Më 9 e 10 qershor 2013 në Prizrenin historik u zhvillua festivali i katërt ndërkombëtar DRINI POETIK, ku morën pjesë rreth 100 poetë e studiues nga të gjitha viset shqiptare. Në festival ishin edhe poetet angleze Morelle Smith dhe Lemma Shehadi. Aty lexuan edhe poetë turq e boshnjakë nga Kosova.
Festivali DRINI POETIK ka krijuar tashmë fizionominë tradicionale me rëndësinë e kontaktit kulturor dhe të afirmimit të vlerave letrare e artistike. Prizreni lirik e historik është nyjë e rëndësishme e kontaktit kombëtar e ndërkombëtar. Festivali mbahet në kuadër të Ditës historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa ai mban emrin e Drinit, lumit më të gjatë të Shqipërisë, me simbolikën e rrjedhës e të bashkimit.
Sivjet festivalit i priu ekspozita artistike “Medaljoni i Prizrenit” e piktorit prizrenas Faton Kryeziu.
Në sesionin letrar “ Shkrimtari dhe botimet letrare” paraqitën kumtesat studiuesit Emin Kabashi, Behar Gjoka, Myrvete Dreshaj-Baliu, Feride Papleka, Vebi Bexheti etj. Në festival u bë edhe përurimi i disa veprave të reja letrare.
Në pikat poetike “Lira magjike”, “Ora e Lidhjes” dhe “Universi poetik” ligjëruan poezitë e tyre të reja mbi 60 poetë. Poezitë u shoqëruan edhe me flaut, violinë e solo nga muzikantë të rinj të Prizrenit.
Juria letrare e përbërë nga Shqipe Hasani, Riza Lahu e Gëzim Ajgeraj nuk mund të kënaqte të gjithë poetët me pesë çmime letrare. Çmimin Metafora I e mori Bedri Halimi, Metaforën II Sulejman Dida, Metaforën III Albina Idrizi, ndërsa çmimin Vepra letrare Flutura Maçi dhe Nehas Sopa.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Prof.dr. Ramadan Muja, nderoi me emblemën e Prizrenit dy poetet angleze. Komuna e Prizrenit ka siguruar edhe akomodimin e pjesëmarrësve, lokalet dhe reklamat për festivalin.
Poetet angleze Morelle Smith e Lemma Shehadi vizituan monumentet kulturore-historike të Prizrenit, të Prishtinës dhe të Drenicës heroike.
Në të ardhmen festivali DRINI POETIK do të zgjerohet në tri ditë dhe do të ketë më shumë poetë ndërkombëtarë.
|