Kur ndryshon epoka.. |
Publikuar më 17 tetor, 2016 në orën 15:24 ( ) |
Kulturë | |
|
|
Vendi ku ishte ndërtuar xhamia ishte si një verandë natyrale e qendrës së qytetit. Prej oborrit të saj mund të shihej qartë se kush lëvizë poshtë e përpjetë ose kush me kë takohet dhe nga kjo pikëpamje ishte vendi më i mirë në qytet për thashethemxhinjt, që sikur ta kishin nuk do ta linin asnjëherë vetëm, siq ky vend rri të shumtën e kohës. Këtu vetëm të premteve shihen pak më shumë njerëz, dhe siq shihet prej atje kush lëviz në qendër, edhe prej qendrës shihet kush hyn e del në xhami, e pikërisht kjo e bezdiste Hamitin.
Ai ishte komunist, punonte në administratën komunale, ndërsa vëllai i tij vizitonte rregullisht xhaminë e këtë e shihnin të gjithë. Ai, vëllai i një intelektuali të respektuar shkonte falej në xhami e dëgjonte përrallat e hoxhës i cili më shumë se me zotin merret me t’pafetë, e bënë lista për ferr e parajsë thuajse është engjëll i zotit.
-Edhe hoxha e di që s’ka zot, prandaj keqpërdorë detyrën, thoshte Hamiti që s’kishte asnjë interes për fenë, e as që do t’ishte marrë me këtë punë sikur vëllai i tij i madh të mos ishte xhemat i hoxhës. Atij i vinte rëndë edhe nga shokët e këtë ia thoshte edhe Shabanit, por Shabani nuk lëkundej.
-Unë jam rahat me zotin, thoshte, teksa dëgjonte me durim fjalimet që Hamiti kishte përgaditur në përpjekje për ta larguar nga kjo rrugë pa krye. Ai argumentonte gjerë e gjatë, që shkenca tashmë e kishte vërtetuar katërcipërisht që nuk ka zot. Pastaj përmendte të këqijat që popullit tonë i kishin ardhur nga feja, që kudoherë ishte arma më e fortë e pushtuesve.
-Feja dhe pushtuesi ishin si ai polici i mirë e i keq që luajnë rolet para dikujt, por që kanë të njëjtin qëllim, thoshte Hamiti, se janë bashkë. Pastaj, pse duhej të na e sillte zotin perandori e sulltani, me shpatë. A s’mund të vinte zoti ndryshe?. Se ky mund të bëjë çka t’dojë, siq po thotë hoxha.
- Ne fenë e kemi marrë vetë, se na ka pëlqye, kurrkush s’na e ka dhanë me dhunë, ia kthente Shabani, i ulur këmbëkryq e duke thithur cigaren.
- E pse e ndrrum ne fenë. Ne e ishim një fe?
- E ndrrum se na pëlqeu.
- Jo bac jo, e ndrrum prej zorit, se fe për fe do ta kishim mbajtë atë që e kishim.
- E mirë de, ti merre atë që e kishim.
- Unë s’e marrë asnjanën. E qebesa nëse kisha me zgjedh, ma mirë e kisha marrë fenë e t’parve, se me këtë fe kurrgja s’na lidh. Edhe a din çka kam mendue bac, tha Hamiti dhe u ndal pak për t’u siguruar që Shabani e dëgjonte -Na duhet me e mbrojtë këtë fe , e për me e mbrojt duhet me e braktis. Se nëse kjo fe kthehet tek vendet arabe, edhe bahet fe vetëm e tyre, siq edhe duhet t’jetë, at’herë mund t’reformohet, edhe t’bahet e mirë, edhe për ta. T’mos harrojmë që kjo fe ka qenë ma e mirë kur ka qenë vetëm fe e tyre.
- Eh, po larg i paske çue mendtë, po kurgja s’ke thanë, i përgjigjej Shabani. Se zoti s’mund t’jetë i joni e i atyre. Zoti asht nja.
-Po, po, por kush e zbuloi zotin... dhe biseda e tyre vazhdonte gjatë, por asnjëri s’binte dakort me tjetrin.
Në fund Hamiti e sillte bisedën aty ku i dhembte më shumë. Nuk donte që Shabani të shkonte e të falej në xhami. Ai mund ta bënte këtë edhe në shtëpi.
***
Pas disa vitesh, komunizmi e kishte humbur shkëlqimin e vetë. Ajo ngrehinë e madhe, e ndërtuar nga njerëz të ditur filloi të lëkundej, derisa u shembë. Tek ne, si një popull i pushtuar që s’ka kohë të merret me asnjë ideologji, nuk u morë vesh asgjë, përveqse shqiptarët u larguan nga puna. Edhe Hamitit i ishte caktuar i njëjti fat, që në lindje. Pushteti më s'e donte, e populli aq më pak.
Ai s'e kishte menduar kurrë më parë se mund t'ia kishte nevojën këtij populli, madje edhe këtyre njerëzve të padijshëm që shkonin në xhami.
-Gjasat që një njeri i paditur të bëhet i mirë përmes fesë janë shumë të vogla, ndoshta zero, thoshte me përbuzje kur i shihte disa të hynin në xhami, aty ku do t'duhej të merrnin mirësi e dituri, por që nga aty dilnin më të paditur e më të ligj.
Megjithatë tani e shihte ndryshe. Edhe këta njerëz i dukeshin jo vetëm më të mirë por edhe më të ditur.
-Feja të bënë jo vetëm njeri të mirë, por edhe të ditur, thoshte tani Hamiti kur i jepej rasti.
Atij iu bë shumë e nevojshme të ikte nga komunizmi që në mendjet e njerëzve ishte bërë shumë i keq, edhepse tani s’mund të bënte asnjë të keqe. Donte të ishte i pranueshëm në këtë mjedis të ri, dhe e pikasi që rruga më e sigurt për këtë kalonte pikërisht përmes derës së xhamisë.
Prandaj,Hamiti disa ditë me radhë i ra përskaj xhamisë me mendimin që të hynte brenda, por i mungonte guximi për t'i drejtuar hapat andej. Ishte si një djalë i ri që nuk guxon t'i afrohet vajzës që e do, megjithëse ajo në heshtje i lutet që të vijë. Ai e shikonte xhaminë. Ajo e priste. I duhej vetëm ta fikte mendjen e të ecte para, dhe një ditë kështu bëri.
Hyri në xhami, ngadalë e duke u kujdesur që t'i lexohej pendesa në fytyrë, dhe u ulë andej kah fundi që të mund t'i vëzhgonte të tjerët, e të mund të bënte siq bënin ata. Ata u ulën, u ul edhe Hamiti. Kur ata ngriheshin, ngrihej edhe Hamiti. Ata ktheheshin anash e pëshpërisnin diçka, edhe Hamiti lëvizte buzët njësoj.. Pastaj dëgjoi ligjëratën e hoxhës dhe doli pothuaj i fundit. Të premten tjetër u kthye përsëri. Tani të premtën e kishte ditë të shënuar dhe mezi priste që të vinte. Atje takonte edhe shokë të dikurshëm e shumë të tjerë që s'i kish njohur më parë, por që tani i ishin bërë si vëllezër, me të cilët bisedonte gjerë e gjatë për fenë, për këtë botë e për atë tjetrën, të cilën ata e njihnin mirë, madje me raste më mirë se qytetin e tyre. Hamiti i dëgjonte me vëmendje, por edhe vetë kishte shumçka për të thënë. Ai kishte lexuar shumë rreth fesë, kur përpiqej ta bindte Shabanin që të rrinte larg xhamisë dhe tani njohuritë i kishte të gatshme, vetëm duhej t'i mbështillte me ndjenja të tjera dhe t'i shfrytëzonte.
***
Një të premte, Hamiti shkoi në xhami por askund nuk e pa Shabanin. Ishte mësuar gjithmonë ta shihte aty, e të bisedonte pak me të. Ata tashmë jetonin në shtëpi të ndara, e larg njëra -tjetrës dhe të shumtën e herave takoheshin në xhami. Shabani nuk kishte munguar asnjëherë në xhami, as përpara, as tash kur shkonte edhe Hamiti, të cilin e kishte mirëpritur por kurrë s'i kishte thënë gjë në lidhje me këtë. Ai ishte njeri i respektuar, e në xhami ishte si në shtëpi të vetë. Jo vetëm Hamiti, por mungesën e tij e vërejtën të gjithë. Disa e pyetën përse s'kishte ardhur, mos ishte i sëmurë?, por Hamiti nuk dinte gjë. Mendoi se mos i ka ndodhur diçka e papritur, prandaj pas faljes së namazit u nis për në shtëpinë e Shabanit. Mbërriti atje jo pak i shqetësuar, por kur hyri në oborr e takoi Shabanin, shëndosh e mirë.
-Bac, pse s'erdhe në xhami ?, e pyeti me një ton qortues tek po hynin brenda.
- Po isha pak pa qejf bre Hamit, ia ktheu Shabani, edhe pak i lodhun...
- Jo jo bac, asht dasht me ardhë n' xhami, se ti me ec po mundesh..
- Po, po Hamit qashtu asht, po ti qysh je ?, e pyeti Shabani për të ndërruar bisedë dhe ndezi një cigare.
- Se e kemi për obligim, vazhdoi Hamiti aty ku e kish lënë. Ti ndoshta je falë edhe n'shpi, por me ardhë n'xhami asht ma sevap, e qebesa edhe me mungue kshtu pa asnji arsye nuk asht mirë. Unë thashë mos t'ka ndodh gja, e ti po endesh nëpër oborr e s'ke ardhë me e krye obligimin, ashtu siq ka thanë pejgameri.., edhe zoti, shtoi pastaj.
Shabani vetëm e shikonte dhe thithte cigaren
- Se kjo botë bac, asht kaluse, asht veq nji koridor për me hy n'botën tjetër. E atje, kena me dalë para zotit, edhe zoti ka me t'pyt kshtu si une, se na n'xhami nuk shkojmë për qejf, por e kemi për detyrë, prej pejgamerit...
- Aman bre Hamit, po n'zor jam prej teje, foli Shabani që përpiqej ta përmbante veten.. Njiherë m'pate lodhë tuj m'thanë, mos shko n'xhami, e tash po m'thu pse s'erdhe....
- Unë e kam për t'mirën tande bac...
- E mira e secilit asht me i kqyr pun't e veta o Hamit. Nuk i thuhet kurkujt as shko as mos shko. Njerzit e dinë vetë...
- Ani bac ani, tha Hamiti dhe u ngrit në këmbë, pasi e pa që Shabani nisi të bëhej nervoz. Duke dalë i tha që të premten tjetër e priste në xhami. Pastaj u kujtua t'i thotë që do të vinte ai këtu e të shkonin bashkë. Pastaj e përshëndeti dhe doli.
Kurrë s'e kishte kuptuar Shabanin. Njeri më të pagdhendur se Shabani, s'ka në fytyrë të tokës, thoshte. Unë përpiqem t'i ndihmoj, e ai bëhet nervoz në vend që të jetë mirënjohës. Po ku di të jetë mirënjohës një njeri i padijshëm, vazhdonte fillin e mendimit. Por feja...feja është dashur ta mësoj të jetë mirënjohës. Feja mëson shumë gjëra të mira…Por…por, pse k'tij s'i ka mësuar asgjë?, pyeti veten i habitur, dhe kjo pyetje i qartësoi gjithçka.
Shabani nuk e besonte fare këtë fe. Ai shtirej, veqse Hamiti, ende s'e dinte pse, por që shtirej, kjo tashmë ishte e padyshimt.
Ireshtansi
*Bazuar në një ngjarje të vërtetë
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 27 vizitorë |
Lexuar:
353 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|