Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti e krahason Albin Kurtin me Neronin
Publikuar më 19 tetor, 2015 në orën 22:53 ( ) Ahmet Qeriqi | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pasi ka dhënë disa këshilla të urta, në një shkrim të publikuar në portalin “Telegraf”, “babaxhani” jo vetëm moral i PDK-së, Xhavit Haliti, duke folur për tymin lotsjellës në Kuvend, po pa përmendur freskimin me një gotë ujë që ia kishte derdhur fytyrës, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë përpjekje të tregohet si gjithnjë i matur dhe largpamës. Megjithatë, kësaj radhe, urrejtja duket se ka qenë aq e thellë dhe aq bizare sa veprimet e Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, Xhaviti i krahason hiç më pak sesa veprimet e Neronit, i cili e dogji Romën, sipas mendimit të tij, vetëm për u bërë i paharrueshëm. Historia e thotë ndryshe, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti se Xhavit Haliti i hakmerret Albin Kurtit duke e quajtur Neron. Se shitet apo nuk shitet ky konstatim në pazarin e portaleve të lara e të palara, kjo nuk ka rëndësi, më rëndësi është që ai ka arritur ta zbraz deri diku një valvul të zemërimit. Por shumë valvula të tjera duket se i kanë mbetur të tendosura.

Xhavit Haliti thotë për veten e tij se është themelues i UÇK-së, por dihet se këmba e tij nuk ka shkelur asnjëherë në Kosovë prej fillimit e mbarimit të luftës. Ai ka plot të drejtë të zemërohet me veprimin e Albin Kurtit, ashtu sikur ka qenë i zemëruar edhe Albin Kurti në të dhe në Kryesinë e Kuvendit. Ka të drejtë t’ i thotë edhe Neron, por nuk ka aspak të drejtë t’i mohojë shkaqet që çuan deri atje sa pakënaqësia e gati 40 deputetëve, të shprehet me revoltë të nivelit të tillë në Kuvend, lidhur me lëshimet fatale që iu bënë Serbisë e Malit të Zi nga Kryesia e Kuvendit, Qeveria dhe kreu i saj.
Xhavit Haliti luan rolin e viktimës, sepse ashtu pretendon të tregohet i matur, i urtë, i mençur, i durueshëm madje më i durueshëm sesa ishte durimtari historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Po të ishte gjallë Rugova do t’ i kishte shprehur lakmi këtij Xhavitit, për mënyrën si paraqitet para opinionit, e sidomos para ndërkombëtarëve.

Se Xhavit Haliti ia do të mirën Kosovës, kjo mund edhe të jetë e vërtetë, por që ka treguar me vepër se e do atdheun më shumë se ish-Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe shumë të tjerë nga radhët e opozitës, kjo nuk ka fare të bëjë me të vërtetën. Ramushit i dhimbset edhe një gur i Kosovës, sepse për ata gurë, ato pyje e livadhe, ato ara e brigje, edhe nën tymin dhe granatat e serbit, ato i ka larë me djersë e gjak, i ka larë me gjakun e vëllait dëshmor, duke e bartur mbi supe, për të mos ia lënë trupin gjakatarëve serbë, në kohën kur Xhavit Haliti e të tjerë bënin gjumin e vonë të natës në Rogner të Tiranës dhe në hotele të tjera në Gjermani, Zvicër e gjithandej. Nuk them se ata nuk kanë bërë punë në dobi të Kosovës, por ka dallime të mëdha në këtë mes.
Xhavit Halitit duket se vetëm njëherë në jetë ia kanë tymosur hundët me gaz lotsjellës, ndërsa Albin Kurti është mësuar me gazin lotsjellës të policisë vrastare të Milosheviqit, të policisë së UNMIK-ut, të Policisë së Rumanisë, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it.
Krahasimi, që ka zgjedhur me këtë rast Xhavit Haliti, duke krahasuar Albin Kurtin me Neronin, me Sali Berishën e të tjerë, është krahasim i papjekur, që nuk i ka hije një durimtari, madje as një mëkatari të përfolur, sepse unë nuk besoj në ato mëkate që përfliten dhe i përshkruhen Xhavit Halitit. Nuk dyshoj se është angazhuar me krejt mundësitë e tij për mbarëvajtjen e luftës së UÇK-së, por dyshoj në seriozitetin, apo aftësitë e demonstruara të trajtimit të drejtë dhe realist të çështjes së Kosovës prej qershorit të vitit 1999 e deri më sot.

Meqë Xhavit Haliti shërbehet me fjalë të urta, i preferoj ta lexojë “Talmudin” i cili mjerisht, me sa di unë, ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.
Një fjalë e urtë në “Talmudin” e urtësisë hebraike thotë: “Mos u fryj gacave të mëkatarëve sepse ka rrezik të digjesh në flakën e zjarrit të tyre”. Albin Kurti, e simpatizojmë apo jo, e duam apo e urrejmë, ka treguar me vepër se ka shkelur dhe shkel në zjarrin e mëkatarëve, pa droje se digjet në flakën e zjarrit të tyre. Kështu si Albini kanë bërë dhe bëjnë ata që dinë çka duan dhe dinë rrugën që shpie në realizimin e aspiratave të tyre. Tani, Albini nuk është më trim i madh me disa shokë, por është trimi i mirë me shokë shumë, andaj, Xhavit Haliti dhe ata që e kanë shumë begeni vetveten, narcisët e llojit të tij duhet të shkunden sa nuk janë shkundur e përlotur nga gazi lotsjellës jo vetëm në Kuvend. Kosova është e të gjithëve, por meritat për lirinë e pavarësinë e saj nuk janë të njëjta. Gjakimi për lirinë e pavarësinë matet me kontribut konkret dhe jo me lavde e aureola që i qëndisim vetvetes apo që na qëndisin të tjerët.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Ahmet Qeriqi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 47 vizitorë
Lexuar: 953 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi