Lëvizja patriotike në R. e Shqipërisë, si: Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Aleanca Kuqezi (AK) dhe Aleanca Popullore (Lëvizja Çame), një fraksion i PDIU-së, tanimë janë futur në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Republikën e Shqipërisë.
PUK e z. I. Beqiri dhe Lëvizja Çamë e z. A. Dojaka janë pjesë të koalicionit të majtë, të kryesuar nga Partia Socialiste; kurse, PDIU e z. Sh. Idrizi është pjesë e koalicionit të dhjathtë, të kryesuar nga Partia Demokratike. Ndërsa, Aleanca Kuqezi (AK) e z. K. Spahiu, pas dështimit të saj (me turp) për t’u bërë pjesë e koalicionit të majtë, po garon e vetme.
Vetëm Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar (FDBK) dhe Lista për Shqipëri Natyrale (LSHN) e z. Koço Danaj nuk janë pjesë të fushatës elektorale dhe as edhe pjesëmarrëse në zgjedhjet e 23 qershorit.
Shkapërderdhja e forcave patriotike në këtë fare feje, duke e ideologjizuar në të majtë dhe në të dhjathtë Çështjen madhore kombëtare, të cilën e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin vetëm gjatë dhe për fushata elektorale, nuk ka asgjë me patriotizmin e shqiptarëve dhe as edhe me filozofinë e ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
Përkundrazi, ideologjizimi i Çështjes kombëtare shqiptare përbën sabotimin tjetër të rradhës ndaj Çështjes madhore kombëtare shqiptare për ribashkimin e trojeve të Shqipërisë Etnike.
Ne të FDBK (Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar) nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër luftës politike të forcave patriotike për ta marrë pushtetin në R. e Shqipërisë dhe edhe në R. e Kosovës. Përkundrazi, rregullisht kemi deklaruar se, të gjitha forcat patriotike shqiptare, jo vetëm në R. e Shqipërisë dhe në R. e Kosovës, por edhe në të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike dhe ne mërgatën shqiptare, duhet të bashkohen në një formacion dhe në një koalicion të vetëm politiko-patriotik, të emërtuar: Aleanca për Shqipërinë Etnike. Madje rregullisht, sidomos pas shpalljes së Kosovës, shtet i pavarur, kemi deklaruar se, ribashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe i trojeve te Shqipërisë Etnike tani e në të ardhmën duhet të kërkohet në Parlamentin e Tiranës dhe edhe në Parlamentin e Prishtinës. Dhe, këtë gjë do të mundemi ta bëjmë vetëm duke patur grupet tona parlamentare në të dy parlamentet shqiptare, të Tiranës dhe të Prishtinës. Gjithashtu kemi deklaruar se, forcat patriotike shqiptare nuk guxojnë të bëhen bishta të partive ideologjike, qofshin ato parti të majta apo të djathta, por forcat patriotike shqiptare do të duhet të garojnë me një koalicion të vetëm, të titulluar: Aleanca për Shqipërinë Etnike.
Ideologjia e forcave patriotike shqiptare do të duhej të ishte, ashtu siç ka qenë dhe është për FDBK-në, shqiptarizmi dhe Shqipëria Etnike.
Pra, përtej të majtës dhe të dhjathtës shqiptare – SHQIPËRIA ETNIKE.
Autori është President i Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar (FDBK)
Tiranë, më 5 qershor 2013
|