Nexhmije Hoxha: Miqësia e Enverit me Eqerem Çabejn |
Publikuar më 27 tetor, 2009 në orën 11:52 ( ) |
Të ndryshme | |
|
|
16 tetori më nxiti t'i kthehem dy ngjarjeve të shënuara që vitit që shkoi 2008, ku u përkujtuan 100 vjetorët e lindjes së dy djemve vërsnikë të Gjirokastrës, Enver Hoxhës dhe Eqerem Çabejt.
Prof. Eqerem Çabej dhe Enver Hoxha, pa diskutim janë dy bijtë më të shquar që lindi Gjirokastra në fillimet e shekullit të 20-të dhe i ka vënë ata në panteonin e bijve të vet më të nderuar, që nga Rilindasit dhe deri te ata që luftuan për Pavarësinë e Shqipërisë nga zgjedha pesëshekullore otomane si dhe ata që luftuan për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e rinj, nazifashistët italo-gjermanë.
Dy djemtë vërsnikë të Gjirokastrës, si atdhetarë të mëdhenj shqiptarë, njëri si politikan tjetri si dijetar, janë jo vetëm krenaria e popullit të kësaj ane, por edhe e gjithë Shqipërisë dhe e kombit shqiptar, për çka ata u dhanë këtyre. Shteti shqiptar heshti dhe i injoroi këto dy ngjarje të shënuara, këto dy personalitete të shquara në realitetin politik dhe kulturor të vendit, siç qenë Enver Hoxha dhe prof. Eqerem Çabej, por shokët, kolegët, miqtë e tyre, si në Gjirokastër, si në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarë, i përkujtuan dhe i nderuan denjësisht për luftën e punën gjysmë shekullore që bënë, njëri në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë, tjetri në rrugën e dijes dhe të shkencës. Po kështu edhe nëpër botë, ku ka dashamirës të Shqipërisë dhe të Enverit, nga një anë, si dhe nga një palë tjetër, bashkëpunëtorë dhe admirues, albanologë të shkencëtarit tonë, prof. Eqerem Çabejt, u organizuan mbledhje e u shkruan artikuj. Në gjithë këto veprimtari një angazhim total pati secili nga ana e familjes së vet. Për familjen time ka qenë një kënaqësi e madhe që i përjetuam me shumë emocion festimet përkujtimore për njeriun tonë më të dashur. U jemi thellësisht mirënjohës gjithë shqiptarëve e miqve të huaj, si atyre brenda e jashtë vendit që na nderuan me pjesëmarrjen e mbështetjen dashamirëse të tyre.
***
Nga kujtimet që ka lënë Enveri nuk rezulton që në fëmijërinë e rininë e tyre në Gjirokastër të kenë qenë shokë, të kenë luajtur bashkë ose të kenë ndjekur të njëjtën shkollë. Është i njohur fakti që të dy ndoqën rrugë të ndryshme për arsimimin e tyre: Enveri shkoi në Korçë, në Liceun Francez më vonë në Francë, në Montpelie, kurse Eqerem Çabej shkoi në Austri, në Vjenë, ku ndoqi studimet e larta.
Eqerem Çabej, i pajisur me një kulturë të gjerë në fushën e gjuhësisë, iu përkushtua totalisht e me pasion sqarimit të prejardhjes e problemeve të tjera të gjuhës shqipe, gjuhës që mbajti të gjallë popullin tonë në shekuj dhe arriti t'i japë asaj baza shkencore. Ky pasion në profesion, por njëkohësisht i bindur për shërbimin e tij atdhetar, bëri që prof. Eqerem Çabej të qëndrojë i mbyllur në punën e vet, i mënjanuar nga Lufta Nacionalçlirimtare, por asnjë çast kundër saj. Askush më mirë e më bukur sesa Enveri nuk e ka përcaktuar qëndrimin e këtij personaliteti të lartë të shkencës sonë, kur ai, në një mbledhje me intelektualë të kryeqytetit e trupën mësimore të Universitetit të ri tha: "Eqeremi mori një kulturë gjermane kur ishte i ri dhe mori rrugën e tij në jetë, ashtu si e gjykonte ai, rrugë e ndryshme nga ajo e jona. Është fakt se ai nuk ka qenë në një radhë me ne, por kur u çlirua atdheu nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve si disa" - tha Enveri shumë i emocionuar, duke vazhduar me vlerësime të larta si shkencëtar e me kulturë të gjerë e për ndihmën që po i jepte shkollës sonë me tekste të një niveli të lartë të gjuhës shqipe dhe me përgatitjen e kuadrove të reja në këtë fushë.
Unë, nga ana ime do të shtoja këtu nga jeta ime ilegale gjatë luftës Nacionalçlirimtare, kur punoja në Tiranë dhe merreshim me afrimin e nacionalistëve, patriotëve dhe intelektualëve progresistë, kisha dëgjuar që disa nga këta kuadro, që quheshin "dojç kultur", duke përjashtuar politikanët që u vunë në shërbim të pushtuesve, e kam fjalën për të tjerë, si mjekë e profesorë, mblidheshin çdo natë në lokale të caktuara ose në shtëpitë e tyre me oficerë të lartë gjermanë dhe luanin deri në agim me karta, poker a ku di unë. Për këto takime na informonin punëtorët e shërbimit, simpatizantë të Luftës Nacionalçlirimtare, madje, në ndonjë rast, edhe vetë zonja e shtëpisë, me të cilën kisha lidhje antifashiste, më pati thënë: "na kanë ardhë në majë të hundës, por s'kemi ç'të bëjmë, vijnë!".
Kurse Eqerem Çabej qe një nga ata intelektualë dinjitozë që qëndroi larg këtyre presioneve e "miqësive" të imponuara".
***
Që në vitet e para pas çlirimit, Enveri më radhën e shumë problemeve të atyre viteve të vështira, u angazhua t'i hapte rrugën e zhvillimit të kulturës. Është e njohur që ai, që në ditën e parë të hyrjes së qeverisë së re në Tiranë i premtoi popullit: "Më shumë bukë, më shumë kulturë!". Dhe këtë premtim e mbajti: zhduku kandilat e analfabetizmin dhe e bëri Shqipërinë me universitet e Akademi të Shkencave e të Arteve. Të më falin lexuesit që fitore të tilla të shtetit socialist po ia atribuoj personalisht Enverit. Jo, unë më shumë se kushdo, mund të dëshmoj se, edhe në rrethana të jashtëzakonshme Enveri punonte dhe mendonte kolegjialisht, me forumet e zgjedhura nga partia. Unë e kam të qartë edhe konceptin mbi rolin e individit në shoqëri, që s'ka të bëjë fare me kultin e individit. Enveri është i pandarë nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe shteti socialist i Republikës Popullore, por unë po përdor këtë gjuhë, emrin e përveçëm të Enverit, sepse këtë gjuhë po përdorin politikanët e sotëm shtetërorë dhe propaganda politike në përgjithësi: gjersa Enverit i ngarkohen gjithë të ligat e të këqijat që janë bërë në këtë vend gjatë gjysmë shekulli, atëherë le t'i njihen, le të flasim edhe për të mirat që i ka lënë Enver Hoxha këtij vendi, si politikan e si burrë shteti, me kulturë të gjerë e vizion të qartë, për të ardhmen progresive, përparimtare të shoqërisë shqiptare. E them me plot gojën, që as në kaluarën, as edhe në ditët e sotme, unë nuk njoh një politikan të lartë shtetëror që të kenë qenë a të jetë afër intelektualëve, njerëzve të kulturës e të shkencave, se sa Enver Hoxha, jo duke iu imponuar atyre, por duke i dëgjuar ata, duke peshuar vlerën e propozimeve, iniciativave të tyre dhe ai, nga pozitat e funksionit të tij, të lartë në parti e njëkohësisht në shtet t'u siguronte mundësitë ligjore, materiale, financiare e mbështetje politike për projektet e tyre.
***
Le të ndalemi te shkenca e gjuhësisë e studiuesit tonë në këtë fushë. Mund të them se Enveri ndiqte drejtpërdrejt e me interesim të veçantë hapat që bëheshin në drejtim të sqarimit të problemeve të gjuhës shqipe, që nga përkatësia e saj e deri në arritjen e problemit madhor të njehtësimit të gjuhës letrare. Ai ishte i vetëdijshëm se për arritjen në këtë majë të gjuhësisë kombëtare shqiptare, duhej - siç thoshte - "ecur shkallë-shkallë" se kjo punë nuk bëhet me "dekret". Enveri kishte bindjen se kjo punë do të bëhej nga gjuhëtarët shqiptarë, te të cilët ai kishte besim, si te Eqerem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj dhe bashkëpunëtorë të tyre, se ai njihte formimin e lartë kulturor dhe shkencor të tyre, përkushtimin lidhur me studimet për gjuhën shqipe, punën kolosale që bënë për tekstet e shkollave që u shtrinë edhe në skajet më të thella të vendit dhe po përgatisnin pranë tyre një plejadë kuadrosh të rinj në fushën e gjuhësisë në përgjithësi e të gjuhës shqipe në veçanti, duke u treguar nxënës e vazhdues të denjë të albanologëve nëpër botë e duke transferuar qendrën e tyre nga kryeqytetet e Evropës në Tiranë, me mbështetjen e plotë të shtetit, po edhe në Prishtinë me iniciativat dhe përkushtimin e intelektualëve kosovarë për zhvillimin e shkencave, lidhur me gjuhën shqipe dhe kulturën e përbashkët të kombit shqiptar.
Kur që në kongreset e para të Partisë në pushtet, Enver Hoxha, në raportin e tij në detyrat për të ardhmen, në radhën e tyre vinte edhe hartimin e tre veprave themelore që do të ndihmonin sistemin e normëzimit të gjuhës letrare, siç ishin: "gramatika e gjuhës së sotme shqipe", "Fjalori shpjegues normativ" dhe "Ortografia e re", kjo nuk do të thoshte se për këto u vendos në aparatin e Komitetit Qendror, apo nga vetë Enver Hoxha. Do të ishte absurde të mendohej kështu, por "lidershipi" - siç përdoret sot - i partisë në pushtet, dëgjonte e merrte mendimin e specialistëve të fushës dhe nga pozita e funksionit politik dhe shtetëror, ai përkrah hekurudhës së parë, hidrocentralit a objekteve të para industriale e në bujqësi, përfshinte në programin e Partisë e në planet shtetërore edhe vepra të tilla, si ato që u përmendën më lart. Po kështu, veprohej për objektivat që duheshin arritur brenda planeve pesëvjeçare ose edhe atyre perspektive dhjetë e pesëmbëdhjetë vjeçare për arsimin, shëndetësinë, kinematografinë, sportin etj.
Me këtë bashkëveprim në mes politikës dhe shkencës u arrit brenda një dhjetëvjeçari të hartohen "Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe" që u botuan si "projekt", i cili qe një kod drejtshkrimor për një gjuhë kombëtare të njehsuar. Ky "projekt" u bë i detyrueshëm për organet shtetërore, për shtypin etj. Por Enveri mendonte se kjo çështje "nuk mund të zgjidhet thjesht në rrugë administrative, por duhet të pranohet nga e gjithë shoqëria si një zgjidhje themelore". Prandaj, sipas porosive të Enverit, "Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe" u diskutuan gjatë pesë viteve në të gjitha rrethet me pjesëmarrjen aktive të organizatave të Partisë, atyre shoqërore, të institucioneve ekzekutive shtetërore, me pjesëmarrjen e gjerë, sidomos të arsimtarëve, krijuesve të letërsisë, punonjësve të shtypit, qytetarë dashamirës për gjuhën letrare shqipe etj.
Zbatimi i këtyre rregullave të drejtshkrimit u vendos edhe në Kosovë e në vise të tjera të banuara nga shqiptarë, të pranuara nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968). Duke u nisur nga parimi "Një komb - një gjuhë letrare", kjo konsultë vendosi "si gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi të njihej "njëzëri" gjuha letrare e vendit amë". Ky qe një hap me rëndësi historike epokale.
***
Kur, në vazhdim të këtij bashkëpunimi pozitiv, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dërgoi në Komitetin Qendror të Partisë propozimin për organizimin e një mbledhjeje të përqendruar shkencore, ku të merrnin pjesë njëzet gjuhëtarë dhe arsimtarë me përvojë, disa nga shkrimtarët dhe gazetarët më të njohur si dhe redaktorë të shtëpive botuese. Gjithashtu, propozohej që në këtë mbledhje të ftoheshin edhe studiues të shqipes nga Kosova dhe arbëreshët e Italisë. Kur u njoh Enveri me këtë propozim modest për një çështje të madhe, me rëndësi mbarëkombëtare e historike, shprehu mendimin të bëhej jo një mbledhje e ngushtë, por një Kongres Shkencor Kombëtar, të cilin ai e përfytyronte si një Kongres i Dytë, në vazhdim të Kongresit të Manastirit (1908). "të dy këta kongrese - tha ai - do të lidhnin dy epoka të mëdha historike - Kongresi i Manastirit vendosi njehsimin e alfabetit, kurse ky "Kongres" i dytë pas 60 vjetësh, do të vendosë për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë letrare".
Ky sugjerim u prit me mjaft entuziazëm nga shkencëtarët e gjuhësisë, të cilët iu vunë punës seriozisht, që nga kryearkitekti i "projektit" shkencor për të ardhmen e gjuhës shqipe, prof. Eqerem Çabej me bashkëpunëtorët e tij të vjetër e deri te gjuhëtari më i ri dinamik, Androkli Kostallari.
Kështu u konceptua dhe u arrit të organizohej Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili i zhvilloi punimet në Tiranë, nga data 20 deri në 25 nëntor 1972, në sallën e Kuvendit. Në Kongres morën pjesë 87 delegatë dhe mbi 300 të ftuar nga të gjitha rrethet e vendit, nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë. Ishin ftuar edhe albanologë të huaj.
Enveri asistoi në Kongres në ditën e hapjes dhe në seancën e mbylljes. Ndoqi me shumë interesim dhe vëmendje referatin dhe diskutimet e shkencëtarëve gjuhëtarë dhe kur nga presidiumi ku isha unë, hidhja sytë nga lozha ku ishte Enveri, pashë që ishte shumë i emocionuar saqë, fshehurazi, fuste në gjuhë ndonjë trinitinë, që i mbante në xhepin e jelekut. Kur u kthyem në shtëpi, ende i prekur, më shprehu përshtypjet e tij për referatin dhe diskutimet, vlerësoi lart kumtesën e Çabejt, duke e cilësuar si "dijetar i shquar i gjuhës sonë dhe me horizont të gjerë mbi trashëgiminë kulturore të vendit".
Ndër të tjerë ai veçoi profesorin kosovar Idriz Ajetin, për të cilin tha (dhe që i ka të shkruara në ditarin e tij): "foli shumë mirë" dhe e cilëson si "luftëtar i shquar i mbrojtjes e i përhapjes dhe më në fund i vendosjes së gjuhës letrare shqipe edhe në Kosovë".
Në pushimin mes seancave të mbylljes së Kongresit atij i thanë se Komisioni Organizues i Kongresit mendonte që "Rezoluta", përpara se të nënshkruhej, t'i nënshtrohej miratimit të të gjithë pjesëmarrësve. Enveri, pasi vlerësoi me fjalë sipërore "Rezolutën" e këtij Kongresi u tha: "Është mirë që atë ta shtypin disa herë, si kopje të parë dhe jo me riprodhim, që çdonjëra të jetë si dokument origjinal, me qëllim që këtë dokument ta ruajmë në institucionet tona, por ashtu si ne, në origjinal ta kenë edhe vëllezërit tanë në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Pa dyshim, edhe ata do ta ruajnë si ne. Njësimi i gjuhës letrare është një fitore e përbashkët e të gjithë pjesëtarëve të kombit tonë".
Është për të ardhur keq, që ende në ditët e sotme vazhdohet të mohohet e të anatemohet çdo arritje pozitive dhe fitore në të kaluarën, gjatë regjimit të pushtetit popullor socialist, në emër të luftës kundër komunizmit, sipas devizës famëkeqe "deri në kuotën zero".
Janë krejt artificiale dhe me prapamendime të liga, që i bëhen Enver Hoxhës, sikur vendimet që mori Kongresi i Drejtshkrimit ishin të imponuara nga ideologjia e tij komuniste si dhe si jugor ishte ai që në bazën e gjuhës letrare vuri toskërishten.
Për të gjithë është e njohur që as profesori i nderuar, iniciatori i hershëm për lëvrimin shkencor të gjuhës shqipe, as edhe ata rilindës e luftëtarë, shkronjat e alfabetin shqip para atij, as profesori i shquar, Eqerem Çabej e shumë nga bashkëpunëtorët e tij, që e ngritën gjuhën shqipe në shkencë, nuk ishin komunistë, por ishin patriotë e njerëz me kulturë, që dashuria për gjuhën shqipe i bëri t'i përkushtohen me pasion shkencës së gjuhësisë. Arritjet shkencore në gjuhën shqipe janë meritë e padiskutueshme e gjuhëtarëve tanë, të atyre në Shqipëri e në Kosovë. Pas këtyre zërave kritikë për mendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, që çuditërisht po vijnë nga Kosova e porsaçliruar dhe e shpallur si shtet më vete, fshihen disa forca që kanë qëllime të errëta, që synojnë kthimin prapa, që kërkojnë prapë ndarjen e gjuhës shqipe në të folmen toskërishte dhe gegërishte, ndarje pas së cilës fshihen qëllime të tjera edhe më të dyshimta, siç është ajo që po dëgjojmë: "copëzimi" i kombit shqiptar, i idealit dhe ëndrrës shekullore të shqiptarëve për bashkimin e kombit, i paska ikur koha, shfaqjet patriotike në erën mondialiste, globaliste , euroatlantike quhen anakronike, teza e prirje këto jo më pak të rrezikshme nga ato që na serviren nga Serbia. Gjuha letrare e përbashkët, unike e shqipes, është aliazhi magjik, i madhërishëm i bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm i respektuar e si i barabartë në Ballkan dhe anëtar i denjë në Bashkimin Evropian.
***
Ndonëse Enveri dhe Çabej nuk shiheshin shpesh, secili i dhënë pas punës, disa herë iu drejtuan njëri-tjetrit dhe komunikuan vazhdimisht si miq.
Kur filloi puna për botimin e veprave të Enverit, redaksia ra në hall, pasi, për shembull, në shkrimet e dy vëllimeve të para, që i përkisnin periudhës së luftës, Enveri ka përzier dy dialektet, duke e bërë këtë me vetëdije, me qëllim që të theksonte se shkrimi, trakti, thirrja për luftë e liri i drejtohej gjithë popullit në Jug e në Veri.
Kur ia thamë këtë preokupim Enverit, si autor që ishte, ai nuk u nxitua të përgjigjej, por iu drejtua Çabejt, të cilit ia pozoi problemin dhe e pyeste: "Si thua duhet t'i unifikojmë?".
"Jo iu përgjigj shkencëtari, shkrimet të ruajnë origjinalitetin e kohës kur janë krijuar...".
Më pas erdhi radha e veprave të mëvonshme, sidomos e kujtimeve, ku Enveri nuk ndalej në të shkruar dhe, ndërsa nxitonte për t'i hedhur në letër, nuk kursehej por përdorte shumë fjalë dhe shprehje nga gjitha frënge. I sugjeruam Enverit t'i përkthenim disa prej tyre në shqip. Përsëri na tha: "Do të marr mendimin e Cabejt...!".
Dhe gjuhëtari i shquar i gjuhës shqipe i tha Enverit: "Jo, nuk është nevoja, është më mirë që të ruhet koloriti i gjuhës suaj në të folur dhe në të shkruar, aq më shumë kur është fjala për shkrime të karakterit personal, si kujtimet, ditaret etj".
Kështu, kur vinte puna për të bërë ndonjë redaktim në këtë drejtim dhe nuk bindej për nevojën e tyre, Enveri na thoshte: "Unë kam leje nga Eqerem Cabej...". Dhe me këtë na e mbyllte gojën. Kjo tregon besimin që ai kishte te miku i tij shkencëtar dhe sa e vlerësonte atë.
Edhe Eqrem Çabej kishte besim në miqësinë e sinqertë të Enverit. Kur iu sëmur djali, ai iu drejtua Enverit, duke i kërkuar ta dërgonte për kontroll në Vjenë dhe ai vajti vetë pa qenë i shoqëruar nga ndonjë person tjetër, si ishte rregulli. Po kështu, kur i ndodhi fatkeqësia të sëmuret vetë, përsëri iu drejtua Enverit ta ndihmonte të shkonte për kontroll dhe kurim jashtë shtetit. Ai u dërgua më shumë se një herë në Itali, ku u operua në mushkëri. Madje, Enveri interesohej personalisht për shëndetin e mikut të tij gjuhëtar, gjë që duket edhe në radiogramin që ai i dërgonte ambasadës sonë në Itali më datën 29 dhjetor 1979, ku thuhet: "T'i transmetohet nga ana juaj profesor Eqrem Çabejt sa më poshtë: Ju uroj nga zemra një vit të lumtur dhe të gëzuar. Ju uroj, gjithashtu shërim të shpejtë e të na kthehesh me shëndet të plotë".
Por vetëm pas 6 muajsh, kur Enveri i uronte mikut të vet shërim të shpejtë, më 1 gusht 1980 kur ne ishim në Pogradec për pushime, sekretari personal i Enverit na njoftoi se kishte marrë në telefon Eqrem Çabejn dhe kërkonte të dërgohej për të tretën herë në Itali, pasi ndjehet shumë keq nga operimi që kishte bërë në mushkëri. Enveri, i prekur për gjendjen shëndetësore të mikut të tij, më porositi t'i telefonoj ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishtit dhe t'i thosha që ta nisnin menjëherë, megjithëse s'kishte shpresa. Enveri i trishtuar më tha: "Po humbasim një njeri me vlera të veçanta shkencore në fushën e gjuhësisë". Më 14 gusht na mori në telefon Ramiz Alia dhe na njoftoi për vdekjen e Eqrem Çabejt. Enveri i bëri telegram Presidiumit të Akademisë së Shkencave dhe një telegram bashkëshortes së tij, Shyhretit. Po ashtu, edhe unë i bëra telegram ngushëllimi asaj.
Ky lajm i hidhur e bëri Enverin të mbyllet në një heshtje të gjatë, që unë e respektova, duke menduar që ai, me siguri, po përjetonte kujtimet me mikun e tij të çmuar. Gjatë kësaj heshtjeje, mua m'u kujtua një bisedë telefonike që bëri Enveri me Eqremin aty nga viti 1978, nëse nuk gabohem. Një natë, pas darkës me fëmijët, u ngjitëm në studio. Një ditë më parë Enveri kishte pasur një nga krizat e zemrës dhe mjekët i kishin rekomanduar të pushojë e të mos shkojë në zyrë. Këto pengesa krijonin tek ai një gjendje shpirtërore jo të mirë, nuk e duronte apatinë dhe shkëputjen nga punët që e prisnin. Edhe këtë natë ai ishte i heshtur, i menduar, i ulur në tryezën e punës, kur papritur më tha: "Do të marr në telefon Eqremin". - "Cilin Eqrem?" - pyeta unë. - "Çabejn" - m'u përgjigj. "Mos është vonë? - vërejta unë. "Jo, -më tha,- s'është vonë për një studiues si Eqremi, që me siguri tani është duke lexuar ndonjë libër për të gjetur çfarë ka ndonjë të re në fushën e studimeve albanologjike". Dhe ai ngriti receptorin dhe kur linja dha sinjalin, filloi bashkëbisedimin: - "Eqrem, jam Enveri, të mora se më mori malli, të të kujtoj herë pas here... Si shkon me studimet?" Unë nuk e di ç'i thosh miku i tij në anën tjetër të telit, por po e shikoja se Enveri po përlotej, siç e kish zakon kur emocionohej. Vazhdoi t'i flasë: "Kam nevojë, mo Eqrem, të shkëmbejmë mendime edhe të evokoj kujtime me miq të vjetër... Unë, si zakonisht, kam shumë punë dhe prapë ndihem i vetmuar... të bën dhe mosha, mo Eqrem". Unë kurrë s'e kisha dëgjuar Enverin të fliste me një gjuhë të tillë, kaq të malluar, me kaq afërsi shoqërore, deri edhe me një farë ndjenje trishtimi, ndoshta edhe sepse ato ditë ishte edhe i pamundur. Në fund Enveri i tha: "Do të dëshiroja të takoheshim. Të pres ndonjë ditë kur të kesh kohë të lirë. Mbaje numrin personal të telefonit dhe më merr kur të duash".
Por fatkeqësisht, nuk kaloi shumë kohë dhe prof. Çabej u sëmur rëndë dhe dy miqtë nuk u takuan dot që të çmalleshin. U çmallëm ne, dy familjet e tyre, duke përkujtuar 100 vjetorët e tyre, si dy djem vërsnikë të Gjirokastrës. Gjithë ato ditë kam kujtuar shoqen time, Shyhretin, bashkëshorten e jetës së prof. Çabejt, e cila edhe ajo iku para kohe dhe i mbeti vajzës së tyre të vetme, Brikenës, të merret me organizimin e festimeve përkujtimore të 100 vjetorit të babait të saj të nderuar dhe të marrë pjesë vetë në intervista e të botojë dokumente e libra, që e nderojnë për kulturën e përkushtimin e saj.
Me këtë rast dëshiroj të përkujtoj disa momente që më kanë pas lidhur me Shyhretin.
***
Është një koincidencë e këndshme që dy vërsnikë gjirokastritë u martuan me dy vajza vërsnike dibrane, të dyja me po të njëjtën diferencë moshe me bashkëshortët e tyre. Unë nuk e di datëlindjen e saktë të Shyhretit, por ne të dyja shkuam në të njëjtin vit në shkollën fillore dhe ishim vajzat e para dibrane që shkelëm zakonin e sheriatit mysliman, të veshjes me çarçaf e mbulimit në publik të fytyrës me perçe e ndoqëm shkollën e mesme të vajzave, Institutin Pedagogjik në Tiranë. Shyhreti ishte rritur dhe edukuar në kushte të ndryshme nga ato të miat, që ishin ato të një nëpunësi të thjeshtë dhe e një shtëpiakeje që dilte me çarçaf e perçe. Kurse babai i Shyhretit ishte tregtar i kamur, njëri nga vëllezërit Turkeshi, të njohur në Tiranë për tregtinë me Turqinë dhe Italinë. Nëna e Shyhretit ishte një zonjë e hijshme, që vishej bukur dhe dilte kokëjashtë ose me kapele. Pavarësisht se ne të dyja u rritëm e u edukuam, në moshën fëminore, në kushte të ndryshme, që në vitet e adoleshencës ne u lidhëm me idetë revolucionare, në fillim nën ndikimin e librave revolucionarë, po edhe nga një shtysë e brendshme për t'i parë të lira dhe të arsimuara vajzat dhe gratë shqiptare. Shtëpitë tona, në rrugën "Qemal Stafa" i ndante një mur i ulët. Ne vinim dy - tre tulla përkëndej dhe andej murit e hipnim, bënim "muhabete" shkolle e vajzash, por atë që kujtoj më fort, për emocionet që na krijonte, ishte kur shkëmbenim fshehurazi fashikuj - fashikuj të librit "Nëna" të Gorkit, përkthyer në shqip nga Tajar Zavalani dhe që botoheshin vetëm kështu, fashikuj - fashikuj, se nuk lejohej botimi i librave të tillë. Këto qarkullonin dorë më dorë në mes të rinjve dhe të rejave, sidomos në mes të vajzave të Institutit Femëror të Tiranës dhe djemve të Gjimnazit. Ishte një ngjarje që elektrizonte të rinjtë, sepse gjatë regjimit të Zogut, përveç disa intelektualëve, që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj dhe njihnin disi letërsinë botërore, masa e të rinjve madje edhe ajo shkollore, ende nuk kish në duar romane të përkthyera, por as edhe të vendit, prandaj bëri aq bujë dhe u lexua po aq me etje edhe romani i Haki Stërmillit "Sikur t'isha djalë" për temën që trajtonte, po që nuk ishte i ndaluar. Ky komunikim mbi mur konspirativ tregon se ne të dyja ishim angazhuar në një rrugë revolucionare, por asnjëra s'i kishim thënë njëra - tjetrës se ishim të organizuara në grupe komuniste, unë me grupin e Shkodrës, ajo me grupin e të Rinjve. Kur nga grupet komuniste po bëheshin përpjekje për pajtim e bashkim në një parti të vetme, shokët e mi drejtues, Vasil Shanto e Qemal Stafa, më ngarkuan mua të shkoja në një takim me një shoqe të Grupit të të Rinjve, më dhanë adresën e rrugës së shtëpisë si dhe parullën (se takimi bëhej me marrëveshje të krerëve të dy grupeve). Kur shkova atje ku më drejtuan, pa pandehur u ndodha para Shyhretit. U përqafuam dhe u çmallëm si dy shoqe të vjetra, por kur i hymë bashkëbisedimit politik, ideologjik dhe organizativ, ne të dyja ishim tepër të impenjuara secila me pikëpamjet e grupit të vet, që e bënin më të vështirë kapërcimin e kontradiktave mes nesh. Bëmë edhe një takim të dytë në një kafe - bar, në hyrje të rrugës "28 nëntori" ose që quhej edhe rruga e Sahatit. Edhe në këtë takim nuk bëmë ndonjë lëshim nga pozicionet tona. Kur u themelua Partia (më 8 nëntor 1941), celula e parë e shoqeve nga shkrirja e grupeve komuniste u bë në shtëpinë e saj. Lufta nacionalçlirimtare mori përmasa të gjera. Ne u ndamë në zona të ndryshme. Shyhreti, më duket, u dërgua pranë çetave partizane të Vlorës. Shyhreti kishte një trup të hedhur, të mbushur, zë të trashë, pushka në krahë dhe gjerdani me fishekë në mes i jepnin pamjen e hijshme të një partizaneje të vërtetë, trime në luftë, e dhembshur dhe gjithnjë e gatshme për të ndihmuar shokët e plagosur.
Unë, vetëm gjatë vitit të fundit 1944, në pamundësi të vazhdoja punën time ilegale në Tiranë, kalova me punën e rinisë në brigadat partizane dhe i rashë me këmbë pothuajse gjithë Shqipërisë së Mesme që nga Elbasani, Korça (Panariti), Skrapari e gjer në Përmet e Zagori pastaj në kthim deri në Dibër. Gjatë gjithë këtyre viteve të luftës dhe në vitet e para të çlirimit unë nuk u interesova se si i kishte kaluar këto vite. Shyhreti ka pasur disa peripeci me Partinë dhe unë nuk ia fal vetes që nuk kam treguar interes e guxim për ta ndihmuar dhe mbështetur. Kur dëgjova se ajo ishte martuar me prof. Eqrem Çabejn u gëzova se më në fund, Shyhreti kishte gjetur qetësinë e sigurinë që meritonte, si grua e dashur tepër e sinqertë, e hapur dhe me një kulturë të denjë për të qenë bashkëshortja e një dijetari.
Në këto kushte të reja, u përpoqa të lidh hallkat e këputura të miqësisë, vonë, por më mirë vonë se kurrë. Qëlloi që disa takime të bëheshin në raste të dhimbshme. Shyhretit i vdiq e motra më e vogël se vetja, ende pa krijuar familje. Nekën unë e njihja që kur bënte pjesë në skuadrën e korrierëve më të besuara pranë Komitetit Qendror të Partisë për Tiranën, vajza të reja, të shkathëta, të zgjuara, të guximshme që merreshin kryesisht me shpërndarjen e materialeve propagandistike të luftës, buletine, trakte etj. E tillë ishte Neka. Shkova e ngushëllova Shyhretin. Por kur ndodhi fatkeqësia e hatashme, humbja e djalit të vetëm, i shkova për ngushëllim jo vetëm si shoqe, po edhe si bashkëshorte e Enverit, në emër të të cilit i transmetova ngushëllimet asaj dhe prof. Çabejt. Kur u kthyem nga pushimet i shkova edhe një herë për ta ngushëlluar gojarisht. Edhe pas humbjes së bashkëshortit të saj, Shyhreti përsëri kërkoi mbështetjen tonë për çështje familjare dhe ne bëmë çmos për t'ia plotësuar. Në 100 vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt ishte një surprizë e bukur për publikun edhe për mua, botimi i libërthit elegant me sonete që shkencëtari ia ka kushtuar gruas së vet, Shyhretit. Ishte surprizë, se e njohëm edhe si shkencëtar edhe si poet, me poezi që të japin kënaqësi të thellë për shijen e hollë e stilin e veçantë estetik. Fakti që i shoqi i ka kushtuar Shyhretit sonete dëshmon se ajo kishte gjetur lumturinë në jetën e saj. Cila grua në botë në botë nuk do të ishte e lumtur, kur burri i saj i kushton poezi dhe letra dashurie, si në ditët e para të njohjes dhe deri në pleqërinë e bardhë!? |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 30 vizitorë |
Lexuar:
3,448 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Duam Përgjegjësi |
E mart, 23 mars 2021 - 21:08 Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le... |
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ... |
E diel, 21 mars 2021 - 15:45 40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit
Poliklinika 3L, hist... |
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q... |
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04 JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA... |
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE... |
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01 Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda!
Profesorin e nderuar, pata fatin që t... |
më shumë nga - Të ndryshme » |
|
|
|
|
|