Moikom Zeqo: Ja tre njollat e Ahmet Zogut, Lufta Nacional-Çlirimtare shpëtoi Jugun e Shqipërisë nga aneksimi |
Publikuar më 29 nntor, 2013 në orën 16:21 ( ) |
Intervista | |
|
|
Studiuesi, historiani dhe shkrimtari, Moikom Zeqo, në një intervistë për gazetën “Sot”, vlerëson rolin e madh që ka luajtur intelektuali Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij në krijimin e një shteti demokratik shqiptar. Ai thekson rëndësinë e madhe që pati shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemali edhe më vonë për fatin e kombit shqiptar. Moikom Zeqo vlerëson faktin që Konferenca e Londrës njohu pavarësinë e Shqipërisë, pavarësisht copëtimit të trojeve. Sa i takon rezolutës çame, Moikom Zeqo i bën thirrje diplomacisë shqiptare që të gjejë konsensusin me Greqinë, pasi në rast të kundërt ajo rezolutë është e pavlerë. Duke u ndalur në çështjet politike aktuale, Moikom Zeqo thotë se Shqipëria humbi një shans të madh për mospranimin e armëve kimike.
-Si i vlerësoni kremtimet e festës së 28 Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pasi siç duket atmosfera është më e zbehtë sesa një vit më parë?
Ky nuk është vit jubilar, pasi jubile ishte 100 vjetori i Pavarësisë. Madhështia e festimeve mund të mos jetë në lartësinë e duhur, por kjo nuk e justifikon faktin që në 101 vjetor të mos bëjmë reflektime, pasi gjithmonë ka një cak kohor për të bërë reflektime. Por, çfarë përfaqëson 28 Nëntori i 1912? Historia shqiptare është një histori e ndërlikuar, histori fitoresh, por edhe disfatash. Ne në 100 vjetor patëm fat që të kishim jubileun për pavarësinë, që pati një karakter festiv. Në këtë 100 vjetor u botuan disa libra, një nga këto libra botova dhe unë për pavarësinë, që titullohet: “Një komb, një flamur”. Akademia e Shkencave duhet të realizonte një aksion botimesh. Ne nuk kemi të botuara deri më sot veprat e plota të Ismail Qemalit. Ismail Qemali është një intelektual i klasit të epërm. Jo vetëm kujtimet e tij, por ai ka një numër të madh shkrimesh, por edhe një numër të madh relacionesh dhe raportesh, që lidhen me veprimtarinë e tij deri në 1912. Ne nuk kemi të botuar gjithë dokumentacionin e Qeverisë së Vlorës. Nuk kemi të botuar dokumentet për mjedisin evropian, që lidhet me këtë çështje. 28 Nëntori i 1912 është ngjarja më e madhe historike e shqiptarëve pas epokës së Skënderbeut. Shpallja e pavarësisë është akti juridik më i madh i të gjithë kohërave. Shqiptarët si komb patën një lloj njohje ndërkombëtare. Lidhja shqiptare e Prizrenit në 1878 kishte tiparet e një shteti, sepse kishte diplomaci të jashtme me Abdyl Frashërin, kishte ushtri, gjykata. Po të ishin kushtet, shteti duhet të ishte shpallur që në 1878. Megjithatë, përpjekjet e mëdha të atdhetarëve të mëdhenj, arritën që të bëhej shpallja e pavarësisë si një akt juridik i vullnetit të gjithë trojeve shqiptare. Ne e kapëm “trenin” në momentin e fundit. Nëse nuk do ta kishim shpallur pavarësinë në 28 Nëntor 1912, ka gjasa që historia e kombit shqiptar të ishte krejt ndryshe. Ne mund të mos kishim finalen për të ardhur në një shtet kombëtar. Popuj më të mëdhenj, ndoshta edhe më të kulturuar se ne, nuk kanë arritur dot të kenë një shtet kombëtar. Baskët, një popull fisnik, i kulturuar, midis Spanjës dhe Francës, pavarësisht se kanë vlerat e tyre nuk arritën dot të bëhen një shtet më vete. Po kështu, irlandezët, skocezët, apo kurdët që janë të ndarë në disa shtete. Shqipëria e bëri këtë në një moment emergjence, në momentin më të fundit. Po të mos shpallej ky vullnet, ka gjasa që Konferenca e Londrës të mos e merrte këtë fakt juridik të mirëqenë; pavarësinë e Shqipërisë. Konferenca e Londrës e morri në konsideratë këtë fakt juridik, që Shqipëria është shtet i pavarur dhe përveç anës negative që përgjysmoi trojet tona, pati moment pozitiv pasi e njohu pavarësinë. Nëse flasim për 101 vjetorin, duhet të flasim edhe për 100 vjetorin e Konferencës së Londrës. Shqipëria sot është Shqipëria e Konferencës së Londrës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka statusin e shtetit të dytë shqiptar në Europë. Pa shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemalit me bashkëpunëtorët e tij të ndritur, nuk do të arrihej pavarësia e Kosovës. Ne kishim një diplomaci para shtetit, një diplomaci e nivelit të lartë, pa harruar edhe veprimin luftarak të kryengritjeve shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë është një akt normativ ekskluziv i patjetërsueshëm.
-Politika ka hapur një debat që lidhet me datën e çlirimit të Shqipërisë. Pretendohet se Gjermani i fundit është larguar nga Shkodra më 29 Nëntor 1912. Festa e çlirimit duhet të festohet më 28 Nëntor apo në 29 Nëntor?
Unë mendoj se festa e 28 Nëntorit brumosi edhe një gjë tjetër, që deri më sot nuk është thënë. Po të mos ishte shpallur pavarësia, Shqipëria nuk do mund të luftonte fashizmin. Shqipëria arriti të jetë subjekt i aleatëve të mëdhenj të antifashizmit, si Anglia, Amerika, Bashkimi Sovjetik. Prandaj, data 29 Nëntor është një datë që konfirmon 28 Nëntorin. Kjo është një çështje që vetëm njerëzit diletantë, ambiguidë, njerëzit e errët nuk duan ta kuptojnë. Sepse 29 Nëntori rikonfirmoi edhe një herë këtë pavarësi të arritur. Po të mos ishte Lufta Nacional-Çlirimtare ka gjasa që gjysma e Jugut të Shqipërisë të aneksohej.
-Sipas dokumenteve historike, akti për pavarësinë e Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës nuk morri shumicën e cilësuar të votave, por vetëm 45 vota. Komenti juaj?
Nuk ka rëndësi sesi arrihet një akt normativ. Ai ka qenë Kuvendi i Vlorës që zgjodhi kryetar Ismail Qemalin arriti konkluzionin që Shqipëria të ishte e mosvarme. Ajo që është më e çuditshmja është që forma që zgjodhi Ismail Qemali nuk qe forma mbretërore. Në atë kohë gjithë shtetet evropiane ishin mbretëri. Ismali zgjodhi formën republikane të shtetit, dhe kjo i jep një nder atij.
-Thuhet se himni i flamurit, i cili u kompozua në Bukuresht, është i huazuar. Sa e mbështesni këtë përqasje?
Nuk ka shumë rëndësi çështja nëse është muzika e huazuar. Teksti është i Asdrenit. Ky është një himn tradicional, por ka pasur debat që të ndryshohet. Unë mendoj që për arsye të historicitetit, të mbahet.
-Mendoni se janë vlerësuar sipas kontributit historik personalitetet e Pavarësisë?
Është bërë një vlerësim i saktë i periudhës së Pavarësisë. Por, për këtë periudhë disa personalitete që kanë marrë pjesë në aktin e madh të firmosje së Pavarësisë, siç qenë disa nga ministrat e qeverisë së Ismail Qemalit, për arsye të jetës së tyre të mëvonshme, ose mospërputhjeve politike, nuk janë përmendur, siç është rasti i Lef Nosit, Myfit Libohovës, etj. Nuk mundet që shkenca historike shqiptare të mohojë e të heshtë për figurat historike, që kanë luajtur role historike pozitive në një periudhë dhe të mos përmenden fare.
Politikanë shqiptarë janë ndarë në grupe për vlerësimin ose jo të figurës së mbretit Ahmet Zogu. Komenti juaj?
Shkencën historike nuk e bëjnë politikanët, por historianët seriozë dhe të paanshëm. Jam kundër vështrimit manikeist të figurës së Zogut, por jam kundër mbivlerësimeve të tepruara, pa cekur edhe karakterin kontradiktor, dritëhijet e kësaj figure, gabimet, të metat, krahas kontributit. Nuk mund të heshtet për marrëveshjen e turpshme më 1924 të Zogut me kryeministrin serb, Nikola Pashiqin, ikjen aspak dinjitoze më 1939, ose për vrasjet e Luigj Gurakuqit, Bajram, Curit, Avni Rustemit, Hasan Prishtinës, etj. Nuk mund të vlerësohet me tone apologjike figura më shumë figura e Zogut.
-Ndalemi tek një çështje tjetër, ajo çame, që kur e kujtojmë të vijnë nëpërmend masakrat e Napolon Zervës mbi këtë popullsi. Në Fletoren Zyrtare është botuar rezoluta çame, por nga ana tjetër diplomacia shqiptare nuk ka dialoguar me Athinën zyrtare për heqjen e Ligjit të Luftës. A duket se rezoluta nuk ka asnjë efekt nëse nuk arrihet një konsensus dy palësh, edhe me shtetin helen?
Ligji i Luftës është nonsens arkaik, primitiv dhe pa asnjë vlerë juridike nga pikëpamja ndërkombëtare. Përsa i përket çështjes çame, nuk mund të jetë çështje juridike thjesht e Parlamentit Shqiptar. Patjetër duhet të arrihet një status bilateral. Pra, kjo çështje duhet të njihet nga të dyja shtetet. Nëse nuk ka një veprim juridik nga ana e shtetit grek për çështjen çame, nuk ka vlerë juridike rezoluta vetëm nga njëra anë. Duke qenë një çështje bilaterale, kërkon një status bilateral. Nëse arrin diplomacia shqiptare dhe ajo greke që të bien në një konsensus për të arritur këtë çështje, atëherë kjo është një çështje plotësisht e zgjidhur. Dhe nga ana tjetër, unë nuk mendoj se do ketë ndryshim kufijsh politik midis Greqisë dhe Shqipërisë. Futja e Shqipërisë në BE, ku vend anëtar është dhe Greqia, do të jetë një kohë e gjatë. Statusi i kandidatit do të thotë të jesh në paradhomë, por në paradhomë mund të rrish dhe disa vjet. Kur të bëhemi anëtar me status të plotë, atëherë mundet që çështja çame të ketë zgjidhje juridike të saktë sa i takon pronave, të drejtave njerëzore, politike, etj. Çështja çame nuk mund të jetë thjesht një problem kombëtar, por ndërkombëtar, pasi vetëm kështu mund të zgjidhet.
-Është hapur debati për rishikimin e historisë. Nëse ka nevojë për rishikim, cila pjesë e historisë duhet të rishikohet?
Çështja e rishikimit të historisë është një çështje shkencore. Historia do të pasurohet dhe do të rishkruhet në detaje, por jo në thelbin e vet. Unë do të shkruaj me detaje, por nuk do të mohoj faktin që pavarësia u shpall më 28 Nëntor. Pra, rishkrimi i historisë do të jetë i vazhdueshëm. Do shkruhen libra për pavarësinë, por jo fakte që quhen me fuqi të patjetërsueshme, do pasurohen figurat, biografitë e tyre, por nga pikëpamja e boshtit konceptual, historia duhet të mbetet ajo që ne njohim. Nuk mund të mohojmë që kemi qenë të pushtuar 4 shekuj nga qeveria osmane. Nuk mund të mohojmë që Skëndërbeu luftoi kundër osmanëve dhe vdiq në Lezhë më 17 janar 1468. Ata që flasin për rishikimin e historisë flasin broçkulla, flasin gjëra politike ose ekzibicioniste për t’u dukur interesant. Skëndërbeun e kanë bërë hajdut kuajsh dhe shërbëtor të spanjollëve. Por, duhet theksuar se Skëndërebu qe një luftëtar i madh i lirisë.
-Si e vlerësoni tërheqjen e qeverisë nga vendimi për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri?
Ne duhet të pranonim armët kimike si pjesë e një procesi ndërkombëtar për paqen. Paqja është një kaos suprem e njerëzimit. Çështja për armët nuk ishte një çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Amerikës. Manipulimi i opinionit publik krijoi konfuzion. Shqipëria i kishte kapacitet dhe njerëzit për të shkatërruar armët, dhe ne do ishim në vëmendjen ndërkombëtare. Bashkë me armët siriane, do të demontoheshin edhe mbetjet tona kimike, por këtu u krijua një klimë apokaliptike, se do ngordhnim si karkalecat! Posibiliteti për të ndodhur apokalipsi është te vendet që prodhojnë armët. Siria i pati 30-40 vjet, ndërsa Shqipëria 50 vjet dhe nuk ka ndodhur ndonjë apokalips. Shqipëria humbi një shans, ky shans kërkonte vizion dhe më shumë dituri!
Gazeta Sot
29. 11. 2013
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 102 vizitorë |
Lexuar:
3,247 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|