Ne, anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër përkrahim pa rezervë protestën e paralajmëruar nga partitë opozitare shqiptare në IRJM, duke shpresuar se kjo protestë do të shndërrohet në protestë gjithë popullore, me qëllim që t`i bëhet me dije qeverisë sllavo-maqedone se terrori shtetëror nuk është rrugë e qeverive demokratike, por metodë dhe formë e veprimit politik të diktaturës millosheviqiane. Po ashtu i bëhet me dije edhe faktorit ndërkombëtar që sa më shpejt, të veprojë dhe të pengojë qeverinë e Shkupit në zbatimin e projekteve antishqiptare në IRJM.
Në IRJM, shqiptarët kanë me mijëra e mijëra arsye për protestuar. Diskriminimi i përditshëm i shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës, injorimi i kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar, dhuna dhe terrori shtetëror i shoqëruar me procese të montuara politike, si Breza e Malina, Sopoti, Brodeci, Velesi, Manastiri, Radusha, Monstra, Kumanova etj. janë projekte të orientuara drejtpërsëdrejti mbi popullin shqiptar. Nëse edhe tri herë në ditë protestohet kundër këtij aparati shtetëror është pak sepse shkalla e diskriminimit politik mbi shqiptarët është aq e lartë, sa që kjo qeveri me veprimet e veta është barazuar me qeveritë më diktatoriale të kohës.
Prandaj, në këto momente shumë të rënda për të gjithë shqiptarët, përkrahim me gjithë shpirt protestën gjithë popullore në Shkup, me datën 22 prill 2016 (E premte), protestë e cila organizohet nga partitë opozitare shqiptare LR-PDSh, RDK, Uniteti, si dhe nga OVL dhe SHBPPM, duke shpresuar që kësaj proteste t`i bashkëngjiten të gjitha subjektet opozitare shqiptare dhe shoqatat tjera.
Zëri i juaj është edhe zëri i mërgimtarëve shqiptarë, zëri i juaj është edhe zëri i anëtarëve të Shoqatës Atdhetare “Liria Kombëtare” në Zvicër.
Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër
Dr. Vaxhid Sejdiu - kryetar
Zürich, 18. Prill 2016
|