Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Afrim Morina: Misioni dhe misionarët
Publikuar më 15 korrik, 2017 në orën 00:49 ( ) Afrim Morina | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
9
Ridisenjimi i hartave në Evropë

Trajtimi i qytetarëve nga pushtuesi apo pushteti, duhet të jetë temë për trajtesë dhe, atë, me vëmendje të posaçme, nga analistë të fushave të ndryshme. Duke u nisur nga ky parim, qytetarët, nuk duhet të jenë të dezinformuar, por, atyre duhet treguar të vërtetën, të argumentuar, sepse, nuk mund t’i mbash gjithmonë me gëjeshtra, madje, duke e detyruar edhe pushtetin, apo pushtuesin, për t’i pranuar, se, gjërat nuk mund të fshihen përfundimisht. Nisur nga kjo që ka ndodhur deri më sot, qytetarët janë të painformuar me të gjitha ato që po ndodhin në vatrat dhe trojet e tyre stërgjyshore, por kam bindjen, edhe politikanët, në tërësi, (kam dëshirë të shprehem më së buti) kanë qenë të lejthitur, por ka dalë që kjo të jetë e orientuar kundër kombit. Kur e them këtë, kam parasysh se misionet e huaja nuk i kanë shpalosur qellimet e tyre, por i kanë mbajtur për vete, ndërsa i kanë përdorur misionarët shqipfolës për qëllime të veta dhe i kanë ngrehur për kërpeshi, sipas dashjes së tyre dhe këtu rezulton e keqja, ata nuk janë ndalur asnjëherë të bëjnë analiza, se në cilin mulli po derdhet uji i lumit.

Sot, besoj, se mbi hartat e Evropës janë të gjithë ata që nuk janë të kënaqur për këtë disenjim dhe presin momentin e fundit për ta disenjuar pak më ndryshe dhe kjo do të bëjë që ne shqiptarët, përsëri, të jemi humbës në lojë me territoret (tokat tona). Fuqitë e Mëdha do ta lujanë lojën e krijimit të zonave tampon, ndërmjet konfesioneve fetare dhe kombëtare. Aty ku do të luajë rol konfesioni, do ta përdorin, ndërsa, aty ku do të luj rol kombi, do ta përdorin kombin. Poqëse i referohemi pak memoteknikës, në fundvitet tetëdhjeta, atëherë, do të na dalë në radh të parë feja, apo ideologjia, si vijë ndarëse në mes të blloqeve, ndërsa, referimi i viteve të nëntëdhjeta, do të na nxjerrë edhe krijimin e zonës trampon (të mbyllur), përmes kombit.
Vitet e tetëdhjeta, e nxorën në pah Poloninë, si reformatore e çëshjes fetare e ideologjike, dhe, nuk është e rastit, se Papa do të jetë Polak dhe dalja në skenë e “Solidarnostit” (Solidaritetit) të jetë mu në Poloni, si çështje sociale. Ky është një element përcaktues i së sotmes, që, besoj, ky skenar do të realizohet brenda një periudhe shumë të shkurtër, sepse, skenarët e paraqitura në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Spanjë dhe në Britani të Madhe, do t’i përshpejtojnë gjërat. Së pari, do të jetë vija e parë e zonës tampon në mes botës katolike dhe asaj ortodokse, në Poloni, në kufijtë e Rusisë. Mu për këtë i kushtohet rëndësi e veçantë asaj pjese të gjeopolitikës dhe në një të ardhme jo të largët, ai shtet do të jetë një llojë përfaqësie Amerikane në Evropë. Pra, vëmendja do të përqëndrohet te Polonia, e jo në shtetet si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca. Franca, ende do të lihet të merret me “socializmin”, për ta pengur këtë formacion politiko-shoqëror të ecën përpara dhe asaj do t’i mbetet si mision, për ta zhgënjyer klasën punëtore, që, për momentin ta humbasë toruan e kërkesave, duke mos ditur t’i artikulojë.
Tampon zona e dytë do të jenë territoret (trojet) shqiptare, por, besoj se disa vise do të përdoren për kusuritje dhe do ta ndihmojnë veçimin e Serbisë nga ndikimi Rus, edhe pse i takon besimit ortodoks. Përmes territoreve tona, do të ngushtohet fushvëveprimtaria e Rusisë dhe do të pamundësohet të kalojë në ngushticën e Otrantos, si një pikë strategjike për mbikëqyrjen e Kanalit të Suezit dhe deteve Adriatik e Mesdhe. Kur vimë te kjo pikë tamponzone, duhet ta kemi parasysh se lidershipi shqiptar, kurrë nuk është marrë me të, por, ka bërë politikë veçuese ndërkrahinore (Shqipëri londineze, Kosovë, a për shqiptarët në Luginë (Serbi), Mal të Zi e Maqedoni, ndërsa, shqiptarët në Greqi ende janë pjesë në vete dhe nuk hynë në këtë strategji të supërfuqive), për ta parë gjeostrategjinë dhe gjeopolitikën.
Tampon zona e tretë, si edhe më parë, mbetët ajo e Bosforit. Kjo pjesë do ta ruajë edhe më tej pozitën dhe konfigurimin me Amerikën.
Përbrenda Evropës, do të ketë lëvizje kufijsh, sepse, e vetmja mundësi për t’u ikur luftërave, është edhe disenjimi i kufijve. Kjo do të fillojë në dy vatra, tashmë, të lëna hapur, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në territoret shqiptare, por, te territoret (trojet) etnike shqiptare nuk ka ndryshim kufijsh ndërkombëtar, vetëm se shuhen kufijtë ndërshqiptarë. Bosnja do të shuhet dhe nga ajo do të mbetët vetëm minishteti Mysliman, që do t’i ngjajë Sanmarinos, pra, do të jetë nën mëshirën e serbëve. Maqedonia, po ashtu, do të shlyhet nga harta dhe do t’i marrin hiset e tyre shqiptarët, bullgarët dhe grekët (e, shikuar historikisht dhe shkencërisht, këta dy të fundit nuk kanë asnjë të drejtë në këto troje iliro-shqiptare). Po ashtu, edhe Mali i Zi do ta ketë të njëjtin fat me Maqedoninë. Shqiptarët, do ta marrin hisen e tyre dhe pa bregdetet shqiptare, ky shtet, nuk mund të ekzistojë, dhe, detyrimisht, do t’i bashkangjitet Serbisë. Sanxhaku, do të jetë një udhë lidhëse në mes myslimanëve dhe serbëve, për ta ruajtur, pakashumë, balansin fetar dhe ky është shkaku pse myslimanët do të jenë nën mëshirën e Serbëve.
Poqëse ne nuk i qasemi seriozisht problemit kombëtar, si komb i organizuar, do të kemi tkurrje territori në Luginë dhe në Veri të Kosovës. Ky është misioni i dy supërfuqive në këtë rajon dhe varet shumë se sa do të jemi ne aktivë në këtë proces, për shpëtimin e tokave tona të pushtuara. Edhe misioni i ynë është ta kemi tërësinë tokësore shqiptare, të organizuar në një shtet, por, parimi se cila ushtri është në atë territor, e atij shteti është edhe toka, e, kjo ka bërë që politika “institucionale”e “institucionalistëve tanë të viteve ’90-ta” nuk e ka analizuar asnjëherë këtë çështje dhe gjithë kohën e bisedimeve, në Bruksel, nuk e ka menduar këtë rrezikshmëri, apo, edhe vetë ka hyrë në këtë lojë antikombëtare, në të cilën, realisht, ka qenë. Ky parim, do të merret vetëm për Veriun e Kosovës dhe këtu qëndron edhe arsyja e mosshuarjes së strukturave paraushtarake, të cilat i mban aktive parapolitika serbe, dhe, për çdo moment, ata do të dalin me uniformë.
Britania e Madhe do të ketë problem me vetveten, për ta ruajtur Komunveltin dhe detyrohet të lëshojë pe me irlandezët dhe ky është edhe qëllimi thelbësor pse ajo largohet nga BE. Spanja, nuk mundt’i shmanget më problemit të brendshëm me katalonasit dhe me basket, dhe, deshi nuk deshi, duhet t’i pranojë kërkesat e tyre, sepse, nuk do ta gëzojë më mbështetjen e BE-së, e cila, së shpejti, edhe do ta humbasë këtë forcë që e ka. Si të shpartallohet Spanja, e cila, ende e ka në dorë situatën, se si do ta organizojë rregullimin e brendshëm, federatë apo konfederatë, sepse, nëse nuk lëshon pe, do të mbetët e vetmuar dhe pa kurrfarë ndikimi në politikën evropiane. Ndikimin politik do ta humbasë edhe Franca, për shkak të animit kah Rusia. Gjermania, do ta ketë ndikimin e vet ekonomik, por, do ta humbasë ndikimin politik në Evropë, për shkak të përafrimit me amerikanët, përmes Polonisë, afër Rusisë. Turqia, do të këndellet, do të bindet se Gadishullin Ilirik e ka humbur njëherë e përgjithmonë dhe t’i kthehet misionit që kishte dikur, përforcimin e Bosforit, si tamponzonë kundër Rusisë, sepse, edhe atje ka shtete me fe myslimane, që, më lehtë do të lidhnin aleancë me te, sesa të rikthehen nën ndikimin rus. Kjo do e mundësojë edhe dobësimin ushtarak të Rusisë, përmes shteteve Baltike dhe disa shteteve që gjinden në kufij me Turqinë, si Ukraina, Çeçenia, Azerbejxhani, Turkmenistani, etj.
Këto ndikime, që vinë në Evropë, tregojnë qartë se Bashkimi Evropian nuk ka gjasa të (mbi)jetojë, por, edhe nëse do të ekzistojë si i tillë, atëherë, ndikimi i saj do të shndërrohet në zero, sepse, problemet që i ka shkaktuar ajo, si ndarjen e kombeve, krijimin e shteteve artificiale, mbështetjen e fashizmit, mosdënimin e krimit në fundshekullin që e lamë pas, etj., gradualisht, po përmbyllen. Ky ka qenë edhe mbetët interesi primar i dy supërfuqive, pse ajo ka qenë e fortë deri tash. Nuk do të ketë më peshë kryeqyteti i saj- Brukseli, sepse, shumë shtete e kanë parë qëllimin e organizatorëve, sidomos, me monedhën Euro. Mu për këtë politikë ekonomike, Gjermania do ta shpaguajë dëmin shkaktuar disa shetetve në këtë sferë, por, nga kjo lojë, ajo ka dalë e fortë, me rrezikun se do ta humbasë peshën politike në epokën e rihapjes së luftës së ftohtë, edhe zyrtarisht, dhe, kjo do t’i mundësojë që, edhe mëtutje, ta ketë në dorë ndikimin ekonomik.
Tash, po i kthehemi fillimit. Për gjithë këtë lojë, qytetarët e asnjë shteti apo kombi, nuk kanë qenë të informuar, të paktën, të ishte trajtuar ndonjë temë e përafërt, apo, edhe përmes sondazheve (matjes së pulsit qytetar), me pyetsorë për këto tema të përafërta, që, ata, nesër, të mos zgjohen nën gjëmimin e zhurmës së aeroplanëve, tankeve e armëve të tjera. A e meriton qytetari evropian këtë lojë parapolitike me hartat dhe fatet e kombeve, pa u pyetur ata, apo, kjo do të jetë loja e fundit e akterëve ushtarakë dhe e të mallkuarve të botës, mbi harta.
Promotorët, duhet të jenë më syçelë, në të ardhmen, të bëjnë analiza grupore dhe t’i shpërndajnë ato përmes misionarëve. Kjo është e vetmja mundësi për t’i korrigjuar gabimet dhe për ta detyruar pushtetin të ndërmarrë veprime, të analizuara, se, kjo është loja e fundit mbi harta, një hap drejt krijimit të kombeve-shtete.

2017-ta - vit i kthesave të mëdha

Intesifikimi i punës së promotorëve dhe misionarëve duhet të ndodhë sa më shpejt, për ta shpëtuar atë që mund të shpëtohet dhe për t’i detyruar pushtetet që të merren drejtpërsëdrejti me problemet që do të ngriten në mbrojtje të çështjes kombëtare. Duhet, politika ta lë mënjanë lojën e kuvendarëve, për të trajtuar në Kuvend probleme mëhallash e krahinash dhe duhet urgjentisht t’u kthehet detyrave të çështjes madhore. Kjo duhet të ndodhë edhe me kuvendarët e pushteteve jashtë Kosovës, për t’i bashkërenditur veprimet, duke analizuar e dhënë prioritet atyre që janë më të domosdoshme. Pra, përqëndrimi te marrja e votës duhet të hiqet nga koka me çdo kusht, poashtu, edhe shfrytëzimii parave të qytetarëve, për t’u sorollatur nga fshati në fshat e odë më odë. Nuk duhet lejuar shfrytëzimin e foltoreve dhe të mikrofonëve atyre që, kudo që u jepet rasti, flasin me fodullëk, për të “arriturat” në këtë apo atë fushë jete. Edhe mediat, TV-të, portalet duhet disiplinuar maksimalisht, që edhe ato të merren me probleme kombëtare, në këtë kohë, kur luhet mbi harta gjeorgafike, kur është duke u studiuar nga të tjerët edhe harta e jonë kombëtare, ndërsa, ne, sillemi e veprojmë sikur nuk është duke ndodhur asgjë.
Në këtë kohë, duhet hulumtuar gjithçka që luhet në emër të kombit dhe për kombin e për fatin e tij e të atdheut. Politikanët dhe institucionet shqiptare që luajnë në emër të kombit, kur për ne e me fatin tonë luhet nëpër institucione e qendra të huaja, për ta plasuar te qytetarët atë që nuk do ta prishte politiken kombëtare. Në këtë vazhdë, duhet përpunuar dhe vërtetuar shumë informata, në qëndrojnë apo jo, sepse, mund të shërbehemi me dezinformata, të cilat mundohen të na i servojnë shërbimet e misioneve të huaja. Duhet të veprojmë të gjithë, për ta përballuar realizimin e skenarëve të misioneve të huaja në dëm të atdheut, dhe, kushdo që del në taborin e kundërt, t’ia çjerrim maskën me gjithë mekanizmin që kemi në dispozicion, për t’i penguar të jenë edhe më në misione të huaja, në cilësinë e misionarëve. Ndoshta, në mesin e tyre ka edhe të tillë që edhe nuk janë të vetëdijshëm për punën që e kryejnë, sepse, i kanë besuar dhe i besojnë verbërisht eprorit të vet. Të tillë, kemi pasur gjithmonë, në histori. Më herët, ne kemi ditur të falim, por, jemi në krye të realizimit të misionit kombëtar, gjë që e dinë të gjithë, prandaj, kushdo që del për ta penguar këtë, duhet pamundësuar. Pengimi i atyre që mundohen të na çorientojnë në realizimin e misionit kombëtar, mund të jetë i ndryshëm, dhe, në kuadër të veprimit të tyre, të ndermerren edhe veprimet parandaluese.
Jemi në një situatë kur nuk kemi shumë kohë për të humbur dhe ta presim vetëm mendimin e promotorëve, por, t’i marrim mendimet e tyre të shfaqura nëpër çdo kohë, kur kanë ndodhur veprime të bujshme kombëtare, qoftë për fitoret, apo, për humbjet dhe rolin që kanë luajtur misionet e huaja, qoftë përmes misionarëve të vet, apo edhe atyre shqipfolës. Promotorët, i kanë sqaruar këto situata, ua kanë dërguar qytetarëve mesazhet dhe ato kanë mbetur si gjurmë kohe, se, ku janë gabimet, pse ndodhin ato, qëllimin që kanë huajtë për ne dhe mundësitë e arritjes së qëllimit. Poqëse i marrim dhe i shqyrtojmë ato në kohën tonë, do t’i shohim gjurmët që kanë lënë misionarët e huaj, gjurmë butaku, që, edhe sot mund t’ua dallojmë erën. Pastaj, aty mund të gjeni edhe në emër të çfarë interesi është luajtur loja, dhe, gjithkund, do të dale përpara “kompetenca” dhe “numri”. “Kompetenca” varet prej pozitës që ka, “kompetenca” varet prej titullit që mban, “kompetenca” është njësim me kokrrën (votën), për ta hedhur diku, sepse, një pjesë bukur e madhe e tyre, prej kokrrave të siguruara e ka marrë “kompetencën”. Këto “kompetenca” duhet diskutuar dhe vlerësuar, se, sa dëme dhe të mira i kanë sjellur kombit, por, do të shohim se dëmet janë shumë të mëdha, sa kemi mbetur në udhëkryq jetësor e kombëtar. Edhe “kokrrat” që i kanë marrë dikur, përmes qytetarëve, ato i kanë keqpërdorur aq shumë, sa, tash, vetë janë shndërruar në “kokrra”. Po të bëhet një analizë, do ta nxjerrim si përfundim se “kompetenca”, pa marrë parasysh se në çfarë e në çka thirret, na ka dëmtuar aq shumë, sa, po ta kishim një moment lucia intervala (moment të ndriçuar), njerëzit e “kompetencave” do të çmendeshin, përnjëmend, për veprimet e tyre dhe për “kokrrën” e hedhur në arkën e misionit të huaj. Ndërsa, ata që janë shndërruar në “kokrra”, edhe ata thirren në “kompetencë”, por, “kompetenca” e tyre shkon vetëm si “kokërr” që rrokulliset në arkë votimi, se, prej saj ka dalë, duke mos llogaritrur që gjatë rrotullimit, ka mundësuar të rrotullohet edhe fati i akëcilit, por, edhe fati i kombit e Atdheut, pa shikuar në ka vepruar si duhet.
Nëse deri sot e kemi luajtur lojën për pushtet, urgjentisht, duhet të ndërrohet kjo mendësi e prapët dhe të angazohemi të gjithë për çështjen kombëtare. Kësaj loje duhet dhënë fund, dhe, në momentin e duhur, duhet të përgatiten të gjithë, që ta ndajmë shapin prej sheqeri, po përmes “kokrrës” (votës), me programet tona kombëtare dhe të mos lejojmë më të depërtojnë njerëz që, për afro tridhjetë vjetë, kanë gëzuar postin e kuvendarit, disa herë atë të ministrit e kryeministrit, dhe, duke i analizuar veprimet e tyre, politikën e tyre, “punën” e tyre, është koha që edhe qytetarët t’u thonë mjaft më me demagogji, korrupsion, nepotizëm, me abuzim detyre dhe shantazhim të çështjes kombëtare. Në këto momente, na duhen njërëz seriozë, se, seriozitetin e mbështetin edhe të tjerët, pa marrë parasysh qëndrimet e tyre për politikën aktuale që është nevojitur, sepse, do të fillojë edhe ndërrimi i mendimit veprues, dhe, vetëm njerëz të dëshmuar mund ta marrin këtë barrë mbi vete.
Propaganda e shëndoshë, duhet të vihet në shërbim të çështjes kombëtare dhe luftën duhet drejtuar kundër shtypit të verdhë, pavarësisht rrethanave që do të ndryshojnë, shtypi i verdhë do të yshtet për ta dezinformuar qytetarin. Këtu qëndron edhe arsyja pse edhe portalet duhet të shinëzohen në luftë të drejtë, sepse, komunikojnë me qytetarin, gjë që shihet qartë, që, edhe sot, janë në mision të të tjerëve dhe për atë edhe quhet trumbetuese e propagandës së verdhë. Në këtë kuadër, mund të zvogëlohet edhe kolona e pestë, një mekanizëm goxha me peshë, që mundohet t’i japë objektivat e propagandës dhe veprimit të saj konkret në terren, duke bashkëvepruar me djallin e të birin, që të mos arrihet kryerja e misionit tonë, sepse, këtë nuk e dëshirojnë misionet e të huajve dhe as misionarët “tanë” në shërbim të tyre.
2017-ta duhet të jetë vit i kthesave të mëdha, sepse, në këtë synim po veprojnë edhe misionet e huaja, e, pse të mos veprojmë ne, që e kemi përpara misionin e realizimit të shtetit-komb, që është synim jetësor yni, është marrje frymë lirshëm, është heqje e tundimit se çfarë do të ndodhë me ne, është heqje e mendësisë së robit, është perspektivë për brezat që do të rriten në liri të njëmendt, e në Atdhe të bashkuar, është hapërim me kohën dhe me të tjerët, në jetë dhe në punë. Nëse ky është synimi i ynë, atëherë, edhe veprimi i ynë duhet të jetë më i guximshëm. Pra, viti që po hymë në të, duhet të jetë vit i përballjes për përcaktimin e së nesërmes tonë dhe të brezave që vijnë, vit përcaktues për të ardhmen tonë kombëtare, vit i demonstrimit kundër të kqijave, kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit tone kombëtar, vit i vënies së koordinatave për të ecur përpra si komb.

Ata që mendojnë se kryeqyteti i shqiptarëve është Brukseli, nuk meritojnë të udhëheqin

Sot, mundësitë e veprimit janë të mëdha, por, duhet një bashkërendim i analizave me veprimet në terren, duke e aktivizuar qytetarin, si faktor përcaktues për fatin e të ardhmes. Qytetarin, duhet orientuar drejt, për ta dhënë mendimin e vet pa ngurim dhe pa anim. Për këtë, duhet informuar drejt për atë që po ndodhë dhe për atë që do ndodhë, për ta pasur një pasqyrë reale për fatin e kombit. Ai, duhet të dijë edhe për individët që bartin programe, çfarë dhe cilat janë synimit e tyre dhe sa ka realitet në programe. Shumherë, na ka ndodhur të kemi programe lakmuese, sa, qytetari, është lajthitur përmes tyre dhe këtë e ka mundësuar edhe rregullimi i biografive, ku kanë munguar pjesët qenësore të jetës, sidomos, ajo pjesë e jetës së të qenit vasalë i armiqve tanë, kur kanë vepruar me vetëdije në realizimin e synimeve të tyre, kur i kanë përndjekur atdhetarët me pasion të madh, kur kanë nxitur dhe organizuar linçime, kur kanë inskenuar e sajuar situata, që edhe sot vërehen në veprimet e tyre të ulta, për ta ruajtur “krenarinë” dhe veprimin e pasur për vete. Pikërisht, këtu duhet koncentruar propagandën, për t’ua çjerrë maskat dhe, të tillët, duhet të largohen njëherë e mirë nga skena politike, nga skena e vendimmarrjes, nga mundësia e ndryshimit të kursit kombëtar, nëse, me të vërtetë, dëshirojmë ta realizojmë misionin kombëtar.
Ky veprim duhet të merret menjëherë, sepse, viti që do të hymë do të ketë veprime të shumta e të bujshme, si pasojë e veprimeve të “institucionalistëve”, të ndihmuar nga shtypi verdhë e të mbrojtur nga kolona e pestë. Sikur të ishte dëgjuar dhe marrë parasysh zëri i promotorëve dhe i misionarëve kombëtarë, nuk do të ishim në këtë situatë, sa të presim se kur do të dalin në shesh, publikisht, të palarat e “institucioneve”, edhe pse, ato, veç kanë filluar të shihen nga të tjerët. Duke e ditur se nuk mund të realizohen misionet sllave e pansllave, në tërësi, vetë po i nxjerrin në pah disa mangësi të tyre, për mosveprim efikas dhe po (ndër)marrin vendime për realizimin e objektivave.
Pas gjithë kësaj që po shihet, a mund të heshtë edhe më tepër qytetari dhe të presë që, ato që kanë ndodhur, të zgjidhen vetvetiu. A nuk na u duk e mjaftueshme propaganda shteruese demagogjike, se liria do të na shërbehet në pjatë. Kemi ardhur në një situatë të njëjtë, ku po presim që “shtetësinë” e Kosovës dhe zgjidhjen e problemeve në ish shtetet okupatore të ish-Jugosllavisë, për shqiptarët, të bëhet me shkop magjik. As mumjet nuk do të imagjinonin këtë, e, lëre më njerëzit të cilët e kanë marrë mandatin nga qytetari, edhe pse mandat i kufizuar, duke marrë parasysh numrin e votuesve që kanë dalë, kur dihet se për problemet madhore duhet kaluar në referendum popullor, madje, ka momente që duhet marrë mendimi i gjithë kombit. Problemet e tilla po injorohen, sepse, për këto dhe disa “cikërrime”, përkujdeset kryeqyteti “shqiptar”-Brukseli. Të gjithë ata që mendojnë dhe shprehen publikisht, me përkushtim, dhe që punojnë në këtë drejtim, nuk janë meritorët për ta udhëhequr kombin shqiptar, i cili gjindet në udhëkryq, për të ardhmen e tij.
Misionet e huaja, në veçanti ato okupuese, kanë vepruar gjithnjë, qoftë përbrenda, qoftë përmes emigrantëve, që rrugën për në parajsën perëndimore, e, përtej Atlantikut, ta sigurojnë përmes kryeqyteteve Athinë e Beograd, për t’i realizuar qëllimet e veta “patriotike” e “kombëtare”, dhe, për shkak të pamundësive për t’i jetësuar programet e tyre që, sot, kanë dalë në shesh dhe nuk mundt’i fshehin më nga syri i promotorëve shqiptarë, synimet që kanë për territoret shqiptare. Zërit kryengritës, kanë filluar t’i hakmerren me mosdhënien e të drejtës së fjalës dhe veprimit; dikë, për ta yshtur me marifete të ndryshme për të qenë përkrah misionarëve të huaj, e, ata krekosen se vetëm ata janë “kompetentë” për të marrë veprime e vendime, edhe atëherë kur shkelet Kushtetuta.
Këto rrethana, që kanë filluar të duken në horizont, na shtyjnë për të vepruar dhe për ta penguar realizimin e projekteve të pushtuesve e të ndihmësve të tyre, me çdo mjet të mundshëm. Duhet të nxitet lëvizja qytetare, duke u nisur nga faktet që do t’i paraqiten, për ta kuptuar më mirë, dhe, pse këtë vit pati shumë probleme, të cilat dolën në pah, e, së fundi, edhe ndarja zyrtare me mur, e Veriut të Kosovës. Kur e themi gjithë këtë, e kemi fjalën që tash është kryemomenti që ta kemi një lëvizje të fortë kombëtare, madje, edhe në diasporë, sepse, nuk guxojmë më të kemi lëvizje zinxhirore, apo zgjidhje zinxhirore të problemeve kombëtare, se, në këtë lojë do të humbasim edhe kohë, edhe njerëz, edhe të mira materiale, edhe tokë e pasuri.
Në çdo situatë të paqartë dhe konfuze, në çdo situatë kur pushteti mundohet ta bllokojë informimin dhe krijon errësirë, qytetarët mund t’i thërritin në ndihmë promotorët e tyre, qoftë për të bashkëbiseduar, qoftë për të marrë informata, apo edhe sqarime shtesë për situatën e krijuar dhe jam i bindur se ata do të jenë të gatshëm dhe do të përgjigjen në thirrjen tonë kombëtare. Ata do të jenë të gatshëm në çdo moment dhe situatë t’u gjinden pranë bashkëkombësve të tyre, sepse, ata, edhe kanë qenë çdoherë pranë tyre. Qytetarët e dinë kujt mund t’i drejtohen, sepse, njerëzit e tillë gjithnjë e kanë thënë fjalën e vet haptas, pa frikë. Kjo vlenë edhe për subjektet politike, nëse u nevojitet ndihma e sugjerimet për zbërthimin e situatave, por, gjithnjë duhet pasur kujdes se ata (promotorët) nuk u nënshtrohen teserave partiake dhe nuk mund t’i përdorin për paravan. Ata janë të vetëdijshëm dhe në ndërdijen e tyra ekzistojnë ekzaminimet e akëcilit subjekt politik, apo lideri, dhe, nuk lejojnë të dalin para qytetarëve sipas tekeve, apo nevojave të ngushta.
Promotorët, janë të gatshëm edhe për përballje mediale, për debate, për analiza, për shkoqitje të problemeve dhe t’i thonë edhe publikisht gjërat, se kush dhe cilët janë fajtorët për të gjitha këto të zeza që po i përjetojmë sot, pse kemi ardhur deri te kjo situate, dhe, është momenti i fundit kur duhet të shihen dhe shoshiten mundësitë e daljes nga ky udhëkryq.
Qytetarët, e kanë fjalën kryesore në vitin që po hymë. Ata, mund ta përshpejtojnë zgjidhjen e çështjes kombëtare!

Insulina politike

Insulina, një preparat që përdoret në mjekësi, ka hyrë, si shprehje, edhe në politikë. Kjo përdoret, kur duhet dhënë shtytje një politikani, që të mos përmbyset, për bëmat e tij kundër partisë, apo, politikës kombëtare, për të cilën janë kujdesur misionet e huaja. Insulina politike u jepet edhe qytetarëve, përmes mediave e misionarëve të huaj, kryesisht përmes ambasadorëve, për të mos e parë realitetin që i rrethon. Ky preparat është më i dëmshëm, pra, e ka efektin e kundërt të atij mjekësor. Insulinën, kush fillon ta përdorë, duhet ta injektojë gjithnjë dozën e caktuar, për të mos rënë nga shëndeti. E njëjta gjë ndodhë edhe në politikë. Por, nëse ajo jepet pa pëlqimin e mjekut dhe, nëse merren doza të mëdha, ajo shkatërron shëndetin, pra, shkatërron shëndetin politik të një partie, apo kombi. Lidershipit dhe institucionalistëve tanë me pasardhësit e “institucioneve dhe institucionalistëve tanë të viteve ’90-ta”, i është dhënë dozë e tepruar, që kur ka filluar të dalë sheshit se kush e injekton dhe për çfarë qëllimesh bëhet, sa shihet se truri i tyre është shkallmuar dhe nuk ka më mundësi t’i rikthehet vitaliteti. Kjo, është parë e hetuar falë promotorëve tanë dhe misioneve kombëtare, të cilët, që në hapin e parë, e kanë vërejtur se ata jetojnë nën ndikimin e insulinës dhe kanë filluar menjëherë ta shpjegojnë efektin e saj, e, edhe e kanë përcjellur mesazhin te qytetarët.
Nisur nga kjo, shihet se misionet e huaja u kanë caktuar dozë insuline “politikanëve” dhe “institucionalistëve” tanë, por, këta, duke mos ditur me çka kanë të bëjnë, këtë e kanë marrë pa kontroll. Këtë lojë e kanë shkoqitur promotorët dhe kanë dërguar mesazh te qytetarët, përmes misionarëve, dhe, ua kanë bërë të ditur kur është tejkaluar kjo dozë. Normale është se, ndërkombëtarët, i kanë dhënë mbështetje kësaj garniture politike, që ka qenë në institucione, gjë që është normale, mirëpo, duke mos u ndalur në analiza të thukta, se deri ku shkon mbështetja e ndërkombëtarëve, këta kanë kaluar në ekstazë, ngase, nuk kanë ditur se sa dozë i japin vetes. Teprimi i dozës, ka nxjerrë edhe probleme kombëtare, sa ka arritur deri te nëpërkëmbja e luftës dhe e luftëtarëve të lirisë, ka arritur deri te nëpërkëmbja e vullnetit qytetar, pas lufte, sepse, luftëtarët kanë pritur të lëvizin shumë gjëra, të hapen vende të reja pune, të rritet standarti i jetesës, të ketë prosperitet ekonomik e kulturor, të ketë ligje meritore. Të ketë lirishmëri të shprehjes së mendimit. Të ketë vlerësim të vlerave të qytetarëve, të ketë vlerësim të vlerave kulturore, të ketë vlerësim të vlerave njerëzore, të ketë vlerësim të punës e djersës, të mos ketë korrupsion, nepotizëm e abuzim me detyrën dhe të mos ketë ndërskamca nga të gjitha institucionet.
Edhe për këto shqetësime, promotorët, e kanë dhënë mendimin e vet në çdo kohë, por, edhe janë të gatshëm që, në mënyrë të përmbledhur, t’ua thonë qytetarëve, kur këta e shohin të nevojshme. Koha është shumë e shkurtër dhe qytetarët duhet ta ngritin këtë shqetësim, por, edhe intelektualët, e, na vjen keq që jemi të detyruar t’i bëjmë thirrje edhe kësaj kategorie, e cila, në njëfarë dore, edhe është bashkëfajtore për gjithçka që ka ndodhur e po ndodhë, e, edhe për teprimin e dozës së insulinës, që kanë përdorur pushtetarët dhe institucionalistët. Sikur këta, të gjithë, t’i kishin mbështetur mendimet e promotorëve dhe të ishin bërë misionarë të tyre, sot, nuk do të përballeshim me këto shqetësime. Sikur këta t’ua tërhiqnin vëretjen për teprimin e dozës, sepse, një gjë e tillë bëhet në mënyra të ndryshme, nuk është e thënë se mendimi duhet të jepet vetëm publikisht, por, mendimi mund të jepet edhe gjatë ndejave, apo, bisedave e debateve shoqërore, kolegiale, dhe, këtë kanë mundur ta bëjnë. Kjo le të jetë mesazh për të gjithë ata që mendojnë shqip, që veprojnë shqip, që të jenë të gjithë të bashkuar, gjithmonë, të jenë kritikë kur e kërkon nevoja, për të mos lejuar të ecin përpara këso garniturash politike e institucionale, sepse, çdo ditë do të paraqesin rrezik, në të gjitha planet e sferat shoqërore, por, në planin kombëtar, rreziku, nëse nuk ndërpritet, është shumë vështirë të parandalohet e të kompensohet.
Që nga fillimi i këtij studimi, kemi shpjeguar shumëçka për misionin dhe misionarët, të të dyja taborëve dhe për promotorët e shoqërisë, klasës, apo të kombit. Promotorët, janë ata që i nxjerrin të gjitha të palarat e një stërkeqjeje të shoqërisë, që ndodhë në të tri aspektet e sipërthëna. Prandaj, edhe janë grupi më i rrezikuar, por, të jeshë promotor, do të thotë të jeshë njohës i mirë i problemeve, të jeshë analist i fortë dhe të jeshë guximtar për plasimin e atyre të vërtetave. Nëse ato plasohen në opinion, në kohë dhe hapësirë të duhur, fatkeqësitë janë më të vogla. Mirëpo, problemi qëndron në faktin si të depërtojnë ato, nëse një kategori është nën ndikimin e dozës së insulinës së tepruar, sepse, ajo nuk di se për çka jeton, se, qëllimi i vetëm i saj është ta shohë jetën, familjen, rrethin, shoqërinë, pushtetin nën prizmen e insulinës. Ky lloj pushteti, e krijon situatën për luftë të armatosur, në momentin më të papërshtatshëm për kombin e shtetin, sepse, nuk ka lejuar përgatitje dhe mobilizim me kohë, të të gjitha forcave, por, edhe përkundër kësaj, gjatë gjithë kohës së luftës të lufton përmes shtypit të verdhë dhe kolonës së pestë, nëse kombi nuk e ka të zgjidhur çështjen kombëtare, dhe, kështu, e krijon situatën e luftës qytetare, nëse i shtrëngon darët e sundimit pushtetar dhe thellimit të pakënaqësisë qytetare. Për fat të keq, neve na ndodhën të dyja. Njëra përmes Ibrahim Rugovës e tjetra përmes Sali Berishës. A do të lejojmë që e njëjta gjë të na ndodhë edhe njëherë, në mos edhe më keq se cilido prej këtyre dy shembujve? Historia është mësuesja e jetës dhe na ka mësuar të mos lejojmë të na ndodhë përsëritja e të njëjtave. Ne bëmë luftë zinxhirore dhe dolëm humbës në hapësirën kombëtare. Pra, historia na mëson të mos i qasemi problemit në mënyrë parciale, por, problemin ta trajtojmë si tërësi. Edhe koha, por, edhe mësimet nga e kaluara, nuk na lejojnë që misioneve të huaja t’ua lejojmë këtë komoditet, dhe, aq më tepër armiqve tanë.
Ky fundvit, jep sinjale të qarta se në ç’situatë jemi, por, po shihet se kjo garniturë “institucionalistësh” është e gatshme të përballet edhe me qytetarët e vet, për ta mbajtur pushtetin, për ta çuar deri në fund misionin e të huajve, se përndryshe, do të mbetët pa insulinë, por qytetarët, duhet ta dinë dhe ta kuptojnë se “prijësit” tanë janë nën ndikimin e dozës së tepruar, që u japin misionet e huaja dhe ato pushtuese. Realiteti i krijuar na obligon për veprime konkrete, të menjëhershme, nëse nuk duam të derdhim gjak të ri, se këta janë ata që na kanë sjellë deri në këtë situatë e gjendje të pashpresë, së fundmi, edhe me politikën e meftë, skajshmërisht të padinjitetshme, dhe ne nuk duhet ta shikojmë nga larg zhvillimin e situatës, kur të gjithë po e përgatitin Shtratin e Prokrustit për ne, e ne, të shtrihemi vetë në të, pa asnjë ndjenjë njerëzore e kombëtare?!!! Kjo, nuk guxon të ndodhë!
Duhet që këta “institucionalistë” të përballen me demonstrimin e qytetarëve, e kjo do të na japë kohë t’i ndalim dhe pamundësojmë veprimet e ndërkombëtarëve, t’i ndalim veprimet e pushtuesve, sepse, nuk kanë me kë të merren vesh, për të ardhmen tonë, për lojën mbi hartat dhe do t’ju mungojë zëdhënësi për të na e lakmuar Shtratin e Prokrustit, që të nëpërkëmbët fati i kombit.
V I J O N...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 872 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi