Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Bazat e mërgatës shqiptare në Zvicër
Publikuar më 12 maj, 2011 në orën 16:24 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Rrjedhat e organizimit shqiptar nuk mund të merren me mend para organizimit të Konfederatës Zvicerane, më 1291. Mund të merren me vështirësi nga jeta e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që përfundoi me 1468, as nga përfundimi i jetës së djalit të tij, Gjon Gjergj Kastrioti, në Shqipëri, më 1506, kur përfundimisht kthehet në Itali.
Nuk fillon as nga mërgata e arbëreshëve të shumtë që vinë dhe zënë vend këtu. Ndonëse janë mjaft të organizuar, nuk dallojnë si shqiptarë, si arbëreshë apo të huaj. Ata përpiqen të zënë vend në lëvizjet politike zvicerane dhe të vihen në vendet kyçe të saj, si vendas, si „graubyndnas“, si „tiçinez“, etj. Organizimi i tyre si individ nuk hetohet lehtë.

Shqiptari i parë që hetohet vie nga Granea e Shqipërisë për të marrë pjesë në Koncilin fetar të Bazelit, më 1441, me emrin Andrea Zamometich. Kjo është periudha e Skënderbeut dhe zhvillimit të përkatësisë fetare katolike në Shqipëri. Ndër këta, humanistët shqiptarë kanë qenë të njohur në Zvicër. Këtë e vërteton më së miri botimi i veprës së Marin Barletit „Rrethimi i Shkodrës“, në Bazel, më 1556.
Karakteri i jonë luftarak dhe i paepur i bëri të jenë në lëvizjet kyçe të vendeve të ndryshme. Napoleonin nuk mund ta merrnim në shqyrtim pa regjimentin e Shqipërisë, regjimentin elitë, që la gjurmë të pashlyera në luftën e tij guerile. Të gjitha lëvizjet e mëdha luftarake të botës i kanë shqiptarët në mesin e tyre.
„Herë na shfaqeshin para syve arnautë apo shqiptarë, me tipare të bukura, me mustaqe të gjata dhe të holla,... që tundin me lëvizje gjithë shkathtësi... Të gjithë qenë të armatosur gjer në dhëmbë, me dyfekë me qark, pisqolla, jataganë, hanxharë, thika, një arsenal i vërtetë që përfshinte nga armët më të thjeshta gjer te kryeveprat e argjendarisë , të gdhendjes së gurëve të çmuat të argjendarisë.“ (1)
Në Zvicër, bien në sy më tepër pas afirmimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Lidhjes së Prizrenit, që janë organizuar në kohën e fundit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe përpjekjeve të uzurpimit të tokave autoktone shqiptare nga popujt fqinjë. Janë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që depërton në vendet perëndimore. Atyre nuk u pushon dhembja permanente për trojet arbërore. E ndejnë thellë këtë dhembje dhe gjejnë mundësi ta shprehin qoftë përmes organizimit, qoftë përmes krijimtarisë. Kjo shprehet përmes gazetarisë, që zë fill në Zvicrën franceze - si koka e lëvizjes botërore e diplomacisë, veçanërisht përmes krijimtarisë, siç na e bën këtë Fan S. Noli me poezinë e tij „Anës Lumenjve“, në të cilën e qanë thellë gjendjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, të përjetuar nga Gjermania. Organizimet e tyre ndikohen nga organizimet e nivelit evropianë, në radhë të parë nga Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Italia, Franca, Belgjika, Gjermania, Austria dhe Zvicra. Shoqëritë kombëtare shqiptare gjejnë organizime të patriotëve shqiptarë, të cilat i organizojnë në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Turqia, Rumania, Italia në Evropë lënë gjurmë të pashlyera të organizimit, përkundër dhunës së hapur të armiqve tanë. Përpjekjet e emigrantëve shqiptar nuk shkëputen plotësisht nga përpjekjet e pandalura të kombit shqiptar për krijimin e shtetit të bashkuar shqiptar. Edhe në Perëndim i gjejnë ata mundësitë e paraqitjes së përpjekjeve të veta.
Gjergj Kokalli gjendet i vdekur në Zvicër, në vitin 1883, i varrosur në Mendrisio (TI), që për tridhjetë vite ishte shërbyesi besnik dhe mik i Edward Lear-it, nga Anglia (2) ).
Që nga studimet e Anton Zako Çajupit, me 1887, deri te Fan Stilian Noli, që merr pjesë dhe lë gjurmë të pashlyera të mjeshtërisë diplomatike në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë, herë pas here gjatë viteve 1920, 1921, 1922 e 1923. Shqiptarët i kemi të mbledhur në Zvicër, që atëherë. Populli i Zvicrës i ka njohur shqiptarët dhe jetën e tyre. Gazeta „Journal de Génèvë“ ka shkruar që me 12 shtator të vitit 1909 për ngjarjen madhore të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së shkollës Normale. Më 01.03.1922 është pranuar shteti i pavarur i Shqipërisë, ndonëse me gjysmën e tokave të veta autoktone, me shkresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës. Edhe më përpara, nga vitet 1903-1906, kanë dalë gazetat „Shqipëria“ në Gjenevë dhe në Lozanë, në vitet 1915-1916.
Nga maji i vitit 1902 e deri në nëntor të vitit 1903 Dervish Himën do ta shohim në Lucern e më pas në Gjenevë, ku qëndron një vit e gjysmë. Në fillim e përkrahu Aladro Kastriotin, spanjollin aventurier politik që pretendonte fronin politik të Shqipërisë dhe me të cilin takohet gjatë në Lucern të Zvicrës, por zhgënjehet nga ai. Në këtë kohë ai bashkëpunonte me atdhetarë të tjerë anë e kënd botës. Në tetor të vitit 1902, filloi botimin e gazetës „Albania“ në Gjenevë, që i tregoi Ibrahim Temos, dhe bashkëpunoi me organet xhonturke „Bashkimi Osman“ dhe „La Fédération Osmane“, që dilnin në Gjenevë (3).

"Zosimea" qe prodhoi urrejtje antiosmane

Më 1904 Mufid bej Libohova është transferuar në Bern të Zvicrës si Kryetar i misionit diplomatik të Turqisë. Ai ka lindur në Libohovë në korrik të vitit 1876, si djali i parë i Neki Pashës, derës së Arsllan-Pashalinjëve, mikut të Ali Pashë Tepelenës. Ka kryer gjimnazin „Zosimea“ të Janinës dhe liceun „Galata Saraj“ në Stamboll, në gjuhën franceze. Universitetin e kreu në Lozanë të Zvicrës në degën e Drejtësisë me sukses të plotë dhe u laureua përsëri në Zvicër (Lozanë), ku mori doktoraturën në Shkencat Politike. Gjatë këtyre viteve vizitoi shumë vise të botës dhe fliste shumë bukur gjuhët e huaja, si psh. frëngjisht, turqisht, greqisht, arabisht, persisht dhe italisht. Vizitoi ndër të tjera në Vjenë, Berlin, Shën Petersburg, Londër, Paris, Romë, Kajro, etj. Kishte trashëguar nga i ati, Neki Pasha, një pasuri të madhe brenda dhe jashtë Shqipërisë, si psh. në Shqipëri, Greqi, Turqi, Egjipt, etj. Mjaft shuma të mëdha ka shpenzuar për çështjen shqiptare.
Së bashku me Ismail Qemail bej Vlorën, kushëririn e tij nga Vlora, shpalli pavarësinë e atdheut të tij me 28 nëntor 1912, që kishte ikur më parë nga Stambolli i Turqisë. U zgjodh në dy dikasteret e Kuvendit Kombëtar të Vlorës (28 nëntor-4 dhjetor 1912), në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat i mbajti deri në fund të vitit 1913, ndërsa më 7 mars 1914 priti në Durrës Princ Wiedit në emër të Qeverisë së Përkohshme si Kryetar i Qeverisë, me ç’rast u caktua si përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar. Lufta e Parë Botërore e zuri në Shqipëri, por ai u largua nëpër Itali, ku nuk pranoi të jetë rrogëtar nga qeveria italiane dhe mbylli përfaqësinë diplomatike dhe u transferua në Zvicër.
Ai ishte në disa pozita të larta shtetërore shqiptare prej Ministrisë së Drejtësisë dhe të Kultit deri në Ministrinë e Financave, sikurse themelues i Bankës Kombëtare, që themeloi monedhën kombëtare „Lek“. Largimi i tij nga qeveria shkaktoi dorëheqjen e tërë të kabinetit të Ministrisë. Ai vdiq në atdhe papritur, në Sarandë, në shkurt të vitit 1927 në moshën 51 vjeçare. Trupi i tij u varros në tyrben e oxhakut të gjyshit të tij, Malik Pashës dhe stërgjyshes së tij Shanisha Hanëmi, motra e Ali Pashë Tepelenës dhe gruaja e Ali Pashë Libohovës. Por varret e tyre dhe biblioteka prej 5000 librave u shkatërruan nga pushteti popullor. U konfiskua tërë pasuria e tyre, shtëpitë dhe raritetet, nga të cilat iu falën Jugosllavisë dhe kryetarit të saj, Tito, pa marrë parasysh se ishin bërë gjenocidet serbo-malazezo-maqedone mbi shqiptarët (4).
Shqiptarët, që në këtë kohë, kanë qenë të organizuar në Zvicër. Më 1915 Faik Konica boton traktatin „Gjermania dhe Shqipëria“, pas takimit të tij me Mit’hat dhe Mehdi Frashërin. Veprimtarë të njohur të Shqipërisë i gjëmjë këtu, duke përfshirë Ajet Libohobën, Ali Këlcyrën, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Eqrem Bej Vlorën, Dr. Mihal Turtullin, Dr. Omer Nishanin, dhe të tjerë. Gaqo Adhamidhi ishte një figurë patriotike shqiptare që vinte nga Zvicra në qeverinë e parë mbretërore të Shqipërisë, të Wilhelm von Wiedit, si Ministër i Financave, deri më 20 maj 1914, për shkak se zgjoi inate të njohura shqiptare. Por ai nuk pushoi tërë jetën të ndihmojë çështjen shqiptare duke punuar në Zvicër (5).

Visar Dodani



Me 1915, Visar Dodani, një gazetar i njohur shqiptar nga Rilindja Kombëtare u shpërngul në Gjenevë dhe shërbeu në dhjetor të vitit 1918 si sekretar i Komitetit Kombëtar Shqiptar, i kryesuar nga Turhan Pasha, kryetar i qeverisë së përkohshme të Durrësit, e cila kërkonte njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë në Evropën, pas Luftës së Parë Botërore. Shqipëria kishte hequr në Luftën e Parë Botërore të zinjtë e ullirit. Qeveria e parë e përkohshme përpiqej të mbajë pushtetin. Visar Dodani u kthye përsëri në Rumani, në vjeshtën e vitit 1919 (6). Në Gjenevë, më pastaj, janë botuar gazetat „Liria Kombëtare...“ (1925-1935) dhe „Biblioteka: Zëri i shqiptarit...“, (1935-1936).



Po në këtë vend gjendët Mit’hat Frashëri, i njohur me emrin Lumo Skëndo, i cili është djali i Avdyl Bej Frashërit, lideri numër një i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që e njohu pak të atin dhe u rrit nga Naimi dhe Samiu, në Stamboll të Turqisë. Ka lindur në Janinë, me 25 mars 1880 dhe mbylli jetë e vet në Amerikë, në New-York, 3 tetor 1949. Në Stamboll e kreu Edukimin Akademik dhe kishte një varg ngritjesh e zbritjesh shtetërore. Mbasi mbaroi lufta e parë botërore dhe mori fund internimi në Moldavi të Rumanisë, ai erdhi në Lozanë, në Zvicër, në vitin 1918. Në këtë kohë po përgatitej njohja e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në Konferencën e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, gjë që e bëri Mit’hat Frashërin t’ia dërgojë një Promemorie, në të cilin deklaron se „pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan“. Në vitin tjetër, e gjejmë të botojë në Losanë (1919), nën pseudonimin Lumo Skendo librin e njohur „Les Albanais chez eux et à l’étranger“. Në vitin 1920 detyrohet të shkojë në SHBA ku vendoset der ni vitin 1922.
Në vitin 1920 e shohim Dr. Mihal Turtullin të bashkëpunojë me Fan S. Nolin, si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Dr. Mihal Turtulli ishte politikan i shquar shqiptar që bashkëpunonte ngushtë në sferën politike. Pas përmbysjes së Revolucionit Demokratiko-Borgjez, të qershorit të vitit 1924, në të cilin mori pjesë aktive, sepse kishte pikëpamje identike me udhëheqësin, Fan S. Noli, u detyrua të emigrojë në Zvicër, në Gjenevë, i ndjekur nga mbreti Ahmet Zogu, ku qëndroi deri në fund të jetës.
Ndër më të njohurit dhe i njohur në krajatat shqiptare ende të ndara nën pesë pjesë ishte Bedri (Abdi) Pejani, i lindur më 1885 dhe i vdekur në spitalin e Prizrenit, me 6 korrik 1946, i dënuar me vdekje nga ana e autoriteteve jugosllave. Bedri Pejani ishte i njohur si Deputet i Kongresit të Manastirit (1908) dhe sekretar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i themeluar më 7 nëntor 1918, në prag të mbarimit të Luftës së Parë Botërore, që përfundoi punën në vjeshtën e vonë të vitit 1924 kur Hoxhë Kadri Prishtina u rreshtua më në fund në krah të Ahmet bej Zogut që bëri fshehurazi një marrëveshje antikombëtare me jugosllavët më 1924, rrëzoi Fan S. Nolin nga qeveria dhe ndoqi për t’i vrarë Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin, që ishin krerët e Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës, së bashku me Sali Nivicën, kryeredaktor i gazetës „Populli“ organ i KMKK dhe që shpërndahej legalisht në Zvicër. Bedri Pejani ishte editor i gazetës „Populli“ dhe kurrë nuk ju nda veprimtarisë atdhetare e kombëtare, duke bashkëpunuar edhe me Kominternin dhe LNÇ, deri në janar-qershor të vitit 1944, kur zgjedhet Kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në shtator të vitit 1921 ia dorëzoi një Memorie nga delegacioni i shqiptarëve irredentistë Kongresit ndërkombëtar për të mbrojtur drejtat e popujve, prej 1 deri më 10 shtator, i shkruar në gjuhën frënge, i cili ishte ndër hartuesit kryesor të tij. Përveç një vështrimi të gjërë etnik dhe historik të Kosovës, që i përkisnin me të padrejtë Serbisë, ai shprehte edhe pikëpamje të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Çamërisë (7). Iu deshën disa javë apo muaj për të kontaktuar me Lidhjen e Kombeve dhe krerët shqiptarë.
Me 25 mars 1925, formohet KONARE, në Vjenë, në të cilën si udhëheqës caktohet Fan S. Noli. Ai ishte kryetar edhe i Komitetit të Çlirimit Nacional (KÇN), derisa qëndronte në Evropën Qendrore, ku ra nën ndikimin e lëvizjes revolucionare, për çka e vizitoi Bashkimin Sovjetik më 1927. Dr. Mihal Turtulli, nga Gjeneva, e mbajti në frekuencën e këmbimeve të letrave të tij, që vinë në drejtim të Fan Stilin Nolit, deri më 23 janar të vitit 1934. Mihal Turtulli ka pasur detyra të larta shtetërore shqiptare.
Jo fort gjatë kishte qëndruar edhe Dr. Omer Nishani, në Gjenevë, i cili u detyrua të largohet nga kjo gjendje dhe të përjetojë jetën shumë të varfër, në Greqi. (8) )

Mehdi Frashëri


Ndër më të njohurit në Zvicër ka qenë Mehdi Frashëri. Ka lindur në fshatin Frashëri të Përmetit, nga një familje bejlerësh. Ka kryer shkollën e mesme të Manastirit dhe fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Universitetin e Stambollit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në vitin 1898. Ka punuar në disa detyra të larta turke, ndër të tjera, më 1911 Guvernator i Jerusalemit dhe të gjithë Palestinës. Në vitin 1912 u caktua nga Qeveria Shqiptare pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë, në shenjë të përpjekjeve të gjithmbarshme të shkëputjeve dhe pavarësisë së Shqipërisë, në të cilën dha kontribut të veçantë. Prej 1919 deri më 1923 caktohet në funksione të larta shtetërore, ndër të cilat, vlen të përmendet detyra e tij në Ministrinë e Brendshme, si ministër, si rezultat i Kongresit të Lushnjes. Në vitin 1923 deri më 1939, me disa ndërprerje, ka shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve (sot OKB) në Gjenevë të Zvicrës, deri në vitin 1929. Në këtë vit u emërua si Kryetar i Këshillit të Shtetit, ndërsa në vitin 1935 e caktoi Mbreti Zog në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Me 7 prill të vitit 1939 mbajti një fjalim të thuktë në Radio Tirana kundër pushtimit italian, por u detyrua të internohet në Itali, të cilët e konsideronin si një njeri të rrezikshëm dhe person antifashist, ku qëndron në kampet e përqendrimit deri në vitin 1943. Në shtëpinë e tij, në Romë, vdiq më 25 maj 1963.
Pas Kongresit të Londrës, shumica e tokave autoktone shqiptare ranë nën gjenocidin permanent të armiqve tanë kombëtarë. Vetën në Jugosllavi, shqiptarët, si pasojë e sundimit dhe terrorit serbomadh u asgjësuan në mënyrë të tmerrshme. Në vitet 1913-1927 u vranë mbi 200.000 shqiptarë nga Jugosllavia, ndërsa në vitet 1913-1941 nga politika antishqiptare serbomadhe me dhunë shtetërore u shpërngulën mbi 500.000 shqiptarë. Vetëm në Kosovë gjatë viteve 1940-1941 shërohen 5000 shqiptarë, ndërsa 3000 shqiptarë qenë likuiduar nëpër burgje pa procedurë gjyqësore. (9).
Po kështu, nën Greqinë, popullata shqiptare iu është nënshtruar masakrave të papara të grekëve dhe të shqiptarëve ortodoks, të mashtruar nga grekët. Shqiptarët e Shqipërisë ishin vënë në luftë të rreptë për marrjen e pushtetit në Shqipërinë e përgjysmuar. Ideologë të ndryshëm, sado të paktë, po përpiqeshin për të marrë pushtetin. Kombi shqiptarë, i përçarë dhe i nënshtruar pastrimeve të okupuesve të territoreve autonome, nën mizerien e luftërave të pandalura mbi ta, mezi po merrte frymë. Nëpër viset e gjëra të mërgatës botërore, po përpiqej të linte një linjë të organizimeve kombëtare, kudo qoftë. Ahmet Zogu po përpiqej të mbante pushtetin e Shqipërisë, përkundër vrasjeve të shumta të shqiptarëve të veçantë, si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, etj. që kishin rënë nën vrasjet gjakatare të Ahmet Zogut, si bashkëpunëtor i hapur i armiqve jugosllavë, grekë e italian.

Noli kishte ardhur si rezultat i zgjedhjeve të prillit 1921 me Partinë Popullore e Liberale të Shqipërisë, në të cilat Stavro Vinjau, Ali Këlcyra, Qazim Koculli, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, etj. vepronin krahas Fan Nolit, ku ishin anëtar Ahmet Bej Zogu, Eshref Frashëri, Eqrem Bej Vlora, të cilët do të organizohen më vonë kundër tyre. Me Fan Nolin vepronin në lidhje kryesisht Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, dy patriotë, diplomatë e komandantë ushtarak, udhëheqës të Qeverisë Kombëtare të Kuvendit të Junikut, Senatorë të Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë dhe anëtar të Këshillit të Lartë të Shtetit apo të qeverisë 4 ditëshe të Hasan Prishtinës. Bajram Curri, në Kongresin e Lushnjes, ishte zgjedhur si anëtar i Këshillit Kombëtar, ministër i pa portofol dhe Komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe udhëheqës kryesor i forcave demokratike dhe revolucionare të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, i titulluar Revolucioni Demokratiko-Borgjez. Në vjeshtën të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për t’ia paraqitur Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës, që po shtypej egërsisht nga serbo-malazezët dhe Dora e Zezë e tyre. Është vrarë më 29 mars të vitit 1925 nga forcat zogiste në shpellën e Dragobisë, si 63 vjeçar, i lindur më 1862, në Gjakovë, i ndjekur kohë të gjatë nga Nikolla Pashiqi, Ceno Beg Kryeziu dhe Ahmet Bej Zogu, të cilët vepronin në dëm të trojeve autoktone shqiptare (10).
Po këtë vit, më 2 mars 1925, në Bari të Italisë, dora e zgjatur e Ahmet Zogut likuidoi Luigj Gurakuqin, patriotin e politikanin shqiptar, pjesëmarrës në Qeverinë e Shqipërisë të Ismail Qemalit të Vlorës, drejtorit të Normales së Elbasanit, të Ministrit të Financave të Revolucionit Demokratik të parë në Ballkan. Prej Gushtit deri në Nëntor të vitit 1924 ka qenë me Fan S. Nolin në Gjenevë të Zvicrës, për t’ia paraqitur gjendjen e rëndë të kombit shqiptar nga fqinjët e egër dhe gjendjen e rëndë të shtetit shqiptar. U kujdes në mënyrë sistematike për marrjen e ndihmës financiare të shtetit shqiptar nga Zvicra (11).
Në vazhdim të politikës së tij antishqiptare rezultoi më 1939 pushtimi italian fashist i Shqipërisë. Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia po përpiqeshin për të „organizuar“ shqiptarët në lëvizjet „komuniste“, pas gjenocidit shumëvjeçar mbi shqiptarët. Jugosllavia kishte marrë nam të keq me gjenocidin antishqiptar dhe tokat e plaçkitura shqiptare. Në shërbim të politikës përçarëse kishte dërguar në Shqipëri Dushan Mugoshën në vitet 1941-1944 për të ndihmuar Partinë Komuniste të Shqipërisë në marrjen e pushtetit dhe spastrimin e jetës politike të tyre nga personalitetet shqiptare, të cilat nuk i konvenonin aspak rretheve komuniste dhe armiqve të mëdhenj të kombit shqiptar, të copëtuar në pesë pjesë, në të cilat, katër pjesë do të vuanin edhe më tutje.
Në këto shtete erdhi koha e pastrimeve të reja nën pretekstin e ndjekjes së „bandave kriminele“. Kështu, Republika Federative Popullore e Jugosllavisë, më vonë Socialiste, u krijua mbi gjakun e shqiptarëve, më 1945. Figura të caktuara shqiptare u detyruan nga qeveritë e Shqipërisë dhe të shteteve antishqiptare fqinjë të mbesin në mërgatë.
Prezenca e tyre në Zvicër nuk përfundon. Organizime kombëtare në kuptimin e klubeve shqiptare dhe partive komuniste nuk bien në sy, për të mos thënë se nuk janë të mundura. Evropa dhe Zvicra janë përfshirë edhe ato në luftërat botërore të Luftës së Parë dhe të Dytë dhe janë vënë në to. Balli Kombëtar gjatë viteve të fundit të LDB emigron nëpër Evropë, kryesisht në Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër, etj. Disa personalitete, në Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër dhe Austri zhvillojnë aktivitete të përmendura. Pushteti Jugosllav, Grek, Shqiptar dhe Sovjetik përpiqen të shtrijnë dorën e zgjatuar të tyre atje ku vepron politika komuniste shtetërore kundër nacionalizmi shqiptar që po merrte frymë.

Ali Këlcyra


Kështu, në dhjetor të vitit 1944 e gjejmë përsëri në Zvicër Ali Këlcyrën, në azil politik. Nën emrin e dytë, Giorgio Vasi, në vitin 1960, i lëshohet pasaporta nga Gjeneva me qëllim të udhëtimit nga Zvicra në Amerikë, për t’u takuar me Fan S. Nolin. Vajza e tij, Hana Klissura (Këlcyra) jeton deri në vitet e fundit të jetës së emigruar në afërsi të kufirit çek, në Austri. Ali Këlcyra ka qenë jurist me prirje politike. I lindur më 28 maj 1891 në Këlcyrë, kishte kryer liceun „Gallata Saraj“ në Stamboll, ndërsa në Mulqije Shkollën e lartë të Shkencave Politiko-Administrative. Më 1915 vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë të Italisë, ku takohet me shokun e betejave Stavro Vinjaun dhe Avni Rrustemin dhe kishte pikëpamje socialdemokrate. Në vitin 1918 udhëtoi në atdhe, ku themeloi bashkë me Themistokli Gërmenjin çetat kombëtare shqiptare dhe „Mbrojtjen Kombëtare Shqiptare“. Merr pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe merr detyra të ndryshme në pushtetin shqiptar, me rënie të fuqishme nga reaksioni zogist. Si pasojë të disponimit të theksuar antizogist kthehet në Paris të Francës, ku bashkëpunon me gazetat „Le Quotidien“ dhe „Le Matin“ ndërsa më 1939 kthehet me Mehdi Frashërin në Shqipëri dhe vihet në krye të Frontit të Rezistencës. Në vitin 1944 kthehet në Zvicër.
Në këtë kohë e deri më 1946 lëshojnë trojet shqiptare një gardë e tërë veprimtarësh të njohur drejtë Greqisë, Italisë, Francës, Belgjikës, Gjermanisë, Austrisë dhe Amerikës, si psh. Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Abaz Ermenji, Demë Ali Pozhari, etj.
Nga kuadri i vjetër, Dr. Omer Nishani, vie si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, pas flirteve të tij me Mbretin Zog në qeverinë e tij bosh apo me fashizmin italian në Shqipëri.
Në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare nën Jugosllavinë, në këtë kohë, bëhen ndjekjet dhe likuidimet e shqiptarëve të organizuar në rezistencën kombëtare. Përveç likuidimit të Shaban Polluzhës, Prof. Bedri Pejanit, Imer Gradicës, Prof. Ymer Berishës, Marije Shlakut, Gjon Sereçit, etj. në vitet 1943-1948 që përbën fazën e parë më të egër të likuidimit të pjesëtarëve të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare apo të Organizatës së NDSH-së, Besë-Lidhjes Shqiptare dhe të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Faza e dytë, e cila përfshinë ndjekjet e mëdha të Aleksandër Rankoviqit ndër shqiptarë gjoja për të ndjekur pjesëtarët e LDNSH-së, „informbyroistët“, grupet e organizuara në Kosovë nga Sigurimi i Shqipërisë „Otkupi“ i tij, e njohur si „koha e Rankoviçit“; marrëveshja e Titos me Turqinë me 1953 për të shpërngulur me dhunë „turqit“ e Jugosllavisë dhe të Kosovës; kolektivizimi i dhunshëm dhe politika serbo-malazezo-maqedone nëpër trojet tona autoktone (12).

Më 1958 atdhetari Metush Krasniqi formoi Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë (PRBTSHSHA), në vitin 1960-1961 atdhetarët Kadri Halimi dhe Ali Aliu formuan Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë (KRBTSHJSH), në vitin 1963-1964 atdhetari Adem Demaçi formoi Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRSHB), në të cilin veprojnë Komiteti i Prishtinës, i Pejës dhe i Gjakovës, ndërsa në vitet 1964-1968 vepron grupi studentor i LRSHB-së në krye të Osman Dumoshit, për çka organizohen demonstratat e 27 nëntorit 1968 në Prishtinë, Besianë, Pejë, Gjilan dhe Ferizaj (13). Kështu, si pasojë e këtyre, në vitin 1963, në Itali, organizohet dhe mbahet Kongresi i XIII i Emigrantëve të Evropës, në të cilën rrahet çështja shqiptare e pazgjidhur, të cilën e udhëhoqën Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, dhe një vazhdues i familjes së denjë të boletinëve, (14) nga të cilët ishin vrarë e masakruar më se 15 veta nga klika e Titos në Jugosllavi dhe Enver Hoxhës në Shqipëri, si hakmarrje e zgjatur serbe ndaj boletinëve.
Krijimi i klubeve „jugosllave“ me agjentët e saj direkt prej Jugosllavisë dhe „folësve“ shqiptare në drejtim të politikës jugosllave u bë detyrë direkte shtetërore e tyre në Zvicër. Kjo kishte si qëllim kryesor pengimin me çdo kusht të organizimit të rezistencës shqiptare kundër Jugosllavisë dhe mbjelljen e „jugosllavizmit“, që kishte filluar të lëkundet në vitet 1958-1968, pas dënimit të organizatave të Kosovës, deri në vitet 1970 e 1974, kur u shpall në Kosovë „Krahina Socialiste Autonome e Kosovës“, që ishte pengesë e irredentizmit shqiptar në këto treva. Në këtë kohë filluan të krijohen „klubet e punëtorëve të përkohshëm“ dhe „Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë“ me serbët, kroatët, malazezët, maqedonët, boshnjakët dhe shqiptarët në Zvicër.
Edhe këtu, vazhdon me të madhe diskriminimi kombëtar i shqiptarëve.





Brahim AVDYLI




Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 55 vizitorë
Lexuar: 3,619 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi