë që Azemi shpallej i vrarë në gazetat serbe të Beogradit. Por shpejt kuptohet se ishte vrarë dikush tjetër dhe Uzonoviqi dërgon njerëz për të kërkuar falje për këtë “gabim”. Pas dy ditësh Azemi i vret tre xhandarë në Polac.
Pas këtyre dështimeve, midis dy festave të Bajramit, edhe një herë provuan ta rrethojnë ditën në befasi. Një ushtri e madhe e pajisur edhe me artileri zbresin nga treni në stacionin e Vushtrrisë dhe nisen për në Galicë. Kur afrohen te kodra e Galicës, te Dërveni, ndalen dhe bëjnë planet e rrethimit. Roja e “Arbërisë së Vogël” që përherë qëndronte në vendin Lama e Haxhës i heton dhe jep alarmin. Duhet cekur se prej formimit të “Zonës së lirë” në tri vende strategjike qëndronte roja e përhershme. Edhe këtu (te Lama e Haxhës ishte ndërtuar një kasollë dhe qëndronin nga tre vetë, nga dukej i tërë Rrafshi i Kosovës. Për çudi aty, natë e ditë, rrinte një dhi e madhe e Shaban Tahirit (i kishte 150 copë). Rojtarët e ushqenin dhe e milnin. Edhe kur është djegur fshati ajo ka qenë atje dhe e vetmja ka shpëtuar.

Ushtarë të Azem Galicë në roje



Kur jepet alarmi Azemi me shokë i zënë kodrat përreth dhe ushtria mbetet e befasuar. Një oficer me dy ushtarë shkojnë dhe arsyetohen para Azemit se kanë ardhur për ushtrime ushtarake e jo për ndonjë qëllim tjetër. Azemi i urdhëron që brenda një orë të largohen të gjithë se nuk bën të zhvillohen kurrfarë ushtrimesh pranë “Zonës së lirë”. Pa u bërë një orë u tërhoqën në drejtim të Pantinës dhe Bairit.
Krerët e Beogradit e kuptuan se i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Për likuidimin e Azem Bejtë Galicës dhe shkatërrimin e “Arbërisë së Vogël” duhej angazhim dhe planifikim më serioz. Pa forca të mëdha ushtarake nuk mund të bëhej kjo punë. Për këtë u angazhua vetë kryeministri plak N. Pashiq.

( fundi i pjesës - II )

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 64 vizitorë
Lexuar: 9,866 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi