Përgjatë rrugës që të çon në pallatin presidencial dhe në sheshin ku do të mbahej Mesha, që mban emrin Nënë Tereza, janë varur fotografitë e 40 martirëve të regjimit komunist, që së shpejti do të lumturohen.
Tani kohët kanë ndryshuar, dhe në krah të Operës me manifestin e “Traviatës”, një kishë dhe një xhami ngrihen pranë njëra-tjetrës. Papa sfilon mes mijëra njerëzve.
“Askush të mos mendojë që mund të gjejë mburojë tek Zoti teksa projekton dhe kryen akte dhune dhe abuzimi! Askush të mos përdorë si pretekst fenë për veprimet e tij që bien ndesh me dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij themelore, pikësëpari ajo për jetën dhe lirinë e fesë për të gjithë!”.
Fjalët e para të Françeskut, “në këtë tokë të heronjve dhe martirëve”, gjatë takimit me autoritetet shqiptare, shkojnë drejt e në thelbin e udhëtimit. Papa ua ka përsëritur edhe gazetarëve, gjatë fluturimit për në Tiranë: “Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë, dhe ka arritur të gjejë paqen me dallimet fetarë. Dhe kjo është një shenjë e mirë për botën. Dialogu, paqja, ky ekuilibër që shkon në favor të qeverisjes”.
Pas dekadash ateizëm shtetëror dhe persekutimesh, që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Kisha shqiptare është rindërtuar në një vend me shumicë myslimane, ku një këshill ndërfetar bashkon të gjithë fetë e pranishme.
“Bashkëjetesa paqësore mes njerëzve që u përkasin feve të ndryshme duhet ruajtur me shumë kujdes dhe vëmendje”, ka thënë Papa në Pallatin presidencial, ku kanë qenë të pranishëm të gjithë udhëheqësit fetarë të vendit.
Në këtë kuptim, Shqipëria mund të bëhet një model universal: “Klima e respektit dhe besimit reciprok mes katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një e mirë e çmuar për vendin, dhe fiton një domethënie të veçantë në këtë kohën tonë kur, nga ana e grupeve ekstremistë, shtrembërohet kuptimi i vërtetë i fesë dhe instrumentalizohen dallimet mes besimeve të ndryshëm, duke e bërë një faktor të rrezikshëm përplasjesh dhe dhune, në vend që të jetë shansi për një dialog të hapur dhe respektues, si dhe reflektimi të përbashkët për atë çfarë do të thotë të besosh në Zot dhe të ndjekësh ligjin e tij”.
Ky vend, ka shtuar më tej Papa, “demonstron se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme mes personave dhe komuniteteve që u përkasin feve të ndryshme nuk është vetëm një e mirë e dëshirueshme, por konkretisht e mundshme dhe e praktikueshme”.
Tani që “dimri i izolimit dhe persekutimeve ia ka lënë vendin pranverës së lirisë, ka sfida të tjera të cilave u duhet dhënë përgjigje”, ka shtuar Papa.
“Në një botë që shkon drejt globalizimit ekonomik dhe kulturor, duhen bërë të gjithë përpjekjet që rritja ekonomike dhe zhvillimi të vihen në dispozicion të të gjithëve dhe jo vetëm të një pjese të popullsisë”.
Zhvillimi “nuk do të jetë autentik nëse nuk do të jetë edhe i qëndrueshëm dhe i barabartë, domethënë nëse nuk do të respektojë të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin”.
Françesku ka përsëritur apelin që ka bërë për herë të parë në Lampeduza: “Globalizimit të tregjeve është e nevojshme t’u korrespondojë një globalizim i solidaritetit; rritja ekonomike duhet të shoqërohet me një respekt më të madh për krijimin; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetëm mes individit dhe shtetit, para së gjithash familja”.
/Corriere della Sera/Përgatitur nga: bota.al/
|