Metafora e vargut shërues |
Publikuar më 26 janar, 2015 në orën 11:00 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Kulturë | |
|
|
Përurim libri
Recension
(Dafina Xh. MUSA, Pranvera e shpirtit tim, Prishtinë, 2014)
Të nderuar prindër dhe familjarë të poetes Dafinë Musa!
Të respektuar mësimdhënës, kolegë, mysafirë e dashamirë të fjalës së bukur artistike!
E nderuara drejtoreshë e kulturës, Shpresë Rama, që e mbështete botimin e këtij libri dhe po u hap shtigje krijuesve të komunës sonë!
Dafinë e palodhur që dhuratën e parë na e solli për vitin 2015! Të respektuar të pranishëm!
Se Dafinë Musa ishte një penë që premton, u pa qysh në përmbledhjen e saj të parë “Më kërko nëpër kujtime”, botuar më 2013, si maturante Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Më vjen mirë që më doli profecia që atëherë pata thënë: Nëse libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë se quajtur letërsi, lirisht mund të themi se kësaj ia ka dalë suksesshëm poetja debutonte, Dafinë Musa. Dhe, ja sot, pa kaluar moti, sërish vokacioni i saj poetik shpërtheu si krater vullkani dhe, lexuesve të saj të shumtë, ua dhuroi librin më të ri, përmbledhjen e bukur, “Pranvera e shpirtit tim”.
Vetë titulli, mjaft karakteristik e metaforik, reflekton gjithë përmbajtjen e atyre frymëzimeve të zjarrta vashërie. Kësaj here, këto krijime, përplot vrulle e hove rinore, janë konceptuar në tri cikle, që karakterizohen me ngjyrime të veçanta emocionale:
I. Sprovime e përjetime,
II. Përkushtime dhe
III. Familjare
Cikli i parë- përfshinë krijimet që flasin për botën shpirtërore të heroit lirik, që në fakt është vetë autorja. Këto elemente të theksuara autobiografike janë vazhdimësi e përjetimeve dhe sprovave që i hasim edhe në librin e parë. Një botë e trazuar psikofizike, e mbushur me batica e zbatica, një botë përplot sfida e sprova, rënie e ngritje, që, deri diku, edhe janë të natyrshme për moshën rinore, në përgjithësi. Nëpër ato përqasje ndjenjash të përziera gëzimi e hidhërimi, midis dallgësh e përplasje stuhish, edhe timonieri më i mirë do ta kishte të vështirë ta mbante anijen të pa përmbysur.
Ajo, herë-herë, revoltohet edhe me rrethin që nuk e kupton e me njerëzit që e përbuzin, por atë pezëm e mbanë brenda të ndryrë në shpirt:
Nëse nga syri loti s’më rrjedh
S’do të thotë se zemra s’më qan
Sidoqoftë, përkundër këtyre sprovave e sfidave, me një vullnet të fortë e të pathyeshëm, me dashuri e përkushtim, më vetëbesim, me mbështetje e kurajë, ia del mbanë, mund të keqen dhe mbijeton. Kështu, tek poezia Përderisa, poetja, arsyeshëm e bindshëm, sqaron se shpresa është ajo që e mbanë gjallë gjithë botën. Të gjitha vargjet e saj përshkohen nga një optimizëm e vullnet i paparë:
Çdo gjë duket e kot
Kur s’ke arsye për të cilën frymon
Sëmundja të rëndon
Përderisa s’ke vullnet të luftosh
Dashuria është krim,
Përderisa s’dashuron
Vdekja të duket e lehtë
Përderisa s’ke arsye për të cilën jeton.
Pra, pas gjithë atyre zhgënjimeve, thyerjeve, molisjeve, përpëlitjeve, pesimizmit, vjen një çast ngritjeje shpirtërore, optimizmi, sforcimi dhe shpresa për të fituar e mbijetuar. Sakaq, vargu i saj merr kahe tjetër. Ai bëhet shërim shpirti. Mjafton të nënvizohet vargu antologjik:
Njeriut nuk i duhet forcë që të forcohet
Por mend që të vetëdijesohet...
E veçanta e këtyre poezive është se ato frymojnë lirshëm, pa skema e rregulla të ngurta konvencionale. Ky varg i lirë, ashtu si lulet e pranverës që shpërthejnë ende pa shkrirë bora, heq dilemat e kornizave e rregullave klasike, që jo rrallë, ngufasin poezinë tonë. Këtu nuk kemi fare mistifikime. Ajo është konkrete, e drejtpërdrejtë, saqë, në poezinë Zëri i shpresës, del edhe emri i autores:
Diku thellë në brendësi
Një zë s’pushon se pëshpërituni
Eja Dafinë, bashkë do t’ia dalim
Është ky zëri shpresës që s’më le të ndalem...
Cikli i dytë- ngërthen poezitë që kanë dalë nga gjirmë e zemrës për më të dashurit e jetës së saj, për prindërit, për familjarët, gjyshen, motrën, vëllain. Dashuria për prindërit ua kalon të gjitha dashurive ekzistuese.
Mirëpo, strumbullar i të gjitha këtyre përkushtimeve është babai i saj, i cili e kuptoi më së miri dhe iu gjend gjithmonë pranë. Atij ia kushton edhe gjithë librin. Për të ai është gjithçka, është dielli që rrezon botën. Poezia Pranvera e shpirtit tim, titull metaforik, me të cilin u pagëzua edhe libri, paraqet kulmin e dashurisë sublime për të:
Je pranvera që vjen çdo vit dhe e lumturon universin tim
Je pranvera që lë shijen e mjaltës në çdo shtëpi...
Edhe në ciklin e tretë, sërish nxjerr margaritarë për familjarët e saj të dashur. Kështu, nënën e quan Mbretëreshë:
Ti mbretëreshë që ndriçon
Që çdo gjeje në botë bukurinë ia shton...
Dashuria për të nuk ka fund. Asaj ia kushton disa poezi, sepse:
Ty Nënë të falënderoj pafund
Ty që je sinonim i së mirës
Ty që i jep dritë errësirës
Ty që të keqen me butësi e shkatërron
Ta që boshllëqet i plotëson...
Vargje të bukura janë skalitur edhe për gjyshen, edhe për motrën, edhe për vëllain edhe për sherrin e vogël me emrin ETI, i cili me ëmbëlsinë tij gazmon gjithë shtëpinë.
Në të përfunduar, mund të themi se poetja e re, Dafinë Musa, tashmë e ka krijuar profilin e vet krijues. Vargu i saj melodik dhe përmbajtjesor ka evoluar mrekullueshëm dhe po ecën mbarë, duke u përsosur artistikisht. Stili i saj i lehtë, rrëshqet si mjalti nëpër hojet, për çka edhe vargjet e saj përpihen nga lexuesit e të gjitha moshave dhe niveleve. Besoj se libri do të pritet mirë e Dafina do të na dhuroj, përherë e më shumë, libra të rinj.
Vushtrri, 24 janar 2015
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 32 vizitorë |
Lexuar:
1,036 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|