Dialog PO, por çfarë dialogu? |
Publikuar më 06 tetor, 2011 në orën 22:27 ( ) |
Driton Avdiu | Opinion | |
|
|
Rrjedha politike e ngjarjeve pas fillimit te “bisedimeve teknike” me Serbinë po e merr drejtimin e vet logjik te zhvillimit të saj. Ka disa ditë radhazi që po përflitet gjithnjë e më shumë në medie se këto bisedime nga “karakteri teknik” do të kalojnë në atë “politik”. Të gjitha forcat politike pa përjashtim, në pozitë dhe opozitë po shpërfaqin qartazi frikën e vet infantile nga këto bisedime të ”reja” të paralajmëruara me Serbinë, që na paskan marrë krejt papritur “karakterin politik”(sic!). Dhe zgjidhja e tyre magjike dihet - përsëritja e kërcënimeve dhe përbetimeve boshe të shtrirjes së sovranitetit dhe integritetit territorial në çdo pjesë të Kosovës, rikthimin e sundimit të rendit dhe ligjit në veri e deri te thirrjet për vazhdimin e aventurave të aksioneve policore në veri të vendit (të ngjashme me atë të 25 korrikut) që edhe me aparat dhune të shtrijmë sundimin e Kosovës (rendit dhe ligjit) në atë pjesë të vendit.
Qëllimisht dhe krejt pa fije turpi kërkohet në këtë mënyrë (dhe arrihet akoma në masë të konsiderueshme) që të luhet me një temë mjaft të ndjeshme për opinionin publik në funksion të ‘rritjes’ së bagazhit të tyre patriotik. Të gjithë këta partizanë të shtrirjes së sovranitetit në veri e kanë të qartë se vendi ynë nuk e ka kapacitetin e mjaftueshëm që t’i hyjë e t’i shkojë deri në fund kësaj ndërmarrjeje dhe se ky është një folklorizëm i pastër politik. Kjo, madje, edhe po dëshmohet çdo ditë. Gjithashtu, kur flasim për këtë çështje, nëse nuk e marrim parasysh ndikimin e strukturave serbe te instaluara nga Serbia atje, strukturave serbe të pabindura edhe ndaj vetë Serbisë si dhe ndikimin e madh të faktorëve ndërkombëtarë me praninë e fortë politiko-ushtarake në veri e kudo në Kosovë, bëjmë gabim fillestar në hapa. Prandaj, këto thirrje janë më tepër shprehje e përpjekjeve të përfitimeve politike të çastit për ndonjë votë më shumë në zgjedhjet e ardhshme, sesa përpjekje e sinqertë për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të kontestit shqiptaro-serb, të ngelur të pazgjidhur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kështu si u shtrua deri më tani mund të duket situatë e pashpresë. Por kjo nuk është ashtu. Kosova në pjesën më të madhe të territorit të saj tashmë është shkëputur faktikisht dhe juridikisht nga Serbia. Por një pjesë e mbetur e pazgjidhur e konfliktit qindravjeçar shqiptaro-serb është natyrisht çështja e tri komunave me shumicë serbe që sot janë formalisht pjesë e Kosovës. Mirëpo, edhe në një pjesë që sot ka mbetur administrativisht nën Serbi e që popullohet me shumicë shqiptare dhe ka vazhdimësi territoriale me trungun etnik shqiptar në Kosovë (ku përfshihen komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës), kemi gjendje të statusit të pazgjidhur të shqiptarëve.
Këto dy probleme, që përbëjnë një çështje, kanë ngjashmëri të madhe si në natyrë, përmasë e gjithashtu, që është edhe më e rëndësishme, përputhen në një pikë të përbashkët - banorët shumicë të të dy këtyre zonave kanë shprehur qartë vullnetin e tyre politik që të jetojnë me Serbi, përkatësisht me Kosovë. Shqiptarët këtë e kanë thënë qartë me referendumin e vitit 1992 për autonomi politiko-territoriale deri në bashkim me Kosovën, kurse serbët e zonës së veriut po e tregojnë në vazhdimësi se nuk duan të jetojnë nën autoritetin e shtetit të Kosovës përmes refuzimit këmbëngulës qoftë edhe për prani simbolike të policëve kufitarë dhe të doganierëve të Kosovës ne veri.
Në tërë këtë kompleks kemi një problem shumë të rëndë që godet drejtpërdrejt në interesin tonë kombëtar, në veçanti, dhe atë njerëzor, në përgjithësi - shpopullimin e dhunshëm të pjesës së Mitrovicës përtej urës së Ibrit që paraqet një problem në vetvete, i krijuar si nga indiferenca e faktorëve ndërkombëtarë, presioni i vazhdueshëm dhe i dhunshëm i strukturave serbe ndaj banorëve shqiptarë dhe pasiviteti e indiferentizmi i strukturave institucionale të Kosovës. Çdo zgjidhje që mund të kërkohet për qytetin duhet bazuar në gjendjen demografike të para ndërhyrjes së NATO-s në qershor 1999. Pra, para çdo zgjidhjeje eventuale për atë pjesë të qytetit duhet të fillojë kthimi i banorëve shqiptarë në pronat e veta në Mitrovicë. E njëjta vlen edhe për fshatrat shqiptare që janë në veri e që përbëjnë vazhdimësi territoriale me trungun etnik shqiptar.
Refuzimi i vazhdueshëm dhe i kotë i dialogut me Serbinë mund të na sjellë në një situatë tepër të palakmueshme për interesin tonë kombëtar. Serbët lokal, duke përdorur çdo mjet për ta mbajtur gjallë tensionin në veri nëpërmjet protestave e barrikadimeve të vazhdueshme, po e sjellin situatën, gradualisht, në pozicionin ku për përcaktimin e pozitës së tyre do të duhet të fillojë një dialog politik (dialog që nuk mund të sjell zgjidhje të problemit). Ky dialog natyrisht se do të arrijë deri te një propozim për një ‘zgjidhje’ për statusin vetëm të banorëve serbë, pra vetëm për njërën pjesë të problemit. Të gjithë indikatorët flasin për një mundësi të madhe që Plani i Ahtisaarit të modifikohet deri në shkallën që nuk do t’u lejonte shkëputje formale banorëve serbë të veriut, por do t’u mundësonte një shkallë të lartë vetëqeverisjeje në formë të një statusi të veçantë.
Sot është momenti ideal që, në këto rrethana, institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës ta ngrenë çështjen e pozitës së pazgjidhur të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Të gjitha kërkesat për tri komunat serbe në veri (Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan) mund të pranohen, nëse të njëjtat zbatohen edhe për shqiptarët e tri komunave në Serbi (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Pra shkallë e njëjtë e të drejtave politike, kulturore e ekonomike. Ky reciprocitet në të drejta për banorët e këtyre dy zonave do të ishte një hap i madh përpara drejt relaksimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Kjo zgjidhje e përkohshme dhe e ndërmjetme do të dilte në fund të fundit më i pranueshëm edhe për faktorët e përfshirë ndërkombëtarë në këtë mes, sepse do të garantonte edhe kufijtë e sotëm të të dy shteteve, një element për të cilin aq shumë po na e bëjnë të qartë ndërkombëtarët se sot për sot është i pandryshueshëm.
Sa më parë që të kuptohet se dialogu politik me Serbinë nuk është ai të cilit duhet t’i frikësohemi por mosguximi ynë për t’u përballur me të aq më shpejt do ta gjejmë rrugën e humbur. Ajo për çka duhet këmbëngulur është statusi i pakthyeshëm i Kosovës. Kur jemi të vendosur në këtë, dialogun duhet shikuar si një mundësi të mirë që institucionet tona ta ngrenë në bisedime me Serbinë edhe çështjen e pozitës së pazgjidhur të shqiptarëve në Kosovën Lindore e jo siç po ndodhë në bisedimet aktuale ‘teknike’ ku flitet vetëm për çështjet që janë brenda kufijve të Kosovës. Nëse vërtetë mendojmë se kemi shtet atëherë kjo do të duhej të ishte sjellja prej shteti.
Driton AVDIU, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes për Bashkim E-mail: dritonavdiu@levizjaperbashkim.com
Prishtinë, 5.10.2011
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 34 vizitorë |
Lexuar:
993 herë
|
|
|
|
|
|
|