Agresioni i Serbisë kundër shtetit të Kosovës |
Publikuar më 18 mars, 2012 në orën 21:48 ( ) |
Ramiz Bojaj | Opinion | |
|
|
Serbia ish-okupatore, pak ditë pas marrëveshjes për fusnotën (përfaqësimi rajonal i Kosovës) dhe marrjes së kandidaturës për anëtarësim në BE, ka shtuar tejet egërsisht, agresionin e saj kundër shtetit tonë. Edhe pse fusnota është referencë për përfaqësimet rajonale, Serbia fqinje mundohet qe këtë princip ta aplikojë edhe për rregullimin e brendshëm territorial të Kosovës. Pikënisja e gjithë kësaj uverture fillon me përpjekjet për krijimin statusi special për serbët në veri, për të avancuar më vonë ngjashëm me “Republika Srpska” në Bosnjë.
Serbia kërcënon me luftë të hapur Kosovën. Keshtu janë cilësuar tendencat e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale e parlamentare të Serbisë edhe në shtetin e Kosovës. Ky vlerësim i klasës sonë politike (qeveritare), nuk duket të jetë aq bindës, a i vendosur. E them këtë, nisur nga fakti se agresion i Serbisë, nuk u cilësua djegia e pikave tona kufitare në veri (përmes strukturave paralele serbe), agresion nuk u quajt as bllokimi i rrugëve dhe pengesat për shtrirjen e autoriteteve RKS në këtë pjesë. Lufta e hapur e Beogradit për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, u shpërblye nga elitizmi ynë politik, duke bërë kompromise me sovranitetin (pranimi i fusnotës i cili lexohet si kthim në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së), fazë kjo qe ishte funksionale deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 (shpallja e pavarësisë dhe hartimi i Kushtetutës së Kosovës). Serbia ish-okupatore, pak ditë pas marrëveshjes për fusnotën (prezantimi i Kosovës në nismat rajonale) dhe marrjes së kandidaturës për anëtarësim në BE, ka shtuar tejet egërsisht, agresionin e saj kundër shtetit të ri. Beogradi, duke qendruar parantezë e strukturave ilegale në veri, (në të gjitha dimensionet), vazhdon ti atakojë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, si në aspektin ekonomik, politik e propagandistik. Mbajtja e zgjedhjeve lokale e parlamentare serbe në veriun e shtetit tonë, ka për synim forcimin e Serbisë brenda Kosovës, legalizimin e strukturave kriminale, për të vazhduar edhe me aplikimin e parimeve juridke sipas kushtetutes hegjemoniste të Serbisë fqinje. Agresioni i shtuar i Serbisë rrjedh edhe nga leximi ose intepretimi i fusnotës, dhe thirrjes qe i bën Rezolutës 1244, e cila e njeh Kosovën si entitet etnik, por jo edhe si shtet të pavarur (faza parastatutore). Edhe pse fusnota është referencë për përfaqësimet rajonale të Kosovës, Serbia fqinje mundohet qe këtë princip ta aplikojë edhe për rregullimin e brendshëm territorial të shtetit të Kosovës. Për arritjen e këtyre synimeve do të kërkohet edhe një faze e re bisedimesh në të ardhmën. Pas thyerjes së kritereve të shtetësisë (pranimi i fusnoitës), do të kërkohen edhe kompromise tjera edhe më të dhimbshme nga Kosova. Nëse Brukseli vazhdon me kushtëzime ose “kompromise” të imponueshme në dëm të Kosovës, lehtë mund të llogarisë edhe në një luftë të re në Ballkan.
Përpjekjet për ‘Republika Srpska’ në veri
Të gjitha përpjekjet e Serbisë kundër Republikës së Kosovës, kanë për synim krijimin e kantoneve të veçanta egocentrike serbe. Pikënisja e gjithë kësaj uverture fillon me përpjekjet për krijimin e një statusi special në veri, për të avancuar më vonë në republikë serbe, ngjashëm me “Republika Srpska” në Bosnjë. Ditë më parë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jan Klif, ka theksuar se “nuk do të lejohet që veriu i Kosovës të shndërrohet në një ‘Republika Srpska’ të dytë. Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe do të legjitimonte ekzistimin e strukturave paralele serbe në Kosovë, prandaj ato janë të papranueshme”. Nismat për autonomi në veri vijnë edhe nga institucione periferike siq është fondacioni “Carnege Europe”. Ky fondacion rekomandon se BE-ja duhet të iniciojë bisedime Prishtinë-Beogradi, me qëllim qe “përmes autonomisë rajonale në veri të tejkalohet ndarja mes veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës”. Koncepti i ndarjes është keqinterpretuar këtu, ngase vet “autonomia për veriun”, do të thotë ndarje nga pjesa qendrore e shtetit të Kosovës. Iniciativa të tilla janë të njohura,kohën e fundit, kinse për “pajtueshmëri”, shqiptaro-serbe. Pajtueshmëri e vetme në mes të shqiptarëve dhe serbëve mund të ndodhë, atëherë kur Serbia të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë, të distancohet nga të palarat e saj në dëm të popullit shqiptar, dhe të njeh pa asnjë kusht shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës.
Testimet e Brukselit
BE-ja vazhdon ta përkëdhelë Serbinë sikur nëna fëmijën e keq. Përkrahja e parezervë nga Brukseli, për të gjitha tekat e Serbisë në rrugën e integrimeve (me kushtetutën hegjemoniste dhe mbajtjën gjallë të strukturave paralele), lehtësisht mund të qojnë rajonin drejt një konflikti të hapur ndëretnik. Ky rrezik vjen për faktin se shqiptarët nuk mund ta bartin pafundësisht në qafë Serbinë agresore. Brukseli, duhet ta rikujtojë se Serbia në dekadën e fundit, ishte agresore e tri luftërave ballkanike. Edhe pse ishte shkaktare e tri luftërave, Serbia sërish mbetet e përkëdhelura e BE-së.
Edhe sot, në vend qe të ndëshkohet shkaktari i turbulencave në Ballkan (Serbia me aspiratat milosheviqiane), kësaj i lejohet që të “evropianizohet” duke dëmtuar interesat e Republikës së Kosovës. Nëse Brukseli mendon se duke i bërë lajka Serbisë, mund ta fusë nën tutelën e vet, për ta “civilizuar” më vonë, ose ta shkëpusë nga lidhjet e forta me Rusinë, e ka shumë gabim. Serbia në BE, do të jetë Rusi e vogël, duke i shërbyer më shumë interesave të Moskës se sa vet principeve të Brukselit. Anëtarësimi pa kushte e kritere të duhura, mund të lëkund peshën qe e ka sot BE-ja, si bashkësi kombesh të civilizuara. Greqia mund të shërbejë si mësim i mirë në këtë drejtim. Por, duket se Brukseli dëshiron ende testim me lojën “standardet pas anëtarësimit”. Prishtina zyrtare e cilësuar si klasë politike e përulur,nuk është fare e përfillshme nga BE-ja, të paktën si autoritet me ndikim. Proklamimi i politikave shtetërore të Kosovës, sipas kërkesave të BE-së, OKB-së, etj., është degradim dhe shpërfillje e interesave tona nacionale. As Brukseli e as Uashingtoni, nuk qëndrojnë roje në pragun tonë të shtëpisë. Kthimi në rezolutën 12 44, është dështimi më i madh qe ka mundur të bëjë kjo elitë politike e cila udhëheq aktualisht me Kosovën.
Retorikat për tregun e brendshëm
Retorikat e nxehura të kryeministrit, Hashim Thaçi, rreth zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, duke shtuar se ‘paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në territorin e Kosovës paraqet agresion, ndaj të cilit Kosova do të kundërpërgjigjet. Shqiptarët mund të jetojnë më se miri në një shtet etj’, ngjajnë të jenë retorika boshe dedikuar për tregun e brendshëm. Sikur fraza të tilla të dëgjoheshin para se Kosova të pranonte rrëshqitjen në 12 44, do të ishin më bindëse. Po të ishin këto (fjalë të dala nga zemra) nuk do të prekej asnjë milimetër çështja e shtetësisë, as në nismat ndërkombëtare. Sovraniteti është mburoja më e fortë e parimeve të pacenueshmërisë. Shteti i Kosovës do të kishte më shumë autoritet politik por edhe moral, sikur të mos kishte ndodhur fusnota. Realisht, principet e 1244 krijojnë dualizma juridikë me shumë të panjohura. Kjo vjen nga fakti se Kushtetuta e Kosovës, si akti më i lartë juridik, (me kthimin e 1244) vlenë vetëm për ato pjesë ku njihen ose pranohen segmentet e saja juridike, brenda shtetit tonë. Ndërkaq, në veriun e Kosovës janë ta aplikuara ligjet e UNMIK-ut, bazuar në Rezolutës 1244 të KS të OKB, por edhe “ligjshmëria” e Serbisë fqinje (targat sërbe, dokumentet e identifikimit, udhëheqësit ilegalë të dalë nga zgjedhjet e Serbisë etj). Gati si fushatë mund të cilësohet edhe aksioni policor i gushtit të vitit 2011, në veri. Ngase pasojë e këtij reagimi janë bllokimi i rrugëve, dhe vrasja e policit Enver Zymberi. Republika e Kosovës ndjen nevojë imediate për një klasë politike me kredibile, më autoritative dhe më të përgjegjshme. Në këtë kontekst, duhen krijuar politika më efektive, (jo vetëm ndaj krimit dhe korrupsionit), por për të mbrojtur në mënyrë më të dinjitetshme tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Miratimi i rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës, me anë të të cilës kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin tonë, është organizimi më i fuqishëm dhe më legjitim, në mbrojtjen e parimeve të shtetësisë. Qeveria e Kosovës e ka për obligim ligjor, që t’i mbrojë interesat e shtetit dhe gjithë qytetarëve të vet. Ky princip duhet të jetë i prekshëm dhe i aplikueshëm në tërë territorin e Kosovës. Ndryshe nga këto principe, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, janë kthyer në arenë fushate elektorale se kush është më patrioti, duke harruar përgjegjësinë qe e ka pushteti në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve të vet.
Degradimi i shtetësisë
Formulimi i fusnotës se Kosova përfaqësohet në nismat rajonale pa prejudikim për statusin, sipas Rezolutës 12 44 dhe mendimit këshillëdhënës të GJND-së, është degradim i shtetësisë dhe sovranitetit. Pra, vet formulimi i fusnotës dhe interpretimi i saj biejnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Pikërisht mbi këto formulime të paqarta të fusnotës, Kosova dhe Serbia edhe më keq do të përlasën në nismat rajonale. Duke iu referuar Rezolutës 1244, Serbia do ta trajtojë Kosovën si krahinë të saj, (por nën protektorat ndërkombëtar). Në anën tjetër Kosova do t’i shpërfill tendencat e Serbisë, për ruajtjen e legjitimitetit të kësaj të fundit ndaj shtetit tonë. Beogradi do të reagojë kundër përfaqësimit të Kosovës së pavarur, gjithnjë duke u bazuar në kushtetutën e vet hegjemoniste të hartuar që në kohën e Slobodan Milosheviqit. Pikërisht për këtë arsye, Prishtina nuk është dashur të pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë, pa hequr dorë kjo e fundit nga kushtetuta hegjemoniste e cila e mban Kosovën si pjesë të saj. Pasojat e fusnotës do të jenë afatgjata, dhe të paparashikueshme. Pra, fusnota është shteg përmes të cilit Serbia vazhdon ta keqtrajtojë Kosovën, jo vetëm në nismat rajonale, por edhe përmes pakicës së vet në shtetin tonë. Kthimi nën 1244, ka qenë synim i përhershëm i Serbisë, edhe rënia në këtë deregje ka ndodhur pikërisht për “hatër” të Beogradit. Në prezantimet ndërkombëtare, (përmes fusnotës) Republika e Kosovës nuk prezantohet sipas Kushtetutës së vet, por në bazë të Kornizës Kushtetuese, e cila e prezanton shtetin tonë si etni të veçantë por me status të pa definuar. Kosovës i duhet konfirmim ndërkombëtar edhe për aktet e veta juridiko-kushtetuese, e jo të atillë që është i zbatueshëm vetëm brenda territorit. Pra, Kushtetuta e Kosovës nuk është akt i njohur ndërkombëtarisht,dhe si e tillë është minorë, ngase çdo shtet i pavarur bazohet në Kushtetutën vet edhe në instanca ndërkombëtare. Kthimi në Rezolutën 1244, i lë hapësirë Serbisë, qe të rrahë telallin e statusit të pazgjidhur për Kosovën, edhe pse një gjë e tillë është mbyllur me 17 shkurt të vitit 2008.
(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 45 vizitorë |
Lexuar:
1,492 herë
|
|
|
|
|
|
|