Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
OREKSE TË SËMURA
Publikuar më 19 dhjetor, 2020 në orën 11:34 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Tregim

Rrofshin artistët pa parti!
(L. Poradeci)

Shkrimtari Bardhyl Shpati, edhe pse jetonte në një zonë të thellë e gati-gati të harruar malore, ku, mjerisht, zinin vend të theksuar xhelozi, mënia, injoranca dhe naiviteti primitiv, kishte bërë emër si krijues i matur, i vërtetë dhe i paanshëm. Atypari, ende, me një fanatizëm të pashoq, mëtohej të ruhej tradita e të parëve me të gjitha reliktet e saj. Thënë të vërtetën, ore të keqen vëllai, ato edhe pse ishin zvetënuar cazë e kishin zënë të tëholloheshin deri në këputje, krahasuar me vendbanimet e rrafshëta e urbane, ku për to mund të gjëje veç kujtime të mplakura, prapëseprapë nuk ishin për t’u sharë.
Pra, sillu e mbështillu, si shuli për penj, fati i tij ishte lidhur nyje gordiane me jetën e malësorëve të vet. Me ta zgjohej, me ta errej, me ta rritej, me ta frymonte, me ta gjallonte, me ta gëzohej, me ta hidhërohej...Me fjalë tjera, dekë e drekë bashkë. Aq më keq, me ta, herë- herë, edhe përballej, përkundër asaj se niveli i tyre binte ndesh me pjekurinë e tij intelektuale e arsimore. Se me ta hiqte të zitë e ullirit dhe bënte punë sizifiane, veç shpirti i tij e dinte. Të gjithë ata që kuptonin sadopak, ia kishin lakmi durimit të tij prej babaxhani shpirtbardhë. Ah, çfarë ndryshimi midis mjedisit mediokër ku jetonte dhe shkollës ku punonte e takimeve të shumta të nivelit akademik, anekënd Trojeve Etnike Shqiptare. Pa, pa, pa, e pakrahasueshme!
Nga të gjitha këto, më se keqi ndjehej kur rrinte nëpër oda e ku ballafaqohej me karaktere të larmishme.
- Tregona diçka të mirë, o Bardhyl burri,- i thoshin ata, që, mbase kurrë nuk kishin shkelur jashtë gjerdheve të vendlindjes e nuk kishin marrë asnjë gram dituri.
Ai, si me ngurrim, ia niste, ashtu qetë- qetë, me zë të ulët e me një kulturë akademike, por kot. Fjalët e tij të arta e me vend nuk ua mbushnin dot mendjenfyllësinë e tyre. Jo xhanëm, jo, ata veten e hiqnin si të gjithëditur. Fap- fup, kërcente njëri këtu e tjetri atje, duke dredhur mustaqet vesh me vesh, duke i rënë gjoksit me grushte, duke i dhënë zërit si në mullirin e xha Brahos e duke filozofuar aq hollë, saqë më aty nuk i mbetej vend as Ciceronit plak.
Dhe, paskëtaj, ky mbështetej në qoshe dhe pushonte. Pushonte e dëgjonte dokrra bajate që nuk do t’i hante as gomari i Baba Tasit …
Për të qenë, shkrimet i ecnin mirë e mbarë. Zaten, kjo ishte më kryesorja. Shkruante e shkruante. Natën e ditën. Mbase, duke shkruar vazhdimisht, sikur edhe përtonte të fliste. Apo, mos ashtu e ka natyra mëmë, të dy dhuntitë nuk t’i dhuron njëherësh: shkrimin dhe oratorinë. I ke parë politikanët, gjithë ditën mund të mos prajnë së foluri, edhe pse, në fakt, nuk thonë edhe shumë, por, për të shkruar e kanë zitë, nuk i bëjnë dot as dy rreshta shkarravina
Ani, mirë, ore ju paça për jetë të jetëve, ç’të keqe ka këtu, gjithkush me të tijën,- këshillojnë urtakët.
Dhe, që thua ti, të gjitha shkrimet e tij përvijohen drejt një stili e një caku të veçantë. Ato, hëpërhë, kryesisht, rrezatojnë e rrezonojnë në një pikë të vetme, në kujtesën tonë historike. Pena e tij e stërholluar, mjeshtërisht e realisht, skalit portretet e heronjve dhe të dëshmorëve tanë, gjaku i të cilëve solli ditën e bardhë, solli lirinë. Kështu, librat e tij, që tashmë kanë depërtuar në secilën shtëpi shqiptare, kapërdihen me një gllenkë nga lexuesit e shumtë kureshtarë. Ky popullaritet, shpesh ngjall edhe xhelozi te autorët e tjerë, veçan te historianët, të cilët sikur po e marrin “përzierje” në profesionin e tyre.
Mirëpo, aq i bën atij.
Jo, ore jahu, ai ecën sipas fjalës së mënçur latine: Fjalët i merr era, shkrimet mbesin! Dhe, pa ua varë veshin se ç’thonë e ç’mendojnë të tjerët, ai vazhdon të lërë gjurmë e të ngjitet majës së piramidës...
- Më lehtë po merrem vesh me ata që kanë vajtur në atë botë se me të gjallët,- përsërit ai, kurdo që bie fjala rreth kësaj teme.
Megjithatë, shpirti krijues i këtij artisti të paepur në ecejakët e tij, has përplot marifetllëqe çoroditëse. Ato, herë- herë, jo që janë të paarsyeshme dhe të pakapshme për logjikën e shëndoshë, por të bëjnë që të dyshosh në mendësinë e bartësve të tyre. Në raste të tilla, ai, edhe pse i urtë e i butë, sakaq bëhet i ashpër dhe rebelohet. Kjo është e vetmja e “metë” e tij, sepse nuk është në gjendje të pësojë metamorfozë dhe t’u përshtatet situatave e plotikave ditore. Duke e pasur fare të qartë se krijuesit janë pararojë e popullit dhe se gjithmonë duhet të jenë në shërbim të së vërtetës, ai, përherë pohon:
- Atë që nuk ma ndjen zemra, nuk e thotë goja as nuk e shkruan lapsi!
Shkurt e shqip: shkrimet me porosi nuk i shkojnë fare. Eh, ç’them edhe unë i ziu, jo që nuk i shkojnë, por nuk i do, ore i uruar! Bile, kur i afrojnë një gjë të tillë, pos që refuzon pahezitueshëm, fill i vë gishtin kokës dhe mediton mëdyshëm për mësuesen e jetës: Vallë, kështu qenka shkruar historia?!!!
Kur këto vijnë nga njerëz të rendomtë, nuk e çudisin shumë, sepse ata e bëjnë thjeshtë nga dashuria familjare. Mirëpo, kur kjo ngjet tek intelektualët, që veten e pandehin parimorë e autoritarë, atëherë nuk mund t’i arsyetojë kurrësesi.
Do të ma shkruash një monografi për vëllanë!
Do të ma thuresh një këngë për babanë!
Do të ma hartosh një libër për gjyshin!
Do të ma qëndisesh një biografi për djalin!
Ai, i shikon me habi dhe, kur i vjen keq t’ua thotë hapur, nga frika se po i lëndon shpirtërisht, hesht. Hesht dhe në heshtje refuzon. Kjo “kokëfortësi” dhe ky refuzim intelektual e atdhetar, të shumtën, janë edhe të kushtueshme. Po, po, të kushtueshme që ç’ke me të, qoftë për vetë autorin, qoftë për familjarët e tij. Ata që janë në pozita hakërrohen dhe shfrejnë si të harlisur, kur nuk thurën lavde, të pamerituara, e të paqena, për të afërmit e tyre.
Tekefundit, edhe kur përpiqet të bëjë ndonjë kompromis, përherë duke i qëndruar pranë së vërtetës, i dalin telashet më të mëdha Bardhyl Shpatit.
Pak paske bërë për vëllanë!
Nuk i ke thënë të gjitha për babanë!
Libri për gjyshin ka dalë i zbehtë!
Djali ka bërë më shumë se ato që i ke thënë!
Zakonisht, kështu e qortojnë ata që, në një mënyrë ia kanë bërë ndonjë të mirë. Ah, sa keq! Dhe, për çudi të çudive, kur u jepet mundësia, edhe e ndëshkojnë. Dreq o punë. Ato zemërime tekanjoze zbrazën edhe mbi kurrizin e të pafajshmëve, mbi farefisin e tij.
Sidoqoftë, ai është një oqean që nuk tundet dot nga erërat e stuhitë ndjellakëqija, nxitur nga Posejdoni zemrak. Fjalët dhe veprimet e tyre nuk i honeps dot. Me gjakftohtësi e me maturi i sfidon përpëlitjet e tyre prej çilimiu idhnak. Është tip altruisti, çdo gjë pranon, edhe sakrificën, por kurrë nënshtrimin! Kështu, dalëngadalë, paanshmëria dhe besnikëria për të vërtetën, bën që shkrimet e tij, shpesh të shndërrohen në një bukuri që vret...
-O Zot, sa të babëzitur që janë këta njerëz me orekse të sëmura e me mendësi primitive!- përfundon Bardhyl Shpati, i cili, megjithatë, është i përkushtuar të qëndrojë vertikalisht.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 261 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi