Fehmi Ramadani zgjidhet kryetar i Lëvizjes “Vatra” për Fushë Kosovë
Dje, në Fushë Kosovë u mbajt Kuvendi i parë i degës së Lëvizjes "Vatra" në të cilin morën pjesë 51 delegatë për ta formuar degën e saj në këtë qytezë.
Me këtë rast, Kushtrim Kadriu, koordinator i Lëvizjes “Vatra” me seli në Gjilan, fillimisht i kishte përshëndetur delegatët pjesëmarrës, mysafirët, znj. Gentianë Shabani, kryetare e Lëvizjes, z.Hajrush Ramdani, z Sadik Demiri, Merita Ramadanin dhe Enver Hazirin, anëtarë të Kryesisë së saj.
Gentianë Shabani,kryetare e Lëvizjes "Vatra" dhe Hajrush Ramadani, anëtarë i Kryesisë folën për historikun e themelimit të Lëvizjes "Vatra" dhe për synimet e saj në të ardhmen. Gjatë këtij tubimi me propozim të Kryesisë së punës u zgjodh për kryetar të degës në Fushë Kosovë z.Fehmi Ramadani në formë unanime me 51 vota.
Kryetari i sapozgjedhur z.Fehmi Ramadani falënderua delegatët e këtij Kuvendi për mbështetjen e tyre dhe besimin e dhënë për të udhëhequr degën e Lëvizjes “Vatra” në mandatin katër vjeçar.
“Lëvizja Vatra në Fushë Kosovë do të jetë një zë i duhur, por edhe një kontratë politike për qytetarë me origjinë nga Lugina e Preshevës, por jo vetëm këta, sepse nevojat dhe kërkesat e njerëzve të ndryshëm që jetojnë në këtë vendbanim janë grumbulluar shumë dhe kanë nevojë për zgjidhjen e tyre”, tha z.Ramadani, kryetar i degës së Lëvizjes Vatra në Fushë Kosovë.
Ai më tej, shpalosi disa pika të programit të tij mbi problemet dhe vështirësitë që kanë qytetarët e Luginës së Preshevës në përpjekjet e tyre të inkuadrimit në jetën e tyre të përditshme në këtë rajon dhe ftoi bashkëvendësit e tij që t’i bashkëngjiten kësaj kontrate qytetare politike, sepse kjo është në interesin e tyre të përbashkët.
|