Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Me propozimin e “Ahtisarit” - Kosova në thika
Publikuar më 07 shkurt, 2007 në orën 22:33 ( ) Prof. Dr. Muhamet Pirraku | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
”Të gabosh dhe të mos korrigjohesh,
do të thotë të gabosh përsëri”

Konfuqi


Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Dokumenti “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e
Kosovës”, të cilin përfaqësuesi i OKB - z. Marti Ahtisari e “shpalosi” në
Beograd dhe në Prishtinë, më 2 shkurt 2007, siç u pa nga paraqitjet e
“Ekipit të Unitetit të Kosovës”, shpreh pjesën më të madhe të kërkesave të
këtij “Ekipi” - Në emër të Kosovës dhe të kombit shqiptar!?!

Duke lexuar “Propozimin...” u ribinda se konstatimi im në referatin për
Tribunën shkencore: “Arrestimet e pjesëtarëve të tmk-së Ç’është kjo?!, më
27 shkurt 2004, ishte i menduar mirë: “Kam mbështetje dhe kredibilitet
shkencor ta për­mbyll këtë kumtesë me konstatimin: Për nënshkruesit e këtyre
akteve (Marrëveshjen e Rambujes, Aktin e demobilizimit të UÇK-së dhe
Kornizën Kushtetuese të Kosovës) duhen shtigje të gjata për të realizuar
dëshirën dhe aspiratën e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.
Dhe, për ta shpejtuar procesin e realizimit të së drejtës për vetëvendosje
për Pavarësinë e Kosovës, hap i parë drejt zgjidhjes së Çështjes shqiptare,
akt moral, politik dhe pa­triotik i tyre është: Demisioni nga pretendimet,
hëpërhë, të jenë Kreu i patjetërsueshëm në qeverisjen dhe në vendim­marrjen
për fatin e Kosovës. Të gjithë aktorët nuk bartin faj të njëjtë, të
barabartë para popullit dhe para historisë (...) Kosovës i duhet liria dhe
pavarësia pa shtyrje deri në rraskapitje të popullit. Kërkesa për shtetin e
Kosovës është mini­mu­mi i kërkesave të tolerueshme nga një pjesë e ma­dhe e
popullit, aktualisht. S’ka durim të pafund. Luftës së partive për pushtet pa
shtet duhet dhënë fund. Kjo do të ishte fitore e pritur edhe për një pjesë
të mirë të UNMIK-ut. Ndaj, sa më parë, aq më faqebardhë”!

Në Kosovë, dikur, ishte një Profesor Abdullah Zajmi, i cili kur
donte të shprehte mendimin e tij për diçka që nuk ishte kompetent, thoshte:
“Nuk di të maroj vo, por e di se cila vo asht ngllujkë...!” Kjo sentencë i
flenë mirë edhe hapit tim këtu.

Të ecim ngadalë. Ndonëse “Propozimi i Ahtisarit” mëton
kushtetutshmëri, është, nis e sos, akt politik e diplomatik që shpreh
arsyet e forcës dhe jo të përqasjes demokratike për zgjidhjen e një
çështjeje historike dhunë ndërkombëtare, siç është Çështja e Kosovës dhe
Çështja shqiptare në përgjithësi. E keqja ka nisur herët, në Dejton dhe
është çimentuar në Kumanovë e në Rambuje. Në angazhimet e mia detyrë nga
koha, më se një herë kam theksuar se shpërbërja e përgjakshme të
Jugosllavisë Avnojiste, u bë qartë me thikat e kombit serb në përgjithësi
(Le të më falë Lagjja e madhores Natasha Kandiq në gjirin e kombit serb, për
krejt atë që do t’ia adresoj këtij kombi!), Ndaj ky komb është dashur të
dënohet meritueshëm, më së paku në shembullin që u dënua kombi gjerman për
krimet naziste hitleriane. Pas gjenocidit të pa parë në Evropë, kurrë, në
Bosnje dhe në Kosovë, Serbia është dashur të sillet në kufijtë etnikë së
fundi me Marrëveshjen Ushtarake Teknike të Kumanovës midis komandës së
NATO-s dhe Komandës së fantomës “JU”, të pa ekzistuar së paku nga viti 1992,
prej kur nuk kishte as shtet të Jugosllavisë?!?

Nga “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e
Kosovës” as mund të përfytyrohet fakti historik se Kosova është një pellg i
gjakut shqiptar i derdhur nga kombi serb me kishën ortodokse instrument
mobilizues terrorist. Ndërmjetësuesi për “Statusin e Kosovës” është dashur
ta dinte faktin se nuk ka vëllazëri shqiptare që së paku një herë nuk është
përgjakur tmerrësisht nga dora serbe. Me fjalët e Kenedit të Madh, mund të
pajtoheshim: “Armiqtë duhet t’i falim, por kurrë të mos ua harrojmë
emrat…!”, kurse Ekipi i Ahtisarit shtron platformën politiko-moralizuese për
shlyerjen e kujtesës së tmerrshme të kombit shqiptar pa e dënuar kriminelin
dhe pa e paguar krimin. Faktori i Vendosjes evropiane - ndërkombëtare
Serbisë dhe kombit serb duhej t’u thoshin: Kosova është vend i pushtuar me
luftë e me tradhti, më 1912, 1918, 1945 dhe më 1989, koloni serbo-jugosllave
me donacion politik, diplomatik e ushtarak evropiano-rus e çliruar me luftën
e UÇK-së -NATO-s më 1999. Apetitet serbomëdha shekullore për territore të
huaja është dashur, së paku tashti, të topiten përfundimisht dhe jo të
ushqehen, siç ndodhi me Dejtonin e Rambujen, të kulmuar me perfiditet
diplomatik e politik në “Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për
Statusin e Kosovës”.

Dhe, tashti, tri pyetje të qarta duhej bërë Faktorit
“demokratik” të vendosjes sot: Cilit komb (shtet) i ka borxh (tokë e pjesë
të kombit) kombi shqiptar?; Në sa shtete ka pjesë të Atdheut dhe të kombit
shqiptar? Dhe, Kombi shqiptar ( i ndarë e i copëtuar me dhunë ballkanike e
ndërkombëtare imperialiste e kolonialiste) a duhet të gëzoj të drejtën
natyrore e politike për ribashkim - i bashkuar në Evropën e Bashkuar, ëndërr
gjithëshqiptare? Statusi “vetëqeverisës“ i Kosovës, që disejnohet sot, edhe
po të kthehej që sot në shtet të pavarur me pranim ndërkombëtar, kështu siç
është projektuar në “Propozimi Gjithëpërfshirës...”, do të jetë “ishull” pa
zotshtëpije, “shtet” mbi thika, - pa identitet kombëtar, pa rehati, pa
drejtësi, pa siguri, plotë anarki, pa liri. Këto evenimente mund e duhet të
sigurohen me ligje e me zbatim të ligjshmërisë dhe jo me sanksione të
dhunshme. “Është një dëshirë e çuditshme të kërkohet fuqia e të humbasë
Liria…” do të na qortonte i famshmi Bacon.

Shumë lekë, shumë mund, shumë fukarallëk, shumë korrupsion dhe
shumë pasiguri kanë prodhuar Të fuqishmit për shtatë vjetët e KFOR-it dhe të
UNMIK-ut në Kosovë, për faktin se mungoi qasja e duhur, hapi i duhur dhe
vendimi i duhur: Emërtimi i fajtorit dhe i shkallës së dëmit të tij në
Dosjen “Kosova”. Pa këtë specifikim nuk mund të pritet jetë as ardhmëni për
“shoqërinë multietnike” të ideuar nga ata që në shtetet e tyre ende mbajnë
të kurthuar etni dhe pjesë të kombeve të copëtuara. Qartë, është e padrejtë
historike lënia e Kosovës në një vartësi tjetër ndërkombëtare protektoruese
evropiano-botërore, (PCN, GDN, PUN etj) me identitet “vetëqeverisës” - rast
sui generis eksperimental për një kohë që nuk mund t’i shihet fundi me qasje
demokratike - me shprehjen e vullnetit të popullit me Referendumin për
Vetëvendosjes.

Meqë përqasja ndaj Çështjes së Kosovës është gabim ndërkombëtar që në
zanafillë, “Propozimi Gjithëpërfshirës...” nuk ka mundur të dizajnohet
ndryshe dhe as pres ndonjë korrigjim esencial. Përkundrazi, topi tashti
është në anën e Beogradit dhe “Porta e Kosovës” as ka pasur as do të ketë
portier për të qenë. Megjithatë, mendoj se “Grupi i Unitetit”, së fundi
tashti, nuk duhet të mbetet edhe më tutje “transparent’” ndaj popullit të
vetë, siç ishte deri tashti - Zëdhënës shumë besnik i Ekipt të Ahtisarit që
polli “Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”-
sanksionim i gjendjes së sotme, faktike, në Autonomi Substanciale nën
Protektoratin Ndërkombëtar, hap fillestar për shtetin e Kosovës që një ditë,
në një mot të pritshëm, do të gdhijë “e pavarur” mbi gjithfarë thikash,
kurrë sovrane as e tërësishme.

Çështja e Kosovës nuk është problem ekonomik - social, as kishtar serb, siç
reflekton “Propozimin Gjithëpërfshirës...”, por është problem historik
kolonial. Athua Ekipi i Ahtisarit nuk i ka kuptua kurthet e merimangës serbe
të pangopur me gjakun shqiptar?! Për këto kurthe Zotëri Ahtisari i ndershëm,
nëse nuk i ka ditur, është dashur të mësonte nga dosjet e ekspertëve të
historisë së “Grupit të Unitetit”. A i ka pasur këta ekspertë “Grupit të
Unitetit”?!? Pse nuk i ka pasur?! Me historianë guxharë politikë nuk mund të
mposhten “të vërteta historike serbe” të mbrojtura nga Batakoviq
Milosheviqi.

Tashti të ndalem në pak çështje të diktuara për “Kushtetutën e Kosovës”. I
përdora dhe do t’i përdori thonjëzat sepse ajo nuk mund të jetë kushtetutë
duke përligjësuar qëndrimet dhe vendime politike eksperiment ndërkombëtar jo
demokratike. Çdo gjë që del nga dokumentet ndërkombëtare në fuqi, OK edhe
për Kosovën! Çdo nen i dokumenteve ndërkombëtare që janë në fuqi për të
drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare OK edhe në Kosovë! Pyes të
nderuarin Ahtisari: Në cilat kritere keni mbështetur pikën 6 të Nenit 1
(Dispozitat e përgjithshme): “Gjuha zyrtare në Kosovë do të jenë gjuha
shqipe dhe serbe”?!? Cili është kriteri demokratik dhe juridik i Juaji për
këtë diktat?! Në Kosovën aktuale mbi 95% e popullsisë (së paku tri
komunitete Tuaja - shqiptarët, hashkalinjtë dhe egjiptasit) shqipe e kanë
gjuhë amtare. Edhe goranët dhe bosnjakët e Kosovës i përkasin trungut etnik
iliro-shqiptar. Rreth 98% e popullsisë së Kosovës janë të besimit islam.
Ndaj, si mund të quhet “multietnik” një vend me një monolitet etnik,
gjuhësor e fetar të tillë, historikisht dhe sot siç e ka Kosova?! Vërtet,
nëse dikush nga Ekipi i Ahtisarit dëshiron qoftë edhe “Autonominë
Substanciale të Kosovës nën Serbinë”, nëse mbretëron demokracia dhe jo
shtypja, jo dhuna, ajo njësi administrative duhej ta kishte gjuhën shqipe
për gjuhë zyrtare, e lë më “Shteti i Pavarur e Sovran” i “Ekipit të
Unitetit” të Kosovës!?!

Në këtë dokument nuk janë saktësuar qartë as burimet e “Buxhetit të
(pa)konsoliduar të Kosovës”. Shteti që nuk do t’i administrojë pa barrikada
ligjore as doganat, as tatimet, as TVSH-në, a mund të quhet shtet dhe si
mund të qëndrojë ai shtet?!?

Nën pikën 7 të Nenit 1 (Dispozitat e përgjithshme): “Kosova do të ketë
simbolet e veta të veçanta kombëtare...”!? Kjo është në kundërshtim fund e
krye me tërë tekstin e “Propozimin Gjithëpërfshirës...”, në të cilin mungon
koncepti filozofiko-historik “komb”. Realisht, në këtë dokument Çështja
historike kombëtare shqiptare e Kosovës është vijëzuar fund e krye si
Çështje historike e kishës serb qartë në pronësi të Serbisë. Dhe, nuk është
njerëzore as në logjikën e demokracisë që një pakicë prej rreth 3.7%, sa
ishin serbët në Kosovë më 23 mars 1989, (kur Kosova me grusht politik dhe
ushtarak u futë nën pushtetin e Serbisë), sot ndërkombëtarisht të shpallët
zotërues - pronar juridik i mbi 30% të sipërfaqes së Kosovës aktuale, ku
Serbia do të fshijë lëmë thiu, në mënyrë legjitime me pranim ndërkombëtar
mbi mbështetjen “kushtetutare” të Kosovës. Serbëve, faktikisht, do tu jepet
edhe më shumë se kaq, sa po të hyjë në zbatim Pika 5 e Nenit 8 të Dispozitat
e përgjithshme, mbështetur në pikën 6 të Nenit 1 të Aneksit I. Dispozitat
Kushtetuese.

Këtu qartë parashihet rikolonizimi ndërkombëtar i Kosovës me elementë serbë
kriminelë të Kroacisë e të Bosnjës, të cilët i sistemoi pushtuesi serb në
Kosovë, si nëpunës, xehetarë, punëtorë, në vendin e shqiptarëve të ndjekur
nga puna në vitet e aparteidit. Dhe, çfarë kthese historike dhe politike
sshënon data 1 janar 1998, kur dihet se Kosova, veçanërisht nga 23 marsi
1989 deri më 1o qershor 1999, ka përjetuar mbi një decenie të aparteidin, të
dhunës, të gjenocidit ekonomik, arsimor, shëndetësor e kombëtar, të
ndjekjes, para syve të botës, së rreth 480 mijë shqiptarëve të Kosovës.
Këta dhe fëmijët e tyre do të mbesin apatridë, pa të drejtën njerëzore për
t’u kthyer në trojet stërgjyshore të lara me gjak shqiptari nga dora serbe.

Mund të quhet padrejtësi absurde fakti, dhunë politike ndërkombëtare ndaj
95%-shit të “komunitetit” shqiptar, i cili në “Parlament” do të përfaqësohet
më me pak se 70% të ulëseve. Dhe, ku zbatohet, në botë, ajo që urdhërojnë
Pikat: 2, 3,3.1, 3.2 të Nenit 3 (Aneksi I. Dispozitat Kushtetuese). A mund
të jetë efektiv Kuvendi me ato ingerenca të “komuniteteve” pakicë?!?
Shtrohet edhe pyetja: cila është përqindja e pakicave brenda komuniteteve
për të realizuar të drejtat sipas pikave: e), f) dhe i) të Nenit 3 si dhe
Pikës 4 të Nenit 4 (Aneksi II. Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të
tyre). Pse të mos merret në zbatim ndonjë ligj i Evropës, të cilën me plotë
gojën e thërrasim “Demokratike”?! Jo precedencë, jo hava, sepse dalin
telashe. Dhe, nëse konsiderohet i drejtë urdhri në Pikën 5 të nenit 4 i
Aneksit II. Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre), ku 10%-shi i
pakicës në komunë fiton postin e nënkryetarit, pse kjo përqindje nuk merret
edhe në nivel të vendit, të Kosovës.

Sa i përket urdhrave në “Aneksin III. Decentralizimi” mjaftohem vetëm me një
pyetje, që dua përgjigje për pasardhësit tanë në Kosovë: Ku ekziston një
decentralizim i këtij surugati? Neni 4 - “Kompetencat e zgjeruara vetanake
komunale” është legalizim i autonomive të enklavave me pushtet serb paralel
unmikian sot, copëtim i tërësisë së sigurisë, të ekonomisë dhe të shoqërisë
“multietnike” të Kosovës. Vërtet, nëse serbët ndahen kaq fuqimisht prej
etnive të tjera, prej komuniteteve të tjera të Kosovës, dhe veçanërisht prej
shumicës shqiptare absolute, pse të përdoret koncepti “multietnicitet” edhe
në preambulën e “Kushtetutës së Kosovës”?!?

Ngritja e Universitetit serb në “Veri të Mitrovicës” do të thotë stop
mundësisë për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, kurrë jetësimi i
pajtimit serbo-shqiptar, do të thotë shoqëri dhe shtet mbi thika, kur
siguri! Për këtë flet shembulli nga historia: Ngritja dhe aktiviteti i
“Bogosllovisë” në Prizren, më 1871, me donacione të propagandës ruse të
grumbulluara në Fondin “Sveti Sava”. Bota që kishte njerëzi, ajo e lagjes së
Mis Durhamit, çuditej dhe pyeste: Çfarë logjike ka një shkollë e lartë
fetare, me nxënës të sjellë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja etj. në një mjedis
thjeshtë shqiptar?!? Së këndejmi Kosovës do t’i kushtojë shtrenjtë edhe
arsimimi i serbëve të sjellë nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, e të
cilët kurrë nuk do të integrohen në shoqërinë “multietnike të Kosovës”. Nuk
ka integrim duke jetuar dhe duke vepruar ndaras dhe në rivalitet politik dhe
armiqësi potenciale.

Dhe një gjysmë pyetje: Nëse komuna do të mbledhë “detyrimet doganore” (Pika
8.2 Aneksi III. Decentralizimi), çka më tutje me Shërbimin Doganor të
UNMIK-ut. Të shpërndahet?!? Ndërkaq “Shtojca e Aneksit III. Përcaktimi i
kufijve të komuniteteve të reja” shënon kulmin e marrisë së shekullit të
integrimeve, ndarjen etnike të Kosovës në një pamje që nuk e njeh historia e
përkufizimeve administrative as shtetërore në mbarë botën, kurthe për
ardhmëninë e Kosovës si shtet normal, demokratik e me perspektivë humane.

Nëse serbët në Kosovë, më 23 mars 1989, ishin rreth 3.7%, sot janë më pak,
duhet pyetur ndërgjegjja demokratike e njerëzimit: Sa është demokratik,
lirifarkëtues dhe shtetformues fakti që në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku
duhet të matet drejtësia me peshoren më të sigurt, serbët do të përfaqësohen
me 15%, e në asnjë rast më me pak se 3 gjyqtarë, kurse në gjyqet e qarkut me
15% e në asnjë rast me më pak se 2 gjyqtarë serbë (1.1, 1.2 Aneksi IV.
Sistemi gjyqësor)?!? A ka kjo shembull në botën e lirë?!

Detyrimet nga “Aneksi V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, jo 30 por mbi
35% të Kosovës e kthejnë në “Shenjtëri të Serbisë”, të paprekshme për
komunitetet e tjera, joserbe, të Kosovës, poor veçanërisht të huaja,
inorganike, për “komunitetin” shqiptar -specialitetin ahtisarian. Sipas
logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare” shqiptarët e
Kosovë dalin hajvanat, as të Krishtit, as të Muhamedit, as të Evropës, as të
Azisë. Çdo popull që nuk ka të kaluar nuk mund t’i falet e ardhmja. Sipas
logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, duhet të pyetën
italianët (si trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Romake), grekët (si
trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Bizantine) dhe turqit (si
trashëgimtarë legjitim të Perandorisë Osmane) a kanë lënë diçka të kohës dhe
të civilizimeve në Kosovën e robëruar me shekuj prej tyre? Po
iliro-shqiptarët a dhanë diçka për juve dhe për vetën nën robërinë Tuaj?

Zotërinj të Ekipit të Ahtisarit!

Shqiptarët e Kosovës ishin të krishterë, kur krishterimi ishte një dhe i
pandarë, u bënë të krishterë ortodoksë bizantinë kur dominoi fuqia e
Bizantit dhe u kthyen me dhunë shtetërore në të krishterë ortodoksë
shënsavianë nën trysnin gjenocidiale shtetërore të carëve nemanidë. Në Kohën
e re, për të mos u serbizuar nga kisha ortodokse serbe, shqiptarët ikën
masovisht nga kisha ortodokse shënsaviane, kaluan në Islam, kryesisht në
kohën kur Patrikana Ortodokse e Pejës, me presione të Rusisë dhe të Evropës
mbi Perandorinë Osmane, siguroi ingerenca të plota që ndjekësve të kishës
mesjetare shënsaviane t’ua detyrojë përkatësinë e kombësisë serbe, pra, të
rivazhdojë procesin e serbizimit të shqiptarëve i ndalur me shpartallimin e
Perandorisë së Car Dushanit dhe pikërisht në vitin 1371, kur nga mjedisi
shqiptar i Kosovës u tërheq qendra administrative dhe arsimore e Kishës
serbe dhe vendosja e saj në Zhiçë të Shumadisë, mjedis ky etnik serb.

Serbët e kohës së carëve nemanidë (iliro-vllehë) në Kosovë ishin vetëm
pushtues, si të gjithë të tjerët para dhe pas tyre. Realisht, pushteti i
tyre shtetëror dhe kishtar u lëkund nga Kosova para se të vinin të Turqit
Osmanë. Dhe, as pushtuesi i parë, romak, as i fundit, serb i fillim
shekullit XX, Kosovën nuk e gjeti djerrinë. Ata në Kosovë gjetën fshatra e
qytete të lulëzuara, kështjella dhe objekte të kultit. Tashti logjika e
“Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, serbët dhe Serbinë i bënë
trashëgimtarë të të gjitha të mirave të civilizimeve para islame në
Kosovë?!?

Vërtet, sipas logjikës së “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”,
edhe të mirat kulturore të proveniencës islame e osmane janë të turqve. Le
të vijnë për to, të mos vonohen, udhën e kanë të hapur nga Z. Ahtisari!?!
Tani, ndërgjegjja botës demokratike do ta kuptojë edhe më mirë se toka e
Kosovës e larë me gjakun e shqiptarëve gjatë shekujve nuk mund të jetë pronë
e robëruesve që e derdhën atë gjak. Sipas logjikës së “Aneksit V.
Trashëgimia kulturore dhe fetare”, Edhe KFOR dhe UNMIK duhet t’i marrin me
vete ato të mira që u ngritën në Kosovë në kohën e administrimit të tyre.
Hiq kohën, ka shumë ngjashmëri midis administrimit romak, bizantin, nemanid
serb dhe turq osmanë dhe këtij të UNMIk-ut.

Mjerisht, “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”, si edhe mesazhi i
tërë tekstit “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e
Kosovës”, shqiptarët i damkos si dhunues historikë të kishës e të qenies
serbe në Kosovë, të papërmirësueshëm, para të të cilëve duhet ngritur
barriera më shumë se për derrat para misërishtës. Në kishat dhe manastiret
ortodokse shqiptarët dhe Kosova më nuk mund të kenë qasje, sepse ato do të
jenë “...si pjesë integrale të Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd”
(Pika 1.2 e “Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”), dhe Kosova do të
ketë qasje në ato “...vetëm me pëlqimin e dhënë nga Kisha, në rastet e
urdhrit gjyqësor të lëshuar në lidhje me aktivitetet ilegale...” (Pika 1.5
“Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”)!? Pyes: Cili gjyq, cila forcë
guxon të thyejë “diskrecionin” (fshehtësinë) në punët e kishës serbe?!? Së
fundi, cilës etni do t’i përkasin policët e SHPK-së që do të kujdesën për
sigurinë e kishave, manastireve dhe zonave eksterritoriale serbe si “zona të
mbrojtura”, të cilat e mbulojnë Kosovën anë e këndë?!? Sigurisht, shqiptarë
jo.

A ka shembull në botë që një vend, në shtet që premton liri, rend,
demokraci, siguri qytetare të plotë, “standardeve evropiane” - plus, siç
mëton “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”,
të parashihen kaq mure ndarëse, kaq pengesa, për zhvillimin e jetës
qytetare normale sa sanksionojnë urdhrat nga Pikat: 4.1.4; 4.1.5;
4.1.6;4.1.7 të Aneksit V. Trashëgimia kulturore dhe fetare.

Më lartë thashë se shqiptarët e Kosovës në periudhën paraislame ishin të
krishterë unit, të krishterë ortodoksë bizantinë dhe të krishterë ortodoksë
shënsavianë. Kishat dhe manastiret e Kosovës janë ndërtuar dhe rindërtuar
për nevoja të tyre. Së këndejmi edhe i kanë mbrojtur, deri me pushtimin serb
të Kosovës, më 1912, si shenjtëri shqiptare. Ndaj, pse tu merren këto të
mira nga trashëgimia e tyre fetare kulturore?! Dhe dihet qartë se “Monumenti
memorial i Gazimestanit” është dhunë politike i Jugosllavisë avnojiste nga
fillimi i viteve të ‘5) të shek. XX, i “kushtuar” për një fitore të
imagjinuar të kryqit mbi gjysmëhënën. Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389
nuk ka ekzistuar. Kjo është gënjeshtër e oborrit mbretëror të Sulltan
Muratit I dhe e oborrit të shqiptaro-vllehut të serbizuar, Lazar Hrebacit.
Vrasja e Sulltan Muratit me disa përkrahës brenda në rezidencë dhe vrasja e
Lazarit me disa krerë shqiptarë e vllehë brenda rezidencës, është komplot
sipas marrëveshjes Bajazidi I - Vuk Brankoviqi. Nëse edhe Turqit e rrethojnë
“Tyrben e Sulltan Muratit”, ku i biri vrasës ia “varrosi” plancin, atëherë
në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë mund ta presim laurën (zastojen) e
solidaritetit shekullor serbo-turk në rastet më kritike për qenien
shqiptare. Kjo është edhe mesazhi i “Planit Ahtisari”.

Dhe, a ka dhunë më përfushe se të futën nën “Zona të Mbrojtura” prej Serbisë
dy kalatë me themele shekuj paranemanide serbe, me vazhdim turk-osman:
“Kështjella mesjetare e Zveçanit” dhe “Qyteti mesjetar i Novobërdës”
(Artanës)??!? Dhe, cila është “Ura mesjetare e Vojnoviqëve” në Vushtrri.
Shkenca serbe që në kohën e Toma Maretiiqit e ka ndriçuar faktin se
“Vojnoviqët” janë të imagjinuar nga kisha serbo-ruse në mbështetje të
oborreve mbretërore. Dhe, nëse është fjala për “Urën e Gurit” që lidhë
Vushtrrinë me Artakollinn, e nga e cila është larguar lumi “Silnicë”, atë e
ka ngritur prishtinasi Jashar pashë Gjinolli në fillim të shekullit XIX.
Dhe, shtrohet pyetja shumë logjike: Nëse Kosova nesër çlirohet nga
tutorllëku i huaj çoftë edhe “i lehtë”, dhe nëse ajo bëhet evropiane,
demokratike dhe pjesë e BE dhe e NATO-s, siç mëton “Plani Ahtisari”, pse
gjithë këto thurje serbe të Serbisë në Kosovë. Dhe, Kosova me Serbinë zot të
tyre, a do të ketë mundësi t’i riparojë, t’i kthejë në pika turistike të
saja? Duke e njohur gjenin serbomadh dhe antishqiptar të pa fshehur,
përfushe edhe sot, them: Kosova dhe shqiptari Kosovës sot e mot do të
privohet nga ajo e drejtë legjitim natyrore e historike.

Këtu duhet edhe njëherë të përmbledh: Sipas logjikës mbretëruese në “Aneksin
V. Trashëgimia kulturore dhe fetare”: por edhe të tërë“Propozimit
Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, Serbia, e
përgdhelura ruso-evropiane deri sot, nesër ose pasnesër, nga Kosova mund të
kërkojë edhe një “hise” të përgjakshme: Së paku rreth 20 mijë gra (femra)
shqiptare që i kanë dhunuar ushtarët dhe policët e Serbisë në vitet
1998-1999, se i kanë përdorë ushtarët pushtues të Serbisë, si dikur kishat,
manastirët, kalatë e urat e Kosovës, dhe të kërkojnë së paku edhe mijëra
djem që mund t’i kenë lënë dhunshëm në barkun e femrave shqiptare, hiq disa
qindra të femrave të dhunuara dhe të mbytura me masakrim, të hedhura gjallë
në puse të ujit dhe në zjarrin e shtëpive të tyre. Dashtë Zoti e UNMIK-u,
sot në të quar, nesër të mos i ndjek mësimet serbe, se në shumë raste “në
shërbim të paqes” nga përfundi i kemi ledhatuar djemtë unmikianë të bardhë,
të verdhë e të zi!!? Kur vendosa të nënvizojë faktet e mësipërme, rikujtova
porosinë e Prota Mateja Nenadoviq dhënë historianit Sima Milutinoviq: “Nëse
e shkruan të vërtetën, do ta humbasësh kokën, sepse të likuidon kryezoti
Milosh, por nëse shkruan rrenë, koka të mbetet por do ta humbasësh nderin!”

Së fundi, çka mëtohet me Hoçën e Madhe të Rahavecit, sipas 4.2 të Aneksit
V. Trashëgimia kulturore dhe fetare?! Këtë nuk mund ta kuptojë. Kam droje se
po dëshirohet një “Sveta Gora” serbe në Kosovë!? Vërtetë, këtu, në natën e
6/7 qershorit 1905, u likuidua një çetë disa anëtarësh e komitëve serbë të
dërguar nga Serbia, midis të të cilëve ishte edhe një mësues i Hoçës. Edhe
ata vranë shumë shqiptarë vendës, por plagë e pashërueshme është masakrimi
të thuash i të gjithë meshkujve shqiptarë të rritur në periudhën e Luftës
Çlirimtare të UÇK-së pikërisht nga fqinjët serbë. Këta serbë me dorën e
tyre e kanë vrarë dhe e kanë kallë ardhmënisë në Hoçë. Plagë që kullon gjak.

Nëse do të zbatohen urdhrat nga nenet: 2.2 dhe 2.3 të Aneksi VIII. Sektori i
Sigurisë në Kosovë - “Kufijtë e stacioneve policore rajonale do të jenë të
njëjta me kufijtë komunal” dhe “përbërja etnike e policisë brenda komunës
deri në masën e mundshme do të reflektoj përbërjen etnike të popullatës në
komunë” del se mbi 35% e sipërfaqes së Kosovës do të mbikëqyret nga
serbët!?! Kjo është ndarje e Kosovës ose ardhmëni mbi thika. Dhe, athua
Presidenti i Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe anëtarët e tjerë të “Ekipit
të Unitetit” nuk e kuptojnë detyrimin që del nga pika 3.2 e Aneksit VIII.
Sektori i Sigurisë në Kosovë?! Ata po e shkelin Rezolutën e Kuvendit të
Kosovës kundër allishverisheve antishqiptare të pushtuesve serb dhe
bullgaro-maqedon të 23 shkurtit 2001. Dihet se Ekipi i z. Ahtisari, ende pa
e hequr Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila njihte tërësinë e Kosovës
sipas Marrëveshjes së Rambujes - Parisit, Kosovës ia hoqi rreth 2500 ha
tokë, pa e pasur të qartë shqiptarët se çka do të pjellë për Kosovën
“adresimi i çështjeve që dalin nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2001 në
mes të Rep. Fed. të Jugosllavisë dhe ish- Rep. Jug. Të Maqedonisë” (Pika
3.3. e Aneksit VIII. Sektori i Sigurisë në Kosovë”!?! Këtu Ekipit të
Ahtisarit mund t’i bëhet edhe një pyetje e domosdoshme: Nëse ai kufi me
shtetin dhe kombin kominternist të Maqedonisë duhet të korrigjohet, pse
heshti Maqedonia, nëse jo më herët, në periudhën e sundimit gjenocidial të
Serbisë mbi Kosovën - 23 mars 1989 - 10 qershor 1999?!? Pse Serbia, aso
kohe, nuk ia dha atë “atë tokë” Maqedonisë?, pse fqinji -Maqedonia, e
plaçkiti Kosovën në kohë kur kjo jetonte nën administrimin ndërkombëtar të
padefinuar?, pse UNMIK nuk e siguroi tërësinë e Kosovës në bazë të
përgjegjësisë “kushtetutare”? Dhe, a i thuhet njerëzi luajtjes me kufi nëpër
tokë shqiptare etnike - ndarjes së bujkut nga ara, ndarjes së vëllait nga i
vëllai - me kufij shtetëror sot, në kohën e integrimeve të shteteve në
bashkësi botërore?!?

Po të shikohet mirë, me “Forcën e Sigurisë së Kosovës” synohet grushti
vendimtar mbi të ardhmen e Kosovës mbështetur në krenarinë dhe në gjakun e
UÇK-së, defaktorizimi dhe kurdisja e nënshtrimit të përjetshëm për
shqiptarët të Kosovës, e më gjerë, heqja përfundimtare e shtyllës mbi të
cilën qëndron liria e të gjitha kombeve. Së fundi, shtrohet pyetja: me cilën
përqindje të “komuniteteve” do të sajohet FSK-ja? (Pika 1.1, c. E Aneksit
XI. Prania ushtarake Ndërkombëtare).

Unë nuk e di saktë se çfarë roli ka luajtur “Komisioni i tanishëm (i
UNMIK-ut?) i Përbashkët për Implementimin me republikën e Serbisë” në çorbën
e Ekipit të Ahtisarit por konstatimi në vijim: “Me kalimin e kohës,
veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e
një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri që do të përfshijë autoritetet
nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështjet
ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët” - (Pika 1.5 - Aneksi XI.
Prania ushtarake Ndërkombëtare) dhe “PUN-ja në koordinim me PCN-në, do t’i
përcaktojë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve
të mbrojtjes të Serbisë” - (Pika 1.6 - Aneksi XI. Prania ushtarake
Ndërkombëtare) sikur thotë: Nesër FSK-ja do të bëhet pjesë e Ushtrisë së
Serbisë, që do të lozin rol në implementimin e “Autonomisë Substanciale të
Kosovës” në Serbinë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO?!?

Në fund disa porosi për “Ekipin e Unitetit”: Këto dhe venerimet e të
tjerëve, të vilen me kujdes. Të saktësohet qartë fakti se Kosova është një
det gjak shqiptari i derdhur nga Serbia, kombi serb dhe kisha serbe. Të
thuhet qartë: Serbia e ka vrarë dhe e ka kallur trashëgimin e saj koloniale
në Kosovë. Të mos barazohet viktima me kriminelin. Të bëhet një vistër i
kërkesave për ndryshime e qartësime në dokumentin “Propozimi
Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës” të Ekipit të Z.
Ahtisari, mbështetje për Rezlolutën e KS të OKB, në funksion të ardhmënisë
së shtetit të Kosovës, të mbrojtur me zbatimin e ligjit dhe jo me ndasi
etnike e hendeqe armiqësie. Urtaku Konfuqi do të na këshillonte: ”Të gabosh
dhe të mos korrigjohesh, do të thotë të gabosh përsëri!”

Meqë edhe një kohë e gjatë nuk do të krijohen rrethanat për funksionimin e
pavarësisë së Kosovës, as do të ketë sovranitet pikërisht me fajin e
Serbisë dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, të kërkohet në mënyrë përfundimtare
saktësimi dhe garantimi i vendimit të KS të OKB për zgjidhjen definitive të
Çështjes së Kosovës me rrugën e vetme demokratike - Referendum
gjithëpopullor, pas kohës që Ekipi i Z. Ahtisari parasheh fundin e PCN-së,
MEPSM-së dhe PUN-it, me të drejtë për shtet të pavarur, ose për bashkim me
Serbinë, me Maqedoninë, me Malin e Zi, apo me Shqipërinë. Kjo do të ishte
zgjidhje përfundimtare dhe fatlume. As vitet për këtë atk demokratik nuk
janë vonesë.

Ndaj, pa këtë garantim, mos nënshkruani “status” të Kosovës mbi thika! Mos
nënshkruani fatin e Palestinës për shqiptarët në përgjithësi.



Prishtinë, 6 shkurt 2007



Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Muhamet Pirraku
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 1 vizitorë
Lexuar: 960 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi