DRAMA KOMBËTARE NË DRAMËN ARTISTIKE |
Publikuar më 07 maj, 2013 në orën 20:33 ( ) |
Prof. Abdyl Kadolli | Kulturë | |
|
|
Adem Dema,” Politika dhe pushka”, LSHK, Prishtinë, 2012
Drama voluminoze “Politika dhe pushka është shtruar në letër nga 1 shkurti-31 mars 1970 në kazamatin e Pozharevcit, ndërsa është përfunduar gjatë viteve 2011 e 2012. Ajo shtrihet në pesë akte me skena e tablo të shumta dhe njësinë dramatike të veprimit. Është dramë me subjekt historik të ngjarjeve politike e luftarake të viteve 1920-1924 në Kosovë e Shqipëri. Drama është realiste dhe me personazhe historike. Është dramë e ideve politike dhe idealeve kombëtare, një lloj i dramës me tezë ose kronikë dramatike me temë historike. Drama trajton një traditë çlirimtare në krijimin e lirisë, nëpërmjet dialogëve e monologëve dramatikë, skenave e tablove të shumta me situata, intriga e konflikte dramatike.
DRAMA E LIRISË
Subjekti i dramës është një nyjë historike në traditën e lirisë. Çeta e Azem Galicës nuk i dorëzon armët dhe zhvillon luftë guerile kundër ripushtimit serb. Çeta e zgjerohet nga 9 në 200 veta, nga tri në 13 fshatra të Drenicës së kuqe, ku vë pushtetin dhe ngrit flamurin kombëtar, duke shpallur Shqipërinë e vogël. Ajo bojkoton tatimin, angarinë e shërbimin ushtarak dhe djeg stacionet e xhandrmërisë nëpër Drenicë. Organizon roja nëpër fshatra, ndal konfliktet e gjakmarrjen , ndjek hafijet e hjeksat dhe ata që ua shesin tokat kolonëve serbë për të ikur në Turqi. Lëvizja zgjeron ndikimin në Kosovë, duke rritur besimin në fitore. Populli kërkon edhe shkolla shqipe, por nuk ka mësues. Gërdeçi është pikë strategjike nga shihet Drenica e Llapi me Gallapin.
Drama fillon pas pranimit të shtetit shqiptar në Lidhjen e Popujve, kur bie Traktati i fshehtë i Londrës dhe shtohet angazhimi ndërkombëtar për ruajtjen e shtetit shqiptar. Atëherë ndodhin edhe masakrat e ushtrisë serbe në Gallap, ku vriten 200 burra dhe digjen gra e fëmijë. Më pas ndodh edhe burgosja e mijëra komunistëve në Mbretërinë jugosllave dhe në disa qytete të Kosovës. Konflikti i dramës është mes idealeve të lirisë e luftës çlirimtare, në njërën anë dhe strategjisë së pushtimit dhe politikës ekspansioniste e hegjemoniste serbe në Ballkan. Në këtë konflikt plekset politika si strategji e taktikë dhe pushka si simbol i luftës së armatosur popullore. Në kontekstin e dramës reflektohen intrigat e ngjarjeve politike e diplomatke shqiptare, serbe e ndërkombëtare në atë kohë. Shqipëria e brishtë lëkundet si xhemi nga dallgët politike serbe e italiane, që rrahin rrymën kombëtare të Nolit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit. Mbretëria jugosllave njeh një Shqipëri të dobët, me miqtë e serbëve në pushtet për të penguar influencën italiane dhe heshtur Kosovën. Parlamenti Shqiptar nderon me 5 minuta heshtje Leninin! Zogu ua merr mandatin deputetëve të Kosovës dhe burgos e vret atdhetarët. Hasan Prishtina e Bajram Curri ndiqen me pushkatim. Vritet Esad Pasha, Zogu plagoset në hyrje të Kuvendit, vritet edhe Avni Rrustemi. Popull ngrihet dhe ndjek tarafin e Zogut, i cili arratiset me 500 veta në Jugosllavi. Italia synon të dalë në Ballkan nëpërmjet Shqipërisë, duke luajtur kartën e irredentës. Anglia ngatërron ambiciet serbe për hegjemonizëm në Ballkan.
PERSONAZHET HISTORIKE
Personazhet e dramës janë figura historike, që individualizohen me tiparet e tyre fizike, morale e psikologjike. Ligjërimi i tyre bëhet në mënyrë të natyrshme në të folmen e tyre dhe në gjuhën amtare/ serbisht e turqisht/. Azem Bejtë Galica trim i paepur, njihet edhe siAzem Baroti, të cilit edhe xhandarët ia marrin patin. Takohet në Shkodër me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Luigj Gurakuqin për udhëzime të luftës. Me Pashiqin flet veç me mauzere. Nuk pranon të largohet nga Drenica, ku plagoset për vdekje. Për të koria është më e rëndë se vdekja, ndërsa vdekja për liri është rilindje. Shote Galica trimëreshë, e zgjuar, gjuhëmprehtë, mahitore / përbetohet në kryet e kralit, nguc vajzat në Shkodër e Llap/. Pushkën e kishte dhuratë të martesës. Quhet dalldyshë nga Azemi. Ajo kërkon emancipimin e femrës. Shota si mësuese do t’ua shpaloste nxënësve së pari shqiponjën dykrenore. Shota improvizon e këndon bukur. Nurë Shatri është një plak i urtisë e përvojësi, me intuitë politike, trim i rryer në luftërat për pavarësi. Ai ka njohur shumë trima e burra të mençur: Sami Frashërin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin etj. Nura drejton politikisht veprimet e lëvizjes. Politika për të është mjeshtëri, dredhë e zhdredhë, lojë cicmic e shulevek. Lufta sulm e ikje, njohje e vetes dhe e kundërshtarit, sprovim i luftëtarëve. Ai kërkon të mos ndalet lufta për liri, të ruhet tharmi i lëvizjes, por tharmi kërkonte edhe tambël. Ata që kanë shijuar një herë lirinë, nuk e japin lehtë atë. Nazim Gafurri është një shkollar e tregtar nga Prishtina. Ai shet hanin dhe dërgon në Paris doktor Tefikun për të informuar për masakën e Gallapit, kur reagojnë gazetat italiane e angleze për yrrfien e kralit, ndërsa Anglia shtrëngon Pashiqin. Nazimi informohet për planet serbe nga tregtari Mushan Jahudia, i cili ka kontakt me naçallnikun e pukovnikun serb. Nazimi shpreh dilema e drojë për fuqinë e lëvizjes dhe ofron strehim në Prishtinë për 50 cuba. Shaban Manxholli, Mehmet Delia, Emin Lati janë luftëtarë me vullnetin e flijimit. Mehmeti Delia, Ujkan Mikushnica e Budec Magjupi shkojnë në Shkodër ta njoftojnë Luigjin për synimet e Marka Gjonit.
POLITIKA E TOKËS SË DJEGUR
Nikolla Pashiqi përfaqëson politikën dhe diplomacinë serbe: “ Politika është mjeshtëri për të ecur tehut të shpatës...”1 . Për të gjithçka është politikë, madje edhe hajnia. Ndjek me dinakëri politikën me dy biga: kërbaç e kulaç. Strategjia politike serbe ndaj shtetit shqiptar dhe shqiptarëve të pushtuar shpaloset në dialogët Nikolla Pashiq, kryeministër dhe Momçilo Ninçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë jugosllave. Strategjia serbe është ekspansioniste për të dalë në Adriatik. Loja e Pashiqit me Mirditën bëhet për ta dobësuar Shqipërinë e harruar Kosovën. Shqipëria në sytë e Pashiqit shihet me përbuzje: malarike, shkëmbore, shqiptarët “arnautë primitivë”, kandrra, të përçarë, me tri fe, mosdije, mjerim, pa organizim politik, disiplinë, njerëz me sedër e vetëkënaqësi, mirëpo luftëtarë të shkathët dhe të bashkuar në rast rreziku kombëtar: “Këta janë njerëz që nuk pranojnë pushtetin e askujt e nuk njohin dorëzimin, madje as pushtetin e vet!”2
Pashiqi pengon Hasan Prishtinën mandator të qeverisë demokratike, duke u angazhuar materialisht, moralisht e ushtarakisht në zonën neutrale dhe kërkon bashkëpunim shqiptar kundër irredentës. Në ata dialogë jepen tablo të mjerimit në Kosovë me sëmundje epidemike, pa shërbime shëndetësore e rrugë. Gjysma e shqiptarëve nën kralevinë: “arnautë me rroba të grisura, të mërrolur e të rrezikshëm...”3, “ ato kandrra shumëzohen në mënyrë fantastike! 4, “Racë e çuditshme dhe e mallkuar! 5
Tri civilizime kanë lënë gjurmë, por ata kanë mbijetuar, duke marrë vetëm besimet e tyre. Ninçiq dëshiron kolonizimin sllav të Kosovës, por aty nuk shkojnë serbët nga viset e pasura, malazeztë asimilohen shpejt, boshnjakët nuk bëjnë fare. Është e vështirë shpërngulja në bregdetin shqiptar me këneta e mjerim.
Pashiqi kërkon kolonizimin serb përgjatë kufirit me Shqipërinë. Në Kosovë ndiqen cubat nga Kostë Peçanci, ndërsa në Dukagjin nga Savë Patarja.
Pashiqit i duken cubat shqiptarë si Robin Hudi. Ai kërkon të aktivizohet një shtresë shqiptarësh në pushtetin e tij, si kalë i Trojës, dhe të pengohet zgjerimi i bërthamës së lëvizjes. Zhvillon luftë psikologjike për injorimin e lëvizjes, kinse krali ka hequr tatimin, detyrimin e shërbimin ushtarak për Drenicën. Janë dredhi e mashtrime të Pashiqit për vënie në gjumë, për marrëveshje me Azem Bejtën, duke ia lënë tri fshatra. Ai nuk mund të zbatojë taktikën e tokës së djegur, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, por pret momentin e volitshëm.
Drenica ndodhet në ethe të pritjes e ankthit. Shaqir Curri, terzi nga Mitrovica, çon shenja për rrezikun e sulmit në Drenicë. Njerëzit zënë pritat nëpër gryka, por nuk ndodh asgjë. Dikur ata mërziten dhe fillojnë të ftohen, madje edhe rojat nëpër katunde. Dramatizmi arrin kulmin kur Pashiqi jep urdhër që 5 mijë ushtarë serbë ta sulmojnë Drenicën më 1 korrik 1924, në momentin kur Zogu arratiset në Jugosllavi. Azem Galica plagoset për vdekje. Shota e përcjell me një këngë të improvizuar kreshnike:
“Bubullimë po shkon Drenica,
Po lifton Azem Galica!
Ni grusht burra – me ‘i divizi
Flakë për flakë, singi m’singi!” 6
Drama “Politika dhe pushka” është një realizim artistik i një përvoje historike të dramës kombëtare, që ka shërbyer më vonë gjatë Luftës antifashiste dhe Luftës çlirimtare në Kosovë. Në dramë shpalosen kujtime edhe për figurat e tjera historike, Isa Boletinin, Idriz Seferin etj. Drama ngërthn edhe tablo dashurie , përshkrime të ambientit e krahasime interesante. Lëvizja krahasohet me biçikletën me dy rrota, kur ndalet, ajo rrëzohet. Nura flet me rrotulla e parabola alegorike. Proverbat dendësojnë mendimin. Hasan Prishtina: “... shqiptari është hala si teneqja, shpejt nxehet, mirëpo edhe ma shpejt ftofet!...”7
__________________
1. Adem Dema, “Politika dhe pushka”, LSHK, Prishtinë, 2012, f. 401.
2. Aty, f. 165.
3. Aty, f. 282.
4. Aty, f. 282.
5. Aty, f. 286.
6. Aty, f. 457. 7. Aty, f. 439.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 40 vizitorë |
Lexuar:
776 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|