‘Liria pa Heronj’, libri i Dr. Sadri Ramabaja |
Publikuar më 20 mars, 2021 në orën 18:58 ( ) |
Kulturë | |
|
|
Parathënie
Esetë e përmbledhura në këtë libër janë shkruar në kushte burgu, në betejën e gjatë që kisha për të mbijetuar si Njeri dhe si Intelektual. Ato janë produkt i bashkëdyzimit koherent të ndërveprimit të ndërdijes në dy rrafshe: atë etik prej studiuesit të fenomeneve politike e shoqërore, dhe të qenit qytetar aktiv, gjithmonë në ndjekje të modelit të intelektualit të Rilindjes sonë dhe atij modern që ndërlidhet me lëvizjen progresive.
Libri që keni në dorë është i ndarë në katër pjesë dhe në tërësinë e strukturës përfshihen gjithsej njëzetenjë kapituj, shtatëmbëdhjetë prej të cilëve janë shkruar në burg. Jo pa qëllim librit i paraprin eseja mbi demonstratat e vitit 1981, pavarësisht se është shkruar e fundit (në burgun e Gjilanit).
Që të katër esetë e përfshira në pjesën e parë, janë një vazhdim i natyrshëm i studimeve të mia në fushën e mendimit politik, para se të përballesha drejtpërdrejt me olhokratët dhe rrjetin e tyre, që tashmë kanë kapur sistemin e drejtësisë.
Vazhdimi i librit me esetë e përmbledhura në pjesën e dytë nën titullin e përbashkët “Republika e qenve”, pavarësisht se titulli na shtyn thellë në histori, është produkt i reflektimeve politike, duke qenë i çliruar nga intenca e gjakimi për pushtet. Lajtmotivi i tyre mbetet fati ynë kolektiv dhe e ardhmja e Shqipërisë së Gjergjit, e cila nuk bëhet dot, së paku jo për aq kohë sa në krye të Republikës vazhdojnë të jenë kjo lagje olhokratësh.
Të gjithë popujt gjatë historisë krijojnë mitet e tyre dhe i kanë fisnikëruar ato ndër vite, ndaj jo rrallë është dëshmuar se ata mund të hidhen në luftë për mbrojtjen e tyre (miteve). Nëse i bëjmë një vështrim kompleks krijimit të miteve, na rezulton se ato qëndrojnë në themel të përfytyrimit tonë për botën, respektivisht janë reflektim i parafytyrimit tonë për botën. Edhe për Hamletin e Shekspirit shumë do të thoshin se është thjesht një krijim, fiksion, ose edhe mit, por që, në një masë të madhe, i përgjigjet reflektimit të së vërtetës.
Akti i Oso Kukës, Perlat Rexhepit, Qemail Stafës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës e deri tek ai i Adem Jasharit, brezave që vijnë mund t’u duket si produkt mitik, por de fakto, siç dëshmon historia, ata ishin reflektim i së vërtetës, shpirtit të rezistencës që prodhoi kombi në epoka të veçanta, e që në një moment vendimtar historik, përmes UÇK-së, krijoi mitin kolektiv.
Jetuam kështu tok, njëkohësisht dy realitete: atë të mitit dhe të qenësishmen — ekzistencialen, duke i mbrojtur në jetë që të dyja. Sa më të përafërta t’i bëjmë këto realitete në jetën tonë të përditshme, aq më të dinjitetshme e bëjmë jetën.
Ndër ne, ky bashkëdyzim i këtyre dy botëve në fund të shek. XX qe shkrirë në tri shkronja: UÇK, që si rezultat solli Lirinë.
Por Republika dhe Liria, funksionalizimi i plotë i tyre, kanë nevojë që mitit mbi trimërinë, flijimin në emër të vlerave, t’i shtojnë atë mbi urtësinë dhe dijen, meqë Republika dhe qytetaria kanë nevojë për mendimin e maturuar.
Në pjesën e dytë të këtij libri është reflektuar mbi realitetin e përmbysur, ku qytetari i thjeshtë lufton për mbijetesë, ekzistencë edhe biologjike! Kjo gjendje me skena mjerimi bie ndesh me vizionin për një Republikë, që kishim ndërtuar në vizionin tonë me vite të tëra. Republika tashmë na është kurthuar në kthetrat e olhokratëve, që për tri dekada vazhdojnë të tallen me demokracinë dhe idealin mbi shtetin e mirëqenies dhe të drejtësisë sociale.
Në krye të Republikës për njëzet vjet rresht u katapultuan marioneta të të gjitha ngjyrave të mundshme e vasalë tipikë, që mund të identifikohen plotësisht me “Ancien Regime Des Generalismus”, të sojit të Esat Toptanit. Në rrethana të tilla, ardhja në pushtet dhe ruajtja e tij sikur kërkon sakrifikim të vazhdueshëm të dinjitetit tonë njerëzor, por edhe hapësirë gjeografike të Atdheut, të bërë torzo ndër vite! Për pasojë, riorganizimi politik, zgjimi dhe përmendja e natyrës revolucionare mbetet mjeti i vetëm politik për çlirimin e Republikës. 6 tetorin e vitit 2019 jam i prirë ta cilësoj si një shpërthim i kësaj vetëdijeje të zgjuar politike.
Pjesa e tretë e librit përfshin esetë, që për objekt trajtimi kanë rivalitetin shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve, që ndërlidhet me ruajtjen e gjeografisë së Atdheut dhe identitetin në njërën anë, dhe me gjakimin e pashuar të palës tjetër për ta zgjeruar lebensraum-in1 e vet në dëm të shqiptarëve, duke pasur si objektiv shtrirjen deri në detin Adriatik.
Në pjesën e katërt kam përfshirë fjalën time të mbrojtjes në procesin gjyqësor nga më atipikët, që Gjykata Themelore e Prishtinës, si instrument i olhokratëve, e përmbylli më 22 janar 2020, plus ankesën që i pata dërguar Gjykatës së Apelit, përmes së cilës theksova faktin se, pretendimi që t’i jepej një fasadë legale përndjekjes politike të oponentëve të pushtetit, me aktgjykimin e shqiptuar nga gjykatës marioneta, nuk kalon dot!
Ky libër, në tërësi, është vazhdim i debatit publik të ndërprerë dhunshëm për fenomenet shoqërore e politike, që de fakto ishin shprehje e shqetësimeve të ligjshme që kisha dhe kam për sfidat që e presin Kosovën në rrafshin gjeostrategjik.
“Studiuesit e shkencave sociale, si të gjithë intelektualët dhe sidomos si të gjithë qytetarët, duhet të angazhohen në debatin publik”, shprehet qartë një nga studiuesit më të spikatur të epokës sonë, Thomas Pikety, në librin e tij voluminoz mbi kapitalin e shekullit XXI.
Historia jonë politike do të ishte tepër e varfër pa një debat të mirëfilltë të kësaj natyre. Natyrisht as ky debat nuk mund t’i shpëtojë “iluzionit shkencor”, nëse për çështje vendimtare të historisë sonë, bie fjala për demonstratat e vitit 1981 apo fenomenin politik “LDK”, e më pas LPK/UÇK, fjalën kryesore nuk do ta kishin politologët e historianët. Edhe në rastin konkret, qëllimi për ta kaluar thelbin e çështjes — “ekzistencën e pakundërshtueshme të një shkakësie të pastër dhe të vërtetë”, nuk na shpie askund. Përvoja historike, edhe në këtë rast, mbetet burimi ynë kryesor i njohurive.
Nuk do të mund të shkruhet historia politike e Kosovës dhe të heshten a neglizhohen deri në përbuzje demonstratat e pranverës së vitit 1981; të heshtet apo përbuzet paralel me këtë roli i grupeve dhe organizatave atdhetare të fshehta, në ndërlidhje me rrjedhën e ngjarjeve politike në vitet pasuese dhe në përmbylljen e shek. XX, me aktin më të veçantë të historisë moderne: çlirimin e Kosovës.
Është me interes të madh të theksohen arsyet reale se përse historiografia, e më pas edhe politika e diplomacia europiane i shmangen cilësimit real të pozitës koloniale të Kosovës përgjatë gjithë shekullit XX. Le të shpresojmë që beteja bipolare, jo vetëm në rrafshin ideologjik të viteve 1917–1989, që tashmë i takon historisë, do t’i hapë rrugë trajtimit shkencor dhe real të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti, ndërsa po hyjmë tashmë në dekadën e tretë të shek. XXI dhe betejat në rrafshin gjeopolitik kanë marrë shtrirje më polarizuese.
Përplasjet e epokës së Luftës së Ftohtë dhe pozicionimi i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në atë kuadër, kur tashmë ajo krijesë është shkërmoqur, gjithashtu i takojnë historisë.
Filozofët francezë të shek. 18-të, që ishin në prapavijë të Revolucionit Francez, i bënin thirrje arsyes si “e vetmja gjykatëse e çdo gjëje ekzistuese”. Ukshin Hoti në esetë e tij brilante të përmbledhura në librin me titullin “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, duke trajtuar pozicionin e kombit shqiptar në Europë, jo pa qëllim kërkon dhe arsyeton statusin e Republikës për Kosovën brenda ish-Federatës Jugosllave, dhe pohon se “për Republikën si njësi e barabartë shtetërore ia vlen të vuaj, duke qenë edhe në ballë të asaj rinie të mrekullueshme”, siç e cilëson ai brezin e Republikës (1981).
Në epokën e shtetit të arsyeshëm, si e cilësojmë sot shtetin e së drejtës, respektivisht shtetin me rend demokratik, filozofi gjerman i ditëve tona, Diter Tome (Dieter Thomä), me të drejtë konkludon se “demokracia është për çështje të mëdha: për çështjen e lirisë dhe për vetëvendosje politike e, rrjedhimisht, meqë ajo është në rrezik, ka nevojë për heronjtë e vet1.
Brezi i politikanëve të rinj dhe i intelektualëve veprimtarë, që janë mbledhur rreth “idealistit të arsyeshëm” Albin Kurti, u dëshmua tashmë i pakompromis me kapësit e shtetit: si brez ai ia ka dalë të kultivojë aktivistë, që ndërkohë janë shndërruar në heronj të demokracisë. Unë kam pasur kënaqësinë dhe nderin të jem krah tyre dhe për këtë ndihem edhe sot krenar, pavarësisht se ky pozicionim imi pati kosto tmerrësisht të lartë për mua dhe familjen time.
Shumë qytetarë shqiptarë me të drejtë janë të shqetësuar për atë se çfarë po ndodh me Republikën dhe, përgjithësisht, me fatin e rendit tonë kushtetues. Por për mbrojtjen e Republikës dhe të demokracisë sonë të brishtë ka nevojë, përveç për shqetësim të ligjshëm, edhe për më shumë impenjim politik. Ne duhet të vazhdojmë të jemi aktivë dhe të mos lodhemi. Më në fund, duhet të fillojmë edhe ne të mësojmë nga vendet e tjera, duke lexuar me kohë shenjat e duhura — edhe ato që simplifikojnë fashistët modernë bashkë me olhokratët tanë.
Historia nuk përsëritet dot. Por ajo, megjithatë, përsërit ngjarje që kanë shumë ngjashmëri. Në këtë libër kam bërë përpjekje të deshifroj këto ngjashmëri, me idenë që ato të njihen, para se gjithçka të bëhen të parikthyeshme.
Duke reflektuar rreth demonstratave të vitit 1981, ndërsa po rishkruaja esenë me titull “Demonstratat e vitit 1981” me nëntitullin “Prologu i revolucionit të vonuar antikolonial dhe Republika”, aty nga fillimmaji i vitit 2020, e teksa po shestoja për jetën e revolucionarëve të brezit tim, përmes hekurave të burgut vrojtoja pamjen e bukur të Gjilanit nga qelia nr. 12 e katit të tretë në lindje, dhe në sytë e mendjes parakalonte herë Nuhi Berisha e herë Behadin Allaqi, duke ia lënë pastaj vendin Ernesto Sabatos. Ky i fundit më vinte i plotë, ashtu siç ishte, i dyzuar përjetësisht, i ri e revolucionar, si dhe Ernesto i plakur, gjeni e tepër racional, por përherë njeri progresiv. Ashtu, i zhytur “në depresionet e zeza, në angështinë dëshpëruese”, me të cilat u përballë gjatë gjithë jetës, mbeti përjetësisht i ndërgjegjshëm dhe e potencoi në njërën nga esetë e tij më të mira, se “vetëm akti krijues” kishte qenë shpëtimi i tij dhe fortesa e tij!
Leximi kritik dhe akti i shkrimit, i përqendruar në esetë politike të përmbledhura në këtë libër, mbeti edhe “shpëtimi im dhe fortesa ime”!
Me këtë rast, dua të falënderoj pafundësisht familjen time, djemtë e mi, Taulantin dhe Lumin, që më furnizuan vazhdimisht me literaturë të re në lëmin e mendimit politik, por që tok ishin të përfshirë, pa vullnetin e tyre, në këtë betejë të jashtëzakonshme, pothuajse sa unë, pavarësisht se në heshtje. Në mënyrë të veçantë, falënderoj bashkëshorten time, Fatimen, e cila veç sakrificave që ka bërë, duke u martuar me një burrë që për profesion ka politikën jo vetëm si shkencë, por atë e ndërlidh gjithmonë me aktivizimin në lëvizjet tona progresive për plot katër dekada (1980–2020), ajo është përballur edhe me luftën speciale të rrjetit të olhokratëve këtu, madje edhe në Zvicër.
Dr. Sadri RAMABAJA
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 1 vizitorë |
Lexuar:
377 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|