BETOVENI DHE SIMFONIA HEROIKE |
Publikuar më 13 dhjetor, 2020 në orën 15:09 ( ) |
Beqir Elshani | Kulturë | |
|
|
(Me rastin e 250-vjetorit të lindjes)
Pianisti dhe kompozitori gjerman, Ludvig van Betoven, u lind në Bon më 16 dhjetor 1770 dhe konsiderohet një ndër kompozitorët më të mëdhenj të epokës së klasicizmit. Babai e dërgoi tek Jozef Hajdni në Vjenë, përndryshe qendër e muzikës klasike për të studiuar Mocartin. Në vitin 1808 Betoveni e shkroi Simfoninë e 5-të (Simfonia e fatit), kurse në vitin 1823 shkroi Simfoninë e 9 sipas lirikës së Fridrih Shilerit, e cila sot si himn europian është një mesazh për bashkimin e gjithë njerëzve. ”Për mua nuk ka gëzim më të madh se të kultivoj dhe të shfaq artin tim”, shkruante Betoveni në testamentin e tij. Prandaj sot me të drejtë përdoret sinonimi të kesh sy si Davinçi, veshë si Betoveni dhe shkathtësi si Paganini me gishtat e tij virtuozë. Kjo do të thotë se nuk mjafton që njeriu patjetër të ketë sy dhe veshë të mprehtë, por duhet të ketë dhunti artistike prej një gjeniu qoftë shkrimtar, piktor apo kompozitor për ta ndie në shpirtin e tij qiellor.
Duket qartë që këtë aftësi krijuese Betoveni e ka fituar falë punës së tij qysh si fëmijë, të cilin babai i tij muzikant shpeshherë e zgjonte natën për të ushtruar në violinë dhe piano. Ai e nxiste Ludvigun, në mënyrë që i biri të bëhet një Mocart i ri, i cili në atë kohë ishte bërë sinonim i muzikës klasike. Po ndodhi që i biri të argëtohej pa nota muzikore në piano, babai e qortonte. Kështu ashpërsia e babait alkoolist dhe nëna e sëmurë ndikuan në psikologjinë e kompozitorit të madh, gjëra të cilat jehojnë edhe në veprat muzikore të Betovenit. Prandaj sa më shumë që ushtronte Ludvigu, aq më shumë bëhej kureshtar i muzikës. Qysh në moshën tetëvjeçare u paraqit me koncertin e tij para publikut të madh, kurse në moshën 13-vjeçare u zgjodh muzikant kryesor dhe shkroi kompozimet e tij të para. Kështu Betoveni arriti të bëhet një pianist virtuoz, ai e qëllonte aq shumë tastierën e pianos, saqë tërë shtëpia e tij ushtonte. Kalimtarët e dinin se në rrugë dëgjohet muzika e një muzikanti të madh që po kompozonte. Të kemi parasysh se ashtu siç është Mikelangjelo Buenoroti i famshëm në skulpturë, Gëte si shkrimtar, Galileu si astronom, është i famshëm Betoveni si kompozitor. Më në fund, muzika klasike është filozofi që duhet pasur vullnet dhe prirje për të. Prandaj kur njeriu e dëgjon muzikën e Betovenit, ka parasysh kohën e luftërave të tmerrshme, shtypjen borgjeze dhe vrullin e revolucionit francez në vitin 1789, që për ne janë piktura të zëshme dhe pamore të jetës dhe luftës për liri.
Idetë filozofike dhe vargjet poetike të bashkëkohësve të vet, siç ishin Imanuel Kanti, Fridrih Shileri dhe Johan V. Gëte, Betoveni i zbërthente në tinguj muzikor dhe që shkrimtari ynë Fan S. Noli do t’i quaj tinguj të revolucionit. “Muzika është zbulimi më i madh se çdo urtësi tjetër filozofike", thoshte Betoveni. Lind pyetja, pse Noli shkroi pikërisht për mjeshtrin e ashpër për nga dukja, por i madh për nga shpirti?! Sepse vetë Noli ishte demokrat, prandaj popullit shqiptar i dhuroi veprën e tij madhështore “Betoveni dhe Revolucioni Francez”. Qysh në moshën 30 vjeçare dëgjimi i Betovenit fillon të dobësohet, fiton zhurmë, sa që veshët i mbulonte me jastëk. Një kohë të gjatë sëmundjen e veshit e mbajti në fshehtësi, prandaj kompozoi me një forcë të pashoq.
Betoveni shqetësohet për humbjen e dëgjimit, praj nga në vitin 1802 u dëshpërua aq shumë sa që tentoi të bënte vetëvrasje. Prandaj piano mbeti i vetmi instrument që mund të kompozonte, derisa tingujt e violinës aspak nuk i dëgjonte. Rreth vitit 1810 dëgjimi i tij keqësohet edhe më shumë, tani pianon e dëgjonte me ndihmën e kufjes. Dëgjimi i tij i ngjante nënës, e cila zgjohet me vajin e parë të foshnjës, por që nuk do ta zgjonin as topat e Napoleonit. Ngjashëm kishte vepruar edhe poeti italian, Dante Aligieri, ai mund të lexonte libra pa pengesa edhe në lokalin me zhurmë, por që nuk do ta pengonte aspak, sepse vëmendja e tij ishte e përqendruar në vepër, jo në zhurmën sado të madhe të qytetarëve në banak. Konkretisht veprat muzikore e mjeshtrit të madh, Ludvig van Betoven, janë të fuqishme si pasojë e shqetësimit për shkak të shurdhimit të tij, prandaj atij i mjaftonte të dëgjonte vetëm gjysmën e nivelit të tingujve të pianos, pjesën tjetër të padëgjuar do ta plotësonte truri i tij gjenial. Kështu Betoveni për një kohë shumë të shpejtë fitoi profesionin e pianistit, sidomos për krijimtarinë e tij, për të cilin u quajt kompozitor monumental.
Karakteri artistik i Betovenit
Betoveni nuk ishte mizantrop, përkundrazi ishte rrethi shoqëror që e detyronte të mbyllej në dhomën e tij, sepse kur njeriu e humb dëgjimin, humb edhe të afërmit e tij. Betoveni qante kur nuk mund t’i dëgjonte varietet e kompozimit të tij në premierë, mendonte se mundi i tij kishte shkuar dëm. Padyshim që krijimtaria e tij muzikore është përjetimi i tij, ku zakonisht paraqitet lufta dhe fitorja. Betoveni ishte religjioz, por e urrente okultizmin që udhëhiqej nga reaksioni shtetëror dhe kishtar, botëkuptim mesjetar që kishte mbetur qysh nga koha e feudalizmit. Shpeshherë kisha e kritikonte për veprat muzikore, të cilat i konsideronte si krijimtari kundër-kristiane. Si rezultat i mbrojtjes së integritetit vetjak ka dalë letra e tij, të cilën ia dërgoi princit të Austrisë, Karl Lihnovskit: “Princ! Çdo gjë që keni bërë ju, mund t’ia detyroni origjinës suaj, çdo gjë që kam bërë unë ia detyroj vetes sime. Princër ka pasur dhe do të ketë me mijëra, por Betoven ka vetëm një!” Filozofia e letrës, me pak fjalë thuhet se mbretërit e stolisur shkojnë e vijnë, kurse arti mbetet i përjetshëm. Me anën e revoltës, mjeshtri i madh i muzikës, i cili pianon e ngriti në piedestal, arriti të rrëzojë kullat mbretërore dhe në vend të tyre të vendosë mjeshtërit e mëdhenj të artit. Për nga dukja Betoveni ka qenë i shëmtuar, mirëpo me punën e tij artistike e ka zbukuruar veprën e tij gjenialemuzikore, ngjashëm siç ishte Fideja i shëmtuar që e skulpturoi Lekën e Madh dhe u bë i lavdishëm në historinë e artit. Vlen të përmendet krahasimi se një njeri si Leka i Madh që ka lexuar Iliadën e Homerit nuk është pak. Po ashtu një njeri si Betoveni që në kohën e tij ka lexuar: Homerin. Sofoklin, Euripidin, Demostenin, Platonin, Aritotetlin, Plutarkun, Lukianin, Ciceronin, Ruson, Kantin, Klopstokun, Geten, Shilerin, Shturmin dhe poetët tjerë persianë nuk është pak.
Betoveni simpatizues i revolucionit francez
Betoveni ishte simpatizues i flaktë i revolucionit francez, i cili u frymëzua me patos të lartë për liri dhe drejtësi. ”Diçka revolucionare fshihet në muzikë”, kishte thënë mbreti austriak Franz I, duke flakur muzikën e Betovenit. Në mbarë Evropën ushtria franceze pritej si çlirimtare, e cila në luftë kundër feudalizmit do të përmirësonte kushtet sociale dhe ekonomike të popullit. Revolta e tij shihet me rastin e kompozimit të simfonisë së tretë, “Heroika” (Eroica),të cilën në fillim ia kushtoi Napoleonit si luftëtar i lirisë. Kjo simfoni ishte një kompozim madhështor që ia kushtonte Napoleonit të ri, të cilën e kishte përgatitur një kohë të gjatë, që me të frejtë konsiderohet simfonia e parë luftarake në fushën e muzikës. Mirëpo kur në vitin 1804 Napoleoni shpallet perandor i Francës, që si një tiran do të shkelë idealet dhe të drejtat e njeriut, Betoveni e grisi kushtimin ”Sinfonia grande intitolata Bonaparte” dhe në vend të tij shkroi ”Simfonia heroike kompozuar për nder të njeriut të lavdishëm”. Këtu shihet se si edhe Napoleoni si Jul Qesari e kishte nisur luftën si gjeneral e konsul, mirëpo mbaroi si tiran e autokrat për shtypjen e popullit. Në kushtimin e tij shihet se njeriu i lavdishëm mund të jetë jo vetëm luftëtari me pushkë, por edhe shkrimtari, edhe piktori, edhe muzikanti, që vepron në shërbim të revolucionit. Ngjashëm porsi Emanuel Kanti, që i ngjethej trupi kur mendonte skllavërinë, revoltohej edhe Betoveni për lirinë e mendimit, i cili thotë: “Nënshtrimi i njeriut nga njeriu, më prish gjakun”, shkruan Fan S. Noli në studimin etnomuzikologjik. Betoveni duke parë se Napoleoni i hodhi poshtë idetë e revolucionit francez, iu bashkëngjitë grupit përparimtarë gjermanë (siç ishin Shileri, Klopstok dhe Helderlin), të cilët ishin kundër degjenerimit të revolucionit francez.
Betoveni trashëgoi Hajdnin dhe Mocartin, dhe konsiderohet si kompozitor i treti me radhë në Klasicizmin e Madh të Vjenës, që janë themelues të romantizmit muzikor. Hajdni kishte filluar me simfoninë e tij bashkëkohore, pastaj gjeniu Mocart e pasuroi me të gjitha llojet e muzikës dhe në fund Betoveni e miratoi me simfonitë e tij revolucionare. Stili i tij klasik është me një personalitet të fuqishëm, me ritëm të gjallë dhe me dinamizëm të zjarrtë. Kur për herë të parë Betoveni u takua me klasikun vjenez (Mocartin), Mocarti kishte thënë “Ai djalosh një ditë do të bëj zhurmë të madhe në botë”. Vlen të përmendet se organo është një piano, që në kohën e barokut është zbuluar nga mjeshtri, Gottfried Silberman, në vitin 1700 në Firencë të Italisë, mirëpo është dashur të kalojë një shekull që mjeshtrit e artit të muzikës klasike prej Bahut, Mozartit dhe Betovenit ta shtrydhin këtë instrument.
Krijimtari dhe personalitetit i kompozitorit
Veprat më të njohura të tij muzikore janë Simfonia e 5-të dhe e 8-të, atje ku lufta përfundon me një fitore triumfale mbi jetën e errët të pushtetit. Muzika e Betovenit është e pasur me gjallëri, me skofi dhe me ndjenja të zjarrta për liri dhe barazi. Kurse pianosonatat e tij të mëvonshme kanë një atmosferë fisnike me tingëllimë të çuditshme prodhuese. Kompozitori i madh shkroi nëntë simfoni, prej të cilëve më të njohura janë Simfonia e Heroikës(nr. 3);simfonia e Fatit (nr. 5); simfonia nr. 4 në B-dur dhe nr. 8 në F-dur. Pastaj shkroi 32 sonata për piano, siç janë: (Pathetique, Sonata e hënës, Valdstein, Appassionata, operën me frymë revolucionare Fidelio, baletinPrometeudhe ritualin fetarMesha solemne,por që ka edhe përmbajtje poetike. Një njeri si Leka i Madh që në kohën e tij ka lexuar Iliadën e Homerit nuk është pak. Po ashtu një njeri si Betoveni që ka lexuar letërsinë e vjetër prej Homerit deri te Shileri nuk është pak.
Personaliteti më i qartë i Betovenit shihet në simfoninë Pastorale(Baritore): “Kujtimet e jetës së fshatit”, përmbajtja e së cilës është me prehje, mbarësi dhe kujdesin ndaj natyrës. Vepra e tij është një shprehje poetike për gëzimin ndaj jehonës, të cilën njeriu e gjen midis maleve: lisave dhe shkëmbinjve duke angazhuar harabelat, bilbilat dhe qyqet profetike, siç shkruan poeti dhe bashkëkohësi i tij – Gëte, në poezinë “Orakulli i Pranverës”. Ai me ton patetik e riprodhoi muzikën e natyrës duke e futur në dhomë. Kurse Lenini në bisedë me Gorkin tregoi përshtypjen për sonatat e Betovenit, duke thënë se “Nuk ka më bukur se ‘Apasionata’, dëshiroj ta dëgjoj çdo ditë. Është një muzikë fantastike dhe mbinjerëzore”.
Të njëjtin fat tragjik të shurdhimit artistik porsi Francisko Goja, kishte edhe Betoveni. Pas vitit 1820 Betoveni komunikohet me anën e shënimit në fletore. Tragjedia më e madhe ishte sepse para vdekjes së tij, nuk ishte në gjendje të dëgjonte kompozimet e veta muzikore që kishte dridhur miliona veshë në botë. Në anën tjetër, shurdhimi i Betovenit ishte më tragjik se i shurdhimi i Gojas; derisa Goja i shurdhër mund të shikonte punimet e veta artistike, njëkohësisht edhe të pikturonte, përkundrazi Betoveni nuk mund të dëgjonte kompozimet e veta. Vuajtja nga sëmundjet e shumta të Betovenit ndikuan në krijimtarinë e tij muzikore, për të cilin thotë: “Ai që dëshiron të korrë lot, duhet të mbjellë dashuri”. (Noli, fq. 52). Prandaj si rezultat i shurdhimit është krijuar “Sonata e Hënës”, në të cilën përshkruan përjetimet e dhimbjes së tij.
Vdekja e gjeniut të muzikës klasike
Ludvig Bethoveni ishte i lidhur me pianon t ij, trembej nëse gjatë kompozimit ndokush e prekte me dorë në shpinë sa për ta ftuar në drekë. Çasti më emocionues ishte kur gjatë shfaqjes së koncertit publiku duartrokiste pa ndërprerje, por që mjeshtri i madh fare nuk i dëgjonte. Prandaj një soliste, në mënyrë madhështore e rrok për shpatulla dhe e kthen për të parë publikun që tashmë ishte ngritur në këmbë për ta nderuar me ovacione të stuhishme gjeniun e muzikës klasike. Me të drejtë mund të thuse se Betoveni ishte gjeneral i muzikës klasike, në tokë e në qiell, i tillë mbeti në mbarë botën. Derisa gjenerali i luftës i përket një pjese të vendit, kompozitori i madh (Betoveni) mbeti gjeneral i muzikës që i përket mbarë njerëzimit. Flitet se Betoveni për mikun e tij, Bahun, kishte thënë se është det, jo përrua (sipas kuptimit të emrit gjermanisht), prandaj me të drejtë mund të thuhet se Betoveni ishte oqean për nga krijimtaria e tij e madhe, si në fushën e artit të muzikë, ashtu edhe në fushën psikologjike të njeriut.
Dhe, krejt në fund, ngjashëm porsi skulptori antik Pigmalioni1), i cili u martua me shtatoren e tij të femrës, kompozitori u martua me pianon e tij; prandaj më 28 mars 1827, në moshën 56-vjeçare, vdiq Ludvig van Betoveni, në varrimin e të cilit morën pjesë 30 000 veta. Pjesëmarrësit e ngushëlluan jo vetëm si kompozitor, por edhe si një mik të tyre. Kështu zemra dhe muzika e dehur me vrullin e lirisë, me besimin ndaj solemnitetit njerëzor i dhanë fuqi jetës, në mënyrë që të përballohet çdo pengesë dhe çdo vështirësi. Prandaj falë vuajtjes së tij vetjake Ai krijoi bukurinë madhështore duke stolisur me miliona veshë të dashamirëve të muzikës në botë.
_______________
1)Pigmalioni(greq.Pygmalion) – skulptor legjendar nga Qiproja. Ai nuk deshi të martohet, por jetonte vetëm me artin e vet, prandaj shtatoren e Galatesë e skaliti prej fildishi. Thuhet se perënditë i dhanë jetë shtatores dhe skulptori e mori për grua.
Suedi, 12.12.2020
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Nuk është vlerësuar deri më tani! |
Lexuar:
318 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|