Dervish Hima e Mustafa Kruja |
Publikuar më 01 dhjetor, 2012 në orën 10:39 ( ) |
Shevki Sh. VOCA | Histori | |
|
|
Reporteri gazetës Vjeneze"Wiener Blatt", dhe përgjigja e Dervish Himës (Ibrahim Mehmet Naxhi 1872-1928) dhënë kësaj gazete
Dervish Hima e Mustafa Kruja
“Reporteri i gazetës "Wiener Blatt" ia kishte ofruar Dervsh Himës një telegram italian, që bënte të ditur se kinse me aktin e Pavarësisë së Shqipërisë nuk ishte pajtuar "Komiteti Skënderbeu", me seli në Elbasan, i cili komitet 24 orë më parë, para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë më datë 28 nëntor 1912, kishte kundërshtuar zgjedhjen e kryetarit të Qeverisë Provizore-Ismail Qemalit, sepse ky kinse qenkësh përfaqësues kryesisht i interesave islame ne Shqipëri.
Dervish Hima, duke iu përgjigjur gjakftohtë reporterit të gazetës "Wiener Blatt", lidhur me këtë lajm, e kundërshton fuqishëm dhe bindshëm, duke pohuar se ky lajm nuk është fare e vërtetë dhe se ky lajm u takon vetëm atyre që e shohin me xhelozi Pavarësinë e Shqipërisë.
Hima thotë:
a) “Se nuk është e saktë që selia e Komitetit Skënderbeu është në Elbasan, por kjo seli gjendet në Amerikë-Boston, e cila koloni shqiptare tubon rreth 40.000 njerëz.
b) Së dyti, nuk është po ashtu e saktë që Ismail Bej Qemali përfaqëson vetëm interesat islame, por ai lufton, si të gjithë ne në Shqipëri, dhe në krahun e tij më të ngushtë gjendet nënpresidenti i Qeverisë së Përkohshme, që është një prift katolik, Nikolla Kaçorri, gjë që shërben si një dëshmi e fortë se në Shqipëri të gjitha grupimet politike e fetare, pra edhe të gjitha religjionet, dorë për dore punojnë për një të ardhme të mirë dhe që Shqipëria të bëhet e pavarur dhe e lië.
c) Së treti, kur studentët shqiptarë shkuan në mal për të luftuar më 1912, aty kishte me ta edhe shumë e shumë shqiptarë të krishterë dhe myslimanë së bashku.
ç) Së katërti, tek ne shqiptarët, në përgjithësi, më tutje deklaron Hima së pari gjen shprehje ndjenja e atdheut, pra Atdheu, ndërsa në linjën e dytë vjen religjioni” etj.
Më tutje vazhdon Dervish Hima dhe thotë:
“...është e mundshme që, përmes propagandës sllave në veri dhe verilindje të Shqipërisë, si dhe nga propaganda greke në jug të vendit tonë, të nxiten kundërshtime nga persona të caktuar dhe të paguar mes religjioneve, por ata persona nuk kanë pasur asnjëherë ndikim dhe as pasoja të mëdha, gjë që është e përjashtuar mundësia që nëpërmes këtyre individëve të paguar dhe këtyre propagandave, të merret për një moment diçka si një gjë me seriozitet”-përfundon Hima në këtë intervistë për gazetën e Vjenës, “Wiener Blatt”, më 1912...” *
“Ç’bëjmë ne këtu një Turqi të dytë.”
Në lidhje me këtë çka u tha më lartë për kohën kur u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe u formua kabineti qeverisës i parë i pavarur i saj është interesant edhe një detaj të cilën na prezanton historiani i njohur shqiptar Stavro Skëndi (1905-1989) i cili vite me radhë kishte ligjëruar në Columbia Unuversity (SHBA), dhe i cili është autor i disa librave nga historia jonë kombëtare. Profesor Stavro Skëndi në bazë të disa letërkëmbime që kishte pasë gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar me Mustafa Krujën (1887-1958), nga i cili aso kohe kishte kërkuar materiale dhe informata që t’i shpjegonte diç për çështjen e partive në Shqipëri të periudhës kohore 1920-1924, nga se ishte duke përgatitur një libër për rrymat politike shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e këtej.
Ja si i paraqet ato momente Mustafa Kruja të cilin historiografia jonë shqiptare nuk e trajton si personalitet fort të ndritshëm, në një letër dërguar historianit të njohur shqiptar Stavro Skendi. Fjalët më poshtë do ti paraqesim në origjinale, pa ndërhyrje gjuhësore, për hir të autenticitetit të tij.
M. Kruja: “Do të formohej qeveri e parë e Shqipërisë Indipendente, iu la në dorë kryetarit, natyrisht, zgjedhja e ministrave. Kur iu paraqit prej tij lista na të rinjtë shtangëm fare, na u duk vetja para një kuvendi tyrqis: asnjë i krishterë brenda, vetëm një varg emra bejlerësh dhe ndonjë pasha. Për të qenë më i përpiktë, harrova se paraqitej në atë listë vetëm një emër i të krishteri si nënkryetar Dom Nikollë Kaçorri, një prift patriot i shquar, pranë një hoxhe, Myftiut të Dibrës (fjala është për myftiun një hoxhë shumë i ngritur, patriot e atdhetar i shquar Vehbi Agolli-Dibra pl. Sh. V.). Plotësimet qenë të forta e të pahijshme para plakut të Vlorës e patriotit të shquar...Por s’kishim si të bëfshim ndryshe, s’e përmbajtëm dot veten na të rinjtë, myslimanë e të krishterë pa bërtitur: “Ç’bëjmë këtu, një Turqi të dytë ? ” E kuptoi menjëherë i gjori Ismail Be gabën e rëndë që kishte bërë, sigurisht nën ndikimin një mendësie të formuar prej një trashëgimie të gjatë politik familjar, nga një anë, dhe nga tjetra në atmosferën psikologjike që mbretëronte aso kohe mbi popullin shqiptar. Plaku e tërhoqi listën e tij dhe iu lut kuvendit që t’i propozonte ai vetë kandidatët për ministra. Kështu u vunë në atë listë edhe tre patriotë të mëdha si Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Pandeli Calja...” **
*Pjesë e shkoqitur nga libri i prof. Dr. Eqrem Zenelaj “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1699-1918)” Prishtinë, 2010.
** Zenun Çelaj: “Një letërkëmbim ndërmjet Stavro Skëndit dhe Mustafa Ktujës” në “BUJKU”, e martë, 30 dhjetor 1997, faqe 7, vazhdimi i 2-të. Fejtoni u botua në shtatë vazhdime.
Materialin e botoi gazeta “Epoka e Re”, 17-XI-20012, e shtunë
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 47 vizitorë |
Lexuar:
1,589 herë
|
|
|
|
|
|
|