Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Beqir Elshani: Barsoleta të fundvitit
Publikuar më 02 janar, 2021 në orën 01:15 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
1. NEPOTIZMI
– Si e pagëzuat shoqatën tuaj? – e pyeti gazetari organizatorin e shoqatës për mbrojtjen e pasurisë dhe trashëgimisë kombëtare.
– E pagëzuam “Nepotizmi”, – u përgjigj organizatori.
– Emër fort i çuditshëm, mbase e dini ç’do të thotë… “nepotizëm”?! – vazhdoi të pyes me habi gazetari.
– Si nuk e di, quhet “Nepotizmi”, pasi anëtarët e shoqatës sonë janë farefis, siç thuhet, nip e dajë, mik e tezak, besa edhe kumbarë e kushërinj, – tregoi organizatori.
2. EKUACIONET
– Në gjimnaz e mësova tabelën e shumëzimit, në kolegjin e biznesit i mësova ekuacionet, tani jam bërë ministër i financave, di të manovroj me kodin sekret, – kështu tregoi një ministër në qeveri.
– Me siguri meritat i ka marrë brenda javës, prandaj është bërë hajdut me nam, – ndërhyri një deputet.

3. BABAI HAJDUT
– Djem-a, a e dini që baba i juaj është hajdut? – iu drejtua e ëma djemve në shtëpi.
– Ua, sa keq, mëmë! Po ç’vjedhje ka kryer baba që u bë hajdut? – e pyetën djemtë me habi.
– Nuk po e respekton shaminë e Ahtisarit, prandaj është hajdut, – tregoi e ëma.

4. DITËLINDJA
– Më 4 shtator e ka ditëlindjen gjyshi, – brofi mbesa.
– Ua, do ta festojmë, gjysh! – ia priti nipi me gëzim.
– Më vjen keq, për shkak të takimit të Kosovës me Serbinë kriminale në Amerikë, do ta shtyjmë festën e ditëlindjes sime, – tha gjyshi me ironi.

5. TRADITAT
– Po shkelen traditat tona, dikur në dasmë ftohej i zoti shtëpisë, tani po ndodh e kundërta, po ftohet i biri, – e hapi bisedën një mik i vjetër.
– Për habi, Sami Lushtaku, edhe pse i lindur në Drenicën tradicionale, dëshiron të lidhet me Vetëvendosjen, por pa themeluesin e saj, – shtoi miku i tij.

6. KËSHILLA E MËSUESIT
– Ke ndonjë vërejtje për deputetët në kuvendin e Kosovës, i nderuari mësues? – e pyeti gazetari mësuesin.
– Po, kam një lutje për deputetët në Kuvendin e Kosovës, në vend të qortimit ”mshile gojën” duhet thënë ”mbylle gojën”, në mënyrë që ta kuptojnë edhe fëmijët tanë, – tha mësuesi.
– Më mirë është të mos e thonë asnjërën, – ndërhyri gazetari.
– Nuk munden, sepse koka e qeverisë ka kohë që është krimbur, – ia ktheu me zemërim mësuesi.

7. “PATRIOTIZMI” I VALONIT
– Mixhë, çka mendoni për deklaratën e Valon Sylës kundër mërgatës shqiptare? – e pyeti gazetari plakun dukagjinas.
– Valoni vetëm emrin e ka të bukur, për të tjerat është gogol. Valonin e kisha këshilluar që së pari të mësojë abetaren, pastaj të flasë për mërgatën shqiptare, – e qortoi plaku dukagjinas.

8. GABIME LOGJIKE
– A ka ndonjë gabim në fjalinë “Pasanikët po ngordhin prej urisë”? – i pyeti nxënësit arsimtari i gjuhës shqipe.
– Gabime gramatikore nuk ka, por ka gabime logjike, për shkak se pasanikët nuk ngordhin si kafshë prej urisë, por vdesin si borgjezë prej kamjes, – u përgjigj nxënësi.

9. ZGJEDHJET NË KOSOVË
– A thua, kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë? – parashtroi pyetjen një qytetar.
– Nëse fiton LDK me PDK, fiton demokracia, – ia priti simpatizanti i dy partive plaka.
– Çfarë demokracie?! Kosova as kapitalizmin nuk e ka përjetuar, jo më demokracinë, prandaj fiton Vetëvendosja e popullit, – ia ktheu i treti.

10. SKANDALI I THESARIT
– Çka mendoni për vjedhjen e thesarit të shtetit? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Mendoj se për hajdutët e vegjël që vjedhin vogëlsira, mos të dënohen, karshi ministrave që vjedhin me miliona euro, – u përgjigj avokati i popullit.

11. PLAÇKITJA
– A të erdhi keq për thyerjen e bankomatit në Prishtinë, – e pyeti njëri shokun e tij.
– Jo, më erdhi keq që hajdutët nuk patën sukses në dallim me hajdutët e qeverisë që plaçkitën, jo dyqind euro, por dy milionë euro, – ia ktheu i dyti.

12. GRABITËSIT E PARAVE
– Si quhet grabitësi i parave për të ndihmuar të varfrit? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Hajdut quhet, – u përgjigj miku i tij.
– Jo, humanist quhet, – ia ktheu i pari.

13. ARRESTIMI
– A mund t’i lidhësh këmbët pa duar? – e pyeti në tallje njëri shokun e tij.
– Po, së pari duhet sharë qeverinë e korruptuar, pastaj policia t’i lidhë këmbë e duar, – tha i dyti.

14. THESARI I SHTETIT
– Doktor, kërkoj shërim, vuaj nga amnezia, nuk më kujtohet vjedhja e thesarit të Kosovës, të gjitha i kam harruar, – u ankua një qytetar në psikiatri.
– Shpresoj që së shpejti të gjenden paratë, pastaj kujtesa të kthehet me kohë, – ia ktheu neuropsikiatri.

15. BANKOMATI
– Si është e mundur që për thyerjen e bankomatit të vritet një polic, kurse për vjedhjen e parave të mëdha të shtetit nuk u vra askush?! – pyeti një qytetar me zemërim.
– E, polici shkon pas zhurmës në rrugë, nuk shkon pas kodit në qeveri, – ia ktheu qytetari i dytë.

16. GABIM IDEOLOGJIK
– A ka ndonjë gabim në fjalinë ”Unë e dua Shqipërinë, por më shumë e dua partinë time?” – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Në gramatikë nuk ka gabime, por ka gabim ideologjik, pasi që atdheu vjen mbi të gjitha partitë, – u përgjigj nxënësi.
– Pa Shqipërinë nuk ka jetë, ndërsa pa partitë politike atdheu jeton, – plotësoi nxënësi tjetër.

17. KRAHASIMI
– A më i varfër është Hashim Thaçi apo Fatmir Limaj? – parashtroi pyetjen njëri prej të pranishmëve në kafene.
– Mik i nderuar, nuk pyetet a më i varfër, por cili prej tyre është më i pasur, prandaj të dytë janë të pasur, – ia ktheu tjetri në kafene.

18. QENI “BESNIK”
– Ndonëse emrin e kam Jago, megjithatë jam besnik, kurrë nuk e tradhtoj pronarin, – i tha qeni fqinjit qen.
– Atëherë pronari yt duhet të jetë dashamir i Jagos së Shekspirit, – ia ktheu qeni fqinj.

19. EMRI I NAZISTIT
– Si shkruhet shqip emri i nazistit gjerman, Joseph Goebbels? – e pyeti gazetari i huaj gruan, së cilës serbët ia masakruan bashkëshortin me gjithë fëmijët, duke ia ofruar bllokun me laps për ta shënuar.
– “Sllobodan Millosheviq”… – kështu ia shkroi gruaja e pikëlluar.

20. GANDIZMI
– A është e vërtetë që kurrë nuk e keni dashur Ibrahim Rugovën? – e pyeti Albin Kurtin një aktivist i LDK-së.
– Po, bile shpeshherë e kam kritikuar gandizmin e tij politik mu në kohën kur Kosova po përgjakej nga Serbia kriminale, – ia ktheu Albini.

21. DALLIMI I RREZIKUT
– Ku është dallimi në mes tabelës “Duhani dëmton shëndetin” dhe “Rrezik kalimi mbi hekurudhë”? – e pyeti njëri plakun.
– I pari të mbyt ngadalë, i dyti të mbyt shpejt, – u përgjigj plaku.

22. KALI DHE DELET
– A më mirë është të kesh një kalë me dhjetëra dele, apo një dele me dhjetëra kuaj? – e pyeti njëri bariun në fshat.
– Më mirë është të kesh një kalë me dhjetëra dele, sepse këto të fundit të japin qumështin, mishin për ushqim dhe leshin për veshmbathje. Pastaj është më ekonomike, sepse kuajt kërkojnë kujdes të madh dhe shumë ushqim, – u përgjigj bariu.

23. DEMOKRATI
– Koleg, është nder për mua që disa njerëz më quajnë komunist jugosllav, – tha kryetari i LDK-së.
– Lëri broçkullat, ti nuk je komunist, je jugosllav i vdekur, – ia ktheu kolegu i tij.

24. INVERSIONI POLITIK
– Si bëhet inversioni politik në qeveri “Skënder Hyseni, sugari i Isa Mustafës? – pyeti arsimtari studentin.
– “Isa Mustafa, babai i Skënder Hysenit”, – u përgjigj studenti.

25. MIK – ARMIQ
– Si bën shumësi i emrit mik? – e pyeti mësuesi nxënësin.
– Armiq, mësues, – u përgjigj shpejt nxënësi me fjalën e kundërt.

26. MUSTAQET
– Bacë, shkuli mustaqet, se nuk të kanë hije, – ia priti vëllai i vogël të madhit.
– Nëse unë i shkul mustaqet e mia, atëherë ti do t’i shkulësh dhëmbët e tu, – ia ktheu me zemërim baca.

27. KAU
– A të pëlqen vrapimi i kaut? – e pyeti fshatari fqinjin.
– Jo, më pëlqen kur kau ecën shpejt, – tha fqinji.

28. VOTAT PËR QEVERI
– Sa vota i duhen LDK-së për të fituar në qeveri? – e pyeti gazetari analistin e Kosovës.
– Mos e ke fjalën për LVV, përndryshe LDK as gjysmën e votave nuk mund t’i fitojë, – ia ktheu analisti.

29. MESAZHI
– Mesazhi im ndodhet në bythë të filxhanit, mund ta lexosh pas pirjes së kafesë, – kështu e lajmëroi bandilli miken.
– Më vjen keq, enëlarësja filxhanin e kishte pastruar mirë, – ia ktheu e mikja.

30. LIBRA PËR NGROHJE
– Xhaxhai im kurrë nuk blen dru për ngrohje, – e hapi bisedën mbesa.
– Atëherë, me se ngrohet gjatë dimrit? – e pyeti shoqja e saj.
– Librat që i mbledh në kontejner, gjatë dimrit i ndez në koftor, – tregoi mbesa.
– Mjerët ne, të gjitha po i bën kompjuteri, – u ankua shoqja.

31. LIBRAT NË GARAZH
– Ky poeti me mjekër prapa nesh, është autor i dhjetëra librave me lirika, – i tregoi njëri mikut të vet në kafene.
– Shumë libra paska botuar i gjori, a po i shiten? – e pyeti miku i tij.
– Për fat të keq, të gjitha në garazh i kanë mbetur, – shtoi i pari.

32. MUNGESA E BORËS
– Mama, sot isha te meteorologu, – tregoi i biri sapo u kthye prej shkollës.
– Mbase për të ditur motin për nesër? – e pyeti e ëma të birin.
– Jo, e pyeta çfarë ngjyre ka bora, – tha i biri.
– Nuk ke faj shpirt, unë edhe emrin ia kam harruar borës, jo më ngjyrën, – ia ktheu e ëma me shqetësim.

33. PEDOFILI
– Mos deshe të thuash që po i ngjaj demit?! – pyeti me habi një pedofil.
– Jo, jo, nuk i ngjan demit, derrit të fëlliqur i ngjan, – ia ktheu me zemërim qytetari që e njihte maskarain.

34. FOTOGRAFIA ENIGMATIKE
– A beson ti që me të vërtetë reperja ka harruar të vesh rroba të brendshme, prej nga në fotografi duket jo “zogu”, por organi i saj gjenital? – e pyeti gazetari fotoreporterin.
– Kur unë nuk di të zgjidh detyrat e matematikës, detyrohem që arsimtarin ta gënjej se kam harruar, – argumentoi fotoreporteri.

35. FUSTANET E MODERATORES
– Po të kishe dhjetë fustane të moderatores që kushtojnë nga 1000 euro, çdo të bëje? – e pyeti një grua fqinjën.
– Do t’i shitja dhe do të ndërtoja një kasolle për banim, – ia ktheu fqinja.

36. GJOKSI I MJELLMES
– A më i bardhë është gjoksi i mjellmës apo i modelistes? – e pyeti njëri shokun e tij.
– Nuk ka asnjë dyshim që gjoksi i mjellmës është më i bardh, mirëpo nuk të gudulis sikur gjoksi i modelistes, – tregoi i dyti.

37. QENI I BARDHË
– A ka dallim qeni i bardhë me qenin e zi? – pyeti njëri fqinjin e tij.
– Patjetër, qeni i bardhë më së miri dallohet natën, ai i ziu, ditën, – u përgjigj i dyti.
– Prandaj qenin tim të bardhë nuk e lejoj të dalë natën në rrugë, se ma vrasin pisat e zi, – ia ktheu i fqinji.

38. METAFORA E VJEDHJES
– A mund t’ia vjedhësh frymëzimin poetit të lirikave (…)? – kështu e pyeti njëri mikun e tij.
– Së pari, unë nuk jam hajdut, pastaj edhe po të vidhja, nuk do të vidhja, psh. një mace, por do të vidhja në kalë. Prandaj pse të vjedhë një gjë prej “poetit”, kur e di që nuk e ka, – ia ktheu përgjigjen miku i tij.

39. MANTELI I BARDHË
– A më lehtë njeriu mund të bëhet mjek apo mësues? – e pyeti njëri mikun e vet.
– Me mantel të bardhë mund të bëhesh mjek, por mësues kurrë, – ia ktheu i dyti.

40. ZMADHIMI
– A më shumë paciente keni për zmadhimin, apo për zvogëlimin e gjoksit? – i pyeti gazetarja kirurget plastike.
– Uuu, po të mos ishte zmadhimi i gjoksit, do të detyroheshim ta mbyllnim ordinancën! – ia ktheu njëra nga kirurget e ordinancës.

Suedi, 31.12.2020

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 372 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi