Në një intervistë për Zërin e Amerikës, simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, thotë se një gjykatë e posaçme për krime lufte është e dëmshme edhe për aleatët e Kosovës. Sa vjet qëndroi këtu EULEX-i me krejt të drejtat e veta ka burgosur kë ka dashur ka dënuar kë ka mundur. Nuk i mjaftuan kaq vjet të hapë hetime për kë ka dashur? Ideja për themelimin e kësaj gjykate thuhet se ka të bëjë me individët dhe jo me UCK-në. Por, “UÇK-ja formohet prej individëve”.
Të vish e ta poshtërosh tërë një popull dhe krejt një shtet, nuk është në interes të askujt. Unë pyes deri kur duan të bëjnë këso shakash me ne? Këtë javë mbushet një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime të imponuara nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh. Tek e fundit, e kemi parë që Serbia nuk po i zbaton asnjërën prej tyre. Ne po i zbatojmë, Serbia nuk po i zbaton. Ende nuk po teret ngjyra e nënshkrimeve të tyre. Po i bëjnë njëqind dredhi, mohime e lodra me ato vendime, ka thënë mes tjerash Demaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.
I pyetur se cili është mendimi i tij për përfshirjen e shqiptarëve në luftëra të huaja, si ajo e Sirisë, Demaçi thotë se “prapë është këtu faji i miqve tanë”. “Po ju japin terren e mundësi me na ardhë mjekroshët, qysh po i quan populli, ‘trefërtalshat’, prej Londre e prej andej e këndej, me i tubue njerëzit me ba kërkesa. Madje dojshin të vijnë edhe në pushtet. Jo e duam xhaminë këtu, jo e duam këtë këtu, jo kërkesa të tjera. Flasin disa hoxhë e mbajnë ‘vaize’ shumë të rrezikshme, shumë cytëse. Shkojnë e gjejnë do të shkretë, do të mjerë e do fukarenj, do vajza e do gra, e i shtinë t’i vënë shamitë atje e andej e këndej. Kjo krejt po bëhet para syve tanë”, thotë mes tjerash Demaçi për Zërin e Amerikës.
|