Opozita në nokdaun |
Publikuar më 29 mars, 2021 në orën 17:50 ( ) |
Opinion | |
|
|
Partitë që kanë rrjepë Kosovën qe 20 vjet nuk po mund të çohen nga grushti që morën më 14 shkurt.
Kështu, siç po sillen udhëheqja e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ta përkujtojnë boksierin që ia kanë bërë turinjtë pistil e i cili, edhe pas numrimit me gishtërinj, as nuk çohet për ta vazhduar përballjen, as nuk niset me shku, shalakatas, te dhoma e teshave.
Për më keq, këto, jo vetëm nuk po çohen në këmbë, por po sillen e po dërdëllisin përçartë, si me i pasë nxanë kallukanxha.
Natyrisht se nuk është lehtë:
PDK është e përçarë si mos me keq. Po të mos ishte armatura e SHIK-ut ajo do do të shpartallohej si tinari pa rrathë;
LDK-në, ashiqare, nuk po e lëshojnë të ecë përpara oligarkët që e kanë bërë telef;
Ndërsa AAK, e mësuar të jetojë me vite ndërshej, po vazhdon të sillet thuase ende është mes barrëve e mbi samarë.
Është koha e fundit që partitë opozitare të zgjohen nga kllapia, të çohen në këmbë dhe t'i lajnë sytë, sepse Kosova ka nevojë për një opozitë të mirëfilltë, që në çdo udhëkryq, në vend të prroçkave dhe inatit, shpërfaqë alternativa të prekshme përmes të cilave e mbështetë pozitën me shpatulla për muri.
Udhëkryqi i parë, i madh, është zgjedhja e Presidentes-it. Kjo duhet të ndodhë në javën që po vjen. Thjeshtë, përballja me Kassius Klay-n, që kësaj radhe është femër dhe quhet Vjosa Osmani, është e pashmangshme!
Prandaj opozita,
- së pari, nuk duhet të abuzojë edhe më tej me Familjen Jashari, pa marrë fare mundin me e pyet atë;
- së dyti duhet të përcaktohet për një kandidat të përbashkët, ose çdo parti me kandidatin e saj, por që ka kaluar nëpër filtrin zgjedhor, dhe, le të maten alternativat.
Këto janë rregullat e lojës. Sepse tash, pas përmbysjes së Prontomafisë, janë krijuar kritere tjera: as nuk mund të ketë më kryetar partie që "zgjidhet me aklamacion“, si në Kore të Veriut, e as shef të shtetit që e sjell 'postieri' në zarf apo që “zgjidhet“ duke i blerë deputetët si lopët në pazar!
La fête est finie!
Bojkotimi i Kuvendit, me të cilin po “kërcënon“ opozita, është mesazhi më i keq i mundshëm. Qytetarët do ta lexojnë atë:
- ose si mungesë guximi, ideshë e alternativash;
- ose si bindje të ngulitur thellë se pakica aktuale nuk po mund të jetoka pa pushtet!
Kjo keqsjellje do të çonte vendin në një krizë tjetër institucionale dhe domosdo në zgjedhje të tjera.
Në këtë rast tagrin do ta paguajë opozita e lazdruar.
Madje edhe më keq se më 14 shkurt.
Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në ringritjen e vendit, opozita ka rol rëndësor. Prandaj, ajo duhet ta gjejë, shpejtë, vendin dhe rrugën e vet.
E sidomos rrugët, sepse ato, siç thoshin spanjollët e moçëm, krijohen vetëm duke ecur.
Xhafer Shatri
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 2 vizitorë |
Lexuar:
348 herë
|
|
|
|
|
|
|