Historik i shkurtër dhe mendimet ndryshe nga ai i Akademisë së Shkencave të Suedisë mbi Çmimin prestigjioz i cili ndahet çdo 10 tetor, - ditëlindje e Nobelit.
Me testament, më 1896, kimisti Alfred Nobel (1833-1896), vendosi të shpërblej shkencëtarë, pushtetarë, shkrimtarë…, me një fjalë intelektualë mirëbërës të njerëzimit në pesë lëmi: paqe, letërsi, mjekësi, fizikë dhe kimi. Fondacioni i posedon shumën prej dhjetë milionë kurona (përafërsisht 1,1 milion €). Çmimi ndahet për çdo vjet në Stokholm nga Akademia Suedeze përgjatë dy javëve të para të muajit dhjetor. Kur flitet për letërsi, e sipas dëshirës së testamentlënësit Alfred Nobel, fituesi duhet të jetë autor vepre të pasur me një «ideal të fuqishëm».
Kandidatët propozohen nga ana e Akademisë Suedeze ose organizma dhe autoritete të ngjashme, laureatët e Çmimit Nobel për letërsi, shkrimtarë të njohur ndërkombtarisht dhe personalitete të njohura universitare. Askush nuk ka mundësi të vet-propozohet.
Për çdo vjet, anëtarët e zhyrisë bëjnë zgjedhjen poshtë-lartë mes të 350 kandidatëve të propozuar dhe kështu arrijnë në një listë përfundimtare që mbahet në fshehtësi totale e të përbërë nga pesë emra nga të cilët katër bien mirëpo kandidohen automatikisht për vitin vijues. Për të fituar dhe pranuar zgjedhjen, kandidati duhet t’i fitojë me tepër se gjysmën e votave (pëlqimeve). Këto zgjedhje bëhen në mënyrë tejet të fshehtë por shpesh shpallja ka rezonanca politike ; 18 anëtarët e zgjedhur për tërë jetën, nuk ngurojnë t’i nderojnë shkrimtarët e persekutuar apo të ndaluar për publikim në vendet e tyre respektivë.
Është për të përmendur se shumë rrallë këtë Çmim e ka fituar ndonjë romansier a poet e kjo shkakton një ndjenjë hileje dhe ngrihen akuza për elitizëm e ca herë edhe për majtizëm të zhyrisë. Natyrisht Akademia e Shkencave të Suedisë hedh poshtë këta etiketa dhe flet gjithmonë për pavarësi të plotë. Megjithatë, ka pasur anëtarë që kanë dhënë dorëheqje për shkak të dallimeve të thella në zgjedhjen e laureatëve. Kjo lidhet gjithashtu me faktin se nobelistët për më tepër që fitojnë një shumë të bukur parash, ata ngrihen lartë në nivel botëror dhe fitojnë famë të jashtëzakonshme e kjo është rast që nxit spekulime në gjirin e shumë qarqeve letrare në botë. Megjithatë, përsëris se sekreti është i plotë gjer në shpalljen publike që do të thotë se asnjë lajm o komunikatë lidhur me listën paraprake nuk mund të bëhet publike. Lidhur me këtë nyje të ndarjes së çmimit, është folur pak, gati aspak për dukurinë e ndarjes disidentëve të lindjes si dhe disa letrarëve, kundërshtarë të sistemeve shtetërore të atdheut të vet nga bota e Afrikës dhe Azisë. Disa nga këta autorë nuk janë në nivel mbresëlënës letrar, ata e fituan Nobelin për disa pikëpamje që e kënaqin ndoshta demokracinë (apo hilekracinë) europiane dhe kjo, shpesh ka lënë një hije të rëndë të politizimit në gjirin e zhyrisë.
Dhe në fund, sa i përket ceremonisë, me çdo 10 tetor, përvjetor i vdekjes së Alfred Nobeli-it; Laureatit, Çmimin Nobel për letërsi, ia dorëzon Mbreti i Suedisë gjatë manifestimit oficial që mbahet në «Sallën e Koncerteve» në Stokholm. Laureati, përpos 10 milionë koronave, dekorohet edhe me një medalje të artë dhe dokument të kaligrafuar, si dëshmi për statutin e tij dhe motivet për të cilat u « nobelizua ». Është bërë traditë që me këtë rast, fituesi të mbaj një fjalim të shkurtër ku flet për angazhimin artistik dhe mbi vizionin e tij të botës.
Reis Mirdita
|