Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DISA FJALË PËR FJALORËT E GJUHËS SË SOTME SHQIPE (2002) DHE FJALORIN E GJUHËS SHQIPE TË M. ELEZIT (2006)
Publikuar më 21 qershor, 2010 në orën 01:03 ( ) Sami Islami | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Gjuha si një organizëm i gjallë duhet të ecën bashkë me zhvillimin shoqëror, ekonomik e kulturor të një vendi, të një kombi. Po nuk eci me të njëjtin ritëm ajo do të mbetet shumë e mangët, prandaj nuk do të mund t’i përcjellë të arriturat shkencore, kulturore etj. Në këto ndryshimet e mëdha, si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri nevoja për të punuar në këtë fushë, siç dihet, është tepër e madhe.
Po sa është bërë dhe sa po bëhet në fushën e leksikografisë sot?

Fatëkeqësisht, duhet ta pranojmë se, duke e pasur parasysh këtë dinamikë të zhvillimeve që po ndodhin tek ne dhe rreth nesh, kemi bërë pak, thuaja aspak në fushën e grumbullimit të thesarit të gjuhës sonë shumë të pasur, sidomos në këto dy-tri dekadat e fundit Në këtë kontekst barra kryesore duhet të bie mbi Institutet e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilat prej botimit të fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 1980 e deri me botimin e fundit më 2002, kanë futur aq pak fjalë të reja , sa po të kihen parasysh zhvillimet shoqërore që janë bërë mbenda kësaj kohe, është diçka që nuk mund të krahasohet. Dhe nëse bëhet pyetja: pse ndodhi kështu? Nuk di se dikush mund të na japë një përgjegje që do të na mbushte mendjen, ose që do të “justifikonte” këtë gjendje. Çështja pse jemi në këtë situatë mund të shpjegohet më së miri me papunësinë tonë, e në rend të parë me papunësinë e instituteve tona të gjuhësisë, si atij të Tiranës, poashtu edhe atij të Prishtinës. Shtëpitë botuese “Toena”, “Rilindja” , “Gjergj Fishta “etj. botojnë herë pas here, edhe fjalorë, por ato më tepër “kujdesen” se si do të duket fjalori ( kështu nga pamja e jashme), se sa çfarë ka brenda. Preokupimet e tyre janë më shumë se si të bëjnë para, prandaj më shumë kujdes i kushtojnë, siç thamë, pamjes së jashtme! Duke u nisur nga ky “parim” botohen fjalorë, ribotohen ata, por pak ose aspak të pasurohen me fjalë të reja. Fjalori i vitit 1981 që u botua në Prishtinë (prej dy vëllimesh), ishte ai që u botua në Tiranë më 1980. Më 1984 u ribotua por prapë me ose pak ndryshime. Shtëpia botuese “Toena” e riboton prapë më 2002, prapë i njëjti fjalor pa fjalë të reja në të. Mjafton që fjalori po shitej! Mund të bëhet pyetja: ku janë institucionet tona që duhet të merren me këtë punë? A mos po mendojnë ato se, përsa i takon çështjes së thesarit të gjuhës shqipe (leksikografisë), është punë e kryer? Çfarë është bërë në sferën e mbledhjes së thesarit të gjuhës sonë? A duhet të rrijmë e të vëzhgojmë se si fjalët e ndryshme ( sidomos ato më të vjetra) një ditë të humbasin fare, ose këto të rejat ( të huajat) të nguliten në gjuhë e të mos kemi ç’të bëjmë? Në këtë kontekst mund të bëjmë një varg pyetjesh, por a na ndihmojnë këto për të dalë nga gjendja ku jemi? S’do koment se jo. Atëherë çfarë të bëhet në mënyrë që të dilet nga kjo situatë?
Mendoj se dy janë rrugët që duhet ndjekur për të ecur përpara: a) e para, të organizohen njerëz, (studentë, punëtorë shkencorë etj.), nën udhëheqjen e Institutit të Gjuhësisë (por edhe në baza vullnetare, pse jo?) për mbledhejn sa më të shpejtë të thesarit ekzistues të gjuhës shqipe (sepse po nuk u ndërmor diçka e tillë shumë shpejt një pjesë e madhe e fjalëve do të zhduken), dhe b)e dyta, të mblidhen me kujdes fjalët e reja që tashmë janë futur në gjuhën shqipe, natyrisht duke u bërë një seleksionim (zgjedhje) e duhur.
Po t’i referohemi p.sh. fjalorit më të ri të vitit 2002 (ribotim i plotësuar me fjalë të reja!?) del se gjuha jonë paska diku rreth 41000 fjalë! Kaq. Përafërsisht të njëjtat fjalë kishte edhe fjalori i 1980-ës, po të njejtat i kishte edhe ai i 1981-ës (ribotim në Prishtinë), pastaj ai i1984-ës etj.
Në parathënien e botimit të dytë (2002) gjejmë këtë fjali: “Korpusi i fjalorit është pasuruar me fjalë dhe kuptime të reja…sidomos ato që paqyrojnë zhvillimet e ndryshimet e shoqërisë shqiptare pas vitit 1990”. Mirë fort. Ashtu do të duhej të ishte që fjalori të ecte me kohën dhe të “pasqyronte zhvillimet e shoqërisë shqiptare”, po atëherë një varg fjalësh të reja që u futen në gjuhë, bile edhe para vitit 1990, dhe që nuk u mblodhën kurrë, a hyjnë edhe këto në “zhvillimet” apo janë fjalë që nuk duhet t’i pranojmë dhe duhet t’i nxjerrim nga gjuha?
Fjalë të tilla sot kemi plot, por sa për ilustrim po i përmend disa, si: : implemetim , menaxhim, hezitim, interference etj. etj., që prej ’90-ës e disa edhe më heret, janë përdorur , po në fjalor nuk janë. Përdoruesi më kot do të hap fjalorin për t’i kërkuar këto e shume fjalë të tilla.Gjë tepër interesante është fakti se botimi i fjalorit të fundit (2002) sigurisht se është bërë me kompjuter, po as fjala kompjuter nuk është në fjalor!. “O tempora o mores”, do të thotë një fjalë latine latine (O kohëra të çuditshme, o njerëz të çuditshëm!).
Poashtu mungojnë potuaj të gjitha fjalët e reja që lidhen me kompjuterin, i cili sot është bërë pjesë e pandashme e jetës dhe e punës sonë. Të tilla fjalë janë: internet, chat. (për “bisedë” por te ne ka marrë kuptimin kryesisht për bisedë në internet) CD CD (nga ang. Compact Disc), ), DVD, klik-oj (fjalë onomatopeike) ) etj. Janë bërë disa përpjekje që të përkthehen disa fjalë të sferës kompjuterike, si dritare (për angl. window), disketë (për floppy disc), fjalëkalim ose parullë (për password) , lajmëtar (për messenger), etj. , por versioni anglisht ka mbetur më dominues, kështu që edhe në këtë formë kanë hyrë në gjuhën e shkruar dhe të folur. Këto fjalë edhe para botimit të fjalorit të 2002-ës kanë qenë në përdorim por, deri sot as nuk është bërë përpjekje në mënyrë institucionale për të gjetur korrespondenten e tyre në shqip( të përkthehen), as nuk janë perfshirë ashtu siç janë në ribotim. Shtrohet pyetja: çfarë të bëhet me këto fjalë që e kanë vërshuar gjuhën e sotme shqipe? T’i hedhim jashtë përdorimit nuk mundemi se janë futur thellë në përdorimin e përditshëm. Çfarë të bëjmë atëherë? T’i fusim brenda në fjalorë?
E mira do të ishte, mendoj unë, sikur të kishim pasur mundësi të ndjekim një rrugë siç e pat ndjekur gjuha kroate disa dekada më pare, e cila pothuaj për çdo term të huaj krijoi një fjalë të veten, madje atje gjuha letrare u pat sanksionuar me ligj. Pra kush nuk do ta zbatonte gjuhën letrare në shkolla, në media etj. do të gjobitej. Bile më kujtohet se një gazetë shumë prestigjioze kroate (“Vjesnik”) pat shpallur një shpërblim për atë lexues, i cili do të gjente ndonjë fjalë të huaj apo ndonjë gabim gjuhësor a drejtshkrimor. Të potencojmë, kjo ishte se kush gjen gabime në gazetë, se përsa i takon teksteve shkollore ose librave të tjerë të mos flasim. Atje kriteri i përdorimit të gjuhës duhet të ketë qenë edhe shumë më i ashpër.
Por situata tek ne është ndryshe. Fjalët e huaja (por jo vetëm fjalët) tashmë e kanë vërshuar gjuhën shqipe, pothuaj në tërë shtrirjen territoriale. Dhe pyetja tjetër që mund të shtrohet është kjo: a është më lehtë t’i fusim fjalët në fjalor (sepse njerëzit, shumicën e ketyre fjalëve, siç thamë tashmë i kanë në përdorim të përditshëm), apo gjuhëtarët të marrin tani rolin e arbitrit duke dalur me shkrime a me emisione të ndryshme në mjetet e informimit për t’i ndaluar njerëzit të mos e përdorin këtë apo atë fjalë?
Mendoj se edhe ky problem ka zgjidhje. Nuk është në asnjë mënyrë dobipruese, as gjë e mençur, nëse përpiqemi sot t’i heqim këto fjalë nga përdorimi. Sepse edhe në të kaluarën, fjalët kanë qarkulluar kështu gjatë gjithë historiesë. Kanë hyrë fjalët prej një gjuhe në një gjuhë tjetër, varësisht se cila ka qenë më dominante për kohën dhe kanë mbetur. Shembuj të tillë ka shumë si në gjuhë të tjera, pra edhe në gjuhën shqipe. Një herë u quajtën fjalë të huaja, por kur dikush ngriti zërin për t’i larguar dhe u pa se nuk mund të largoheshin u quajten huazime!Gjuha shqipe (por edhe gjuhët e tjera) p.sh. gjatë zhvillimit të saj historik kishte “huazuar” fjalë nga latinishtja, greqishtja, turqishtja etj. Huazime që nuk ua kthyem kurrë gjuhëve prej nga i kishim marrë! Ashtu sikundër që gjuhët fqinje p.sh. edhe pse jo në numër aq të madh fjalët shqipe i përvetësuan dhe i bënë si të vetat. Dua të jap vetëm një shembull : Nëse një fjalë e huaj përdoret në gjuhën angleze për një vit, anglezët vitin tjetër e futin në fjalor. Kjo për arsye se tendenca për t’i larguar fjalët e huaja në të kaluarën kishte dalë pa dobi, siç ishte rasti i një gjuhëtari anglez i shekullit të kaluar. Ai kishte dashur që t’i “përjashtonte” të gjitha fjalët e huaja, kur e kishte parë që gjuha angleze kishte mbetur gati e pa fjalë për komunikim, i kthen të gjitha ato fjalë që më parë i kishte hequr! Pse të mos zbatohet kjo praktikë edhe në gjuhën tonë? Disa fjalë edhe nuk ka mundësi “të përkthehen” si p.sh “kompjuter” , “internet” etj. Unë jam për atë që, fjalët e reja të trajtohen me kujdes. Të përpiqemi t’ua gjejmë korrespondeten në gjuhën tonë dhe t’i lëmë të qëndrojnë bashkë, e njerëzit le ta përdorin cilën të duan. Dhe me kohë do të shihet se cila do të jetë më e suksesshme, fjala jonë apo ajo e huaja? Sepse nganjëherë, siç e dimë nga historia, fjala e huaj ngulitet dhe e “përjashton” fjalën autoktone. Le të përmendim, me këtë rast vetëm fjalën “jo” qe vjen nga turqishtja “jok”, por që sot është fjalë shqipe, bile disa njerëz që nuk merren me probleme gjuhësore do të çuditeshin kur të kuptonin se kjo është fjalë e huaj. Fjala shqipe e vërtetë për “jo” është “nuk”, e cila thuaja se u zhduk fare nga përdorimi (përdoret vetëm në disa të folme). Pra kjo punë është dashur të bëhet nga Instituti i Gjuhësisë që “korpusi i fjalorit të pasurohej me fjalë të reja”, siç edhe konstatohej në parathënien e botimit të dytë të 2002-ës.
***
Në vitin 2007, më njohtojnë disa miq të mi se ka dalur në shitje një fjalor tjetër i gjuhës shqipe edhe ky me rreth 41000 fjalë, por që nuk janë në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar nga Enti botues “Gjergj Fishta”, Tiranë 2006. U gëzova që më në fund, deri diku, atë boshllëk të fjalëve që nuk i kishte FGJSSH t’i gjeja në këtë të riun. E gjeta dhe e bleva. Autori: Mehmet Elezi. Titulli: Fjalor i Gjuhës Shqipe. I bukur. Mjaft voluminoz. E shfletova. Dukej se autori ka shpenzuar shumë kohë për ta bërë një fjalor të tillë. Dhe vërtetë ishte një punë e madhe të mblidheshin dhe të sistemoheshin aq fjalë, me të gjitha shprehjet frazeologjike, idiomat, fjalët e urta që e shoqëronin fjalorin. Por, posa ta hapësh fjalorin, ajo që të bie në sy është fakti se fjalori i kapërcen kriteret për të qenë fjalor si duhet të jetë. Nuk di, po kam përshtypjen se autori, pa hyrë në analizën e fjalëve, ka bërë një përzierje të atillë të materialeve të tjera të botuara në fjalor, sa nuk dihet a është fjalor apo përmbledhje poezish, tregimesh, studimesh a çka jo, që vertetë ia zbehin vlerën e fjalorit!
E para, në vend se t’i kushtohet vetëm problemeve për hartimin e fjalorit, natyrisht me një parathënie ose pasthënie, ku do të theksoheshin burimet (të cilat edhe i përmend dhe të cilat vërtetë janë të shumta), bashkëpunëtorët, vështirësitë etj.etj., autori e hap fjalorin me një shkrim të titulluar “Ç’ESHTE KY FJALOR? në vend të Ç’PËRMBAN KY FJALOR? Unë nuk e kuptoj se çfarë ka dashur të thotë autori me atë titull, kur edhe teksti fillon me:”Ky fjalor përmban rreth 41000 fjalë…” etj.. Pse kjo lojë fjalësh? Në këtë parahyrje më tutje autori thotë: “Përkah numrit të fjalëve – tituj, bashkë me Fjalorin e Gjuhës së Sotme shqipe (FGJSSH, 1980), i cili edhe ai përmban rreth 41000 fjalë, ky është fjalori shqip-shqip (jo zotëri shqip-shqip, por fjalor i gjuhës shqipe!) më i madhi i hartuar deri më sot?! Ec e merre vesh tash se cili është më i madh, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i botuar nga Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë me 41000 fjalë, apo Fjalori i z. Elezi me poashtu 41000 fjalë? Këtë mund të na e shpjegojë vetë autori. Z. Elezi pastaj vazhdon me konstatimin: “Është poashtu i vetmi fjalor shqip-shqip (!?) që ilustrohet me mijëra vargje e shprehje të marruna (!) drejtpërdrejt: nga…(Sipas këtij pohimi del se fjalorët e tjerë këto vargje e shprehje që Z Elezi i paska marrë dretpërdrejtë, ata i paskan marrë tërthorazi, prandaj ndoshta edhe nuk vlejnë!
Pas kësaj hyrjeje shumë interesante kemi : “Në vend të parathënies 1”, një poezi të tij me titull: NATEN E MBREMSHME ESHTE KRYER KRIMI , pastaj një poezi tjetër të shoqërurar me një foto bashkë e zonjën e tij (një panoramë e bukur, ndoshta nga Zvicëra , ku autori është ambassador i Shqipërisë atje!), pastaj shtojca tjetër “Në vend të parathënies 2” (tregim nga romani i tij), pastaj një studim tjetër prej 106 faqesh: “Gjuha shqipe në bunker”! etj. Mirëpo autori nuk e përfundon me kaq. Ai do t’i botojë edhe disa poezi e proza të tjera, po tash në PASTHËNIE (se në parathënie u bënë vërtetë shumë!)! .Në pasthënien 1, është një poezi “Sonte do të shkoj në takim me erën”, pastaj në pasthënien 2, tregimin “Dëshmia e Priftit”, kurse në pasthënien 3 autori e përfundon me një poezi “Van Gogu”! Dhe gjithnjë duhet të kemi parasysh se këto u botuan në fjalor!
E dyta. Duket qartë se autori është ngutur, duke mos “pasur kohe” t’i analizojë disa çështje që janë shumë të ndijshme për fjalorin. Sado që prurje ka mjaft, siç thamë edhe më lart, fjalori nuk është funksional, për arsye se në shumicën e rasteve Z. Elezi fjalët i lë pa shpjeguar deri në fund. Raste të tilla ka tepër shumë, por sa për ilustrim po i përmendi vetëm disa: p.sh. për fjalën PULË ( që rastësisht e hapa fjalorin tek kjo faqe) autori jep shpjegimin kështu: përveç FGJSSH “gjysma e plotë e thelbit të arrës” Kaq . Pra kuptimin tjetër shko e gjeje tek FGJSSH nëse e ke, nëse nuk e ke shko e bleje! Ose foljen FLLADIT kal. – a me flladitë (prej fllad) përveç FGJSSH euf. Shkoj me një femër për seks; shih edhe kalaroj. E ka flladit shefi.(?!) Vërtëtë shpjegime shumë interesante! ose fjala FOLËR-RA f. sh. –ra, -rat (khs. forbël FGJSSH) dromca gjalpi ….etj. etj. Me një fjalë fjalori nuk mund të përdoret më vete. Për ta përdorur fjalorin e Z. Elezi ti duhet ta kesh përpara Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Fjalorin e Fjalëve dhe te Shprehjeve Popullore e ndonjë fjalor tjetër, përndryshe vetëm me fjalorin e tij kuptimi i tërësishëm i fjalës mbetet gjysmak!
E treta: Autori në hyrje thotë se në fjalor janë përfshi fjalë që nuk janë përdorë në FGJSSH, ose që janë me kuptime të ndryshme. Po t’i shikosh këto fjalë mund të bindesh se edhe janë në FGJSSH edhe kanë po atë kuptim, domethënë nga fjalori i z. Elezi, vetëm për këto pak qaste, sa më ra në sy të shfletoj, vërejta se 3-4 fjalë që i ka pra edhe FGJSSH, prandaj duhet të llogariten se janë më pak se 41000 fjalë, që ai thotë se janë te reja vetëm në fjalorin e tij!. Fjalë të tilla janë si. p.sh. . e folme, e folur, foltore, fort etj. ( Mehmet Elezi :Fjalor i gjuhës Shqipe , f. 445, 446)
E katra: fjalët e reja, të cilat janë futur në përdorim të madh kudo ndër shqiptarë, ashtu sikur Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, i cili nuk i kishte, nuk i ka as ky, fjalor që është botuar 4 vjet më vonë (ky fjalor u botua më 2006). Pra s’i ka fjalët: implementim ,hezitim , interferencë, menaxhim etj. etj. Autori si duket është përqëndruar në tekstet e vjetra dhe i ka lënë anash këto të rejat. Edhe z. Elezi krejt fjalorin e ka përgatitur me kompjuter , bile fjalën kompjuter e përmend dy herë diku në parathënie, por në fjalor nuk është. Unë s’kam koment!
Duke e përfunduar këtë artikull, dua të theksoj se çështja e leksikografisë, edhe pse fjalori i z. Elezi ka bërë një hap (përsa i takon nismës për një punë tejet të madhe në në këtë fushë) prapëseprapë, tek ne ka mbetur një problem që duhet zgjidhur shpejt dhe mirë. Nuk mund të themi se nuk kemi potencial për t’iu përveshur kësaj pune. Rast konkret kemi punën e z. Elezi. Megjithatë përpilimi i fjalorit nuk është punë që mund të bëhet dosido. Kjo është punë, krahas mbledhjes së materialit, që do një angazhim të madh, edhe sistemimi , përpunimi dhe përgatitja finale duhet të jetë poashtu punë shumë serioze.Fjalori edhe mund të përgatitet vetëm prej një autori, por para se të botohet duhet të shikohet nga një apo disa recenzentë (gjuhëtarë) që, përveç tjerash, kanë përvojë në hartimin e fjalorëve, dhe që duke i marrë vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, nuk do të bëheshin gabime të tilla që më vonë do të ishte vështirë të evitoheshin, siç është rasti me fjalororët që i morëm në shqyrtim.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sami Islami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 71 vizitorë
Lexuar: 5,107 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi