Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Veriu i Kosovës dhe Kosova Lindore
Publikuar më 26 mars, 2009 në orën 23:45 ( ) Albin Kurti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Debat nga tryeza me temën “Veriu i Kosovës dhe Kosova Lindore”, mbajtur me 26. 03. 2009 në Prishtinë, organizuar nga Lëvizja për Bashkim

Panje nga Tryeza
‘Shkëmbimi’ i dhunshëm i popullatës

Në veçanti, pas suprimimit të autonomisë në vitin 1989, shqiptarët dhe serbët në Kosovë jetuan pothuajse tërësisht të ndarë. Regjimi i Milosheviqit i dëboi shqiptarët nga fabrikat dhe administrata, nga shkollat dhe spitalet. Zbrazëtia e madhe e krijuar në institucionet e sistemit impononte që edhe bujku serb të bëhej brenda natës zyrtar i lartë komune apo komandant policie. Për t’i mbajtur të shtypur 2 milionë shqiptarë gjithsesi Serbisë i nevojiteshin dhjetëramijëra serbë që do t’i shtypnin ata. Përkatësia kombëtare asokohe përcaktonte brutalisht pozitën në hierarkinë binare. Prandaj, në qershorin e vitit 1999, më parë sesa ndarja e territorit ngjau territorializmi i ndarjes. Rreth 132.000 serbë që mbetën në Kosovë u koncentruan në pjesën veriore dhe lindore të Kosovës. Zyrtari i lartë i UNHCR-së, Ron Redmond, në korrik të vitit 1999 deklaroi se shumica e serbëve të Kosovës që e lëshuan Kosovën, e bënë këtë bashkë me forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.

Serbia asnjëherë nuk kishte dilema nëse donte shumë territor me pak pushtet në të apo shumë pushtet në më pak territor; ajo nuk kishte mëdyshje nëse shqiptarët dhe serbët duhet ta ndanin pushtetin apo territorin. Ajo e zgjodhi menjëherë të dytën dhe i instaloi strukturat paralele aty ku mundi. Këto struktura u kujdesën që t’i mbështesin serbët lokalë materialisht por edhe t’i kërcënojnë ata nëse lëkunden në lojalitetin e tyre ndaj shtetit të Serbisë. Mbi të gjitha, ato u kujdesën që shqiptarët të mos ndjehen si në vendin e tyre në të gjitha ato zona ku shtrihej sundimi i këtyre strukturave.

Numri i përgjithshëm i serbëve të ikur në verën e vitit 1999 ishte rreth 62.000. Sipas Entit Republikan të Statistikës së Serbisë, në vitin 1991 në Kosovë kishte 194.000 serbë. Numri i serbëve të Kosovës realisht nuk është rritur përgjatë viteve të ’90-ta. Shtimi konsistonte në refugjatët serbë që Serbia i solli nga Kroacia e Bosnja si dhe në policët, ushtarakët dhe familjet e tyre që regjimi i Milosheviqit i dërgonte për shërbim në Kosovë.

Deri në shkurt të vitit 2009 janë kthyer 19.051 serbë. Rrjedhimisht, në Kosovë ka 43.000 serbë kosovarë më pak sesa në fund të viteve të ’90-ta.

Le ta shohim pak se si flasin shifrat kur janë në pyetje shqiptarët. Para se të shpallej pavarësia e Kosovës me 17 shkurt 2008, politikanë e gazetarë jo vetëm serbë por edhe ndërkombëtarë, na patën bombarduar me rrëfime se si në rast të shpalljes së pavarësisë serbët do të ikin nga Kosova. Jo vetëm që serbët nuk ikën, por nga trysnitë e ndryshme ikën mbi 11.000 shqiptarë nga Serbia, duke i braktisur edhe shumë biznese të tyre sidomos në Beograd e Vojvodinë. Kur kësaj i shtohen edhe rreth 30.000 shqiptarë që nga Lugina e Preshevës erdhën në Kosovë që prej vitit 1999 dhe 11.364 shqiptarë që u dëbuan nga veriu i Mitrovicës në shkurt të vitit 2000, del se prej qershorit të vitit 1999 janë shpërngulur gjithsej mbi 53.000 shqiptarë përkundruall 43.000 serbëve. Kjo llogaritje e thjeshtë tregoi se që prej përfundimit të luftës, nga ky ‘shkëmbim’ i dhunshëm i popullatës sërish shqiptarët janë humbës.
Gjendja në veri të Kosovës

Gjatë zbrapsjes së forcave ushtarake serbe në qershor të vitit 1999, formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përparonin duke e shtënë vendin nën kontroll. Por kur ato mbërrijtën në veriun e Mitrovicës, erdhi një urdhër prej strukturave të larta udhëheqëse për të mos dalur matanë Ibrit. Jorastësisht, forcat franceze të KFOR-it pastaj u vendosën pikërisht sipër urës së këtij lumi që për më shumë se nëntë vjet simbolizon ndarjen e dhunshme të qytetit. Ndalimi i KFOR-it francez në Ibër ia mundësoi Serbisë ta vendos kontrollin në veri. Në vitin 1999, UNMIK-u i shfuqizoi intitucionet e deriatëhershme të Kosovës por i la të paprekura ato të Serbisë në Kosovë.

Mbajtja e ndarë e veriut të Kosovës është mirëmbajtje e situatës kriminale. Vetëm me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuar. Përveç krimeve dhe masakrave të kryera gjatë luftës nga forcat serbe, 16 kriminelë serbë kanë ikur prej burgut të Mitrovicës, së paku njëri është nxjerrur nga burgu përmes demonstratave të serbëve, kurse disa herë protestuesit nuk kanë lejuar që të arrestohen persona serbë të caktuar. Në trazira të dhunshme nuk u kursyen as forcat ndërkombëtare që për dallim i kursenin strukturat e Serbisë. Trazirat ishin të vazhdueshme, prej prillit të vitit 2002 kur u plagosën 22 policë polakë e deri me 17 mars 2008 kur u vra polici ukrainas. Serbët atje përdorën një arsenal të tërë ushtarak të armëve të zjarrit kundër ndërkombëtarëve.

Shqiptarët e dëbuar nga veriu i Mitrovicës jetojnë nëpër vende e banesa të marra me qera nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Të shtyrë nga skamja e madhe, ata shpeshherë janë të detyruar t’i shesin pronat e tyre. Këto prona i bleu fillimisht Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën, e më pas drejtëpërdrejtë Qeveria e Serbisë. Rikolonizimin e veriut të Kosovës prej Beogradit e ka toleruar UNMIK-u meqë, sipas rregullores 2001/17 të UNMIK-ut, administratori komunal ka mundur të shfuqizojë kontratat nëse blerja e pronave është bërë në mënyrë të organizuar prej ndonjë institucioni të caktuar, qëllimi themelor i të cilit është ndryshimi i strukturës etnike në ndonjë pjesë të vendit. UNMIK-u u ka vendosur kushte vetëm shqiptarëve, por jo edhe autonomisë serbe në veriun e Kosovës.

Para luftës, 53% të banesave në veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë sesa ato serbe atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishin shqiptarë. Kthimi i tyre padyshim se do të mundësonte t’i jepej fund dominimit të Serbisë në veri të Kosovës. Kthimi i shqiptarëve në veri nuk nënkupton shqiptarizimin e asaj pjese por normalizimin e saj, kthimin në gjendjen e mëhershme duke çrrënjosur efektet dhe rezultatet e pastrimit etnik.

Në vitet e pasluftës Trepça punonte rrallë e pak dhe nuk kishte zhvillim të ekonomisë private. Shqiptarët dhe serbët në veri nuk kishin pavarësi ekonomike dhe ata mbetën të brishtë përkundrejt strukturave të Serbisë.

Nga të qenit dikur qyteti më i pasur i Kosovës, Mitrovica duke qenë e ndarë është shndërruar në qytetin më të varfër. Dy faktorë që ndikuan në varfërimin e këtij qyteti janë mosfunksionimi i Kombinatit Trepça dhe ndarja e qytetit. Ekonomia e qytetit të Mitrovicës ishte e tëra e organizuar rreth Kombinatit. Ai ishte punëdhënësi më i madh aty. Gjatë viteve të administrimit të dhunshëm nga Serbia, Trepça ishte katandisur si mos më keq, duke u shitur pjesë-pjesë, shfrytëzuar në mënyrë iracionale, si dhe duke mos u investuar asgjë në të. Shitja ilegale e Trepçës nga regjimi i Milosheviqit është pranuar nga UNMIK-u si e dhënë, si një fakt i kryer. Prandaj edhe sot e kësaj dite ky Kombinat është lënë në harresë. Trepça do të garantonte zhvillimin ekonomik të tërë Kosovës, jo vetëm të Mitrovicës. Prandaj ajo është lënë pas dore.

Ndarja e Mitrovicës natyrisht se e ka vështirësuar rifunksionalizimin e Trepçës, duke e lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan). Kështu Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër, dhe ajo është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve. Sipas raportit të Iniciatiës Evropiane për Stabilitet të para pak viteve, në veri të Mitrovicës dhe Zveçan jetohet me mesatarisht 95 euro në muaj, 60% të të cilave sigurohen nga Beogradi dhe 23% nga Prishtina. Ndërkaq, në jug të Mitrovicës njerëzit jetojnë me 37 euro në muaj, nga të cilat 37% sigurohen nga Qeveria e Kosovës dhe 40% nga sektori privat.

Duket qartë që Serbia po përdor një strategji për veriun ku po vepron me dhunë dhe një strategji për pjesën tjetër të Kosovën ku po vepron pa dhunë në pritje të implementimit të decentralizimit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Për veriun e Kosovës Serbia e dëshiron modelin e Bosnjës dhe këtë e ka shprehur edhe Nebojsha Çoviqi me një rast. Sipas tyre veriu i Kosovës do të ishte si Republika Serbe, Mitrovica si Mostari dhe Ibri si Neretva. Për pjesën tjetër të Kosovës, Serbia e do decentralizimin që e legalizon ndarjen e brendshme.

Gjendja në Kosovën Lindore

Në Kosovën Lindore, përveçqë nuk ka universitet për shqiptarët dhe atyre nuk u lejohet përdorimi i flamurit, diskriminimi është shumëdimensional. Buxheti Republikan për komuna nuk ndahet proporcionalisht – shqiptarët janë të nënpërfaqësuar. Mandej, numri i arsimtarëve, profesorëve dhe mjekëve për një popullatë të caktuar është më i ulti në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë sesa kudo tjetër në Serbi. Përqindja e shqiptarëve në vendet udhëheqëse, në punësim, në pjesëmarrje tek asistenca sociale dhe sigurimi shëndetësor është shumë më i ultë sesa e serbëve atje. Ka diskriminim në sferën e privatizimit dhe të investimeve kapitale. Mbi të gjitha, militarizimi i Luginës dhe ekspedidat policore sikurse ajo e dhjetorit të vitit të kaluar e rëndojnë shumë gjendjen. Përmes diskriminimit sistematik në njërën anë, dhe dhunës e incidenteve të kohëpaskohshme në anën tjetër, Serbia si në veri të Kosovës po ashtu edhe në Kosovën Lindore e mirëmban tensionin shtypës që i shpërngul shqiptarët. Atë që dikur ajo e bënte me ofensiva ushtarake, tash po e bën dalngadalë dhe me më pak zhurmë.

Në Medvegjë shqiptarët tashmë janë pakicë. Komuna e Medvegjës i ka 10.760 banorë sipas regjistrimit të vitit 2002. Shqiptarë janë 2.860 ose 26.8%. Të punësuar shqiptarë janë vetëm 62 persona. Të punësuar serbë janë 1609 veta. Në vendet udhëheqëse janë vetëm 2 shqiptarë: zëvendësi i kryetarit dhe shefi i shërbimeve publike. Asistencë sociale marrin 16 familje shqiptare. Që nga vitet e ‘90-ta në asnjë institucion flamuri kombëtar nuk ka valuar.

Nuk duhet të harrojmë se me regjistrimin e vitit 2002 nuk janë të përfshirë qytetarët të cilët janë në botën e jashtme më shumë se një vit. Numri i qytetarëve të cilët qëndrojnë në botën e jashtme më gjatë se një vit, e të cilët kryesisht janë të komunitetit shqiptar, në Komunën e Preshevës janë rreth 13.000, në Komunën e Bujanocit rreth 11.000 dhe në Komunën e Medvegjës rreth 3.000.

Trysni të madhe Serbia bën posaçërisht në Bujanoc. Përveç përmes tendencave për krijimin e komunës së Tërnocit që do t’i bënte shqiptarët pakicë në Bujanoc, diskriminimi është i hatashëm anipse shqiptarët përbëjnë 61% të popullsisë. Në Komunë atje janë të punësuar 68 shqiptarë, 81 serbë dhe 4 romë; në Qendrën Sociale 2 shqiptarë, 11 serbë dhe një rom; në ndërmarrjen komunale 49 shqiptarë, 115 serbë dhe 9 romë; në Bajën e Bujanocit nga 120 të punësuar vetëm njëri është shqiptar. Sa i përket punësimit nëpër fabrika, kjo më së miri shihet në tabelën vijuese:

Emri Gjithsej Shqiptar Serb Romë
HEBA 558 6 550 2
DUVANSKA 175 30 110 35
SIMPO 600 25 575
MEGAL 236 236
KONDIVA 200 200

Në komunën e Preshevës po ashtu ka diskriminim por ai është më pak problematik për shkak të homogjenitetit të madh etnik të popullatës. Serbët janë fare pak përqind, zënë vend shumë nëpër institucione e ndërmarrje të ndryshme porse kjo megjithatë s’i zbraps dot shqiptarët atje dhe në një plan afatshkurtër s’mund ta bëjë ndryshimin e përbërjes së popullatës. Megjithatë, puna është keq sidomos me përfaqësimin dhe udhëheqjen nëpër polici, prokurori e gjykata. Gjersa policia është përafërsisht 50% me 50%, në Prokurori janë 9 serbë e 4 shqiptarë, në Gjykatën për Kundërvajtje janë 5 serbë e 7 shqiptarë kurse në atë komunale 25 serbë e 16 shqiptarë. Por, diskriminim drastik ka edhe në disa sektorë të tjerë sikurse te Katastra e Patundshmërive Komunale ku punojnë 2 shqiptarë, 8 serbë dhe drejtori është serb, apo te Shërbimi i Thesarit ku kemi 1 shqiptar, 4 serbë dhe drejtori sërish është serb.

Si të vazhdojmë më tutje?

Lëvizja VETËVENDOSJE! i përkrah kërkesat e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kosovën Lindore për flamur, universitet dhe demilitarizim. Që prej formimit tonë si Lëvizje kemi konsideruar që aktualisht duhet të insistojmë në reciprocitet dhe simetri të të drejtave, në politika që e luftojnë diskriminimin dhe nënpërfqësimin. Nuk duhet të ketë privilegje për serbët dhe as nënpërfaqësim për shqiptarët. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Kosovë Lindore. Asimetria e situatave na lë peng të konfliktit që nuk mbaron. Shqiptarët në Kosovën Lindore duhet të bëhen bashkë për flamurin kombëtar që nuk i lejojnë ta përdorin, për demilitarizimin e luginës dhe për universitet në gjuhën shqipe. Për këto, ata duhen ndihmuar pa kursim nga Prishtina e Tirana.

Në veri të Kosovës duhet të shtrihet pushteti dhe kontrolli për çka Lëvizja jonë e pat bërë një analizë dhe një propozim konkret në vjeshtën e vitit të kaluar e ku përveç tjerash kemi thënë që:
• Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë e vendosur në një kazermë në veri të Kosovës.
• Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje.
• Në veri janë rreth 500 familje shqiptare. Duhen shikuar mundësitë që secilës familje t’iu punësohet nga një anëtar në Polici dhe asisoj do t’i kishim afër 500 njerëz të armatorur në veri në gjendje për ta mbrojtur veten atje.
• Duhet të ndërpriten çfarëdo negociata me Serbinë përderisa ajo mbështet struktura paralele në Kosovë me qëllim të rrënimit të pavarësisë së Kosovës. Faktorët ndërkombëtar duhet t’i ndërprejnë negociatat me Serbinë kurse institucionet e Kosovës të mos i rifillojnë ato.
• Duhet bërë ngritja e akuzave dhe arrestimi për strukturat e Serbisë.
• Duhet arrestuar ata që janë në krye të krimeve etnike në veri.
• Të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave paralele. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i strukturave paralele të Serbisë.
• Të ndërpriten pagat për policët që refuzojnë të punojë në Policinë e Kosovës.
• Nuk duhet të legjitimohet komuna e veriut të Mitrovicës. Kësisoj, së paku nuk do t’i vështirësohej bashkimi i Mitrovicës gjeneratave të ardhshme të politikanëve. Nëse pranohet komuna e veriut të Mitrovicës, atëherë çfarëdo ndërmarrje integruese apo çlirimtare atje në të ardhmen do të konsiderohet agresion.
• Serbët në veri janë të varur nga Serbia sepse i vetmi punësim atje është ai që e ofron Serbia në shërbimet publike prandaj duhet të stimulohen ekonomia private atje. Për dallim nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ne nuk mendojmë që serbëve duhet t’u jepen mijëra euro kesh, traktora apo paga (që madje iu ruhen) edhe kur punojnë për Serbinë. Përderisa veprojnë strukturat e Serbisë në Kosovë, çdo cent që Qeveria e Kosovës ua jep serbëve i shkon Serbisë.
• Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo negociata me e për strukturat e Serbisë, por integritet territorial e sovranitet.
• Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Në fund të viteve të 70’ta por edhe përgjatë të ‘80-tave, arsimtarët e mjekët në Kosovë kishin paga që mund të krahasoheshin edhe me disa vende të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, kjo ishte e mundur pikërisht për shkak punonte Trepça.
• Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.
• Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.
• Forcimi i fshatrave të shqiptarëve atje si pakicë e rrezikuar që janë, duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet.
• Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës t’ua blejë ato. Etj., etj.

Kësisoj, edhe serbët do të mund të integroheshin në Kosovë: integrimi nuk është dëshirë por nevojë. Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat që serbëve t’ua bëjë të panevojshme integrimin në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Para çfarëdo joshje të serbëve të Kosovës duhet që paraprakisht të ndërpritet ndikimi i Serbisë.

Shkëmbimi territorial

Ushtrimi i së drejtës p[ër vetëvendosje të kombit nuk është i shkëputshëm prej territorit që e popullon kombi. Ndryshimi i kufirit (sado që formal) të Kosovës përfundon si shkëmbim territorial i veriut të Kosovës me Kosovën Lindore e i cili i ka disa probleme dhe vështirësi shumë shumë të mëdha:

1. Nuk mund të bëhet në mënyrë paqësore. Shkëmbimi paqësor i territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo edhe shqiptarëve dhe serbëve është i mundur vetëm në bazë parimore: e drejta për vetëvendosje të kombeve. Mirëpo, kjo në mënyrë paqësore është e mundur vetëm nëse në Beograd e merr pushtetin një parti, le të themi, e trashëgimisë së Dimitrije Tucoviqit, ndërkohë që e dimë se e gjithë skena politike në Beograd aktualisht është trashëgimi e Nikolla Pashiqit. Në shoqërinë serbe nuk ka pendesë dhe as spastrim të strukturave kriminale nacional-shoviniste. Përkdhelja ndërkombëtare është përkthyer veçse në inkurajim që Serbia ta vazhdojë avazin e vjetër me forma të reja. Kur kësaj i shtohet fakti që vatrat e rezistencës parimore në Serbi kundër hegjemonisë së saj janë të vogla dhe të shkapërderdhura, përfundimi është që nuk ka gjasa që ky brez i politikanëve në Serbi (e ndoshta as ai pas këtij) të bëhet parimor. Faktori tjetër që e vështirëson shumë punën është ndërmjetësimi i pashmangshëm ndërkombëtar i cili parimisht s’është parimor, por e gjen një kompromis midis palëve që i lë të dyja palët të pakënaqura, ia mban anën të fortit dhe e rrit armiqësinë anipse e ngrin konfliktin. Shembull e kemi ndërmjetësimin e Ahtisaarit: Serbia kërkonte 19 komuna serbe në Kosovë, negociatorët e Kosovës në fillim thoshin vetëm pesë për të përfunduar me kompromisin 10+1 komuna me mundësi të rritjes së numrit të tyre. Negociatat si ballafaqim i pastër interesash ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe ndërkombëtarëve të ndryshëm (që veçse mbrojnë interesat e veçanta kombëtare apo financiare) për kufij do të sjellin gjakderdhje të reja sepse secila palë do të përpiqet ta avansojë situatën e saj në terren para raundit të ri negociator.

2. Sot, nuk ndodhemi në kohën kur ka gjasa të ndodhë shkëmbimi territorial por kur po zbatohet Plani i Ahtisaarit i cili kur të implementohet në Anamoravë e rrethon dhe e izolon Kosovën Lindore duke na e shkëputur vazhdimësinë territoriale dhe duke i enklavizuar shqiptarët. Pengimi i zbatimit të Planit të Ahtisaarit duhet të jetë prioriteti e jo shkëmbimi territorial. Sepse, i pari është realitet kurse e dyta vetëm ide.

3. Plani i Ahtisaarit është dëshmi që kontesti shqiptaro-serb nuk është i lokalizuar vetëm në relacionin “Veriu i Kosovës” – “Kosova Lindore”: kemi eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse që i serbizon ato, privilegjin e vetos për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, dëmet e luftës (që nuk i paguan) dhe borxhin e jashtëm të Serbisë (ku e kërkojnë edhe kontributin e Kosovës!) etj. Në fakt, Serbia nuk e do ndarjen e Kosovës por kontrollin mbi tërë Kosovën përmes ndarjes së brendshme të saj.

4. Serbët janë të privilegjuar edhe në veri të Kosovës edhe në Kosovën Lindore pikërisht për shkak se Serbia i kontrollon të dyja këto. Në kohën kur Serbia i kontrollon me forcë edhe veriun e Kosovës, edhe Kosovën Lindore, të kërkosh shkëmbim do të thotë të heqësh dorë nga veriu. Asgjë më shumë. Në çfarëdo variante të mundshme, kërkesa e ideja për shkëmbime territoresh ndërmjet kombit shqiptar dhe atij serb eventualisht duhet të vijë nga Tirana e kurrsesi nga Prishtina. Shqipëria e cila është sovrane, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe ushtri do të mund të bënte pazar të levërdishëm – kurrsesi Kosova.

5. Kurrfarë shkëmbimi territoresh s’duhet pranuar si ofertë dhe as hedhur në tavolinë pa i ditur pasuritë që po shkëmbehen. Agjensioni Kosovar i Minerale dhe Minierave nuk i publikon rezultatet e vlerësimit të Trepçës tash disa vjet. Sipas Halil Qelës, gjeolog me profesion dhe i cili njëkohësisht kryeson me sindikatën atje, vlera e përgjithshme e Trepçës është 502 miliardë euro.

6. Dhe, e fundit, por jo edhe për nga rëndësia, duhet pasur shumë kujdes me kufijtë që propozohen. Nuk duhet harruar që sipas regjistrimeve të viteve 1971 dhe 1981 Kosova i kishte 22 komuna. Zveçani dhe Zubin Potoku janë bërë komuna në fund të viteve të ‘80-ta – pra, në periudhën e sundimit të Milosheviqit ato i janë marrur komunës së Mitrovicës (ndonëse komuna e Zubin Potokut ka ekzistuar që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1965). E drejta e vetëvendosjes gjithsesi e nënkupton dekolonizimin si korrigjim historik të padrejtësive nga e kaluara.


Prishtinë, 26 mars 2009

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Albin Kurti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 22 vizitorë
Lexuar: 1,180 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi