Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Abdyl KADOLLI: Lirika e Fehmi Berishës
Publikuar më 02 tetor, 2012 në orën 19:10 ( ) Prof. Abdyl Kadolli | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Fehmi Berisha njihet më shumë si luftëtar i lirisë, i burgosur politik në Demonstratat 1981 dhe pjesëtar i Ushtisë Çlirimtare të Kosovës në vitet historike 1998-1999. Tash e njohim edhe profilin e tij letrar me dy vëllimet poetike “ Vala e solli nimfë”, 2010 dhe “Netët pikojnë dhembje”, 2012, të dyja botime të “Nositit” të Prishtinës. Poeti Fehmi Berisha vjen me këto dy vëllime si një poet i talentuar dhe i formuar, me stilin e vet të ligjërimit poetik.
TREKËNDËSHI POETIK
Lirika e Fehmi Berishës është e frymëzuar, si reagim shpirtëror dhe fiksion poetik ndaj botës që e rrethon. Atdheu, liria dhe dashuria janë tri motivet që krijojnë trekëndëshin poetik të lirikës së tij.

Atdheu
Ideali i përmasës së plotë të atdheut përshkon lirikën e Fehmi Berishës, jo me ndonjë patetikë e retorikë epike, por me një ligjërim të natyrshëm lirik.
Në lirikat e atdhedashurisë poeti këndon qëndresën, zgjimin, lirinë, identitetin e vetëdijen kombëtare. Të këtilla janë lirikat në vëllimin “Vala e solli nimfë “: “ Pranverë ‘81,”Ngrihu!”, “Bungu i Dyzit”,” Dua një kostum”, “Nën këmbë më rrotullohen gjurmë të arta”, “Me një degë trëndafili në gojë”, “Dua të kërcej vallen e Osman Takës” “Ma jep bekimin mike” , “Nëntori i tretë “ etj.
Poeti kërkon shenjat e identitetit kombëtar:
“Gjakun tim dua, gjuhën, këngën, vallen...” /Dua një kostum/.
Dy poezi për Çamërinë janë dhembshuria për tragjikën e saj:
“Na bashkon gjuha, kënga, Kosovë e Çamëri janë Një!” / Dua të kërcej vallen e Osman Takës/.
“Rrugën e ndaluar dua të shkel tek ti Çamëri
E të mbath opingat me xhufka të kuqe.”
/ Ma jep bekimin mike/.
Atdheu është: “aty ku mprehej fjala e zgjohej peshë liria”.
Këtu ther dhembja poetike për skajet e prera dhe përdhosjen e atdheut:
“Kam frikë kalorësit e ligësive, Atë gajasje të tyre! Më dhemb përulja mbi këto plasaritje.”

Liria
Motivi i lirisë përshkon lirikën e Fehmi Berishës si frymë e lëvizjes për identitet e qenie kombëtare. Gjakimi i lirisë është si frymëmarrje:
“Oh, dua t`i fryj tymit, pluhurit, emblema ime Trojë-Dardani!” /Rrënja/ Mirëpo, liria është e shtrenjë dhe në gjak i ka rrënjët:
“Shpërndanin rrebesh, breshër, shpërndanin stuhi
Gjuanin plumba në horizont, zogjtë i vrisnin
Eshtrat kërcenin fort, kërcenin mbi faqe të historisë...!”/
/ Pranverë ’ 81/;
Në këtë ndeshje historike ngrihet edhe kushtrimi i poetit:
“Ngrihu, ngrihu Kosovë e gjakut” /Ngrihu!/.

Disa lirika në vëllimin “Netët pikojnë dhembje” janë përkushtime për bashkëveprimtarët e dëshmorët e lirisë. Në poezinë “Zogjtë” Demaçi bëhet simbol i lirisë:
“Lidhi vetëtimat e fluturoi,
Qafës së Malit të na sillte rreze”.

Liria: “duke matur dritën me gjak” /Lidhje udhët me një ylber/ .
Flijimi: “ratë të mplakur u zgjuat të rinj.”
Idealet e lirisë nuk përputhen kurrë me realitetin e vrazhdë, por janë dritë shpirtërore për ta ndryshuar atë.
“ Të verbrit me sy prej kashte Hapin varrin e vet.” /Kortezh i lënduar/ Shpërthen revolta e poetit për makutërinë e sotme dhe ironinë e fatit:
“Ngodhësirat e gjalla majat gjakojnë, i vënë syze buzëqeshjes hipokrite me pamje engjëlli –meitët!”/ /Meitët e gjallë/.
Poeti mallkon idhujt e rrejshëm, natën, mjegullën, korbat, qentë...
“Lirinë ma pështyve nëpër dekada Ti, njeri gazetash! Më lehe zyrave dje, Më leh sot...” / Ti njeri gazetash/

Dashuria
Poeti Fehmi Berisha kultivon me ndjesi lirikën erotike, duke trajtësuar bukur edhe lojën e dashurisë. Zakonisht, urtakët e trimat janë edhe dashnorë të mëdhenj të lirisë e të femrës.
Aty dashuria shprehet si një ndjenjë që krijon drejtpeshimin e jetës dhe si dramë shpirtërore e mallit, miqësisë, kujtimit, ëndrrës e zhgënjimit. Në vëllimin e parë “Vala e solli nimfë” shquhen lirikat e dashurisë: “Arsye apo ndjenjë”, “Sonte dua”, “Pëshpëritje shpirtrash”, “Qenia ime mëkatare”,” Kur këndon Dea”, “Vala e solli nimfë”, “Sytë”, “Trazimi”, “Ndeshja e valëve”,” Ëndrrës së zgjuar rebele”, “ Shpirtrave buzëlënduar” dhe “ Më vjen si imazh zjarrdashurie”.
Erotike janë edhe lirikat në vëllimin e dytë
“Netët pikojnë dhembje”: “Fjalët mbetën të pathëna”,” Të kërkoj syrin, nuse”,” Ata sy”, “Këmishë pranvere” etj. Në lirikën “Vrasja e çasteve” poeti shenjon edhe vetë metamorfozën e dashurisë: “Ah, dashuri, je etja, dhimbja, ankthi” /Prush e ngricë/. Erotika e poetit është mjaft sensuale me bukurinë e magjinë e saj.
Dashuria bëhet edhe masë e kohës:
“Mate kohën me veten, Me dashuri mate, Të mos e shembin stinët.” /Mate kohën me dashuri/
Dashuria është e çiltër dhe e lirë: “E thonë se dashuria nuk ka dyer as dritare” /Shpirtrave buzëlënduar/.
Kanë më shumë intonime refleksive lirikat: “Dallëndyshja”,” E lidh jelësh”, “T’i ndezim yjet natës” etj.

Kënga
Poezia është një dritë shpirtërore rrezëlluese, që reflekton gjithherë diç të re dhe nuk imiton botën. Poeti Fehmi Berisha e indentifikon këngën me harpën, kitarën, ngjyrat, frymën, buzëqeshjen e cicërimën, si një mahnitje estetike. Ai e koncepton poezinë edhe si shtegtim e çlirim: “Mbi male ec të ikim, kënga ime, ec të ikim qiellit në freski, derisa lumin e pistë ta shpëlajë gurra e vet.” /Digjen për atdhe/ Ndonjëherë kënga konceptohet edhe si flijim e zhgënjim:
Ndodh, që bilbilin ta vdesë Kënga e vet e violina të djegë telat e saj, kur mendon se është bërë orkestër.” .” /Violina djeg telat e vet/ Kumbon si një testament poetik vargu: “Dhe nëse vdes, të vdes këngë, të vdes simfoni!”
Lirika e Fehmi Berishës grish jo vetëm me motivet që këndon, por edhe me stilin e ligjërimit dhe ritmin e natyrshëm, që e bën me vlera artistike dhe një zë të veçantë në lirikën tonë të re. Vargu poetik i Fehmi Berishës është mjaft i kondensuar, ndërsa shprehja e pasur figurativisht. Metafora është gjuhë e poezisë dhe ajo duket në fjalët: natë, mjegull, hije ,korba, prush, dritë, ylber, jele, petale, ujëvarë, flokë, valë, ishull.
Të këtilla janë edhe simbolet bung, rrënjë, eshtra etj.
Finesat poetike janë mjaft të dukshme:
“Jep e merr e merr jep, fjalë zjarri” /Pëshpëritje shpirtrash/
“Vala valëzon valën, ku deti qiellin rrok” /Sonte dua/
Në lirikën e poetit nuk mungojnë as shprehjet idiomatike: “zë në thua, shkel syrin, zgjohet peshë” dhe kompozitat hijevalë, hijedritë, hijezezë, dritëhënë etj.

Besianë, 4 gusht 2012

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Abdyl Kadolli
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 1,090 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi