INDRIT CARA- KRENARIA E SHQIPTARISË |
Publikuar më 02 prill, 2021 në orën 19:16 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
Përvjetor lavdie
E dua Kosovën gjer në dhembje, se është Shqipëri!
(Petro Marko)
Indrit Cara u lind në lagjen Sharra të Kavajës, më 11 korrik 1971.Rridhte nga një familje fisnike me tradita të lashta atdhetarie, që vinte andej nga krahina trime e Mirditës. Stërgjyshi i tij, Mustafë Cara, ishte atdhetar i shquar në Kavajë e më gjerë. Ai me shokë e priti dhe e përcolli plakun e urtë, Ismail Qemalin, për në Vlorë dhe vetë e ngriti flamurin në Kavajë, më 27 nëntor 1912. Të nesërmen vajti edhe atje ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Ishte kundërshtar i flaktë i Esat Pashë Toptanit. Më 1924 arriti të bëhet edhe kryetar i Bashkisë së Kavajës. Punoi hiç pa u lodhur në përhapjen e gjuhës shqipe me alfabet latin dhe në organizimet kundër politikës së rafineruar të turqve të rinj. Ndërkaq gjyshi, Imeri, luftoi me armë në dorë kundër fashistëve. As i ati, Lulzimi, që s’ishte veçse një punëtor i thjeshtë krahu, nuk la gjë mangut në rrugën e madhe të çështjës kombëtare. Ai u martua me Xhemailinë nga Ishmi i Durrësit dhe patën dy djem: Indritin dhe Dorianin.
Që në fëmijëri të hershme Indriti u dallua për të mirë. Ishte i urtë, i sjellshëm, inteligjent. Mbi të gjitha i interesonte historia kombëtare. Gjithmonë e pyeste babanë për Kosovën dhe për Çamërinë. Ato dy pjesë të Trojeve Etnike ,të shkëputura përdhunshëm, e therrnin keq shpirtin e njomë të djaloshit. Edhe në mësime u shqua për të mirë. Ishte nxënës shembullor në shkollën „Mehmet Babamusa“ në vendlindje dhe në Akademinë Ushtarake „Skënderbej“ në Tiranë. Në shkollën e lartë të bashkuar të oficerëve zgjodhi degën e zbulimit. Kishte fizik të zhvilluar e mjaft të fortë.Merrej edhe me futboll e vallëzim. Trazirat e vitit 1990 preken thellë edhe zemrën e studentit guximtar që me ëndje po i ndiqte mësimet e vitit të dytë.
Më 26 mars 1990, në Kavajë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri, e cila pati jehonë edhe jashtë vendit. Më 10 korrik të atij viti ra edhe dëshmori i parë i demokracisë në Kavajë, Josif Buda. Lëvizja e madhe e demokracisë shpërtheu edhe në qytetin Studenti. Pushtetarët e verbuar, krahas forcave të rendit, i angazhuan edhe oficerët e rinj në shuarjen e trazirave studentore. Porosisë së prindërve që të mos përballet me demonstruesit Indriti iu përgjigj pozitivisht. Si, unë të shtijë kundër vëllezërve të mi, edhe kur kanë të drejtë?!- tha ai me vete. Dhe, pa u hamendur fare, doli në anën e tyre. E përkrahu demokracinë, edhe pse me pasoja, humbi studimet e mëtejme. E përjashtuan nga shkolla, por nuk e gjunjëzuan dot.
Më 1991, për shkaqe ekonomike, iku në Itali, ku qëndroi dy vjet dhe prej andej vajti në Angli. As atje nuk qëndroi duarkryq e mësoi anglishten për lakmi dhe fill nisi specializimin për kompjuter. Më vonë iu bashkua edhe i vëllai, Doriani.
Nga Londra në frontet e luftës
Plasja e luftës në Drenicë dhe kushtrimi i Adem Jasharit trokitën edhe në portat e larta të Anglisë. Zemra e zjarrtë e kavajasit sypatrembur shpërtheu si vullkan i pashuar. Shpejt ra në kontakte me njerëzit që ishin në UÇK-e dhe u angazhua në përgatitjen dhe aftësimin e tyre për në fronte. Ua mësonte artin luftarak dhe mblidhte ndihma për luftëtarët. U lidh fort me Pleurat Sejdiun dhe me shokë të tjerë kosovarë.
„UÇK-ja, shpresë dhe krenari për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët“- shkruan ai në „Zërin e Kosovës“. Dhe, një ditë janari 1999, vetë i katërti, me Faton Murtezin, Halil Shalën e Ismail Prestreshin nga Llapi, fluturoi drejt majave të maleve me dëborë, ku rronin shqipet e lirisë. Në aeroportin e Londrës kishte takuar z.Alfred Moisiun. Veç një natë u çmall me të ëmën, të cilën nuk e kishte parë plot 7 vjet…
…Të keqen nëna, fare pak u çmalla me loçkën e zemrës,- nis rrëfimin nënë Xhemailia, pasi kemi zënë vend në dhomën e saj të mbajtur mirë e pastër. Atë natë kisha vajtur mysafire dhe kur u ktheva vonë ,tek ngjitesha shkallëve, mu hodh në gjoks duke më përqafur fort.Për fat na kishin ikur dritat dhe nën flakëzen e mekur të qiriut nuk ngopesha me djalin që nuk e kisha parë plot shtatë vjet…Nënë bëhu e fortë e mos u mërzit se atje, në hotel „KRUJA“ të Tiranës, më presin tre gazetarë të huaj. Më duhet që t’i përcjell për në zonat e thella të veriut. Në Kosovë po luftohet, andaj janë të interesuar, që nga afër, të mësojnë diç më shumë…Shpejt do të kthehem…Dhe, pa zbardhur mirë, iku…Por, hallall të gjitha dhe gjaku i tim biri u bëftë dritë për Kosovën e për gjithë shqiptarinë,- përfundon ajo me një krenari të pashuar.
Ushtar „KAVAJA“ shpejt bëri emër në Zonën e Pashtrikut.
Fillimisht u sistemua në Njësinë Diversante- Vëzhguese, në kuadër të Batalionit që vepronte pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë. Çdo ditë luftime, beteja, gjakosje, suksese.
Një ditë të hershme pranvere bishat e harbuara kishin mësyrë luginën e Pagarushës, ishte edhe përplot me popullatë të pambrojtur. Ishte 31 marsi 1999. Fronti ynë në Qafë të Pagarushës ishte rrezikuar. Por, komandant Tahir Sinani me bashkëluftëtarë bëri të pamundurën. Patjetër duhej marrë Mali i Gallushës ,andaj kërkoheshin përforcime. Popullata civile mori drejt Kleçkës, për të dalë në malet e Berishës. Indriti, edhe pse kishte krejt tjetër detyrë, e udhëhiqte dhe e ushtronte grupin prej tetëdhjetë vetash, specialistë të zbulimit dhe të vëzhgimit, u lajmërua vullnetar për në front. Kacafytja zgjati gjithë ditën. Armiku nuk bënte dot më tutje, kishte hasur në arrë të fortë. Dikur thirri në ndihmë edhe artilerinë e rëndë. Predhat e granatat u hodhën si fara në arë. O Perëndi! Një tromblon i mallkuar qëlloi edhe djaloshin kavajas…Shokët besnikë nuk e lanë, e tërhoqën dhe e dërguan në Nishor. Pas pak aty arrin edhe eprori i lartë i UÇK-së, Shpëtim Golemi…“E gjeta.E kishin larë, veshur e stolisur bukur…Për çudi, sytë nuk ia kishin mbyllur… Ndoshta fati e deshi që këtë punë të ma kishin lënë mua…U afrova, ia vura dorën, ia mbylla sytë dhe e putha…. Dhe nuk pata forcë të shkoja të merrja pjesë në varrim…Kjo është ndarja ime e fundit me të”… E varrosen me nderime të larta ushtarake në katundin Ngucat të Therandës.
Lamtumirë Kosovë!
Nëse legjendat e moçme i kemi marrë paksa me një mëdyshje, këto të sotmet duhet besuar plotësisht. Këtë e vërteton besa e Indritit dhënë prindërve të vet se do të kthehej sërish e do të çmalleshin. Ajo nuk ngeli peng. Më 8 tetor 1999, ushtar KAVAJA i la lamtumirën Kosovës së dashur dhe mori drejt vendlindjes se paharruar. Ama, tashmë po kthehej ndryshe, i shtrirë në arkivol e i mbuluar me flamurin kuqezi. Ndoshta e ëma nuk do ta mbante mëri që nuk do t’i fliste, si herën e parë! As i ati nuk do t’i hidhërohej që nuk do të mund t’i shtronte pyetje si përherë! Mbase jo, ata sigurisht do ta kuptonin dhe do ta mëkonin me uratën e bukur prindërore.
Kavaja ishte zgjuar herët, që me natë. Vendi nuk po e mbante nga emocionet e përziera. Flamuri kombëtar ishte në gjysmështizë. Ky qytet nuk mbante mend një nderim të tillë. Në gjirin e tij të ngrohtë po i kthehej më i miri, më i dashuri, biri që e nderoi mbarë Shqipërinë… Sot trupi i tij prehet i qetë në sheshin kryesor të Kavajës, emrin e të cilit e mbanë përplot me krenari. I skalitur në bronz e i dekoruar me shumë medalje e mirënjohje ai flet shumë. Me vendim të Presidentit të Republikës shpallet DËSHMOR I KOMBIT dhe dekorohet me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, po ashtu e shpall Dëshmor të Kombit dhe e nderon me Medaljen e Artë. Edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, edhe Bashkia e qytetit të Kavajës e nderojnë me mirënjohje e dekorata te shumta.
Lavdi për jetë e mot!
Prane Bustit te Ushtar Kavajes - Indrit Cara |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 1 vizitorë |
Lexuar:
431 herë
|
|
|
|
|
|
|