Partia për Prosperitet Demokratik përkrah diskutimet dhe konstatimet e Plenumit të gazetarëve dhe shpreh brengosjen e saj të thellë se TVM Maqedonisë (programet në gjuhën maqedonase dhe ai në gjuhën shqipe TVM2) është shndërruar në televizion privat të partive VMRO-DPMNE dhe BDI.
PPD konstaton se TVM2 është në situatë më tragjiko-komike se TVM1 sepse kjo e para kryen një mision në kundërshtim me atë që shqiptarët e presin dhe në kundërshtim të plotë me angazhimin e këmbëngulshëm të PPD-së në vitet 90-ta të shekullit të shkuar, për krijimin e një servisi publik me program vetanak dhe të pavarur nga politika.
PPD vlerëson se TVM2 është një servis privato-partiak i Ali Ahmetit dhe ministrave të tij i cili është vënë në funksion të ngulfatjes së proceseve demokratike në vend dhe afirmimit të direktivave dhe aktiviteteve partiake të BDI-së. TVM2 duhet të jetë e vetëdijshme se paratë që me zor qeveria ua merr qytetarëve me bllokimin e llogarive të tyre nuk duhet keqpërdorur për propagandë partiake.
PPD njëherit e përkujton edhe Ali Ahmetin se ai vetë nuk duhet të lejojë që prej tij nga TVM 2 të krijohet një idhull sepse kështu siç shkojnë punët edhe ish diktatori Enver Hoxha sikur të ishte gjallë do të bëhej xheloz se shoku Ali disa herë ia ka thyer rekordin e paraqitjes së tij në TVM2.
Zyra për informim e PPD-së
Tetovë, më 7 prill 2015
|