Pjesëmarrje, përveçse përfaqësim |
Publikuar më 04 shtator, 2013 në orën 22:26 ( ) |
Albin Kurti | Opinion | |
|
|
Pas votimit të anëtarëve të shtatë pikave të Lëvizjes VETËVËVENDOSJE!, Qendra e Skenderajt ka zgjedhur kandidatët e Lëvizjes sonë për kryetar të kësaj komune. Pas një procesi të lirë e në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores për zgjedhjeve të brendshme, më 7 gusht 2013, Ajnishahe Shala-Halimi është shpallur fituese me 98% të votave.
Me 25 gusht, aktivistët e pikave të VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë votuan në zgjedhjet e brendshme për kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës. Në këtë garë garuan dy kandidatë: Arbërie Nagavci dhe Jakup Dobroshi. Të enjten, më 29 gusht, Qendra në Gjakovë bëri prezantimin e rezultateve të këtyre zgjedhjeve ku fituese për kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës doli znj. Arbërie Nagavci, me 87% të votave.
Ditën e premte, më 30 gusht, anëtarët e pikave të Lëvizjes në Kaçanik kanë votuar për të zgjedhur kandidatin tonë për kryetar komune, gjithnjë sipas parimit një anëtar një votë. Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme, më 2 shtator 2013, Afide Kuka, është shpallur fituese me 82% të votave.
Pas Ajnishahe Shala-Halimit në Skenderaj dhe Arbërie Nagavcit në Gjakovë, Afide Kuka në Kaçanik është kandidatja e tretë grua e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që do të garojë për kryetare të komunës. Pra, i kemi tri gra që do të kandidojnë për kryetare të komunave, që i bie më shumë se secili nga subjektet e tjera, ndërkohë që asnjë subjekt nuk i ka as dy gra kandidate. Po ashtu, në listën për kandidatë për asamble komunale të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, 40% të të kandiduarve janë gra.
Mbetet të konkludojmë me siguri pas analizave dhe studimeve në organizatën e Lëvizjes sonë, por duket që këto janë rezultate të mënyrës së organizimit tonë ku në vend të Forumit të Grave, që është mekanizëm tipik i partive politike kosovare, ne kemi Sekretariatin e Gruas Aktiviste. Lëvizja VETËVENDOSJE! brenda organizimit të saj ka ngritur Sekretariatin e Gruas Aktiviste si një sekretariat statutor në tri nivelet organizative. Pikërisht ky Sekretariat e sheh angazhimin politik, para së gjithash, si pjesëmarrje dhe jo si përfaqësim, gjë të cilën e bëjnë forumet e partive. Sekretariati i Gruas Aktiviste nxit pjesëmarrjen e gruas brenda dhe jashtë strukturave organizative, nxit pjesëmarrjen e gruas në të gjitha proceset vendimmarrëse brenda dhe jashtë organizatës, angazhohet në zgjidhjen e çështjeve praktike që e pengojnë ose e kufizojnë pjesëmarrjen e gruas në proceset vendimmarrëse dhe aksionet brenda dhe jashtë organizatës, nxit angazhimin e gruas aktiviste të Lëvizjes në aktivitetet publike dhe mediatike, organizon aktivitete formuese dhe aksione të ndryshme që krijojnë hapësira për angazhimin e mëtejshëm të gruas në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Sekretariati i Gruas Aktiviste mbikëqyr, evidenton dhe paraqet nevojat dhe problemet e veçanta dhe konkrete të gruas gjatë proceseve vendimmarrëse brenda dhe jashtë Lëvizjes, ndërton dhe promovon modele pozitive të gruas aktiviste. Ky Sekretariat mbikëqyr pjesëmarrjen dhe aktivizimin e gruas në proceset vendimmarrëse dhe strukturat e organizatës, mbikëqyr sjelljet dhe vendimet diskriminuese ndaj gruas brenda dhe jashtë Lëvizjes dhe ndërhyn në bashkëpunim me strukturat e tjera të Lëvizjes VETËVENDOSJE! , për të marrë masa disiplinore ndaj sjelljeve diskriminuese dhe abuzuese ndaj gruas brenda dhe jashtë organizatës.
Pra, insistimi te pjesëmarrja përmbajtësore dhe jo kufizimi te përfaqësimi formal, aktivizojnë gratë në politikë. Sekretariati i Gruas Aktiviste (në Lëvizje) dhe Forumi i Gruas (te partitë) kanë dallim sikurse kritika dhe ankesa, qëndrimi dhe shfaqja, mendimi dhe dukja, veprimi dhe votimi.
Megjithatë, ky lloj i ndryshëm i organizimit tonë gjithsesi vjen nga diçka më e thellë sesa forma tjetërfare e strukturimit: botëkuptimi e bindja jonë për barazinë si vlerë, për barazinë si pikënisje e pikësynim. Në betejën aktuale politike koncepti i barazisë ndodhet në kontrast me doktrinën e neoliberalizmit që e dobëson shtetin duke e goditur kështu më shumë gruan se burrin (në familje dhe jashtë saj), që i kontribuon patriarkalizmit dhe e rrit varësinë e gruas nga burri, që përgjithësisht i dëmton më shumë gratë (përveçse edhe burrat).
Fjala barazi përmendet më shumë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! sesa nga të gjitha subjektet e tjera marrë së bashku. Jemi dëshmitarë që aksioni afirmativ, apo kuota gjinore siç njihet ndryshe, ka dhënë rezultate pozitive, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm për limitet e këtij koncepti. Sepse, aksioni afirmativ (1/3, apo çdo e treta grua) e përqendron vëmendjen te përmirësimi i pozitës së gruas duke e spostuar nga prioriteti barazinë. Kësisoj, zëvendësimi i idealit të barazisë me përmirësimin inkremental shënon edhe pajtimin me pabarazinë.
Sigurisht që jemi aq larg synimit tonë. Por, le të mos harrojmë që largësia nga synimi është problem më i vogël atëherë kur ndodhesh në rrugë të gabuar. Përfaqësimi formal pa pjesëmarrje përmbajtësore ka bërë që, në fund, individualizmi i shumicës së grave politikane dhe të shquara në Kosovë të jetë shumë më i madh sesa feminizmi i tyre dhe fatalisht ta minojë feminizmin e tyre. Për çdo ditë shohim si individualiteti garues e mund dhe e rrënon solidaritetin gjinor...
Prishtinë, 3 shtator 2013
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 43 vizitorë |
Lexuar:
629 herë
|
|
|
|
|
|
|