Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kultizimi i Janullatosit në afreskun e ri ikonografik
Publikuar më 13 shtator, 2015 në orën 15:17 ( ) Prof. Arben Llalla | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
E vërteta rreth afreskut: “I zbrituri nga qielli, Kryepeshkopi Anastas”

Pas denoncimit tim, ku në afreskun e ri ikonografik tek kishëza e katedrales ortodokse të Tiranës paraqitet kryepeshkopi Anastasios tek zbret nga qielli si Jezu Krishti, funksionarët e KOASH-it ia mbuluan me copë të bardhë fytyrën kryepeshkopit të ikonizuar në murin e brenda kishës...
I mbuluan fytyrën për të mbuluar të pabërën, flagrancën e madhe në historinë e Ortodoksisë: vetkultizimin e Janullatosit!

Në një vend me mendësi kryesisht materialiste, Kryepeshkopi zëvendëson Krishtin në mendjen e besimtarëve, duke imituar pozitën gjysmë-hyjnore e gjysmë-njerëzore të Zotit Perëndi: Ai zbret nga qielli mbi një pejsazh ngrehinash në trajtë qyteze-kompleks, për t’i dhuruar një fëmije kullën-kambanore, duke i vënë kështu “vulën” misionit të tij në Shqipëri.
Por skandali është vetëm në fillesat e tij dhe ka nisur të shqetësojë besimtarë të KOASH-it, si dhe klerikë e laikë të cilët ndihen të zhgënjyer nga një kapërcim i tillë befasues e tronditës.
Tre përfaqësuesit e KOASH-it u kapën në një siklet të madh teksa u shtrënguan të flisnin mbi këtë temë gjatë një emisioni televiziv para disa ditësh. Edhe pse funksionarë të lartë, ata nuk e përfaqësuan denjësisht Kishën, ndërsa tre të ftuarit e tjerë folën me fakte e profesionalizëm.
Ngërçi ishte aq i madh sa ata u shtrënguan të gënjejnë, se afresku-skandal “nuk është në kishë, por në një kishëz,” dhe prandaj lejohet pikturimi “në një stil më të lirë.”
Këtu, përveç flagrancës dhe pranimit indirekt të mbrapshtisë, kemi mashtrime të mëdha e rrëshqitje të rrezikshme nga besimi ortodoks, nga të cilat do të cekim këtu disa:
E para, në të njëjtin emision funksionarët e lartë të KOASH-it argumentuan se kisha e Dhërmiut, edhe pse kishëz, është Kishë në çdo pikëpamje, njësoj si çdo kishë tjetër ortodokse. Si ka mundësi, atëherë, që në rastin e afreskut, atje ku madje ndërtimet dhe pikturimet janë bërë më se të planifikuara e të parashikuara një herë e përgjithmonë, kisha në fjalë nuk është Kishë?
Kjo është shkelje e koncepteve themelore të besimit ortodoks. Historia kishtare ka shembuj të panumërt klerikësh, e madje shenjtorësh, të cilët kanë meshuar gjithë jetën në një kishëz, dhe jo në kisha të mëdha e katedrale. Madje dhe sot në Malin e Shenjtë e gjetkë në Greqi, ka klerikë të veçuar në vëllazëri të vogla të cilët kanë kishëza shumë më të vogla se ajo për të cilën mashtrojnë funksionarët e lartë të KOASH-it. A kanë të drejtë priftërinjtë dhe murgjit në fjalë të bëjnë portrete e karikatura nëpër muret e tempullit sepse “nuk është kishë, por kishëz?”
E dyta, përfaqësuesit ortodoksë thanë se këtë afresk të Janullatosit “e ka bërë një piktor shumë i njohur.” Domethënë justifikohet shkelja kishtare me motive shekullare, e për hir të madhështisë njerëzore? Apo përdoret si pretekst për të shtirë mahnitje ndaj artistit, që të heshtë teologjia e të kapërcehet kriza që i ka kapur sot? Manipulim, madje me gjysmë çmimi…
Ju lutem, na thoni emrin e piktorit, që të dimë se fshehja e emrit nuk është pjesë e problemit.
E treta. Peshkopi i KOASH-it, kryesori i treshes, tha se në afresket e reja kishtare “ka dhe persona jo realë”. Duke thënë se ka persona jo realë, i shtohet faj shkaktarit, i cili ka zgjedhur vetëm Veten e Tij...
Ku janë personat realë të Ortodoksisë Shqiptare në Kryekishën Ortodokse të Shqipërisë? Si e varrosët kaq shpejt Historinë? Ku janë tiparet e kishës lokale në këto dëshmi te reja?
Kur Kryepeshkopi guxon të imponojë veten e tij (të rënë) ne sfondin historik dhe spiritual të kishës lokale, ky është sakrilegj jo vetëm ndaj besimit ortodoks, por dhe ndaj dëshmorëve e martirëve të kishës vendore, të cilët dëshmuan besimin e tyre duke u përndjekur e persekutuar nëpër burgje e internime.
Ku janë të shenjtët Kostandin Kristoforidhi dhe Petro Luarasi? Ku janë etërit e ortodoksisë shqiptare, Theofan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, e të tjerë?
Nëse ata nuk mund të ikonografohen, a pikturohen, sipas përfaqësuesve të KOASH-it, në një kohë që të gjithë janë të vdekur, me çfarë logjike mund të lejohet kjo për kryepeshkopin e gjallë e despot te KOASH-it sot?
E katërta, përfaqësuesit e KOASH-it thanë se është në traditën e ortodoksisë që ai që dhuron paratë për ngritjen e kishës të paraqitet si ndërtues (ktitor). Madje peshkopi i bisedës na solli një shembull nga “afresku më i mirë në botë” (?!), për perandorët që ikonizoheshin tok me patrikët a kryepeshkopët.
Nëse kryepeshkopi sillet e mendon si Perandor në Shqipëri, është temë më vete, por në rastin në fjalë Kryepeshkopi as është dhuruesi i kishës, sepse paratë janë dhënë për Kishën e jo për Janullatosin, dhe as paraqitet në afresk i përulur para Krishtit a para ndonjë shenjtori, siç ka ndodhur kjo në ikonografinë ortodokse, edhe pse shumë rrallë.
Kjo është një çështje të cilën mund ta rrahim më imtësisht më vete. Mund të themi shkurtimisht, se afresket e ktitorëve kanë disa veçori. Për shembull, ktitori nuk paraqitet i vetëm, qoftë dhe Perandor, edhe nëse i ka dhënë të gjitha fondet për ndërtimin e kishës i vetëm.
Zakonisht pozicioni klasik është që i portretizuari paraqitet me tipare njerëzore, ndryshe nga shenjtorët, dhe paraqitet me përulësi të dukshme; për shembull, duke mbajtur një maket apo projektin e kishës në dorë në drejtim të Krishtit apo të një shenjtori. Rëndom afreske të tilla janë jashtë kishës së brendshme, tek narteksi në hyrje.
Ndërsa në rastin e kishës së katedrales ortodokse në Tiranë kemi të kundërtën: Kryepeshkop Anastasi zbret së larti i vetëm, në një pamje-vegim, madje duke ia hequr trupit të vet disa gjymtyrë, për ta bërë më të justifikueshëm e plotësisht të pranueshëm (Anatomia e afreskut mund të jetë shkrim më vete).

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Arben Llalla
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 409 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi