Në 40-vjetorin e demonstratave në Vushtrri, studenti i lirisë, Ruzhdi Hyseni |
Publikuar më 04 prill, 2021 në orën 00:55 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
Në faqet e historisë sonë të lavdishme e krenare vend të rëndësishëm zë edhe Kolla e Artakollit heroik. E gjendur rrëzë Qyqavicës mitike e në kufi me Drenicën legjendare, përherë qe fole trimash e arenë luftimesh. Toka e saj e stërgjyshore, brez pas brezi, është larë me gjak të njomë lirie.
Ky vendbanim kodrinor, i tipit të përzier, përbëhet nga lagjet: Azemaj, Sylaj, Deliaj, Islamaj dhe Shesivaraj. Mikrotoponimet më karakteristike të tij janë: Livadhi i Gatë, Livadhi i Vitoshit, Klysyra, Lugu i Zharit, Kërshi i Maderstenës, Kroni i Marës, Vrella, Lugu i Arrave, Lugu i Kishës etj. Në dokumentet e shkruara përmendet në vitin 1455 në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk. Si vendbanim është i regjistruar në Muhasebe-i Vilayet-i Rum-ili Defteri 1530 (937 h), në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë me emrin Kiraçe[1]
Djegia e Kollës më 1920
Viti 1920 konsiderohet si shumë i vështirë për shqiptarët e Kosovës. Pas Kryengritjes së Përgjithshme, që shpërtheu në maj të vitit 1919, në gjithë Kosovën dhe pas bisedimeve të pasuksesshme që u zhvilluan në Zhabar, midis Azem Bejtë Galicës dhe Ceroviqit, qeveria SKS ndërmori një varg masash kundër shqiptarëve. Vetë Pashiqi, i cili gjatë kryengritjes kishte qenë në Paris posa u kthye u angazhua me të gjitha mjetet dhe forcat për ta shtypur dhe shuar Lëvizjen kaçake.
Si masë të parë ai planifikoi çarmatimin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Më 2 janar 1920 u bë plani për çarmatim. Ai do të bëhej sipas këtij rendi:
a) Së pari Drenica dhe Llapusha me një pjesë të Prizrenit dhe Peja me rrethinë,
b) Në radhë të dytë Llapi, Shala, Suhareka (Theranda), Mitrovica dhe Peshteri…
Masa e dytë ishte rekrutimi i të rinjve prej moshës 18 deri në 25 vjet në ushtrinë serbe. Kjo nuk dha rezultate. Këtu ndikoi kushtrimi i Azemit dhe i Shotës, që i fituan të rinjtë të mos u përgjigjen ftesave për rekrutim por të dilnin maleve dhe të inkuadroheshin në çetat çlirimtare. Ata, posa e merrnin thirrjen, shkonin dhe lajmëroheshin në çeta dhe bëheshin ushtarë të Azem Bejtë Galicës, ose fëmijët të Lokes së Kosovës, siç e quanin ata Azemin.
Dhe, si masë e tretë, që e shpiku vetë Pashiqi, ishte formimi i të ashtuquajturve “kaçakë të shtetit”, të cilët në emër të çetave çlirimtare bënin zullume në popull, plaçkitnin dhe maltretonin. Në këtë mënyrë u munduan ta komprometojnë Lëvizjen. Çeta të tilla u formuan në disa vende (në Drenicë nuk pati të tilla). Në marrëveshje me Ceroviqin, Islam agë Batusha e formoi grupin prej 27 vetash. As kjo nuk dha rezultate, sepse populli i dallonte mirë këta të shitur nga njerëzit e çetave çlirimtare.
Krahas këtyre u formuan edhe disa grupe dhe formacione vullnetarësh. Këto grupe ndëshkuese përbëheshin nga njerëz kriminelë e zullumqarë, që krahas xhandarmërisë dhe ushtrisë bënin krime në njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Në krye të tyre qëndronin gjakpirësit e tipit si Miliq Kerstiq, Filip Cariqi, etj. Këto grupe do të mbahen mend edhe për djegien dhe shkatërrimin e disa fshatrave kosovare.
Njëri ndër fshatrat që u dogj rrafsh me tokë dhe për disa vjet pushoi së ekzistuari është edhe Kolla. Dëshmitarët e gjallë të asaj lufte: Abit Hyseni, Miftar Shaqiri dhe Mehmet Hamiti, me rrëqethje e përkujtojnë atë ditë të tmerrshme janari, të vitit 1920.
Tragjedia e asaj dite kishte këtë rrjedhë:
Azem Bejtë Galica, si strateg i mirë luftarak, varësisht nga koha dhe momenti, e ndërronte taktikën e luftës dhe të veprimit. Për t’i zbuluar planet e armikut u sugjeroi disa njerëzve, të cilët ende s’kishin rënë në sy të armikut, të futeshin në radhët e xhandarmërisë. Ata fshehtas do të mbanin lidhje me çetat, do të informonin për çdo gjë dhe njëkohësisht do të siguronin municion për luftëtarët. Kështu vepruan Lutë Gllanasella dhe Selim Drevinja. Vërtet Selimi kishte qenë çaush edhe më herët, por pas kushtrimit të Azemit u kthye me Lëvizjen, dhe do t’i qëndrojë besnik deri në vdekje.
Më 13 janar 1920 Azemi e dërgon Lutën për të marrë fishekë nga Selimi. Ata takohen në fshatin Shalc. Luta posa i merr fishekët niset për në Qyqavicë, ku po e pritnin shokët, ndërsa Selimi ndalet në Kollë, në shtëpinë e Vesel Sheshivarit.
Po atë natë njerëzit e pushtetit, spiunët, shkojnë në Vushtrri dhe e lajmërojnë. Xhandarët e Vushtrrisë, që edhe më parë kishin dyshuar në të, shkojnë dhe e lajmërojnë një tog ndëshkues që e kishte rrethuar fshatin Kçiq dhe po bëheshin gati për ta djegur pse kishin refuzuar për t’i dërguar djemtë ushtarë. Ata e lënë Kçiqin dhe ia mësyjnë Kollës.
Ende pa zbardhur dita fshati gjendet i rrethuar. Pushkët e para krisen në shtëpinë e Hysen Hasanit. Hyseni kishte tre djem: Hasanin, Sinanin dhe Abitin. Djali i madh, Hasani, atë ditë kishte për të shkuar ushtar, andaj gratë ishin zgjuar herët për të përgatitur bukë që do ta merrte me vete. Forcat serbe u futën në oborr dhe kur panë së po përgatitej buka, sipas mendjes së tyre për kaçakët, i morën vëllezërit: Hasanin e Sinanin dhe fill i pushkatojnë. Pas tyre shkon edhe i ati, Hyseni, të cilin po ashtu e vrasin. Atëherë u ndez lufta. Ata që kishin armë luftonin, kurse të tjerët iknin kah mundnin për ta shpëtuar kokën. Të mobilizuar, çetnikë e xhandarë, si të tërbuar, filluan masakrën mbi popullsinë e pafajshme. Vrisnin kë e gjenin në ara, livadhe, oborre pa i dalluar fare: pleq e plaka, gra e fëmijë. Disa i lidhën dhe më vonë i pushkatuan. Me duar të lidhura arritën të shpëtojnë nga vdekja Tafë Jashari e Kadri Syla, të cilët ashtu duarlidhur e kalojnë Qyqavicën dhe dolën në Drenicë, në Likoshan.
Gratë dhe fëmijët, rreth 30, i grumbullojnë në odën e Vesel Sheshivarit për t’i djegur të gjithë. Kur po bëheshin gati t’ua jepnin flakën, kolonisti serb i fshatit të tyre, Marko Bozhoviqi, i shpëton të gjithë, duke i mashtruar se komandanti ashtu kishte urdhëruar. Fill pas kësaj, cerberët shkuan për të pirë e për të bërë qejf në shtëpinë e Lupqe Llazoviqit, në fund të fshatit Kollë. Selimi, pas një lufte ishte tërhequr në Qyqavicë. Atje, pasi merr Lutën me shokë, kthehen dhe i sulmojnë kriminelët, duke vrarë 15 veta. Nga kaçakët mbeti i vrarë Ramadan Qirezi. U vranë edhe dy vëllezërit e Selim Drevinjes: Fazliu e Sejdiu. “Në raportin e naçallnikut të Zveçanit për muajin janar 1920, nr. 1291, i cili lajmëron MPB në Beograd thuhet se në Luftën e Kollës u vranë 47 kaçakë dhe përkrahës të tyre..”[2]
Të nesërmen vijnë forca të reja, me topa dhe rrënojnë fshatin rrafsh me tokë. Pasi nuk gjejnë njeri të gjallë (ata që shpëtuan shkuan nëpër miq e nëpër shokë) i morën të vrarët e vet dhe i varrosën në fund të fshatit Vërnicë. Më vonë ua ngritën një përmendore, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e shkatërruan rrafsh me tokë.
Epilogu i kësaj tragjedie ishte tmerrues. Atë ditë në këtë fshat u masakruan këta njerëz:
Hysen Hasani,
Hasan Hasani,
Sinan Hasani,
Osman Osmani,
Xhemail Osmani,
Zeqir Osmani,
Zenë Osmani,
Ramadan Beqiri,
Beqir Beqiri
Sahit Beqiri,
Hamit Demiri,
Rexhep Hamiti
Zenel Sheshivari,
Rexhep Fazliu
Arif Azemi,
Latif Azemi
Sejdi Azemi,
Idriz Bajrami
Rrahman Behrami,
Smail Behrami,
Fazli Behrami,
Salih Miftari,
Hazir Haziri
Nezir Hajredini,
Mahmut Hajredini,
Hajriz Hajredini,
Avdi Ramadani,
Islam Islami,
Murat Islami,
Ferat Islami,
Fetah Musliu,
Fazli Drevinja,
Ali Drevinja,
Shaban Ferizi (Galicë),
Hasan Bajgora dhe
Abit Bajgora.
Të gjitha këto viktima u varrosën në katër varreza të përbashkëta nga burrat e fshatrave përreth. Fshati mbeti shkret për disa vjet me radhë.
Azem Bejtë Galica me çetën e vet kreshnike, që numëronte rreth 60 luftëtarë, ishte përqendruar kryesisht në Qyqavicë dhe në fshatrat përreth. Luftëtarët e çetave të tjera i kishte shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Ata ende nuk kishin rënë në sy si kaçakë. Çeta e tij dhe e Shotës, me trimat më në zë si: Bajram e Xhemë Tërnafci, Mehmet Delia, Met Halili, Fazli Berani, Selim Drevinja, Ajet Çaushi, Abaz Kurrumeli, Bajram Zena, Emin Lati, Zenel Ujkani e shumë të tjerë, një luftë të rreptë e zhvillon në fshatin Gradicë. Aty forca të mëdha serbe e rrethojnë Azemin, por ai disi arrin të dalë nga rrethimi me humbje të vogla. Beteja kryesore zhvillohet midis fshatrave Gradicë e Zhilivodë, ku armiku pati humbje të mëdha. Mu për këtë disfatë serbët u hakmorën në popullsinë e pafajshme, duke i vrarë 78 veta, të vendi i quajtur Llazi i Jazbinave. Vetëm nga Zhilivodë 14 veta, në mesin e tyre edhe Zylfijen, që deri atë ditë, të gjithë e dinin për mashkull, me emrin Sylë..
Përjetuesi i ngjarjeve të mëdha
Siç u pa edhe më lartë, njëra prej familjeve të këtij fshati, që dha më së shumti për kombin e për atdheun, është edhe ajo e Abit Hysenit, që më shumë ka bërë emër si Abit Kolla. Ky trung i lashtë burrërie, mençurie e trimërie i ka rrënjët thellë e thellë në histori dhe plot një shekull rrezaton trimëri e atdhedashuri.
Vetë Abiti është histori në vete. Ai i përjetoi dhe i sfidoi zezonat e kohëve të ndryshme: betejat e Azem Galicës, luftërat kundër çetnikëve dhe heroizmat e Shaban Palluzhës. Kur luftëtarët e Azem Galicës u ndeshën me xhandarët dhe forcat kriminale serbe në Kollë, më 14 janar 1920, gjegjësisht kur ngjau masakra, ishte në moshën shtatë vjeçare. Ajo ngjarje filloi mu në shtëpinë e tyre. Atë ditë kobtare u vranë dy vëllezërit e tij, Hasani (24 vjeç) e Sinani ( 22 vjeç) si dhe i ati, Hyseni (60 vjeçar). Dhe, duke i përjetuar rëndë ato ngjarje tragjike, xha Abiti, u brumos me atdhedashuri të madhe saqë gjatë gjithë jetës qe në shërbim të çështjes kombëtare. Edhe rrëfimet e tij për atë ngjarje ishin më origjinalet e më të saktat dhe u shërbyen historianëve për ndriçimin e dhe pasqyrimet e tyre.
Për luftërat e mëvonshme, mos të lodhemi fare. Ato i përjetoi ndryshe, si luftëtar me armë në dorë. Gjatë betejave të përgjakshme të çlirimtarëve tanë, të udhëhequr nga tribuni Shaban Polluzha e strategu Mehmet Gradica, u tregua hero i vërtetë. Ishte pjesëmarrës në luftë kundër çetnikëve kur u përpoqën të depërtonin tinëzisht në Artakoll e rrethinë, pastaj në luftërat për mbrojtjen e vëllezërve shqiptarë e atyre myslimanë në Treg të Ri, në Rozhajë, në Bihor, në Kolashin e deri tek Rashka. Katundi i tij edhe këtë luftë e pagoi shtrenjtë, duke u djegur për herë të dytë. Madje beteja e parë mes ballistëve dhe partizanëve u zhvillua mu në Kollë.
Siç dihet, që në Babimoc, nisi përgjakja e çlirimtarëve tanë, të cilët ishin kthyer nga Podujeva, përkundër urdhrit që të shkohej tutje nëpër viset e Jugosllavisë. Brigada e 26-të serbe i sulmoi me mitraloza të rëndë. Aty ra edhe dëshmori i parë i kësaj lufte, Imer Sheshivari nga Duboci dhe u plagosen Xhemë Lutani e Dibran Prekazi.
Mirëpo, Beteja e Kollës, ishte përleshja e parë e mirëfilltë midis forcave të Lëvizjes për Çlirim e Bashkim Kombëtar dhe partizanoçetnikëve. Vërtet, gjatë atyre luftimeve, armiku pësoi humbje të mëdha, ama nuk shpëtoi pa pasoja as ana jonë. Aty, atë natë, në roje, flakë për flakë me armikun ra Man Përçuku nga Cecelia dhe u vranë dy burra nga fshati Kollë; Isuf Veseli e Ramadan Hetemi.
Nga kjo derë fisnike e atdhetare doli edhe dëshmori Ruzhdi Abit Hyseni. (23. II. 1954- 3. IV. 1981)
Dëshmori i Pranverës studentore
Ruzhdi Hyseni u lind më 23 shkurt 1954 në Kollë. Prindërit e tij, Abiti dhe Elfija, patën shumë fëmijë; katër djem: Hasanin, Sinanin, Ragipin, Ruzhdiun dhe shtatë vajza: Rahimen, Zylen, Lutfijen, Eminen, Shukrijen, Hanifen dhe Shemsijen. Mirëpo, Ruzhdiu ishte disi më i dalluari prej të gjithëve, andaj edhe dashuria për të ishte më e madhe.
Djaloshi inteligjent e kureshtar i pashoq mësimet e para i mori në Novolan, kurse të mesmet në Gjimnazin e Vushtrrisë, me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet i nisi në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, dega Kimi- Biologji, por nuk arriti t’i përfundojë, sepse tri ditë para se ta mbronte temën e diplomës ra në Altarin e Pavdekësisë. Të gjithë ata që e kanë njohur, sidomos shokët e tij studentë, pohojnë së Ruzhdiu ishte i sjellshëm, i shoqërueshëm, i vendosur dhe trim që vdekjes i thoshte ku je. Shpirtin e tij liridashës e sforconin edhe më librat që nuk i ndante nga vetja, si: “Lahuta e Malcisë”, “Azem e Shotë Galica”, “Hasan Prishtina”, “Gjarpinjtë e gjakut” etj. Padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nuk i duronte dot dhe, në çdo protestë e në çdo demonstratë, ishte i pari.
Pranvera e përgjakshme studentore e vitit 1981 ishte një parantezë artë e një epoke të re për shqiptarët e Kosovës. Atë vit rrugët e qyteteve tona u lanë me gjakun e njomë të luleve rinore.
Edhe Vushtrria e lashtë e Hasan Prishtinës nuk mbeti prapa shoqeve të saja. Përkundrazi, ajo qe shumë e zëshme dhe prijatare në këto ndryshime epokale shoqërore. Demonstratat vushtrriase, që vazhduan për disa ditë rresht, kulmuan më 3 prill 1981. Si përherë, në ballë të tyre, me flamurin kuqezi në dorë, printe studenti sypatrembur, Ruzhdi Abit Hyseni.
Dhe, atë ditë, turma e pakënaqur kishte shpërthyer fuqishëm, duke mbushur rrugët e rrugicat. Sakaq, pasdreke, demonstruesve iu bashkëngjitën edhe 300 femra të fabrikës “Polet”. Tek Ura e Gurit u bë përleshja fyt më fyt me forcat speciale policore. Plumbat dhe gazi lotsjellës nuk i zmbrapsin dot liridashësit që brohorisnin “Kosova Republikë”. Kur prijësit e kolonës po vërsuleshin tek dyert e shkollës së policisë, breshëri plumbash automatiku u zbrazën mbi gjokset e shqipeve të lirisë. Trupi i paepur i Ruzhdiut zu të skuqej nga gjaku që po i rridhte nga plaga e marrë në kokë. Flamuri i tij nuk ra në tokë, atë e morën të tjerët për të vazhduar përpara. Akrepat e orës po shënonin 15 e 30 minuta, kur pushoi së rrahuri zemra e studentit dëshmor. Pak më tej, me gjakun e vet lau rrugët e Vushtrrisë edhe plaku 72 vjeçar, Sali Zeka- Mulaku.
Rënien e djalit dëshmor shpejt e mori vesh edhe babë Abiti. O Zot, ai nuk u ligështua fare. Përkundrazi, qëndroi si burrat e motit dhe tha: “Për hajr o bir plagët e lirisë, për hajr diploma e pjekurisë, për hajr se u bëre i teti me radhë në Altarin e Lirisë!… Ne jemi mësue që sa herë të jetë nevoja të vdesim për Kosovën. Vdekja për lirinë e Kosovës është për ne shpërblimi më i madh, është pavdekësi”.[3]
Sot, në nderim të veprës dhe shëmbëlltyrës së tij, mu aty ku ka rënë, është ngritur një pllakë përkujtimore, e cila, në 20 vjetorin e rënies së tij, pra më 3 prill 2001, u zbulua nga Ali Jonuzi, Dinore Curri dhe i nipi, trashëgues i emrit të tij, Ruzhdi Hyseni. Edhe një rrugë e Vushtrrisë me krenari mban emrin e tij. Të mos harrojmë, në Zvicër, një shoqatë , e cila e ka ndihmuar shumë luftën në Kosovë, është quajtur “Ruzhdi Hyseni”, kryetar i se cilës ishte Sejdi Haziri nga Druari.
Për të kurorëzuar idealin e tij jetësor, rrugës së tij lavdiplote vazhduan edhe pjesëtarët e tjerë të asaj familjeje. Kështu, në radhët e UÇK-së, në ZO të Shalës veproi i nipi, Ekrem Sinan Hyseni dhe, në sektorin e logjistikës, i vëllai, Ragip Abit Hyseni.
Lavdi dëshmorit Ruzhdi Abit Hyseni!
[1] Dr. Jusuf Osmani: Vendbanimet e Kosovës 16- Vushtrria, Prishtinë, 2005, f. 165.
[2] Mr. Ibrahim Çitaku: AZEM GALICA DHE VEPRIMTARIA E ÇETAVE KAÇAKE TË DRENICËS, Prishtinë, 1996, f. 195-196.
[3] Bajram Kurti: Gjaku i lirisë V-VI, Prizren, 2003, f. 142.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 1 vizitorë |
Lexuar:
360 herë
|
|
|
|
|
|
|