Akademik Rexhep Qosja ka thënë se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet një Gjykatë e quajtur Speciale për hetimin e krimeve të supozuara të luftëtarëve që kanë bërë luftë të drejtë.
“Njohuritë e mia historike dhe politike më bëjnë të mundshme të them se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet Gjykatë e quajtur Speciale për hetimin e krimeve të supozuara të asaj ushtrie, të atyre luftëtarëve që kanë bërë luftë të drejtë e kjo, luftë e drejtë, domethënë luftë për mbrojtjen e vetes, për mbrojtjen e popullit të vet prej pushtuesit, prej pushtuesit që ushtron dhunë e terror për asgjësimin e këtij populli”, ka thënë Qosja në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Ai është shprehur kundër themelimit të një gjykatë të tillë duke thënë se gjykatat e tilla edhe dinë të shpikin rezultate. “Unë jam me zemër e me mendje kundër themelimit të kësaj Gjykate të quajtur Speciale që do të merret me krimet e supozuara të ushtarëve që kanë bërë luftë të drejtë çlirimtare. Mendoj se Gjykata Speciale që do të formohet nuk është e liruar prej përbërësish (komponentësh) politikë. E gjykatat e tilla dinë edhe të krijojnë, domethënë të shpikin rezultate”, ka deklaruar Qosja. Në këtë kontekst, Qosja ka thënë se në qoftë se gjykatësit e Gjykatës Speciale do të jenë të interesuar ta cenojnë sadopak imazhin e luftës sonë çlirimtare që bëri UÇK-ja ata do të bëjnë çka kanë bërë prokurorët e EULEX-it gjatë disa muajve të fundit.
Akademik Rexhep Qosja ka folur edhe për debatin e fundit që është zhvilluar në opinion për ekzistimin e FARK-ut, për të cilin ka thënë se është krijuar me qëllim që UÇK-së të mos i njihet statusi si forcë çlirimtare e Kosovës. “Meqenëse FARK-u është krijuar në radhë ta parë për qëllime politike është e kuptueshme se krijuesit kryesorë të tij janë drejtuesit politikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës e këta janë Fehmi Agani e Ibrahim Rugova. Ata e krijuan FARK-un në kohën kur faktorët ndërkombëtarë ende nuk e pranonin statusin ushtarak të UÇK-së dhe e krijuan me qëllim që UÇK-së të mos i njihet kurrë ai status, në të vërtetë me qëllim që UÇK-ja të pamundësohet si forcë çlirimtare e Kosovës”, është shprehur Qosja, duke mos e përjashtuar mundësinë që në rendin e ditës të Gjykatës Speciale do të gjenden edhe pohime që po dëgjojmë sot prej drejtuesve të LDK-së në lidhje me FARK-un. “E supozoj, me dëshirën që të jam gabim, se në rendin e ditës së Gjykatës Speciale do të gjenden edhe pohime që po dëgjojmë sot prej drejtuesve të LDK-së në lidhje me FARK-un”, ka deklaruar Qosja.
11. 04. 2014
|