Klasa politike vendoste pushtetin personal para interesit kombëtar |
Publikuar më 04 qershor, 2020 në orën 19:19 ( ) |
Intervista | |
|
|
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe Gjermania, kurse Anglia shpesh mori rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në tryezë.
Në panelet me historianë e analistë ajo njihet si një polemiste e pamposhtur, gjithmonë me të njëjtin qëllim, mbrojtjen e çështjes shqiptare, por vetëm nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve. Tanimë vjen me një tjetër botim. Janë 40 vite shumë të rëndësishme për shqiptarët, prandaj dhe vëllimin e sapodalë në treg, “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha 1878-1918” e cilëson si botimin e saj më të rëndësishëm. Shumë ngjarje të detajuara të kësaj periudhe, gjenden në këtë studim të bazuar në dokumentet arkivore dhe diplomatike të Fuqive të Mëdha që, siç thotë vetë autorja, jepen të pacensuruara dhe janë mjaft interesante. Është një studim që përmban 540 faqe, 1380 citime nga këta arkiva dhe dokumente diplomatike. Për lexuesit e gazetës “Fjala”, historiania Elena Kocaqi shpjegon:
Elena Kocaqi Librin tuaj më të ri “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha” e keni filluar me vitin 1878. Pse daton pikërisht ky vit?
Më 1878 zhvillohet Kongresi i Berlinit dhe është pikërisht në këtë kohë që daton copëtimi i dytë i trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha dhe ato ballkanike, pasi copëtimi i parë kishte ndodhur me krijimin e shteteve ballkanike, në fillim të shek XIX. Duke filluar nga ky vit çështja shqiptare del në rendin e ditës për disa nga Fuqitë e Mëdha që kishin interesa në Ballkan. Vitet 1878 -1918 kanë qenë vitet kur Fuqitë e Mëdha janë marrë direkt me problemin shqiptar.
Cilat ishin ato fuqi që vepruan në dëm të interesave tanë kombëtarë?
Fuqitë e Mëdha luanin në radhë të parë sipas interesave te tyre. Megjithatë, në mënyrë sistematike, me qëllim për të mbrojtur interesat e tyre dhe të aleatëve të tyre, ato dëmtuan interesat e shqiptarëve. Kështu, politika e Rusisë e shpesh edhe Franca e asaj kohe i kanë dëmtuar shumë interesat e kombit shqiptar në mënyrë të padrejtë. Në disa raste Franca ia ka kaluar edhe vetë Rusisë, kur është diskutuar çështja shqiptare. Ndërsa roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe Gjermania, kurse Anglia shpesh mori rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në tryezë.
Çfarë roli luajti klasa politike shqiptare gjatë viteve të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit?
Klasa politike shqiptare ka qenë pjesë e politikës osmane dhe ka marrë pjesë në zhvillimet e brendshme të Perandorisë. Ajo ka qenë e ndarë sipas grupimeve politike të asaj kohe, të cilat kanë luftuar edhe për pushtet brenda vendit me njërin apo tjetrin grupim. Ishte një revolucion shqiptar që rrëzoi Abdyl Hamitin dhe solli Turqit e Rinj, por rezultoi se politika e Turqve të Rinj nuk ndryshonte nga ajo më përpara, madje në disa aspekte ishte edhe më e disfavorshme. Një pjesë e liderëve politikë, nga ana tjetër, bashkëpunonte edhe me fqinjët, me qëllim që të kishte mbështetjen e tyre, nëse Perandoria binte dhe bashkëpunoi me ta për ta rrëzuar atë, por kjo ishte një ndihmë e madhe për fqinjët në copëtimin përfundimtar të vendit. Kështu, kryengritjet e 1911-1912, sidomos ajo e fundit, u mbështetën nga fqinjët, me qëllim përdorimin e shqiptarëve, për të rrëzuar Perandorinë dhe pastaj përvetësimin e tokave të tyre. Edhe gjatë luftës një pjesë e shqiptarëve luftoi me të dy palët.
Ju thoni se Rusia investoi të krijonte kombe artificiale, të bazuara në fenë ortodokse. Çfarë presupozoni me to?
Po. Rusia ishte ajo që krijoi shtetet dhe pastaj kombet mbi baza fetare në Ballkan. Në fund të shekullit XVIII ajo mori të drejtën e protektoratit të kultit mbi ortodoksët e Perandorisë Osmane, kështu dhe mbi ata shqiptarë. Kjo i dha dorë të lirë Patriarkanës që të ndërmarrë fushata për hapjen e shkollave në trojet shqiptare me gjuhën e Kishës së Bizantit apo koinenë greke. Filloi ndërrimi masiv i emrave dhe mbiemrave të shqiptarëve ortodoksë që morën emra fetarë të Kishës Greke. Kështu, shqiptarët arsimoheshin në çdo gjuhë, veç shqipes. Arsimi ishte mbi baza fetare dhe ortodoksët shqiptarë shkolloheshin greqisht në Jug dhe sllavisht në Veri, katolikët latinisht apo italisht dhe myslimanët në arabishte dhe turqishte. Gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj. Perandoria e kishte ndarë popullin dhe si rrjedhim shqiptarët në tri milete fetare, ku çdo milet fetar propagandohej që të konsideronte të afërt atë të fesë së tij dhe jo atë të gjakut të tij. Për një ortodoks shqiptar, sipas kësaj filozofie, vëllai ishte sllavi, për një mysliman shqiptar ishte arabi e për një katolik latini. Fuqitë e Mëdha shpesh vendimet i merrnin sipas fesë dhe automatikisht shqiptari ortodoks konsiderohej grek e sllav dhe ai mysliman turk, madje dhe në regjistrimet e popullsisë populli regjistrohej si kristian e mysliman dhe jo sipas etnisë. Kjo gjë e dëmtoi rëndë kombin shqiptar të ndarë në tri fe. Duhet thënë shumica e popullit para se të vinin osmanët dhe gjatë osmanëve ishte ortodokse, sepse në 1054 pjesa më e madhe territorit shqiptar kur u ndanë kishat mbeti me Lindjen. Ndërsa më parë ishin të gjithë katolikë, ndarja e kishave ndau edhe një pjesë të shqiptarëve. Kështu, kjo pjesë e madhe e ortodoksëve shqiptarë u përvetësua nga Rusia në emrin e fesë dhe ata u bënë grekë, serbë, malazezë, bullgarë. Parimi i kombësisë interpretohej nga këto Fuqi sipas fesë së popullit, jo sipas gjuhës dhe kulturës. Më pak se gjysma tjetër ishte myslimane dhe katolike. Katolikët kanë pasur një vetëdije kombëtare shumë të mirë dhe rol të madh për këtë ka Austria që ishte protektore e tyre e që donte një Shqipëri të pavarur dhe një komb të fortë shqiptar. Ndërsa myslimanët kishin protektor turkun apo vetë shtetin, por ishin të shtypur nga pikëpamja kombëtare. Megjithatë, ndërgjegjja kombëtare te shqiptarët myslimanë ishte shumë e lartë, pavarësisht propagandës osmane, pasi ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të shqiptareve të tri feve me njëri-tjetrin, kur ka qenë në lojë interesi kombëtar.
Gjatë kësaj periudhe a pati shpërngulje të shqiptarëve, asimilim, apo futje kolonësh për të denatyruar përqindjen e popullsisë bazë? Çfarë roli luante feja në një popullsi që ndante të paktën 3 prej tyre?
Siç e thashë, feja e përdorur politikisht nga fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdhatë ka luajtur rol të madh në copëtimin e trojeve shqiptare dhe ndarjen tyre në disa shtete dhe në ndarjen e popullit shqiptar në disa kombe false sipas fesë. Shtetet ortodokse ballkanike i dëbuan shqiptarët myslimanë në drejtim të Turqisë dhe kjo quhej pastrim etnik, por që në fakt ishte pastrim fetar që ishte i hapur dhe i legalizuar, sepse askush nuk e dënoi dhe as e pengoi, madje ato (fuqitë) bënin marrëveshje për shkëmbimin e shqiptarëve midis tyre sipas fesë. Ka disa marrëveshje midis Turqisë dhe Serbisë e Greqisë për të shpërngulur shqiptaret myslimanë në Turqi, pasi atyre u ka interesuar dëbimi i shqiptarëve të fesë së kundërt, sepse nuk i asimilonin dot dhe Turqisë i interesonte t’i merrte shqiptarët në Turqi. Ndërsa një pjesë e katolikeve, ku me dhunë dhe ku me mjete të tjera, i kanë përfshirë në kishën ortodokse dhe i kanë konvertuar. Kështu me miliona shqiptarë sot janë grekë, sllavë e turq sipas fesë. Kështu, mospërdorimi i shqipes dhe përdorimi vetëm i këtyre gjuhëve të fesë që u bënë edhe të shteteve, e bëri edhe me të lehtë asimilimin shqiptareve, pasi shqipja mbeti gjuhë shtëpie. Gjuha shqipe duhet thënë që është përndjekur dhe janë persekutuar shqiptarët që e kanë folur në këto shtete. Madje, automatikisht një shqiptar që i përkiste një shteti ballkanik merrte prapashtesën në mbiemër apo detyrohej të ndërronte fare mbiemër, siç ndodhi në Turqi, dhe kjo ka shkaktuar një dëm shumë të madh. Ka ndodhur një holokaust i vërtetë mbi kombin shqiptar dhe për këtë ka luajtur rol shumë të madh edhe përdorimi politik i fesë nga Fuqitë ballanike dhe ato të Mëdha.
Sa territor humbën shqiptarët nga ajo që konsiderohej si “Shqipëri Natyrale?
Shqiptarët i ruajtën trojet e tyre deri në fillim të shek. XIX nga Mesdheu, në Egje, Jon Adriatik dhe deri në Dalmaci në Veri. Nëse do të marrim këtë bazë ku ishte Shqipëria para dy qind viteve, kuptohet se sa territor kanë humbur shqiptarët. Shpesh llogaritet Shqipëria e 1912-s, apo 1878-s, por, në fakt, është më i gjerë se sa kaq koncepti i Shqipërisë mbi baza etnike.
Studimi/Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha
Eleni Kocaqi shkruan: Ky studim përfshin një periudhë 40-vjeçare të historisë së shqiptarëve, kur Fuqitë e Mëdha filluan të luanin një nga aktet më të rëndësishme të dramës ballkanike, atë të problemit shqiptar. Ky studim i shërben sot politikës, por edhe çdokujt që kërkon të njohë edhe sot lojën e Fuqive te Mëdha në këtë rajon, si dhe mënyrën se si u copëtuan trojet shqiptare. Një studim i tillë i këtyre përmasave, u ka munguar studimeve historike. Historia e shqiptarëve të kësaj periudhe është një dramë intrigash, interesash, tradhtish, diplomacie të fshehtë dhe të hapur, që do ta gjeni të shkruar në këtë studim, pa asnjë censurë. Pa dyshim që tre janë faktorët e tragjedisë shqiptare.
1- Fuqitë e Mëdha që nuk morën parasysh asnjë parim kombësie, kur ndanë territoret shqiptare, veç Austrisë, Italisë dhe deri diku Anglisë, por morën parasysh vetëm përkatësinë fetare dhe interesat e tyre.
2- Krijimi dhe zgjerimi i shteteve agresive ballkanike nga Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre, dhe zgjerimi i tyre që u krye mbi territorin shqiptar.
3- Interesat personalë të klasës politike shqiptare, e cila bënte kryengritje në atë kohë më tepër për sistemin elektoral dhe për zgjedhjet në Parlamentin Osman, sesa për interesat kombëtarë, njëlloj si sot.
Kryengritjet
Shqiptarët në trazirat e Perandorisë Osmane
Më 1908 shqiptarët u përfshinë në trazirat e Perandorisë dhe nuk mbajtën një qëndrim kombëtar të unifikuar, duke rrëzuar nga pushteti Abdyl Hamitin dhe duke prurë Turqit Rinj që ishin më keq sesa sulltani. Në këtë kohë nuk lejohej arsimi në shqipe dhe në vend kishte me qindra dhe gati me mijëra shkolla në gjuhë nga më të ndryshmet, veçse jo në shqipe, ku kishte qenë vetëm ajo e Korçës. Osmanët u dhanë koncesione fqinjëve me anën e Rusisë që, duke përfituar nga protektorati rus t’i shkollonin ortodoksët shqiptarë që ishin edhe brenda Perandorisë në gjuhën greke dhe sllave. Një luftë e madhe për këtë u zhvillua në zonën shqiptaro-ortodokse të Maqedonisë, zonë që lakmohej nga grekët, bullgarët dhe serbët. Në Manastir, me investimin austriak, u mblodhën delegatët për alfabetin shqip dhe kjo ishte një fitore për ta shkruar shqipen me një alfabet të unifikuar.
1911 Kryengritja e Malësisë
Kryengritja e Malësisë, e vitit 1911, kërkonte në thelb lirinë nga Turqia, por u shfrytëzua nga Mali i Zi. Megjithatë, ajo pati rëndësi, sepse u kërkua njohja e kombësisë shqiptare nga Perandoria dhe hapja e shkollave shqipe, sepse shqiptarët identifikoheshin vetëm sipas miletit fetar. Nuk pati përkrahjen austriake, sepse Austria nuk mendonte se ishte koha e përshtatshme, pasi kishte frikë se Shqipëria do të copëtohej. Pati një reagim pozitiv të Anglisë, por u mbyll me amnisti për kryengritësit me ndihmësen e Austrisë.
1912 Marrëveshja për të likuiduar Shqipërinë
Në vitin 1912 pati një kryengritje të madhe, që në korrik kishte në fokus ndryshimin e sistemit elektoral në Perandori, zgjedhjet e reja dhe probleme politike të brendshme, por me ndërhyrjen e austriakëve në gusht, osmanët premtuan se do t’u jepnin shqiptarëve autonominë. Kjo i mobilizoi fuqitë ballkanike që kishin kohë që bënin marrëveshje me njëra-tjetrën dhe Rusinë që t’i jepnin fund Perandorisë dhe të ndanin tokat shqiptare. Plani ishte që nuk do të kishte fare një shtet shqiptar, madje as edhe shqiptarë.
Lufta Ballkanike
Me fillimin e Luftës Ballkanike filloi edhe një diplomaci intensive e Fuqive të Mëdha. Austria bllokoi daljen e Serbisë në det, me mobilizimin ushtarak të 1 milion ushtarëve. Mobilizimi i forcave ushtarake, i kushtoi 1 miliard franga Austro-Hungarisë në dy Luftërat Ballkanike, ndërsa i gjithë buxheti i shtetit arriti në 6 miliardë, që sot përbën me dhjetëra miliarda dollarë që i ka kushtuar Austrisë së asaj kohe, krijimi i shtetit shqiptar. Për të shmangur Luftën e Parë Botërore, Fuqitë pranuan që Serbia nuk do të dilte në det dhe njohën një shtet shqiptar, por u ndeshën shumë ashpër për territorin. Ndeshja vendimtare ishte ajo e Austrisë me fuqitë ballkanike, sidomos me Serbinë dhe Malin e Zi që u larguan nga Shqipëria londineze me ultimatum, ndërsa Greqia e sfidoi. Fuqitë e Mëdha kryesisht Italia së bashku me ato ballkanike, dështuan misionin e Vidit në vend dhe minuan edhe qeverisjen e I. Qemalit. Në Konferencën e Ambasadoreve ka edhe një marrëveshje midis Fuqive për shqiptarët që iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë, me kusht që atyre t’u ruhej prona dhe të drejtat. Kjo u arrit me insistimin e Austrisë.
Lufta e Parë Botërore
Në momentin që shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Fuqitë që kishin garantuar vendin, hynë në luftë dhe të gjitha fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdha, filluan planet për ta ndarë Shqipërinë londineze që u arrit me Traktatin e Fshehtë të Londrës. Shqipëria u pushtua serish nga fuqitë ballkanike dhe me pas nga 3 Fuqi të Mëdha Austro-Hungaria, Italia dhe Franca. Pushtimet kanë qenë të tilla që për interesat e tyre ato lejuan edhe vetëqeverisjen dhe simbolet kombëtare./Fjala.al
Leonard Veizi
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 1 vizitorë |
Lexuar:
2,514 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|