Beqir Elshani: Anekdota |
Publikuar më 21 maj, 2015 në orën 18:47 ( ) |
Beqir Elshani | Kulturë | |
|
|
1. DALLIMI NË MES FANTAZISË DHE REALITETIT
- Ku është dallimi në mes fantazisë dhe realitetit? - pyeti gazetari një profesor të vjetër.
- Dallimi është se qeveria e sheh që populli pjatat i ka mbi tryezë, kurse sindikata e sheh që ato janë të zbrazëta, - u përgjigj profesori.
2. KARIDBA NË QEVERI
- Arsimtar, në veprën e Homerit flitet për Karidbën, mirëpo nuk di ku gjendet? - e pyeti nxënësi arsimtarin.
- Në barkun e qeverisë gjendet, - tregoi arsimtari.
3. VARRIMI I MARRËVESHJES
- Kush ka vdekur? - pyeti gazetari i huaj kur pa pushtetarët me arkivol duke kaluar në rrugën qendrore të Shkupit?
- Marrëveshja e Ohrit... - tregoi një shkupjan.
- E gjora, ishte shumë e re, - shtoi gazetari i huaj.
- Iu sos infuzioni diplomatik, prandaj shkoi, - e përmbylli shkupjani.
4. HALLEMADHI
- Psikolog, kur flas për të metat e mia, prej turpit flas me zë të ulët; kur flas për të metat e të tjerëve, flas me zë të lartë, - u ankua hallemadhi.
- Kjo nuk është asgjë. Baca im kurrë nuk flet për të metat e tij, kurse për të metat e të tjerëve flet me megafon, - ia ktheu psikologu, që mundohej ta qetësonte hallemadhin.
5. OFERTË NË TREG
- Dëshironi të blini orë? Ua shes lirë... - tha një qytetar në treg.
- Ç'më duhet ora, jam i papunë?! - ia ktheu me zemërim i qytetari me duar në xhepa.
6. QEVERIA E PANDJESHME
- Baba, pse qeveria është e pandjeshme ndaj vuajtjes së popullit? - e pyeti i biri babain.
- Sepse pushtetarët e qeverisë majmen me mish kau dhe mish bibani, prandaj bëhen të pandjeshëm, - tregoi babai.
7. PARANDJENJA E KRYETARIT
Një ditë kryetarit të shteti i propozuan t'i bënin një shtatore në qytet, mirëpo ai kundërshtoi.
- Nuk pranoj, sepse për vuajtjet që popullit i kam shkaktuar vite me radhë, njerëzit do të shfryjnë mllefin ndaj meje, - tha kryetari i shtetit.
8. DËSHIRA E FUNDIT
- Hoxha ma dha biletën për xhenet, mirëpo nuk pranova, - kështu tregoi një veteran i UÇK-së.
- Sa mirë (...), pse nuk pranove? - e pyeti shoku i tij veteran.
- Mik i dashur, kur të vdes, nuk dëshiroj të m'i luajnë eshtrat njëqind herë, - ia ktheu i pari.
9. PULA MENDJEMADHE
Dy pula takohen për herë të parë dhe bisedojnë.
- Unë jam shqiponja, po ti? - tha pula mendjemadhe duke kakarisur dhe i duke hapur krahët për fluturim.
- Unë jam pula, ashtu siç je edhe ti pulë, - ia ktheu e dyta me gjakftohtësi.
10. ANIJET KOZMIKE NË HAPËSIRË
Një grup qytetarësh bisedojnë për fluturimet kozmike në hapësirë.
- Shumë anije kozmike po fluturojnë në hapësirë, - tregoi qytetari i parë.
- Sa më shumë anije që fluturojnë, aq më shumë barku i popullit këndon, - tha i tjetri prej revoltës.
11. MIKROFONI SPIUN
Gjatë mbledhjes në parlament, një ministër me mikrofon në qafë shkon në nevojtore, dhe pas pak kthehet.
- Kujdes, zotëri ministër, një spiunë po të përgjon, - tha një deputete.
- E pabesueshme, kush duhet të jetë? - pyeti me habi ministri.
- Mikrofoni yt na tregoi që as duart nuk i ke pastruar... - tregoi deputetja.
- Ah, paskam harruar të mbyll mikrofonin, - iu kujtua ministrit.
12. GOMARI I MREKULLUESHËM
- A di kur mund të bëhet gomari i mrekullueshëm? - pyeti njëri fqinjin e tij.
- Po, kur të zhduket kali, - u përgjigj fqinji.
- Jo, kur njeriu e bën punën e gomarit, - ia ktheu i pari.
13. LIGJI PËR MJEKËR DHE OPINGA
"Të gjithë njerëzit duhet të lëshojnë mjekër dhe të mbathin opinga, përndryshe i pret gjoba për moszbatimin e ligjit", - kështu shkruante në lajmin ditor.
- Kuku, ç'na gjeti! Për opinga ia bëj disi, mirëpo për mjekrën duhet të prishem me gruan! - tha qytetari i shqetësuar kur lexoi shtypin.
14. SULM ME VIRUS
- Një titistit i kishte djegur pse e kam sharë Titon, - i tregoi autori i shkrimit mikut të tij.
- Mik i dashur, dy gjëra të kesh kujdes: titistit mos ia shaj Titon, kurse bariut mos ia shaj qenin se të zë belaja, - e këshilloi miku i tij.
15. SHQETËSIMI I MËSUESES
- Korrier, një nxënëse më mungon në klasë; shikoni mos ka shkuar në bibliotekë? - pyeti mësuesja korrierin e shkollës fillore.
- Jo, mësuese, nxënësja juaj nuk ka shkuar në bibliotekë, por në kafene të qytetit, - ia ktheu korrieri.
16. GRINDJE FAMILJARE
- Baba, dje më duhej çelësi i automobilit, gruaja më tha që nuk dinte ku gjendet, - u ankua i biri.
- Bir, mos ia zë për të madhe, ajo gatuan dhe kujdeset për fëmijët, - e qetësoi babai.
- Por baba, po t’i thosha sillma kuletën, pa dyshim që do ta gjente, - ia ktheu i biri me zemërim.
17. PLAÇKITJA E BANKËS
Një gazetar bisedon me pensionistin në Tiranë.
- Cili lajm ju gëzon më së shumti? - pyeti gazetari pensionistin.
- Kur banka shtetërore plaçkitet pa krismë e pa gjakderdhje, - u përgjigj pensionisti.
- ...kurse lajmi më tronditës? - vazhdoi të pyes gazetari.
- Kur nusja ditën e dasmës thotë "dua një tjetër", - ia ktheu pensionisti.
18. QEVERIA ME GRAZHD
- A di pse qeveria nuk është e mençur? - pyeti qytetari fqinjin.
- Sepse është e pasur? - u përgjigj fqinji.
- Jo, sepse grazhdin e ka plotë, meqë ministrat punojnë sipas grazhdit, - ia ktheu i pari.
19. ULTIMATUMI I LOKES
"Serbia patjetër ta njohë Kosovën, nëse dëshiron të shkojë në Bashkimin Europian!" - jehoi zëri i një burri në kafene.
- Kush e ka dhënë këtë deklaratë kaq të fortë? - pyeti një kureshtar.
- Lokja ime, i nderuar, - u përgjigj i pari.
20. PASTRIMI SHQIP APO SERBISHT
- Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së, thotë se Gjykata Speciale do të pastrojë përfundimisht imazhin e Kosovës, prandaj gazetari i Kosovës ia parashtroi pyetjen:
- Zotëri shef, dëshiroj të di se Gjykata Speciale do ta pastrojë shqip apo serbisht Kosovën?
- Natyrisht shqip, mirëpo fshesa do të jetë e Beogradit, - tregoi shefi i zyrës së BE-së në Kosovë.
21. IRONIA DHE HIPERBOLIZMI
- Çka do të thotë fjala ironi? - pyeti arsimtari nxënësit.
- Ironi do të thotë kur disfatistët e duan pushtuesin, - u përgjigj nxënësi.
- Mirë, po hiperbolizëm çka do të thotë? - vazhdoi të pyes arsimtari.
- Hiperbolizëm do të thotë kur disa qytetarë, që kurrë nuk e kanë prekur pushkën me dorë, dalin oficerë, - u përgjigj nxënësi i dytë.
22. GJERMANIA LINDORE ME PERËNDIMOREN
- Çka ka ndodhur kur janë bashkuar gjermanolindorët me gjermanoperëndimorët? - pyeti njëri mikun e tij.
- Janë bërë gjermanoperëndimorë, meqë janë më shumë, - u përgjigj miku i tij.
- Jo, janë bërë gjermanë, - plotësoi i pari.
23. KOMUNISTI KOREAN ME KAPITALISTIN KOREAN
- Çka ndodh kur të bashkohen Republika Popullore Demokratike e Koresë me Republikën e Koresë? - pyeti njëri mikun e tij.
- Bëhet shtet kapitalist, meqë jugkoreanët janë më shumë, - u përgjigj miku i tij.
- Jo, bëhen koreanë, - plotësoi i pari.
24. BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË
- Çka ndodh kur të bashkohet Kosova me Shqipërinë? - pyeti një kureshtar shokun e tij.
- Pse, a nuk jemi bashkuar?! Unë përditë po shkoj në Tiranë, - pyeti me habi i dyti.
- Me martesa jemi bashkuar, mirëpo bukën e hamë veç, - ia ktheu i pari.
25. DËSHMORËT E KOSOVËS
- Mixhë, çka mendoni për statusin e dëshmorëve të Kosovës? Gjatë luftës së UÇK-së flitet se nuk kanë qenë më shumë se 30.000 ushtarë, kurse tani po paraqiten shumë veteranë? - pyeti gazetari plakun.
- Unë mendoj, të gjithë qytetarët prej moshës 18-vjeçare duhet të gëzojnë të drejtën e statusit të veteranëve. Ne duhet të jemi krenarë që kaq shumë po e duan UÇK-në. Tekembramja, në çdo luftë ka dezertim e arratisje, mirëpo kur mbaron lufta, atëherë duhet regjistruar të gjithë dashamirët. Ata janë papunë, po të punonin nuk do të interesoheshin për statusin veteranit të luftës, - u përgjigj plaku me keqardhje.
26. FEJA E RE
- Baba, po flitet që do të formohet një fe e re përparimtare, - tha i biri sapo lexoi lajmin në shtyp.
- Kjo fe e re me kanë e mirë, populli e prish, mirëpo me kanë e keqe, e prish popullin, - tregoi babai.
27. FJALA ZGËRDHIJ
- Çka do të thotë fjala zgërdhij? - pyeti arsimtari nxënësin.
- Zgërdhij është shprehje administrative që më së shumti përdoret në parlament, e cila paraqitet duke shtrembëruar fytyrën dhe duke nxjerrë dhëmbët jashtë. Ky veprim bëhet kur kryeministri tregon mospërfillje ndaj deputetëve, gjithashtu edhe ndaj popullit, - u përgjigj nxënësi.
28. BANKAT MË TË NJOHURA
- Agim, cilat janë tri bankat më të njohura në botë? - pyeti arsimtari nxënësin.
- E para është banka e fajdexhinjve, e dyta, banka kombëtare, e treta është banka e politikanëve, - u përgjigj nxënësi.
- Mirëpo cili prej tyre fiton më së shumti? - vazhdoi të pyes arsimtari.
- Banka e politikanëve, arsimtar, - tha me një frymë nxënësi.
29. Ç'ËSHTË PARAJSA?
- Ç'është parajsa? - kështu e pyeti nipi gjyshin.
- Parajsë është vendi ku rritet gruri, ku bluhet mielli dhe ku gatuhet buka, - ia ktheu gjyshi, të cilin e kishte mësuar përvoja e punës.
30. DALLIMI I VEZËVE
- Tregtar, vezët në katalog të artikujve ushqimor duken më të mëdha se këto në tezgë, - u ankua myshteriu.
- Ashtu është. Vezët në katalog janë zmadhuar me fotoshop, kurse këta janë sipas pulave, - ia ktheu tregtari.
31. RRUSHI DHE LIMONI
- A gjendet ndonjë pemë që është më i thartë si limoni, - pyeti babai të birin.
- Po, rrushi i verdhë është më i thartë se limoni, - u përgjigj i biri.
32. PAKUJDESIA GJATË LEXIMIT
- "Harrohet nxjerrja e ligjit për elefantët" - kështu i biri e lexoi shpejt lajmin në shtypin ditor.
- Kujdes, mos po shkruan për referendum... - e qortoi babai.
- Më falë baba, mendova se flitet për elefantët, - kërkoi falje i biri, që u ngatërrua me lajmin.
33. RRËFIMI NË KISHË
- I nderuari prift! Ndërkohë që unë jam marrë me hajni, vëllai im ka shërbyer prift, cili prej nesh e kemi vendin në parajsë? - pyeti plaku priftin në kishë.
- Të dytë e keni vendin në parajsë. Sepse ti me hajni e ke mbajtur familjen, kurse vëllai yt është lutur për faljen e mëkateve tua, - rrëfeu prifti
34. TATUAZHI NË TRUP
- Dëshironi tatuazh në trup! - kështu u drejtohej vizatuesi i tatuazhit kalimtarëve në rrugë.
- A hiqet gripi i derrit me vaksinën tënde? - e pyeti me ironi kalimtari.
- Zotëri, unë jam piktor, nuk jam veterinar, - ia ktheu me inat vizatuesi.
- As piktor nuk je… - tha kalimtari duke vazhduar rrugën.
35. DALLIMI I BARTJES
- Ku është dallimi në mes shoferit që me kamion bart derra dhe atij që bart gomarë? - pyeti njëri shokun e tij.
- Dallimi është se shoferi i parë duhet të jetë i konfeksionit krishterë, kurse i dyti i konfeksionit mysliman, - u përgjigj shoku i tij.
- Megjithatë edhe derrat edhe gomarët janë kafshë, ashtu siç jemi ne njerëz, - plotësoi i pari.
36. QAFORJA E GRUAS
- Pse qaforen e gruas ia ke vënë gomarit? - pyeti një fshatar fqinjin e tij.
- Sepse ky gjithë ditën punon, kurse gruaja fut rruaza në pe, - u përgjigj fqinji i tij.
37. TIPARET E NJERËZVE
Me një kafene të qytetit bisedojnë dy të rinj dhe vlerësojnë tiparet e tre qytetarëve që janë ulur me një tjetër tryezë.
- A mund të dish çka kanë këta tre qytetarë në xhepa të rrobave? - pyeti njëri kolegun e tij.
- Po. I pari ka një kuti me cigare; i dyti ka telefonin celular dhe i treti ka… - ndërkohë që i riu deshi të thotë "ka armë", qytetari papritmas prej xhepit nxori revolen dhe e shkrehu në kafene.
38. PLAKU DHE PEMËT
Një plak i mençur po mbillte pemë në kopsht, ndaj disa të rinj e pyetën:
- Pse po i mbjellë pemët larg njëra tjetrës?
- Po i mbjell, në mënyrë që kur të rriten të mos grinden, - tregoi plaku.
39. GJINIA GRAMATIKORE
- Astrit, sa gjini gramatikore i ka gjuha shqipe? - pyeti arsimtari i gjuhës shqipe.
- Gjuha shqipe ka tri gjini: gjininë mashkullore, femërore dhe homoseksuale, - u përgjigj nxënësi në vend se të thoshte gjininë e tretë asnjanëse.
40. MIKROSKOPI
- Ç'është mikroskopi?- pyeti arsimtari i biologjisë nxënësin.
- Mikroskopi është mjet optik që shërben për të zbuluar parazitin në qeveri, që nuk shihen dot me sy, - u përgjigj nxënësi.
41. SHAFITJA E ASFASLTIT NË RRUGË
- Cilësia e asfaltit në rrugë është e dobët, prandaj ka shafitur, - tregoi një fshatar.
- Cilësia është e mirë, mirëpo në vend të bitumit kanë vënë kashtë, prandaj ka shafitur rruga, - ia ktheu tjetri.
42. VESHËT E GOMARIT
- Pse je në burg? - e pyeti avokati klientin.
- Sepse kryetarit i thashë gomar, prandaj gjykata më dënoi, - tregoi i pandehuri.
- Unë do të liroj... - tha avokati.
- Derisa kryetarit i mungojnë veshët e gomarit, nuk mund të më lirosh prej burgut. - tha i akuzuar.
43. GOMARI DHE PARAZITI
- Sa bëjnë një gomar dhe një parazit? - pyeti njëri fqinjin e tij.
- Nëse paraziti gjendet nën bisht, bëjnë një kafshë, kurse bëjnë dy kafshë nëse paraziti gjendet mbi shpinë të gomarit, - u përgjigj fqinji.
44. VEZA E STRUCIT
- Po qe se gjyshi i thotë nipit shko blej një vezë të strucit, parashtrohet pyetja çka e ka porositur gjyshi? - pyeti mësuesi nxënësin.
- Gjyshi e ka porositur të blejë 18 kokrra vezë të pulës, që janë të barabartë me një vezë të strucit, - u përgjigj nxënësi i zgjuar.
45. KEQDËGJIMI I FJALËS MULTIETNIKUM
- Duhet treguar respekt për multietnikumin në vendin tonë! - kështu foli një politikan para masës.
- Nip, çka po thotë politikani? - pyeti xhaxhai, që nuk dëgjonte mirë, ndaj djaloshi që ishte pranë, i tregoi:
- Xhaxha, politikani po flet për multientikumin.
- E hangt mutin politikani, - ia ktheu plaku me inat duke i kthyer shpinën tribunës.
46. MERHABA
Në odë rrinin burrat, aty ishin edhe disa të rinj që shikonin programin televiziv; ndërkohë hyn një mik, i cili në vend se të thoshte "Tungjatjeta", thotë “Merhaba”, kurse të rinjtë që dinin anglisht ia kthyen: "Welcome". Prandaj burrat nga keqardhja të rinjtë i nxorën jashtë.
- Edhe miku që përdori fjalën e huaj duhet të dalë jashtë, - tha me inat një djalosh duke dalë prej odës.
47. KOMENTUESI
Një komentues i gjuhës së huaj kërkon punë.
- Ç' profesion keni, ju lutem? - pyeti sekretarja e zyrës për punësim.
- Jam komentues... - u përgjigj qytetari.
- I cilës gjuhë? - vazhdoi të pyes sekretarja.
- I gjuhës së kafshëve, zonjë, - tregoi komentuesi duke befasuar sekretaren.
48. REZULTATI I GRINDJES SË BASHKËSHORTËVE
- Rezultati i rrahjes së bashkëshortëve me bashkëshortet është në favor të burrave, - kështu tregoi hulumtuesi për marrëdhënie familjare.
- Prandaj duhet të ndërmarrim masa për pajtimin e tyre?! - tha kolegu i tij.
- Jo, duhet të presim barazimin e rrahjes së grave me burra, - shtoi i pari.
49. RROBA E PARË E ADAMIT DHE EVËS
- A e dini cila ka qenë rroba e parë e Adamit dhe Evës? - pyeti arsimtari i lëndës së religjionit.
- Gjethi i fikut... - u përgjigj nxënësi me ngurrim.
- Mirëpo cila rrobë e fundit është e trashëgimtarëve të Adamit dhe Evës? - vazhdoi të pyes arsimtari.
- Zhveshja, arsimtar, - u përgjigj nxënësi.
50. DITA E RRENËS
- Lajm i ri, sot ndalet ngrohtorja e "Termokosit" në Prishtinë, - tha njëra prej nxënësve në klasë.
- Mos i besoni, sot është një prill - dita e rrenës! - ndërhyri nxënësi tjetër.
Suedi, 18 maj 2015
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 35 vizitorë |
Lexuar:
969 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|