Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SHOQATA ISLAME “MUHAFAZI HUKUK” OSE “XHEMIJETI APO BASHKIMI”
Publikuar më 21 prill, 2013 në orën 19:21 ( ) Shevki Sh. VOCA | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Krahas rezistencës së armatosur ndaj pushtimeve serbe, siç ishin ato gjatë viteve 1912-1913 si dhe të atyre të mëvonshme, që u pasqyruan me lëvizjen kaçake dhe forma të tjera të rezistencës popullore, të cilat e ngadalësuan në masë të madhe procesin e kolonizimit të Kosovës për ta sjellë buzë dështimit, do të jetë edhe përfshirja e Shqiptarëve në jetën politike të vendit, si një formë tjetër që do t’i bëhet rezistencë shpërnguljes së tyre për në Turqi dhe vendet e tjera në përputhje me programet hegjemoniste serbomëdha, të cilat Beogradi ia kishte imponuar shtetit Jugosllav.

Kështu, nga viti 1919, krahas Partisë Radikale të Nikolla Pashiqit, e cila kishte vazhduar veprimtarinë e vetë të filluar në kohën e Mbretërisë Serbe, në hapësirën e Kosovës do të shfaqet edhe Partia Demokratike. Mirëpo duke vërejtur tendencën e serbizimit të Partisë Demokratike që aso kohe në pushtet ishte Lubomir Davidoviqi, forcat e moderuara borgjeze shqiptare thirrën në Shkup Kongresin themelues të partisë “Bashkimi”. Në Kongres organizata politike i mori dy emra. Emri i saj i vërtet ishte: “Shoqëria e Mbrojtjes së të drejtave shqiptare”, ndërsa në opinion për tu maskuar u paraqit me emrin: “Shoqata Islame Muhafazi Hukug” ose Xhemjeti. Ky maskim ishte i domosdoshëm, sepse Mbretëria SKS nuk njihte kombësinë shqiptare, ndërsa lejonte atë turke, dhe pranonte “identitetin islam”, të cilit i lejohej pasqyrimi në planin shoqëror, kulturor, por edhe politik. Kjo, ishte njëherë edhe partia e parë politike.
Xhemijeti si u quajt në popull u themelua në Shkup më 18 dhjetor 1919, kur u mbajt edhe Kuvendi i saj themelues, në të cilën morën pjesë 64 delegatë, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare që nga Struga deri te Novi Pazari. Për kryetar të saj u zgjodh Nexhip Draga, luftëtar i denjë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ( vdiq dy vjet pas në Vjenë më 1921, e zëvendësoi vëllai më i ri Ferat Draga, Sh.V.), për nënkryetar u zgjodh Sheh Sadedini, ndërsa sekretar Aqif Blyta nga Tregu i Ri (Novi Pazari) me prejardhje nga Gjakova. Politika zyrtare e Mbretërisë SKS kuvendin e vlerësoi: “Kongresi i Myslimanëve të Jugut”, të përbërë nga “Turq, Sllavë të islamizuar dhe Arnautë.”
Në të vërtet “Xhemijeti” kishte petkun fetar (islam), orientimin turk, por kjo tendencë që ajo të quhet “turke” nuk ishte asgjë tjetër veçse nënçmim i lëvizjes çlirimtare shqiptare, e cila në literaturën borgjeze dhe më vonë u quajt “rebele.” Vetë fakti se “Xhemijeti” shtroi edhe kërkesa për çlirimin nacional, tregon qëndrimin politik të borgjezisë, prej së cilës kjo parti ishte krijuar. Kjo parti megjithatë nuk ishte në gjendje që të ruante autonominë e vetë, me që ajo ndodhej në gërshetimin e ashpër të dy partive rivale serbe në Kosovë: asaj Radikale dhe Demokratike, të cilat ishin të interesuara për elektoratin e Kosovës, por që këtë ta bëjnë disi, duke ruajtur edhe ‘Xhemijetin”, jo si partner koalicioni, por si një vasal, të cilit i caktoheshin detyrat dhe i jepej ndonjë shpërblim për këtë.
Në zgjedhjet e viti 1920 Xhemijeti fitoi 8 deputetë. Qeveria e Nikolla Pashiqit përpiqej të arrinte marrëveshje me Xhemijetin, në mënyrë që të siguronte shumicën dhe ta votonte kushtetutën. Prandaj në gjysmën e parë të prillit të vitit 1921 Nexhip Draga do të shkojë në Beograd dhe do të arrijë që edhe 12 deputetë myslimanë t’i përfitoj për t’ia bashkëngjitë Xhemijetit. Ndërmjet 27 e 28 qershorit, në prag të votimit të kushtetutës, u arrit marrëveshja ndërmjet N. Pashiqit dhe kryetarit të qeverisë së Xhemijetit, me të cilën iu bënë koncesione të mëdha Xhemijetit, sidomos në aspektin e problemeve agrare. Mirëpo, pas votimit të kushtetutës, qeveria e Pashiqit e shkeli marrëveshjen, ndërsa së shpejti pas kësaj, Nexhip Draga do te vdes në Vjenë, në tavolinën e operacionit.
Pas vdekjes së tij, siç e kemi cek edhe më lartë në krye të Xhenjetit vjen vëllai i tij, Ferhat Draga, personalitet më i popullarizuar politik në mesin e shqiptarëve të Jugosllavisë, midis dy luftërave botërore. Ferat Draga ishte shumë aktiv dhe i pa lodhur e sy pa trembur. Ai menjëherë iu përvesh punës e cila nuk ishte edhe aq e lehtë që të dish si të veprosh në rrethana mjaft të vështira për kombin shqiptar, që shteti SKS assesi nuk donte t’i cilësonte ata si shqiptar por si nacionalitet turke. E gjithë këtë për të justifikuar dëbimin e tyre për në Anadoll. Puna dhe aktiviteti i veprimtarisë politike i Ferat Drages filloi tu bëhet pengesë e madhe Parlamentarëve Jugosllav. Në këtë mënyrë Xhemijetit, filloi t’i ngushtohej hapësira, veçmas pas prononcimeve kundër shpërnguljes së Shqiptarëve dhe kërkesës për kthimin e muhaxhirëve shqiptarë, të bërë nga Ferat Draga në Parlamentin Jugosllav, të cilën ai e deponoi edhe në Konferencën e Hagës, deklaratë kjo që shtyri Beogradin që të punojë për ta rrënuar nga Brenda këtë parti me anën e krijimit të fraksioneve të ndryshme, por edhe me trysni tjera nga jashtë, që do të çojnë te shkatërrimi i saj disa vjet më vonë, madje edhe deri te burgosja e Ferat Dragës.
Si rrjedhojë e këtyre presioneve, kur do të dalin në pah dy-tri fraksione, që do të kërkojnë që partia t’i kthehet çështjes fetare në Kongresin e Dytë më 1921 partia ndërroi emrin nga “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Shqiptare (Islame) në Jugosllavi” në “Organizata Myslimane e Serbisë Jugore e Mbretërisë SKS”, por dominonte emri “Xhemijeti i myslimanëve të Maqedonisë dhe Sanxhakut”. Me këtë shihej qartë se Beogradi nuk dëshironte kurrfarë organizimi politik të Shqiptarëve, pos atij fetar, i cili ishte domosdoshëm që atyre, në njërën anë, t’u ç’rrënjosej çfarëdo vetëdije kombëtare dhe në tjetrën anë t’u forcohej ajo fetare dhe e të qenit Turq, sepse me anën e saj mund të shpërnguleshin lirisht nga trevat e tyre shekullore e të përhershme për në Azi (lexo Turqi-Anadoll etj Sh. V.).
Në përputhje me këtë orientim që iu imponua nga shteti, struktura organizative e kësaj partie, do të rrumbullakohet në Kongresin e Tretë , që do të mbahet më 4 prill 1922, me ç’rast ajo tash më kishte karakterin e një shoqate të gjerë, në të cilën përfshiheshin që të gjitha rrymat politike në të cilat ishin të përfshirë Shqiptarët pa pasur të drejtë që politikisht të identifikohen sit ë tillë. Kështu, në këtë Kongres morën pjesë 11 deputetët Shqiptarë që ishin zgjedhur në parlamentin jugosllavë. Kongresi zgjodhi kryetar Qenan Zijanë nga Manastiri, nënkryetar Ismet Bej Kemalin, deputet nga Gjakova, dhe arkëtar Kemal Osmanin nga Shkupi. Nga viset e Kososvës, përfaqësues në Kongres ishin nga Prishstina Haxhi Xhemajl Efendija dhe Sylejman Haxhi Efendija, nga Gjilani Hysen Agë Oklani dhe Sherif Bajrami, nga Peja Nazif Beu, nga Pazari, Aqih Haxhi Ahmeti (Blyta, Sh. V.). Në Kongres ka mar pjesë edhe Sali Jusufi si përfaqësues i Llapit. Në këtë Kongres bihet vendimi që organi i tyre “HAK” të dale çdo ditë në gjuhën turke, kurse dy here në javë në gjuhën serbe. Gazeta duhej të redaktohej dhe të botohej në Beograd.
Në zgjedhjet e vitit 1923 Xhemijeti do të fitojë 14 deputetë. Në këtë kohë Ferat Draga do të kërkojë nga qeveria një lloj autonomie për Kosovën. Do të kërkojë gjithashtu të ndërpritet terrori ndaj popullatës myslimane në Jug, të ndërpritet reforma agrare dhe toka t’u kthehej atyre, të cilëve u është marrë, që myslimanët e shkolluar në Jugosllavi të inkuadrohen në administrate dhe që në fund të mësimit fetar të futet gjuha shqipe si lëndë mësimore. Lidhur me këto kërkesa ai dhe grupi i tij, dy here do të zhvillojnë bisedime me Pashiqin, së pari në Beograd e së dyti në Shkup. Por, kur nuk u arrit marrëveshja dhe kur këto kërkesa u refuzuan, me rastin e votimit për votëbesimin e qeverisë, Ferhat Draga me deputetët e Xhemijetit do të kalojë në opozitë dhe do të shkaktojë rënien e qeverisë së Pashiqit. Pas kësaj fillon një fushatë e përgjithshme kundër Xhemijetit. Para zgjedhjeve të vitit 1925, qeveria angazhohet në shthurjen e plotë të Xhemijetit.

Në prag të zgjedhjeve, Ferhat Draga u arrestua nën akuzën se mban lidhje me kaçakët, diku tjetër hasim se kinse në kohën e pushtimit Austro-Hungarez ai si kryetar komune i Mitrovicës ka bërë krime ndaj popullatës serbe, (Sh. V.), dhe u dënua me 100 vjet, diku e gjejmë
101 vjet burgim-dënim ky që më vonë u zbrit në 20 vjet, e që në fund pas tri vite të mbajtjes së burgut u lirua. Gjykimi i Ferhat Dragës u mbajt në Mitrovicë, në po atë ndërtesë ku kishte qëndruar pak kohë konsulli Rus Shqerbin i cili u vra ne fund të marsit të vitit 1903, nga dora e oficerit shqiptar në shërbim të ushtrisë osmane, Ibrahim Haliti, nga fshati Gumnishtë, afër Cërnicës, Komuna e Gjilanit, por në disa burime përmenden edhe fshatrat Sukë dhe Llashticë. Pasi u burgos dhe u dënua Ferhat Draga, atë kohë “Xhemijeti” u ndalua, ndërsa shumë udhëheqës u arrestuan ose u zhdukën fshehtas. Me ndalimin e Xhemijetit u ndalua edhe organi i saj gazeta “HAK”.
Ishte ky një shkrim në pika të shkurta për “XHEMJETIN”. Këtu më duhet vënë në theks se i pari i cili shkroi më gjerësisht për këtë parti politike si dhe për organin e saj “HAK”, ndër shqiptarët ishte historiani, prof. dr. Hakif Bajrami, ndërsa historiani tjetër Porf. Dr. Muhamet Pirraku, i cili i sfidoi fuqishëm dhe sy pa trembur regjimit të egër mbikëqyrës komunist që dëshironte çdo gjë shqiptare ta manipulonte, kohëve të fundit gjurmoi në për arkivat e Kroacisë dhe zbuloi të dhëna shumë interesante të botuara asokohe në gazetën HAK. Pritet që për hir të realiteteve kohore, gjeneratat e rinj të historianëve të kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim të mirëfilltë në radhë të parë prej këtyre dy shkencëtarëve tan të njohur në fushën e historisë, e pastaj edhe nga të tjerët që në një mënyrë apo tjetër nëpër punimet e tyre kanë prekur këtë temë Me të drejtë profesor Pirraku këtë organ apo gazet të Xhemijetit e quan një margaritar të gazetës kombëtare shqiptare.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Shevki Sh. VOCA
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 53 vizitorë
Lexuar: 2,144 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi