Prof. Dr. Muhamet Pirraku
Anëshkrim në artikullin: “Ura e Vjetër e gurit” - jo e “Vojinoviqëve”, botuar
në rubrikën “Shoqëri · Kulturë · Art · TV”,Koha Ditore, 4 mars 2007, fq. 18.
“Nëse nuk e di ku je duke shkuar, do të përfundosh diku tjetër”(A Adler)
Sihariqet për fitoren e luftës për “trashëgiminë kulturore” (!?!) të “Ekipit të Unitetit”(!?) në “konsultimet e radhës në Vjenë” (?!), të botuara në “Koha Ditore” të 1 marsit 2007, fq. 2, sikur paralajmëruan së paku një fitore të Kosovës. Nën boxin me titull: “Kosovarët ankohen për Vushtrrinë, Boletinin e Novobërdën”, midis të tjerash, shkruan:
E para: “Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se delegacioni kosovar të mërkurën ka shtruar çështjen e urës në Vushtrri për të cilën ka thënë se mendon që është një urë e vjetër e kohës romake, bizantine dhe turke” dhe e dyta: “Besojmë se për këtë do të merremi vesh dhe se emri i saj do të jetë “Ura e Vjetër e Gurit”, ka thënë ai”.
E falënderoi gazetarin G. Syla që i ka përdorë thonjëzat kaq mirë. Meqë Hoxhaj ka ofrua shpjegime më të plota më 4 mars 2007, këtu do të kërkoja ndonjë sqarim nga E. Hoxhaj: E para, çfarë argumenti historik për tavolinën diplomatike paraqet konstatimi Juaj: Delegacioni i Kosovës “mendon që është një urë e vjetër e kohës romake, bizantine dhe turke”?! “Mendon”!?! E dyta: Çka do të reflektojë: “Besojmë se për këtë do të merremi vesh dhe se emri i saj do të jetë “Ura e Vjetër e Gurit”, për statusin e “trashëgimisë së mbrojtur serbe në Kosovë” që i parasheh “Pakoja e Ahtisaarit” ?!! Ose, ndryshe: Çka do të firojë shqiptarësia historike e Vushtrrisë nëse “për këtë do të merreni vesh (me UNOSEK-un) dhe se emri i saj do të jetë “Ura e Vjetër e Gurit”?!!!
Nejse, akëcili lexues le të gjykojë për këtë sipas mendjes së vet!
Për “përpjekjen”(!) dhe “fitoren”(?) e “Ekipit të Unitetit” rreth emrit të Urës së Vushtrrisë në “Pakon Ahtisaari” shkroi gjerësisht gazetari B. Kupina: “Ura e Vjetër e gurit” - jo e “Vojinoviqëve”(!?!), interpretimet dhe citimet e të cilit i konsideroj të sakta.
Këtu do të ndalem në katër informata me interpretim më të gjerë nga historiani E. Hoxhaj:
E para: ”I sapokthyer nga Vjena, Enver Hoxhaj, anëtar i delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore ka bërë të ditur se kërkesa e palës kosovare ka qenë që kjo urë, e cila në dokumentin aktual të Ahtisaarit është emërtuar “Ura e Vojinoviqëve”, të emërtohet si “Ura e vjetër e gurit” !?!
Pyes dhe, si një qytetar i Kosovës, kërkoj përgjigje publike nga E. Hoxhaj: Çfarë argumenti shkencor dhe diplomatik është “kërkesa e palës kosovare ka qenë që kjo urë, e cila në dokumentin aktual të Ahtisaarit është emërtuar “Ura e Vojinoviqëve”, të emërtohet si “Ura e vjetër e gurit” !?!
E dyta: “Sipas Hoxhajt UNOSEK-u e ka pritur mirë propozimin e palës kosovare, ndaj ekziston mundësia që në variantit përfundimtar të draftit të Ahtisaarit, kjo urë të regjistrohet me këtë emër”!?!
Dhe, duhet pyetur: nëse UNOSEK e aprovon kërkesën “delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore”, çka do të fitojë Kosova, deri sa ky “delegacionit kosovar” nuk ka kërkuar që “kjo urë” të hiqet nga “Zona e mbrojtur serbe” sipas “Pakos Ahtisaari” (?!?), dhe t’i lihej Kosovës si hise e saj kulturore historike, çfarë dhe ishte.
E treta: “Për më tepër, Hoxhaj ka pohuar se në përpjekje për ta sforcuar këtë propozim të palës kosovare ka bërë edhe hulumtime të historianëve të kohës otomane dhe ku qartazi, sipas tij, te Ura e Gurit vërehen elemente të arkitekturës bizantine dhe otoman”?!!
Ky konstatim, kësisoj, të jep të kuptosh se historianët e Ekipit të Unitetit kosovaro-unmikian nuk dinë se si mund e se si duhet të dëshmohet autorësia antike dhe mesjetare e trashëgimisë kulturore në trevat shqiptare, as i kanë hyrë asaj pune që do të ndikonte në ndryshimin e përmbajtjes së “Pakos së Ahtisarit” .
Të ecim më tutje. Unë nuk e kuptoj konstatimin: “... përpjekje për ta sforcuar këtë propozim të palës kosovare...”(!?!), nuk e kuptoj pikërisht fjalën “sforcuar”(!?!). Nuk e kam dëgjuar në të folmen e mjedisit ku jam rritur as gjendet në “Fjalori i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002, fjalë e fundit e leksikografisë shqiptare. Dhe, nëse është përdorur për ta trashur foljen “forcë-a” apo kal. “forcuar”, mungesa e argumenteve të prekshme e shpërbëjnë këtë “forcë”, këtë “mbështetje”.
Dhe, këtu, edhe në emër të hulumtuesve të ardhshëm të historisë së copëtimeve të Shqipërisë Etnike dhe të Kosovës historike, pyes: “Delegacioni kosovar për trashëgimi kulturore”, a ka krijuar Dosje argumentuese për këtë çështje? Nëse po, është mirë të botohet ajo dosje, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mësojnë se nuk është shpronësuat nga një monument historik i kulturës së tij për fajin e “delegacionit kosovar”, dhe se “Urën” historike të Vushtrrisë, e ngritur nga stërgjyshërit tanë, ua grabiti, me dhunë UNOSEK-u, për t’i kënaqur apetitet pushtuese shekullore të Serbisë.
Nëse “delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore” nuk ka krijuar dosje për Urën e Vushtrrisë, për Kalanë e Artanës, për Kalanë e Zveçanit dhe për të gjitha monumentet kishtare ortodokse të cilat “Pakoja e Ahtisaarit”, i shpalli të huajat për shqiptarët dhe për Kosovën (!?!), anëtarët e “Ekipit të Unitetit Unmikian të Kosovës” herët ose vonë kanë për të marrë mallkimin nga pasardhësit e tyre dhe dënimin nga Kosova dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
E katërta: “Sipas Hoxhajt, pala serbe nuk ka sjellë ndonjë dëshmi relevante për çështjen e emërtimit të urës, përpos paraqitjeve të hollësive biografike se kush kanë qenë Vojinoviqët”!?!? - Kjo ia kalon edhe humorit më të zi.
Edhe këtu janë dy probleme: E para: “pala serbe nuk ka sjellë ndonjë dëshmi relevante për çështjen e emërtimit të urës” (!?) dhe e dyta: “përpos paraqitjeve të hollësive biografike se kush kanë qenë Vojinoviqët”?!
Këtu, fillimisht, duhet të pyesim: Cilat do të ishin “dëshmi relevante për çështjen e emërtimit të urës”(?!) dhe a i ka sjellë ato “Delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore”?! Edhe më qartë, a janë argumente hipotetikët:: “mendon” dhe “besojmë” të “Delegacionit kosovar...”?!?
Unë nuk mund të paragjykojë, pa fakte, pa dosjen serbe, se cilat kanë qenë paraqitjet e “hollësive biografike se kush kanë qenë Vojinoviqët”, të cilat nuk i saktëson as nuk i demanton Hoxhaj. Një gjë mund të thuhet se, nëse ato hollësi “biografike se kush kanë qenë Vojinoviqët”, historiani Dr. Enver Hoxhaj së bashku me historianin Mr. Ylber Hysa, të “delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore” nuk i kuptojnë si “dëshmi relevante për çështjen e emërtimit të urës”, pa i kundërshtuar me fakte, pa e demistifikuar mitin serb për prejardhjen kosovare të “Vojinoviqëve” me një dosje argumentuese, jo vetëm gabojnë por edhe dëshmojnë terrin e injorancës historiografike në trutë e tyre.
Unë nuk mund të besojë se delegacioni serb ka konstatuar të vërtetën për prejardhjen jo kosovare, jo vushtrriase, të “Vojinoviqëve” historikë. Pyes: Sikur “pala serbe” të mos paraqiste hollësi “biografike se kush kanë qenë Vojinoviqët” si kanë mundur ata t’ia mbushnin mendjen UNOSEK-ut që “Ura e Jashar pashë Gjinollit” në “Pakon Ahtisaari” të quhet “Ura e Vojinoviqëve”?!!! të konstatoj edhe këtë fakt: Koinea “Vijinoviq” nuk i përket të folmes serbe në Kosovë dhe në Serbinë Etnike (Shumadi).
Për demistifikimin e Mitit serb për Kosovën i kam botuar disa kumtesa shkencore të lexuara në simpoziume gjithandej në Jugosllavi. Së paku nga viti 1990, në shumë studime e libra kam sjellë dëshmi për mosekzistimin e “Vojnoviqëve” vushtrriasë, gjithsesi i mbështetur edhe në të dhënat e shkencës etnografike, folkloristike e historiografike jugosllave. Këtu nuk dua ta citoj vetën, por e kërkon vendi të konstatoj këtë fakt: Në reagimin tim, më 6 shkurt 2007: “Me propozimin e “Ahtisarit” - Kosova në thika”, analizë kritike e “Propozimit Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës” të Martti Ahtisaarit, midis të tjerash, kisha konstatuar: “Shkenca serbe që në kohën e Toma Maretiqit e ka ndriçuar faktin se “Vojnoviqët” janë të imagjinuar nga kisha serbo-ruse në mbështetje të oborreve mbretërore. Dhe, nëse është fjala për “Urën e Gurit” që lidhë Vushtrrinë me Artakollin, e nga e cila është larguar lumi “Silnicë”, atë e ka ngritur prishtinasi Jashar pashë Gjinolli në fillim të shekullit XIX”.
Këtë analizë të plotë ia dorëzova PSSP-it dhe Ahtisarit, më 9 shkurt 2007, por nuk e botoi asnjë gazetë ditore e Kosovës!?! Megjithatë, ajo u bë njohur përmes webfaqeve të ndryshme dhe e botuan disa gazeta në Shqipëri dhe në Iliridë. Sa kam njohuri, me emaile veprimtarët e devotshëm të çështjes shqiptare këtë analizë e kan përhapur katërçipërisht në mbarë botën shqiptare. Sikur “Delegacioni kosovar për trashëgimi kulturore ”t’i kishte përcjellë reagimet shqiptare ndaj “Pakos së Ahtisaarit”, së fundi vetëm në WWW.pashtriku.org, nuk do të kishte hequr “aq shumë” për të dëshmuar për emrin e saj popullor shqiptar dhe serb.
Sikur historianët Hoxhaj e Hysa, të njihnin diçka nga shkolla antropogjeografike serbe cvijiçiane së paku do të dinin se emri popullor shqiptar e serb i kësaj Ure lidhej me emrin e donatorit dhe urdhëruesit për ngritjen e saj krejt deri në fillim të shek. XX, pikërisht me emrin e zyrtarit të lartë të Vilajetit të Kosovës dhe të Rumelisë në përgjithësi, Jashar pashë Gjinollit. Për këtu të mjaftohemi vetëm me konstatimin e Branisllav Nushiqit, konsull i Serbisë në Prishtinë krejt në fund të shek. XIX. Ai e hulumtoi dhe e njohu terrenin dhe kujtesën shqiptare të rrafshit të Kosovës, të cilën pjesërisht e paraqiti në “KOSOVO opis zemlje i naroda. Izdanje sa spikama, I. Sveska, U Novom Sadu, Izdanje Matice Srpske, 1902”. Duke folur “Për rrugët dhe mjetet e komunikacionit”, përmendi qytetin antik iliro-romak “Vicianum” (Vushtrria), dhe “Jashar-pashin most na Sitnici” (Ura e Jashar Pashës në Silnicë).
Antropogjeografi B. Nushiq në librin e dytë: “KOSOVO opis zemlje i naroda. Izdanje sa spikama, II. Sveska, U Novom Sadu, Izdanje Matice Srpske, 1903”, do të dëshmohet manipulues i shquar me faktet në përputhje me platformën e shkollës cvijiçiane për serbizimin e kujtesës dhe të traditave shqiptare të Kosovës. Tashti sikur harron se në librin e parë emërvendin “Vuçitrn” e linte të shihej si i ardhur nga “Vicianum”, dhe emrin e qyteti nxirte nga fjalët “vuçiji” dhe “trn” (Wolfsdorn), që do të thoshte “Ferra e ujkut”!?!
Në këtë libër Nushiq u dha frymë falsifikimeve të epikës serbe për Mitin e Kosovës dhe “Kalanë” e Vushtrrisë e quajti “Kullë” dhe “Pallat” të vëllezërve Vojnoviq - Petrashinit, Vukashinit dhe Miloshit. Shkenca folkloristike dhe historiografike jugosllave e viteve të ’60-70-ta të shekullit XX, realisht kur filloi rrita e shkencës shqiptare dhe ballafaqimi i këtyre dy shkollave shkencore, këta persona të imagjinatës letrare: Vojin, Petrashin, Vukashin dhe Milosh u quajtën personalitete të imagjinuara, të paqenë, joeksistues në Vushtrri. Këtu nuk e shoh të arsyeshme të ndalem në interpretimet e studiuesve jugosllavë: Toma Maretiæ (1966), Tvrtko Èubeliæ (1970), Rade Mihalèiæ (1957), historiani ky më i merituar për demistifikimin e Mititb serb të Kosovës. Për më gjatë e plotësisht mund të flas vetëm pasi opinioni dhe unë të njihem me dosjen serbe dhe të “Delegacionit kosovar për trashëgimi kulturore”, për “Urën e Vojinoviqëve”, përkatësisht “Urën e Vjetër të Gurit”.
Tashti, t’i kthehemi Nushiqit. Ai, pas një viti nga botimi i librit të parë, e “harron” emrin popullor: “Ura e Jashar Pashës në Silnicë” dhe nën fotografinë e saj shkroi: “Stari most kod Vuçiterna” (Ura e vjetër te Vushtrria), dhe në vijim vuri tekstin: “Sipas tregimit të popullit edhe këtë urë e kanë muruar Vojnoviqët, dhe pikërisht mjeshtri i cili e muroi Urën mbi Vardar në Shkup. Kjo vërtet shëmbëllen në Urën e Shkupit, vetëm se është më e madhe dhe më e bukur. Edhe për këtë urë ekziston tregimi i njëjtë sikur edhe për murimin e Shkodrës në Bunë”?!?
Unë e njoh mirë kujtesën historike të Vushtrrisë dhe të viseve të saj, ku kam hulumtuar nga mesi i viteve të ’60-ta të shek. XX, ndër shqiptarë dhe ndër serbë. Gojëdhënat që i langoi Nushiq për Urën e Jashar Pashës, kurrë nuk janë bërë pronë e kujtesës historike të popullsisë së kësaj ane. Në kujtesën historike shqiptare, serbe dhe ballkanike ka legjenda për krijimin e Urës së Shenjtë në Dukagjin dhe të Rozafasë (Shkodër), që kanë për burim kujtesën shqiptare. Ka studime të shumta.
Të sjellë edhe këtë konstatim: Sipas udhëpërshkruesve dhe hulumtuesve serbë dhe rusë deri në vitet e ’50-ta të shek. XIX, elementi serb në Kosovë, element çifçinj në tokat e feudalëve shqiptarë, nuk kanë ditur asgjë për “Betejën e Kosovës” për Lazarin, për Miloshin, për Jugoviqët, për Vojnoviqët, për Markun. Dhe, as kanë pasur më të voglën ide për Mitin serb të Kosovës, i cili u formësuar me ndikimin e kishës ruse në kishat ortodokse të Vojvodinës nën Austro-Hungarinë.
Këtu ndalem për të prekur dy të dhëna të Nushiqit që kanë të bëjnë me kohën e ngritjes dhe me mjeshtërit që i “ngtitën” dy Urat e Gurit, të Shkupit dhe në Vushtrrisë. Në këto konstatime të Nushiqit ka diçka historike dhe materiale të prekshme. Të dy urat janë ngritur në xhadet kadimi, në vendkalimet tradicionale që lidhnin Kalanë (Bërthamën e Shkupit), me viset fushore dhe Pollogun dhe me qendrat e tjera shqiptare:Tetovë, Dibër etj. Ura e Jashat Pashës lidhte “Kalanë” (Bërthamën e Vushtrrisë) me fushën dhe Malësinë e Artakollit e të Drenicës me qendrat e tjera shqiptare: Mitrovicë, Pazar i Ri, Pejë etj. Të dy këto ura, meqë u ngritën në vendkalimet tradicionale, praktikë që ndjekej dhe që ndiqet edhe sot në ngritjen e udhëve dhe të urave, u ngritën në vendkalimet tradicionale mbi lumin Silnicë (kështu e ka quajtur populli, deri tashti) dhe Vardar, ndaj janë trashëgimtare të urave ilire, romake e bizantine, pa shkëputje në kujtesën e popullit vendës, shqiptarë. Madje, Nushiqi ka mundur të dije qartë se këto dy ura, në pamjen që kanë pasur deri në fund të shekullit XIX (kur Ai ishte zyrtar në Konsullatën Gjenerale të Serbisë në Shkup dhe Vicekonsull në Konsullatën e Serbisë në Prishtinë), janë ngritur në kohën e pushtetit të të njëjtit person, shqiptar, dhe sipas gjithë gjasave, nga i njëjti arkitekt dhe të njëjtit mjeshtër të Oborrit të Jashar pashë Gjinollit, deri në vitin 1817/18.
Të mos zgajtëm pa nevojë. Dihet se “Ura e Gurit” (Kështu quhet ajo mbi Vardar), si ndërtim osman fillestar është i kohës së Sulltan Muratit II (141-1451) dhe kishte shtatë harqe. Është rindërtuar dhe shtuar më 987 (1579/80), në kohën e Sulltan Murratit III, “shumë më e mirë se e hershmja” (E Çelebi). “Ura u rindërtua edhe më 1223 (1817-18)” , pra në kohën Jashar pashë Gjinollit - vali e Zot i Vilajetit të Kosovës, iu shtuan edhe pesë harqe dhe ka marrë gati pamjen e sotme, pa ripërtëritjet e valisë Ahmet Ejup Pasha, më 1896/97, kur iu vu kallderma në anësorë, dhe të vitit 1909 ( Më hollësisht, “Kraljevina Jugoslavija. Drzhavna Velika Medresa u Skoplju. Izveshtaj za shkolsku 1933/34 god (...), Skoplje, 1934, 90-91).
Konsulli Branisllav Nushiq, duhet të kishte informata të sakta se donatori Jashar pasha Gjinolli, e përtëriti “Urën e Gurit” të Shkupit, pasi e mbaroi Urën mbi Silnicë, pra para viti 1817/18, se për rindërtimin e saj i përdori mjeshtërit e sprovuar në ndërtimin e Urës mbi Silnicë. Mirëpo, serbët e kanë pasur zitë emrin e Jashar Pashës, për demet që ky i shkaktoi synimit të Serbisë për pushtimin e Sanxhakut të Nishit, njësi kjo administrative e Kosovës. Nushiq, në librin e dytë, më 1903, do të konstatojë: “Ura gjendet në xhadenë e cila kalon nëpër Vushtrri për Mitrovicë dhe ka nëntë harqe për ujët e lumit Silnicë dhe një hark të vogël për ujët e “Përroit të Ujkut”, sipas Nushiqit “Kuri - potok”. Konstatoi se ajo “Tashti quhet Ura e vjetër”, sepse në ja 2-3 minuta nga kjo, mbi shtratin e ri të Silnicës, është ngritur, më 1855, ura e re. Ekspertet e UNITETIT kosovaro-unmikian emrit të vjetër ia shtuan edhe përcaktuesin “e gurit” dhe, shpresojnë se me pajtim të UNISEK-ut, do ta bëjnë“Ura e Vjetër e gurit” dhe, pa telashe të tjera(!?!) e paluan si trashëgimi serbe.
Vërtet, “Ura e Vjetër” e Vushtrrisë, përkatësisht “Ura e Jashar pashë Gjinollit”, siç e ka njohur populli deri në ditët e hulumtimeve të mia në terren, iu la mëshirës së kohës. Ajo përjetoi vetëm pak meremetime në vitet e Titos, por kjo nuk do të thotë se është pronë e Titos, ndonëse sipas logjikës së UNOSEK-ut dhe Ahtisaarit, po!?!
Para se të përfundoj është e udhës të konstatoj: Shkupi dhe Vushtrria janë dy qendrat më të rëndësishme administrative e kulturore që reflektuan shqiptarësinë e trevave të Dardanisë ilire, romake e bizantine edhe për kohën e pushtimit nemanjid - serb mesjetar dhe për vitet e para të periudhës së administrimit osman, përmes kalimit të shqiptarëve në Islam. Rrugën e pushtetit serb për përvetësimin e trashëgimisë kulturore të krishterë (paleokristiane, romake, bizantine e shënsaviane) të Kosovës, kanë filluar edhe historianët bashkëkohorë të Turqisë. Ata synojnë (njësoj si historianët serë dikur), për trashëgimi turke të gjitha monumentet e proveniencës islame të periudhës Osmane. Sipas logjikës së UNOSEK-ut - Ahtisaarit sot, të pranuar nga kosovarët e Unmikistanit, turqit, në një të ardhme, do ta “gëzojnë” atë të “drejtë”, aq më parë pasi shqiptarëve të Kosovës, për dashurinë ndaj Krishtërimit të maskuar me konceptet: “evropian” dhe “perëndimor”, po u përgatitet platforma politike antishqiptare të heqin dorë edhe nga feja dhe civilizimi Islam, të ndahen e të lëçiten me kombin e tyre, shqiptar historik me shumicë absolute Islame nga mesi i shek. XVI, të bëhen kosovarë, më qartë gomarë pa të kaluar historike, pa trashëgimi kulturore, pa fenë dhe civilizimin që i bëri shqiptarë, për të qenë nesër të pa identitet historik, të pa dinjitet, material ndërtimi për përtëritjen e gjakut të plakur të kombeve evropiane, pa e kuptuar mësimin e urtakut Alfred Adler : “Nëse nuk e di ku je duke shkuar,do të përfundosh diku tjetër”- në bërllokun e historisë.
Në fund, e për fund: kërkesa e Ekipit të Unitetit Unmikiano- Kosovar për të kallafatë rreth emrit: “Ura e Vjetër e Gurit” - jo “Ura e Vojinoviqëve”, as pa përpjekjen më të vogël për të dëshmuar për kohën e ndërtimit, donatorin dhe urdhërdhënësin për ndërtimin e saj, nuk duhet të konsiderohet padituri, sepse është më shumë se përgjegjësi, është antishqiptari. Historianët në “delegacionin kosovar për trashëgimi kulturore” - Hoxhaj dhe Hysa (shto aty edhe Krasniqin), së paku deri sot nuk kanë dhënë dëshmi se janë studiues, apo njohës të trashëgimisë kulturore shqiptare të Kosovës. Uroj të dëshmohen nesër! Si hap të parë në këtë drejtim e ritheksoj kërkesën nga fillimi, në mënyrën më të sinqertë, të botojnë Dosjen e Tyre dhe Dosjen e Batakoviqit, për Urën e Vjetër të Vushtrrisë. Pse jo edhe Dosjen e plotë për trashëgimin kulturore historike shqiptare të krishterë shqiptare të cilën UNOSEK-u me “Pakonë Ahtisari” po ia bënë tapi Serbisë, e cila Kosovën e lau me gjak shqiptari nga viti 1809 deri më 1999 dhe kurrë nuk do t’ia ndanë gazepin., kurrë nuk do të lejojë bërjen e Kosovës shtet, pa dënimin e meritueshëm për gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë në vitet 1989-1999.
Njëkohësisht, edhe si një qytetar votues i rregullt në të gjitha zgjedhjet unmikiane në Kosovë, pa të drejtë për të zgjedhur atë që do të mund të kërkoja llogari, do të doja të di nga “Delegacioni kosovar për trashëgimi kulturore”, se Çka fiton shqiptarësia e Vushtrrisë dhe e Kosovës nëse “Ura e Vojinoviqëve” do të lejohet nga UNOSEK të hyjë në “Pakon Ahtisaari” me emrin “Ura e Vjetër e Gurit”, duke e lënë atë në Zonë të mbrojtur administrative të Serbisë në Kosovë?!?
Shqiptarë, nëse doni shqiptarinë, kthjelluni, së paku të mos mbesim të mallkuar para brezave që prapë do të përgjakën për identitet shqiptar e për tërësinë e kombit dhe të Shqipërisë Etnike, e drejtë natyrore dhe demokratike që po i mohohet Kosovës dhe popullit shqiptar, tashti edhe me fajin tonë.
Prishtinë, 5-7 mars 2007
|