Botim i ri
Sot, më 31 dhjetor 2020, Lena Graphic nxori në dritë librin e Asllan Berishës, që unë zgjodha si moto: Një libër për fëmijë, dhuratë për Vitin e ri!
Urime autorit e suksese shtypshkronjës e SHB “Lena Graphic”!
Sa për informim të lexuesit, po e paraqes recensionin tim për librin!
Lexim të këndshëm e Gëzuar 2021!
“Të shkruash për fëmijë është lehtë
ose e pamundur”.
(Klod Avlin)
Mbase, prej që kur kanë lindur artet, poezia dhe muzika, si format më të hershme, kanë qenë të ndërlidhura aq fort ndërmjet veti, saqë, në fillim, gati edhe identifikoheshin. Raportet e tyre bëhen edhe më të përligjshme kur dalin nga i njëjti burim frymëzues, siç e kemi rastin konkret të mësimdhënësit të muzikës, këngëtarit e krijuesit, z. Asllan Berisha, i cili, krahas kompozimeve të shkëlqyera, këto ditë doli edhe më përmbledhjen e parë poetike për fëmijë “40 POEZI PËR FËMIJË”.
Këtë tufë poezish, me një titull të kapshëm e mjaft domethënës, pata rastin ta kem në dorë si dorëshkrim, i cili më pëlqeu shumë dhe, si lexuesi i parë, e tumira për publikim.
Të gjithë ata që mendojnë së të shkruash për fëmijë është punë e lehtë, e kanë gabim. Përkundrazi, të shkruash për fëmijë, është punë e vështirë dhe mjaft e ndërlikuar, ngase, siç thoshte studiuesi dhe shkrimtari i njohur i kësaj fushe, Agim Deva, autori për fëmijë, në rend të parë duhet të jetë edhe mësues, edhe edukator, edhe pedagog, edhe shok, edhe udhërrëfyes. Pra, veprat e tyre, pos tjerash, duhet t’i plotësojë edhe tri kushte të domosdoshme: të jenë edukative, arsimore dhe zbavitëse.
Të gjitha këto, më mirë se të tjerët, i ka parasysh edhe autori i librit në shqyrtim, i cili ka marrë guximin të hyj në botën delikate të padjallëzisë së fëmijëve. Dhe, me sa pashë gjatë leximit dhe rileximit të kujdesshëm të këtyre vargjeve, lirisht mund të konstatojmë se ia ka dalë mbanë suksesshëm.
Libri “40 POEZI PËR FËMIJË” i ngjason një hoje bletësh, mbushur plot mjaltë, ku lexuesit e vegjël mund të shijojnë ëmbëlsinë e nektarit mbledhur lule më lule. Vargjet, që burojnë nga gjirmë e shpirtit krijues, janë të thjeshta, të qarta, të lehta, të çiltërta e të kapshme për botën specifike të njomëzakëve. Por, në anën tjetër, ato janë edhe shumë domethënëse, koncize e mbresëlënëse, që u japin karakter të theksuar emocional e frymëzues për brezat e ardhmërisë.
Madje, edhe vetë titujt e poezive janë të qëlluar dhe reflektojnë pozitivizëm e japin porosi të qarta edukative e mësimore. Ato flasin për gjyshen, për nënën, për lulen, për qenushin, për bletën punëtore, për librin, për zogun, për macjen, për lepurin, për fluturën, për shkollën, për flamurin, për dëshmorët, me një fjalë për të gjitha ato që i rrethojnë çdo ditë fëmijët dhe shkollarët tanë.
Libri nis me poezinë Flutura, pra me mbretëreshën e luleve, me simbolin e jetës së lirë e të mirësisë, me fluturën, e cila, siç thotë poeti, është një zonjë e vërtetë:
Ti moj zonja Flutur
Me krahët e lehtë
Me belin këputur
Një zonjë e vërtetë
Autori me vetëdije ka përzgjedhur diskursin konvencional të traditës, duke përdor vargje të rimuara, me fjalë të kuptueshme e të përzgjedhura, që u shkojnë për shtati atyre që u dedikohen, fëmijëve. Bota e tyre, përplot fantazira e imagjinatë, do ta shuaj etjen në këto kroje me ujin bilur dhe do të mësoj shumëçka nga kjo frymë fabulane ezopike, ku përherë dominon dhe fiton e mira, lumturia, harmonia, bamirësia, dashuria, sinqeriteti, drejtësia...
Dashuria për punën dhe respekti për punëtorët, kultivohet dhe thadrohet në mendjen brilante të fëmijëve përmes simbolit të saj, përmes bletës:
Puna jote moj Bletë
Të ka zbukuruar
mjaltin e bënë vetë
Për të na dhuruar
Brenda librit gjejmë edhe vargje që, përmes një doze humori gazmor e satire të lehtë, përqeshin veset tona, siç: përtacia, grykësia, egoizmi etj. Kështu te poezia Përtaci kemi.
Sa shumë kisha dashur
Sa jam unë i ri
Pa punuar fare
Ta kem një shtëpi
Mësimet e para për historinë dhe traditën tonë të pasur, gjithmonë i kemi marrë nga gjyshet tona gojarta, andaj edhe poeti e ka shprehur këtë mendim:
Në prehrin e saj
Dua të qëndroj
Një jetë të kaluar
Me të ta mësoj
Përfundimet e konflikteve midis personazheve të personifikuar bëhen në mënyrë paqësore, pa gjak e pa dhunë, gjë që përçojnë porosi të mira te filizat e rinj, për tu rritur dhe edukuar në një atmosferë tolerante, humaniste e bamirësie. Kjo ngjet te Dhelpra e pula, Ujku dhe delja, Shqiponja e miu etj., që përmbyllen pa pasoja. Dhe, pikërisht këtu qëndron edhe poenta e tyre moralizuese e edukative, andaj duhet admiruar autorin për realizim e gjetje të tilla artistike.
Kjo harmoni idesh, qëllimesh, motivesh e përmbajtjesh, ia shton vlerën librit “40 POEZI PËR FËMIJË”, duke e radhitur atë në sfondin e realizimeve më të suksesshme të zhanrit, tashmë, thuajse deficitar, të letërsisë sonë për fëmijë. Vargu i lehtë e me ritëm melodik, me tema të larmishme të përditshmërisë sonë, me një rrjedhë logjike të të rrëfyerit, na jep një tablo të shkëlqyer ngjyrash të purpurta ylberore.
Pa dashur që t’ju lodhi më shumë, të nderuar lexues të vegjël kureshtarë, nuk po hyj në analiza më të hollësishme, ngase edhe ashtu nuk ia dalim dot, ngase poezia nuk shpjegohet, por përjetohet, andaj e gëzofshi këtë dhuratë të mrekullueshme!
Në fund, autorit i dëshirojmë suksese të reja në fushën e krijimtarisë letrare e librit pritje të mirë në bibliotekat e shtëpive Tuaja!
Vushtrri, janar 2020
|