Ish-kundërshtarët |
Publikuar më 24 janar, 2013 në orën 01:47 ( ) |
Albin Kurti | Opinion | |
|
|
Pas takimit të katërt Thaçi-Daçiq, komunikata për medie nga zyra e Baroneshës Ashton, si zakonisht, ishte shumë e shkurtër. Tri paragrafe gjithsej, por me vetëm katër fjali gjithsej. Duke qenë se takimi kishte zgjatur më shumë se gjashtë orë, si zakonisht, kemi mungesë të theksuar të transparencës. Thuhet të kenë arritur ca marrëveshje që nuk u dhanë si tekst ndërkohë që kurrfarë transkripti a procesverbali të takimit nuk kemi. E, megjithatë, janë disa elemente eksplicite në këtë komunikatën e fundit që tregojnë për zhvillime domethënëse më 17 janar.
Së pari, ashtu qysh Beogradi renditet me kujdes para Prishtinës në fjali, njësoj edhe kryeministri i Serbisë renditet para kryeministrit të Kosovës. Tepër e shkurtër është komunikata dhe tepër e ndjeshme gjithë kjo çështje që të jetë neglizhuar kjo gjë. Më parë kemi të bëjmë me ca neglizhim specifik të njërës palë: jo me çështje thjesht teknike por me shprehje të rëndësisë që ndërmjetësuesi u jep palëve. Së dyti, nuk flitet më për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë por ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Në këtë kontekst, Serbia nuk e ka problem të quhet Beograd apo Beograd zyrtar. Krejtësisht ndryshe qëndron puna me Prishtinën zyrtare që duhet të insistojë të quhet Kosovë. Dhe, së treti, në fjalinë e fundit që ka bëjë me marrëveshjen e IBM-it të 4 dhjetorit 2012, thuhet qartë se ajo iu referohet katër pikave kaluese. Pra, nuk ka më kurrfarë ambiguiteti këtu: pikat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë quhen veçse pika kaluese. Kështu i quan BE-ja si ndërmjetësuese dhe Qeveria e Kosovës po orvatet ta mashtrojë popullin e Kosovës dhe eventualisht vetveten.
Këto tri elemente eksplicite në këtë komunikatë të shkurtër të një takimi të gjatë rrëfejnë për zbutjen e kundërthënieve dhe dallimeve midis Thaçit e Daçiqit. Sa më shumë ambiguitet në një komunikatë, sa më shumë paqartësi e përgjithësime aty, aq më të mëdha do të kenë qenë kundërthëniet dhe diferencat në atë takim prej nga doli komunikata e tillë si konkludim. Anasjelltas, sa më shumë fjalë, shprehje e fjali eksplicite në komunikatë, me kuptim të anësuar e të saktë, aq më të zbutura kanë qenë në fund dallimet e kundërthëniet fillestare. Ambiguiteti (i deklaratës pas dialogut) është proporcional me kundërthëniet dhe dallimet (brenda në dialog).
Kur kemi parasysh përmbajtjen konkrete eksplicite në elementet përkatëse të lartpërmendura të kësaj komunikate, atëherë s’kemi si të mos konstatojmë që Thaçi bëri koncesione të turpshme në drejtim të pozicionit të Daçiqit. Platforma e tij e 14 janarit, e mbështetur edhe nga disa opozitarë, shënonte veriun e Kosovës me ‘V’ të madhe, nuk e përmendte askund Luginën e Preshevës, e qulli gjuhën për strukturat shtetërore të Serbisë duke mos i quajtur armiqësore, kriminale e ilegale, u zotua për Fond Zhvillimor të veçantë për veriun, dhe shprehu mirëkuptim për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia.
Prandaj, ajo sigurisht se përgatiti terrenin edhe për braktisjen e çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc atëherë kur atyre iu vodh lapidari i kryengritjes së tyre. Platforma e zbutjes së Qeverisë së Kosovës është platformë për fuqizimin e Serbisë kundër shqiptarëve – gjithçka në këtë proces të dialogut politik në Bruksel paralajmëron kompromise të reja me Serbinë e cila pa dyshim që është inkurajuar nga sjellja dhe mosveprimi i Qeverisë së Kosovës.
Se një e ardhme e këtillë që vjen prej Thaçit kryeministër nuk mund të realizohet pa ndryshimin e së kaluarës e dëshmoi vetë ai në një intervistë për gazetën ‘Novosti’ të Beogradit. Në pyetjen se si i duket bisedimi me Ivica Daçiqin, ai tha që ‘Atmosfera është pozitive, korrekte dhe konstruktive, si dy ish-kundërshtarë, tani gjendemi në situatë të dy palëve në dialog, në favor të popujve tanë’. Pra, Thaçi i zbutur nuk e konsideron Daçiqin armik, nuk e konsideron atë as kundërshtar, por vetëm si një ish-kundërshtar. Me këso (mos)qëndrimi ai s’ka se si ju del zot jo vetëm shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc por as shqiptarëve në Kosovë.
Për marrëveshje me Serbinë nuk mjafton që ai të mos e konsiderojë më Daçiqin as kundërshtar se lëre më armik, por i duhet që edhe në të kaluarën të thotë se nuk e ka pasur armik por vetëm kundërshtar. Andaj, nuk është e çuditshme më pse Qeveria Thaçi dhe ministri i saj i brendshëm Rexhepi sulmojnë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s duke i konsideruar ata edhe më shumë se kundërshtarë, pra armiq, gjersa askund asnjëherë nuk ndeshen me strukturat shtetërore kriminale të Serbisë në Kosovë që i financon e dirigjon Qeveria Daçiq dhe ministri i saj i brendshëm (sërish) Daçiq. Sepse, tash e tutje Daçiq është veçse një ish-kundërshtar (sic.). Dikush këtu ka ndryshuar cilësisht dhe ai sigurisht që nuk është Daçiqi i cili së fundi në Preshevë e përsëriti në vepër qëndrimin e tij anti-shqiptar.
Ndërkohë, BE-ja, por edhe ShBA-të, besojnë që përmes këtij dialogu politik me Kosovën do të mund ta largojnë Serbinë nga Rusia. Thaçi aty është material shpenzues i cili, më tej, po e shpenzon Kosovën si buxhet, territor e pasuri. Dobësimi i Rusisë në Ballkan që ka për pasojë forcimin e Serbisë, në fakt, nuk është kurrfarë dobësimi i asnjërës prej këtyre por forcim i të dyjave. Me këtë qasje të tyre karshi Serbisë, BE-ja dhe ShBA-ja po gabojnë rëndë. Problemi është se gabimin e tyre do ta paguajmë më shumë ne se vetë ato.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 54 vizitorë |
Lexuar:
854 herë
|
|
|
|
|
|
|