Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kongresi i Manastirit - 1908
Publikuar më 14 nntor, 2011 në orën 04:15 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 103 - vjetorin e Kongresit

Në Kongresin e Manastirit thirret tubimi i dijetarëve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Gjatë zhvillimit të letrave shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur "Bashkimi" në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lënë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t'i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

Dom Ndre Mjeda, i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë:

Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m'shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbŷli,
pa 'da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m'u 'da s'duron,
fundë e majë nji âsht' Shqipnia,
e nji gjuhë t'gjith na bashkon.


Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme Bashkimi i Kombit si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.

Ndërkohë çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës të lexonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë otodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë. Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e Atë Stath Melanit ra në sy të autoriteteve turke. Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por Atë Melani nuk pyeti. Më 24 Dhjetor 1917 Atë Stathit i kishin zënë pritë banda e kusarëve të Josif Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën Atë Stath Melanit.

Petro Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit Fillateri nxori një lajmërim me titull "Mallkimi i shkronjave shqipe". Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat, dokumentat dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t'i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptarë u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të shkolluar.

Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të shkolluar të gjuhës shqipe. Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipërisë, nga data 20 deri 27 gusht të 1909. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet "Shkolla Normale në Elbasan" një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në Universitetet e huaja Evropiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar trupin pedagogjik.

Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar "Përparimi" u caktua si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, "Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para". Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi. Vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me emrin e tij. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës.

Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq.

Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njerëz të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Xhonturqëve në Stamboll shoqërinë Mahfeli me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare "Mahfeti" me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me gërma arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7000 protestues ngritën zërin kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me germa arabe, të dërguara nga Stambolli.

Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup myslimanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe. Mirëpo ndërruan mëndje kur 60000 katolikë dhe myslimanë të ndershëm shqiptarë, nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë etj. Por turqit nuk deshën t'ia dinin. Atëherë në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë Turke.

Gazeta atdhetare "Shkreptima" e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për ‘'lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin: “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e perandorisë Otomane le ta dijë mirë se t ë gjithë shqiptarët, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”.

Edhe në këtë luftë, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, nga armiqtë e afërm dhe të largët, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës. Megjithëse ky zhvillim kulturor ishte përfytyruar si jo i dhunshëm, shpejt ai u kthye në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Pas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytete historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga sllavët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u thirrën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ato familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u nënshtruan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.

Kongresi i Manastirit - rruga drejt bashkimit kombëtar

Veprimtaria kombëtare, ose më konkretisht, ajo kulturo-arsimore dhe gjithë proçeset që shkojnë në favor të çështjes kombëtare kanë patur momente kur janë lartësuar, kanë qenë të çmuara dhe të domosdoshme për kohën dhe ishin të krijuara ose të nxira, dhe, ka patur momente kur kanë patur rënie, rënie jo nga vet koha, por pjerdhje me qëllim për të humbur ose ndaluar realizimin e idealeve.

Në periudhën para 1908, dimë se në çfarë kushte kanë punur atdhetarët tanë, sidomos ata që merej me aktivitete letrare ose kulturore. Duke marrë parasysh se territori shqiptar ka qenë i ndarë në 4 vilajete, ai i Kosovës, i Shkodrës, Janinës dhe i Manastirit, secili vilajet ka patur nga ndonjë ose nga pak më shum figura me të cilët ne sot mburremi dhe do të mburremi edhe më tepër sikur ta dimë saktësisht mënyrën të veprimitarisë së tyre. Dua të them, që të gjithë në mënyr të vet kanë punuar duke iu përshtatur kushteve dhe rrethanave. Atdhetarët e Shkodrës e përdornin alfabetin e “Agimit”, gjithashtu edhe ata të Kosovës ose gegët me një fjal shërbeheshin me alfabetin e lartpërmendur. Toskët ose banorët të vilajeteve dy që na mbetën shërbeheshin me atë latin dhe ai i Samiut ose i “Stambollit”. Ishte vështirësi për botuesit të librave, sepse ishte rëndë për t’u gjetur shtypshkronjë e cila i përmban këto germa, përveç ajo e alfabetit latin, për të cilin alfabet ka patur shtypshkronja në tërë Evropën. Dallimi që ka ekzistuar ndërmjet alfabeteve të ndryshme e bëri që të sillet vendim për krijimin e një alfabeti, një për të gjithë dhe i pranishëm nga të gjithë. Fjala vjen, kur erdhi momenti që të tre alfabetet të bashkohen në një, sepse, sipas planit të Kongresit, duhej që të formohej një alfabet, një kombinim nga ata që ekzistonin dhe alfabetet ekzistues të liren mënjanë, kjo solli pra edhe mosmarëveshjet ndërmjet përfaqësuesve ose themeluesve të alfabeteve në fjalë, sepse secili e mbronte të vetin. Ka qen tepër vështirë që të sillej vendim i cili do t’ia plotësonte dëshirat të gjithëve. Edhe vet themeluesit të alfabeteve të ndryshëm nuk ishin më faj që pa bashkëpunim krijonjin vepra individuale, sepse të rihej dhe të pritej kaq kohë d.m.th. deri më 1908-ën ishte mëkat dhe dobësi e madhe për letërsinë shqipe, sepse, rrethanat ishin të tilla që ishte patjetër për të botuar libra dhe punime të ngjajshme. Ishte medoemos, sepse gjuha nuk përparonte, shkolla nuk ecte përpara, punimet nuk do të kishin vlerën e tyre pa një alfabet të vetëm. Ky pra ishte hapi i parë drejt bashkimit etnik duke parë nga një aspekt.

Nëse vazhdohej në këtë mënyrë dhe të mos ish krijuar një alfabet i ri si që ishte ose si që është ky i Manastirit ose alfabeti i “Bashkimit”, a vall sot ne shqiptarët do të ishim në këtë gjendje? Është realitet kur themi se alfabeti ne bashkoi. (na bashkoi si komb e jo teritorialisht) Në atë periudhë ishte rëndë dhe e palogjikshme që një njeri të mund të paramendojë se çfar mund të ndodhte me botën shqiptare sot, ose mbas 100 vjetëve. Ose kemi patur fat që u soll vendim për përdorim të alfabetit latin, ose ata të cilët e përmbanin kishin patur vizione të zhvilluara dhe burrërisht qendruan prapa interesave mbarkombëtare. Me vetë themelimin të Alfabetit të Manastirit, shqiptarët treguan se janë popull i civilizuar, po i afrohen botës së qytetërimit, një alfabet i njësuar ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Duke lexuar mjaft vepra dhe fejtone lidhur me këtë temë, si nga autori Reshat Nexhipi, Tomor Osmani, etj., konstatova se meritat më të mëdha për bashkimin të tre alfabeteve pa tjetër që i ka patur dhe i ka klubi “Bashkimi”, por ai që e nxiti edhe më tepër punën del se është Gjergj Fishta. Kjo vërehet kur ai paraqitet në foltore dhe drejtohet para të gjithëve me fjalët: “S’kam ardhur që të mbroj asnjë alfabet, por, të mbroj një alfabet të përbashkët”. Me fjalët e tij, në punimet e këtij Kongresi, tregoi që nuk kish ardhur për të përçarë por për të bashkuar. Dhe ai që e kuptoi dhe që e ndjeu vlerën të këtyre fjalë sma mer mendja që se ka përmbajtur një alfabet të përbashkët. Nuk ishte gjë e rastit kur një nga të pranishimit, fjala vjen, kleriku mysliman Ibrahim Efendiu del në foltore dhe me lot në sy e përqafon Gjergj Fishtën duke e kuptuar rëndësinë të fjalëve të tij. Por, kishte të tillë që e mbronin të veten, dhe ishte e logjikshme që ta mbrojnë, sepse, ende nuk kuptonin se çfar do të fitohet me alfabetin latin, ndërsa këta që ishin organizator, ose ideologëve që iu kujtua nuk mundnin të shprehen haptas për shkak të prezentës të mjaft “jabanxhinjëve”, si që ishte valiu i Manastirit, etj. Rymat sundonin rreptë duke i mbrojtur alfabetet vendase. Përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të zgjidhur çështjen e një alfabeti të vetëm u dendësuan shumë. Por, në mënyrë direkte ose indirekte u pajtuan pothuajse të gjithë dhe fund i fundit, shqiptari kur është në pyetje interesi kombëtar nuk e kursen as veten. Shkurt, vendosmëria e delagatëve, synimi kah perëndimi i intelektualëve shqiptar ishte aq i fuqishëm sa që si dilte për ball as propaganda greke, sllave dhe as ajo turke. Dhe në fund delegatët nuk u dëshpëruan, përkundrazi atë zgjidhje që i dha Kongresi i Manastirit, mësimin e alfabetit të shqipes, e konsideronin si një fitore të madhe që arriti që t’i bashkoj shqiptarët dhe kështu t’u japë një shtyllë të fuqishme gjuhës dhe shkollës. Bashkim i Gegërisë dhe Toskërisë.

Theksova pra më sipër ce ka patur edhe momente të rënies, këto ishin pra ato momente të rënies, diçka që e ke kriuar vet, me sakrifica të mëdha, duke menduar se ajo është e vërteta, duhet në një moment ta hedhësh ose ta lësh prapa në histori. Politika e armikut e cila i perngjante tepër asaj “përça dhe sundo” u zhduk nga atdhetarët të cilët pa rezervë dhan kontribut për bashkimin e popullit. Pra, ka patur metëvërtet momente të rënda të papërshkruara, dhe mos themi edhe njëher se çfar bën shqiptari kur është në pyetje interesei kombëtar.

Tani do të këthehem prapa. Çfarë do të ndodhte me shqiptarët nëse Kongresi mbaronte pa efekt? Çfarë mendimi do të kishte për ne bota sot nëse e përdornin alfabetin arab, ose Amerika dhe Evropa, të jem më i qartë? A vallë nuk e përforcojmë tezën për lashtësinë e gjuhës shqipe me përdorimin e alfabetit latin, e cila tezë është vërtetuar në institutin e gjuhëve në Zvicër, ku në mënyrë figurative në formë të një druri, gjuha shqipe e ka vendin ose e mban vendin e rrënjës? Dhe më në fund thjesht të them, a vall do të egzistonim si komb?

Kongresi i Manastirit nuk e përqëndroi vëmendjen vetëm në problemin e zgjidhjes së alfabetit të të gjuhës, por edhe në çështje të rëndësishme politike. U vendos që të shpallej si klub qendror klubi “Bashkimi“ i Manastirit, ngase luajti një rol të rëndësishëm për shkrimin dhe shkollën shqipe, i shërbeu ngritjes së ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar dhe unitetit të tij. Kongresi i Manastirit, me atë që e bëri, që krioi një alfabet të ri, jo vetëm që u mundësoi shqiptarëve të ken një alfabet të përbashkët, por njer për çdo her u krye problemi rreth shqiptarizmit anemban botës. Një komb, një gjuhë, një abece. Abece manastirase e cila ndriti historinë dhe ne gjeneratave të rea nai hoqi atë problem nga koka, rreth asaj çështje është kryer puna, na mbetet vetëm që ta kryejmë edhe një akt, për të cilën rilindasit tanë të bekuar ose nuk patën kohë ose nuk mundën, sidoqoftë ne na mbeti, dhe nuk duhet theksuar, duke menduar se e dinë të gjithë se për çfar bëhet fjalë, gjë që e mundon çdo shqiptar të Ballkanit dhe të diasporës. Tani un prap do ta ndërroj temën, ajo nuk është e ndëruar por do të shkoj disa vjet më pas, në Luftërat Botërore. Paramendoni sikur gjith shqiptarët t’i bashkoheshin çetave të Xhem Hasës, ose Ballistëve trima, a vall sot nuk do të kryhej problemi rreth asaj që duhet ne ta bëjmë?
“Një komb, një gjuhë, një flamur, një abece, një.....”
Të fundit, të pambaruarën, i lë lexuesit ta gjejnë.

Nga Wikipedia

KONGRESI I MANASTIRIT NË DRITËN E DOKUMENTEVE

Në fillimet e shekullit të 20-të Mid‘hat Frashëri bëhet formulues, zëdhënës dhe misionar i shqiptarizmit, që kish lindur si lëvizje ideore dhe shpirtërore qysh në kohën e Rilindjes
"Shqiptarizma filloi të bëhej një farë feje, një besim, jo individual, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më më mirë akoma feja vetë: njerëz që s‘e kishin parë kurrë shoku-shokun, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në besimin e ri, zbulonin se ishin vëllezër…"- shkruante Mid‘hat Frashëri. Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithë shqiptarëve. Mid‘hati iu përvesh kësaj pune madhore, sidomos kur u krijuan kushtet legale me shpalljen e Konstitucionit të vitit 1908.

"Regjimi që u proklamua me aq bujë në korrik të motit 1908, - shkruante M.Frashëri, - e pruri çështjën shqiptare në një shkallë më akute, e bëri më të gjallë problemin e kombit tonë: a duhej një luftë e çelur kundër dominatorit të huaj, një shkëputje e krejtë, pa të dalë ku të dalë, apo duhej një përpjekje e brendshme për një fuqi intrenseke për koherencën e molekulave që i quajmë individë? Pyetja qe e tmerrshme. Alternativa e parë kishte tërheqjen e aventurës, e një luftimi të rreptë ashtu siç ka dashur kurdoherë arbëreshi. Alternativa e dytë ishte mbase më pjellore, por edhe më e rëndë; pemët e saj do të ishin më të të durueshme, por edhe lypte një paqe-bese provizore. E para lypte zhurmë dhe bujë, e dyta donte kohë, vullnet, organizim, disiplinë, edukatë kombëtare, një patriotizmë inteligjente, një politikë të matur me fuqi mbi veten tonë" - shkruante Lumo Skendo më 1908.

ALTERNATIVA E MID‘HAT FRASHËRIT

Mid‘hati zgjodhi udhën e dytë. Atë të formimit kulturor dhe ndërgjegjësimit kombëtar, të indipendencës mendore dhe morale të shqiptarëve, nëpërmjet shtigjeve që mundësonte ajo kohë: a) Çelja e klubeve kulturorë b) Çelja e shkollave shqipe në tërë hapësirën shqiptare c) njësimi i alfabetit dhe i një gjuhe të shkruar të përbashkët, shtypja e librave, gazetave etj. në gjuhën shqipe dhe përhapja e tyre tek çdo shqiptar, pra mbijetesën, mbrothësimin dhe dalëzotjen nëpërmjet diturisë e qytetarisë. Më 14 korrik 1908, në numrin e parë të gazetës "Liria" Mid‘hat Frashëri u drejtohet gjithë shqiptarëve me kërkesa të tilla. "Ta përdorim mirë këtë liri"- këshillon ai. M.Frashëri është kundër lirisë primitive apo të lirisë së gënjeshtërt. "S‘jemi mëmëdhetarë të gënjeshtërt që të themi se shqiptari duhet të rrojë edhe paskëtaj kështu, me atë liri të egër e të rrezikshme. S‘është lumturija me të rrojtur si dhitë në majë të malit, s‘është rrojtje ajo gjithënjë në frikë e në zihje, gjithënjë me pushkë në dorë dhe me vdekje ndër dhëmbë…"

Nuk është e rastit që Mid‘hat Frashëri e nisi botimin e gazetës "Lirija" më 14 korrik, ditën e përvjetorit të sulmit mbi Bastijë, pra, të Revolucionit borgjez Francez të vitit 1789, që përmbysi autokracinë feudale dhe hapi epokën e lirisë. " Shekulli i nëntëmbëdhjetë, me tronditjen e Revolucionit të Francës, pa zgjimin dhe rritjen e idesë së solidaritetit ndërmjet individëve të një race, të një gjuhe, të një kombi"- shkruante ai. Nuk është e rastit, gjithashtu, që ai e pagëzoi gazetën së tij politiko-kulturore me emrin "Lirija". e cila i solli shërbime të mëdha lëvizjes kombëtare dhe kulturës shqiptare.

Nëpërmes faqeve të gazetës thjeshtë shqiptare "Lirija", L.Skëndo bëhet flamurtar dhe zëdhënës i lirisë dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. Ç‘është lirija? - pyet ai. Dhe është një nga të parët filozofë shqiptarë që e përkufizon kështu thelbin e lirisë qysh në fillim të shekullit të kaluar: " Lirija është që të mos të të trazojë njëri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët." Ç‘është robërija? - pyet ai. - Është kur s‘ke siguri shpirti, kur s‘të lënë të rrosh, kur s‘të lënë të fitosh, kur s‘të lënë të mësosh dhe të hapësh mendjen, kur s‘të lënë të flasësh, kur s‘të lënë të lexosh e shkruash shqip, kur të ndalojnë shkollat, kur s‘ke ku të ankohesh e të mbrohesh, kur s‘ka as ligj e as gjykatë, kur je nën mëshirën e pushtetarëve… Lirija është një mjet, është një derë, nga e cila hyjmë në fushë të gjerë të përparimit e të qytetërimit..."

Mid‘hati u zgjodh atë kohë, (korrik 1908) kryetar i Shoqërisë së Shqiptarëve të Selanikut, shoqëri e cila hapi një klub dhe një shkollë shqipe. Klube dhe shkolla shqipe u çelën në Elbasan, Vlorë, Filat, Manastir, Shkup, Kolonjë, Korçë , Gjirokastër etj. "Motet 1908-1909 ishin për ne një periodë formimi. Dy vjet ishin mjaft për të prurë një zgjim në zemrat e punët dhe për të kanalizuar qëllimet" - shkruante M. Frashëri. Gjithë përpjekja e tij në këtë kohë u bë: mësimi e dituria - nëpërmjet gjuhës shqipe, për ringjalljen shpirtërore dhe puna e paprerë për ringjalljen ekonomike në Shqipëri. "Dyfekët, thikat dhe jataganët thyejini! Ato armë tani bëjini pluar, bëjini çekanë, se tani do rrojtur me djersë të ballit si njerës që na ka bërë Zoti."- shkruante ai në gazetën "Lirija", korrik 1908.

Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kombëtare dhe kulturore, shtroi nevojën e ngutshme për njësimin e alfabetit, të një gjuhe letrare të përbashkët dhe qendërsimin e gjithë veprimtarive arsimore e kulturore. Në nëntor të vitit 1908, me nismën e klubit kulturor "Bashkimi" me kryetar Fehim Zavalanin, u mblodh Kongresi Kombëtar i Manastirit, ku morën pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote, përfaqësues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë vendit.

Kryeçështja e Kongresit të Manastirit, ishte njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Edhe konceptimi, edhe diskutimi, edhe trajtimi i kësaj çështjeje nevralgjike, u panë jo si një problem thjesht gjuhësor, por si një nevojë e kahershme kombëtare që kërkonte doemos zgjidhje."T‘i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve me një ABE". Kjo ishte edhe diviza e kuvendit. Kjo ishte edhe diviza e Mid‘hat Frashërit. Përcaktimi i një alfabeti tërësisht latin dhe më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe, i një abeceje për të gjithë shqiptarët, ishte rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm rilindës që përfundoi me alfabetin e Manastirit.

MOHIMI I KONTRIBUTIT TË MID‘HAT FRASHËRIT

Padyshim, të gjithë delegatët e në mënyrë të dukshme figurat e spikatura te çështjes sone kombëtare e të kulturës shqiptare dhanë ndihmesën e tyre të shquar në formulimin e kërkesave kombëtare dhe njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por ndihmesa e Mid‘hat Frashërit, jo vetëm si kryetar i Kongresit, si formuluesi kryesor i problemeve kombëtare, por edhe si anëtar efektiv i Komisisë së ABE-së, është i dyfishtë. Ky kontribut i jashtëzakonshëm është mohuar apo denigruar nga historiografia komuniste për motive politike. Vetëm fakti që Midhat Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, Gjergj Fishta kryetar i Komisionit të alfabetit, bëri që në të gjitha botimet në Shqipëri për Kongresin e Manastirit të ishin të cunguara, të deformuara dhe të censuruara. Madje emri i Mid‘hatit si kryetar i kongresit, as që zihet fare në gojë. Po ashtu emri i Fishtës. Për këto arsye, nuk u botuan as procesverbalet e Kuvendit të Manastirit, ku delnin në pah emrat e roli i tyre për alfabetin e njësuar dhe çështjen kombëtare.

Kryesia e kongresit u zgjodh me votim të fshehtë. Kryetar u zgjodh Mid‘hat Frashëri, atëhere 28 vjeç, nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirjazi. Mid‘hati , delegat i Klubit të Janinës dhe të Shoqërisë Shqiptare të Selanikut, nuk kishte mbritur ende në Manastir dhe ishte zgjedhur kryetar në mënyrë demokratike në mungesë të tij. Delegatët e pritën në stacionin hekurudhor dhe atje e uruan. Hil Mosi, i foli mirseardhjen, duke "lavduar Frashërin që kish nxjerrë njerës të vlefshëm", ndërsa Mid‘hati ia ktheu aty për aty nderimet Shkodrës për shërbimet e saj ndaj gjuhës shqipe, "në një kohë kur gjuha jonë ishte e ndaluar dhe kërkund gjetkë s‘këndohesh shqip". Në Komisionin e Alfabetit, pas debateve të gjata e të vështira, misët vendosën njëzëri që të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit dhe tjetri, një abce e re me shkronja tërësisht latine, që do t‘i qëndronte së ardhmes. Me përpjekjen e delegatëve e në mënyrë të dallueshme, me këmbënguljen e Ndre Mjedës e të Fishtës dhe me pëlqimin e Mid‘hat Frashërit, u arrit ky konsensus historik. Kronisti dhe eruditi Lumo Skëndo dëshmon e vlerëson: "3 vjesht‘e tretë, e hënë...Atë Fishta, me atë fuqi të fjalës që e ka vetiu, tha se, sadoqë është i dërguar pej shoqërisë "Bashkimi", s‘ka ardhur për të mbrojtur atë abece, por për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë". Ndërsa për Ndre Mjedën ai shënon: "Dom Mjeda, me urtësi të madhe foli dhe tregoi se shqiptarët qenkan të zotë që dhe të bashkohen dhe të punojnë së bashku, sikundër që i rrëfen kjo mbledhje e Manastirit"

Mid‘hat Frashëri dha ndihmesën e vet të vlefshme njësuese si anëtar i Komisionit të Alfabetit, por edhe vendimore si kryetar i Kongresit, për arritjen e këtij akti të madh. Në precesverbalin që ndodhet në Arkivin e Shtetit, lexojmë: "Nesër nadje, para se të fillojshin mbledhjet e komisionit, (Dom Ndreu, shën.im UB.) vojt te Mid‘hat Frashëri e i paraqiti këta dy alfabete. Zotnija, mbas nji diskutimit të shkurtë, mbet i kënaqun e i tha qi t‘ia paraqitte ai vetë Komisionit…"

Nga ky dokument njoftohemi: "Në fund duel kryesonjësi, z.Mid‘hat Frashëri, i cili diftoj, se mbas kaq të mbledhunave qi pat pleqësia, çështja e abe-tit muer funt në nji mënyrë qi do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqun e për kët shkak u zgjodhën dy abe-të e të dy do të përdoren prej shqyptarëvet; njeni asht i Stambollit e tjetri nji abet thjesht latin, por qi i bazohet atij të Stambollit". Albanologu i shquar dr. Holger Pedersen e përshëndeti këtë zgjidhje: "Këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet i vetëm. Ky është një përparim shumë i madh , për të cilin duhet uruar populli shqiptar".

Mid‘hat Frashëri është i pari dëshmues publik, qëmtues, studiues dhe botues i punimeve të Kongresit të Manastirit. Është merita e tij që botoi tek gazeta "Lirija" e motit 1908 programin e Kongresit të Manastirit "ashtu si qe poligrafisur dhe si ish shpërndarë tek delegatët".
Po ashtu, Mid‘hati botoi të plotë në këtë gazetë kronikën e përçdoditshme të punimeve të Kongresit dhe procesverbalin mbi bisedimet e debatet, si edhe vendimet e Kongresit të Manastirit Mund të them se ky botim, 100 vjet më parë, është burimi më i pasur, më i plotë dhe më i paanshëm për Kongresin e Manastirit. Flakë për flakë Lumo Skëndo hulumtoi, analizoi dhe vlerësoi drejt e qartësisht pemët e Kongresit.

ANALIZA E LUMO SKËNDOS MBI KONGRESIN E MANASTIRIT

Në analizën e thugët "Ç‘fituam nga Kongresi i Manastirit", 22 vjesht‘e tretë, studiuesi dhe filozofi L.Skëndo konkludon se pemët e Kongresit janë të shumta.

"Qëllimi i parë i Kongresit ishte bashkimi i abece-ve... Ky bashkim është pema e parë e kongresit...Në kongres delegatët e tërë , me një urtësi të madhe, mejtuan jo dëshirat e veta dhe anësitë e veta, po të mirën e kombit...Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, tani themi se abece-ja u njësua. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, vepra për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën..."

Mid‘hati profetizon se me njësimin e alfabetit, do të marrin fund "zihjet dhe grindjet për abece-të" dhe do të niste një epokë e re për shqiptarët, të cilët edhe me alfabetin e tyre latin, përcaktohen përfundimisht në Përëndim. Ndarja bizantine na nxinte faqen, shkruante ai në prag të Kongresit të Manastirit. "Gjer më sot në Shqipëri përdoren me shumicë abece: m‘e përhapura është ajo e Stambollit...Veç kësaj abece-je, në Shkodër ka tri të tjera... Mos pandehet se veç këtyre abece-ve s‘kish tjetër. Jo, mos u gënjeni. Se shqiptarët që kanë qenë kaq shterpë për vepra letrare, kanë qenë shumë pjellorë dhe shumë të zotë për të çpikur abece! ..Edhe kështu, dita me ditë, po na dilte nga një abetare, si kërpudhat pas shiut...Pra, nga ky shkak, librat, fletoret, gazetat dhe të tjera shkrime shqip, s‘përhapeshin dot në Shqipëri, se nuk këndoheshin dot prej çdo njeriu...Kjo e ligë ish një mëkatë e madhe dhe një ndalim në përparimin e gjuhës. Pra, kongresi kishte për qëllim shërimin e kësaj plage, që na kishte pushtuar gjithë fuqinë."

Natyrisht, kjo gjë nuk do të bëhej menjëherë. Duke e pranuar idenë e një alfabeti të vetëm dhe përparësinë e alfabetit të përbërë krejtësisht me shkronja latine, Mid‘hati pranoi tezën që të dy abecetë të përdoreshin edhe për një kohë, deri sa të mbetej një alfabet i njësuar. "Tani e paskëtaj, shkruan M.Frashëri, çdo shkronjës është i shtrënguar të përdorë një nga këta dy abece dhe jo të ngjisë një të re, se tani burimi i shpikjes shterroi." Mendimtari rilindës M.Frashëri, nisur nga akti i njësimit të Alfabetit, të cilën e cilëson si një risi, ngrihet mbi këtë ngjarje dhe evidenton dukuri më të përgjithshme shoqërore, morale e politike, duke nxjerrë përfundime të rëndësishme në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar lidhur me qenien, identitetin dhe çështjen shqiptare në procesin formësimit qytetar, kulturor e kombëtar.

"Njësimi i abc-ve është pemë e parë e kongresit, - thekson M.Frashëri. - Po ka edhe një pemë tjatrë që është mbase më e madhe dhe më e bukur. Edhe kjo është bashkimi i shqiptarëvet... Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë e muslimanë, hoxhë dhe priftërinj. Dhëntë, pra, zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agimi i një jete të re, i një jete urtësije dhe vëllazërije" - nënvizon Mid‘hat Frashëri.

MENDJA PROFETIKE

Ndërsa e shkuara i shërben si një sfond dhe e tashmja si ballafaqim, pritmi është parësor për filozofin tonë. Mendja profetike e tij i drejtohet gjithënjë të ardhmes, një jete të re, jo si ëndërues, por si një një mundësi e brendshme shqiptare, si një realitet i pritshëm.
M.Frashëri ishte i ndërgjegjshëm për nevojën e njohjes së Shqipërisë në botë dhe i ndërkombtarizimit të çështjes shqiptare. Ai kërkoi të dëgjohet zëri i Shqipërisë, të ndreqet imazhi i saj në botë, sepse nuk njihet fare, apo njihet thuajse keq. Kongresi i Manastirit i tregoi botës ekzistencën dhe idenditetin e një kombi. "Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës u tregoi qënien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota që na pandehte se s‘jemi të zotë për asnjë vepër qytetarije, ajo botë dhe ndër ta armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s‘qenkan ashtu si i pandehnin, s‘qenkan aq "të egjër" sa thuhej. Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë në qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithënjë të zotë që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder." Edhe pas 100 vjetësh, janë aktuale këto ide progresiste dhe ravgime ekzistencialiste të Mid‘hat Frashërit. "Po e shohim se tani fuqi e njeriut s‘është më vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetaria. Armët e sotme s‘janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetaria, puna, dituritë, begatija". Por idetë dhe vizioni i nesërm i Mid‘hat Frashërit i kapërcenin këta kufinj, siç dëshmon vepra e tij tashmë e botuar. Ky kapërcim epokal u bë edhe gjatë Kongresit të Manastirit, në mbledhjet e fshehta të kryesuara nga Mid‘hat Frashëri, në të cilat u diskutua dhe u miratua një program kombëtar me kërkesa politike, ekonomike, administrative dhe kulturore, që të çonin kah liria e plotë, shteti kombëtar dhe mëvehtësia. Kongresi i Manastirit i priu pavarësisë dhe një nga prijësit e saj ishte Mid‘hat Frashëri, i cili mori pjesë aktive në lëvizjen për pavarësi; mori pjesë në Mbledhjen e Shkupit, qendër e vilajetit të Kosovës, më 14 tetor 1912, që vendosi për shpalljen e Pavarësisë dhe thirrjen e një kuvendi kombëtar mëvehtësues; ai u bë protagonist i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 si përfaqsues i Gjakovës edhe delegat i Elbasanit dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit, Mid‘hati shtroi problemin e gjuhës letrare të përbashkët në revistën "Dituria" të motit 1909. "A do të kemi një të vetme gjuhë literare shqipe?"- pyet ai dhe i jep vetë përgjigje: "S‘mund të mohohet ndryshimi i madh ndërmjet dy dialekteve, pa numëruar nëndialektet e tjerë... Për një komb të vogël dhe të dobët si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështirë e madhe, një rrezik i vërtetë që s‘mund ta shikojmë me gjak të ftohtë. Është, pra, nevojë e madhe që të kemi për shqipen tonë të shkruar një të vetëm gjuhë literare, e cila të nxëhet dhe të përdoret prej tërë kombit tonë. Kemi një të vetme gjuhë letrare, e cila nxirret dhe përdoret prej tërë kombit tonë, se të gjithë kombet e qytetëruar një të vetme gjuhë literare kanë"

RËNDËSIA E GJUHËS

"Shpirti i një kombi është gjuha" - shkruante M.Frashëri. "Lufta për gjuhën, është një formë tjetër e luftës për të rrojtur".

Gjuha e përbashkët letrare arrihet nëpërmjet librit dhe rrënjoset nëpërmjet shkollës, mendonte ai. Prandaj Mid‘hat Farashëri më 14 mars 1909 nënshkruai thirrjen e Klubit të Selanikut drejtuar gjithë klubeve dhe shoqërive shqiptare për mbledhjen e Kongresit kulturor të Elbasanit dhe përcakton punët që do të sillen përpara kongresit: Themelimi i shkollave shqip; themelimi i një shkolle normale për mësues dhe i një universiteti në Shqipëri; hartimi i programit mësimor të shkollave; përcaktimi i një qendre për të rregulluar veprimtarinë e shkollave (Korça) dhe të një qendre për të udhëhequr veprimtarinë e klubeve {Klubi i Manastirit); kthimi i shkollave greke në shkolla shqipe; lidhja e klubeve me njëri-tjetrin dhe zgjedhja e një programi kombëtar të përgjithshëm. Këto projekte të Mid‘hat Frasherit u bënë më pas vendime të Kongresit të Elbasanit (1909). Miratimi i këtij programi në Kongresin e Elbasanit dhe vënia në zbatim e tij, përbëjnë pa dyshim merita të mëdha të Mid‘hat Frashërit në fillimet e jetës e të përpjekjes së tij kombëtare.

Uran Butka



















































Në fytyrë të parë shohim këta veta:

1. Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) delegate i Klubit të Selanikut dhe i Klubit të Janinës; kryetar i zgjedhur i Kongresit; dreqtonjës i së përkohëshmes s’ënë dhe i gazetës Lirija.

2. Gjergj Fishta, delegat’ i Shoqërisë Bashkim në Shkodrë; auktor i Lahut’ e Malcisë, Anzat e Parnasit dhe të tjera libra e vjersha; dreqtonjës i një shkolle shqipe në Shkodrë.

3. Emzot Kaçori, delegate i Durrësit dhe ndihmës i arqipeshkut të këti qyteti.

4. Dom Nre Mjeda delegat i shoqërisë Agim në Shkodrë, kryetar i kësaj shoqërije dhe auktor i librave shkollare të kësaj shoqërije; vjershëtor.

5. G.D.Qiriaz Manastiri, delegat i Ma-nastirit, nënëkryetar i Kongresit dhe auktor i Hristomathi.

6. Fehim be Zavalani, delegat’ i Manastirit, kryetar i Klubit të Manastirit.

7. Dimitri Mole, delegat’ i Filibesë

8. Nyzhet Vrioni, delegat’i Beratit.

9. Rok Berisha Gjakova, delegat’ i Shkupit

10. Bajo Topulli Gjirokastra, delegat i Gjirokastrës, luftëtar i lirisë.

11. Thoma Abrami, delegat’ i Korçësë, dreqtonjës i së përkohëshmes Besa që ka dalë në Kairo

12. Sotir Peci Dardha, delegat i sh-qiptarëvet n’Amerikë dhe të Bukureshtit, dreqtonjës i gazetës Kombi në Boston.

13. Luigji Gurakuqi Shkodra, delegat’ i këti qyteti; auktor dhe vjershëtor nënë pseudonimin lek Gruda.

14. Shahin Kolonja, delegat’ i Kolonjës; drejtonjës i gazetës Drita që dilte në Sofje; depyte i Korçës.

15. Ahil Eftim Korça, delegat i Kostancës

16. Adham Shkaba Statobërdha, delegat i Sofjes.

17. Dimitri Buda Elbasani, delegat i këti qyteti

18. Matea Logoreci shkodra, delegat i shoqëris Agimi i këti qyteti 19. Azis, delegat i Starovës

20. Shevqet Frashëri, delegat’ i Korçës,

21. Simeon Shuteriqi Elbasani, delegat i këti qyteti dhe shkronjës i klubit t’Elbasanit

22. Leonidha Naçi Korça, delegat’ i Vlorës.

23. Zejnel Glina, delegat’ i Leskoviqit

24. Sami Pojani, delegat’ i Korçës, dretonjës i gazetës Korça.

25. Refik Toptani, delegat’ i Tiranës.

26. Mihal Gramenua, delegat’ i Korçës, luftëtar i lirisë auktori dhe vjershëtor’ i Vdekj’ e Piros dhe Mallkim i gjuhës shqipe.

Burri q’është në mes të zotit R. TOPTANI dhe zotit M.GRAMENO është ÇEÇO TOPULLI, luftëtar i lirisë. Më të mëngër të GRAMENOS është MUHTARI nga shokët e ÇEÇOS, dhe më të mëngër të MUHTARIT është kavas’ i klubit të Manastirit. Më të mëngër të zotit AHIL EFTIM është XHELAL BE PODA, dhe ay q’është në mes te zotërinjët SIMEON SHUTIRIQI dhe ZEINEL GLINA është zoti SELMAN nga Elbasani.

Në këtë fytyrë të delegatëve mungojnë: Zotërinjtë HIL MOSI, delegat’ i Shkodrës.

G.CILKA delegat’ i Korçës; HAFEZ IBRAHIMI dhe EMIN BEU, delegatët e Shkupit; RAUF BEU delegat’ i Gjinokastrës dhe SELAHEDDIN BEU nga Prizreni, delegat i Manastirit.

Mbi fotografinë që rrëfen personazhet.

Kjo foto paraqet një moment historik. Kongresin e famshëm të alfabetit i mbajtur 100 vjet më parë në qytetin e Manastirit. Por veç këtij fakti na bën të mundur të lidhim emrat e delegatëve që morën pjesë në këtë kongres me imazhet e tyre. Interesi i lexuesve të thjeshtë ka gjasa të jetë e i madh në këtë rast.


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 93 vizitorë
Lexuar: 10,024 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi