Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Edi Rama në rrugën e Abdyl Frashërit dhe të Ismail Qemalit, do ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, plotësisht e drejtë!
Publikuar më 21 prill, 2015 në orën 23:41 ( ) Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Barometri diplomatik

*** Ndaj i gjithë spektri politik shqiptar në Ballkan, si dhe faktorët evropianë dhe ndërkombëtarë, duhet t’i marrin me seriozitetin më të madh deklaratat e tij zyrtare për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndryshe siç ka pohuar më parë ideologu, vizionari, patrioti dhe kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878), Abdyl Frashëri, duke i apostrofuar qendrat e vendosjes diplomatike evropiane se “ Në rast se Fuqitë e Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë kurrë së luftuari për të fituar oavarësinë e tyre kombëtare.Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes në Gadishullin Ballkanik.”(“Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, f.50).

*** Ndërkaq deklarata e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova se “Jemi dy vëllezër, por jetojmë në shtëpi të ndara”( sipas www.kohajone.com/ 17 prill 2015)), e rikujtuar dhe e mbështetur sot nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, është antitezë e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që kur të përkthehet edhe në gjuhën norvegjeze apo në ndonjë gjuhë tjetër të huaj, do të thotë, jo kurrfarë ribashkimi, por secili le të qëndrojë në shtëpinë e vet, edhe pse jemi vëllezër.

Kjo deklaratë e Rugovës, logjikisht dhe përmbajtësisht, është e papranueshme, sepse këtu nuk është fjala për “dy vëllezër” të ndarë me qejf, në rrugë normale, paqësore sipas dëshirës dhe marrëveshjes së tyre të vullnetshme, por janë të ndarë në shtëpi të ndryshme, si shkak dhe pasojë e ushtrimit të forces, të terrorit, të gjenocidit, të dhunës, të shpërnguljes dhe të pushtimit kolonial të Serbisë së Madhe hegjemoniste dhe militariste (1878-1999).

Pra, shumë e thjeshtë për t’u kuptuar tragjedia e ndarjes së këtyre “dy vëllezërve” të Rugovës, të cilët qe më se një shekull jetojnë të copëtuar dhe të kolonizuar nga Serbia. Këtë të vërtetë të hidhur historike e rikujtojnë, edhe vëllezërit dhe motrat tona të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, të cilat, edhe sot, në shekullin XXI (viti 2015) kanë ngelur nën sundimin e egër kolonial të Serbisë, duke jetuar të ndarë, jo në të njëjtën shtëpi stërgjyshore, që quhet Shqipëria Etnike, jo “Shqipëria e Madhe”, produkt politiko-propagandistik dhe diplomatik, i sajuar në “kuzhinën” e “piemontit” sllav në Beograd si “mburojë e çeliktë” për të mbrojtur Serbinë e Madhe(Velika Srbija).

Ambasaori Braathu mbështet Rugovën, jo Kryeministrin Rama

Këtë pozicionim diplomatik të ambasadorit norvegjez Jan Braathu në mbështetje të deklaratës së Ibrahim Rugovës, jo të deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duhet kuptuar vetëm si qëndrim personal të tij, jo si qëndrim e as si akt zyrtar të politikës dhe të diplomacisë së Norvegjisë.

Prandaj, edhe pse ambasadorit norvegjez Jan Braathu i pëlqen deklaratën e theksuar të Rugovës, askush nuk ka të t’ia imponojë kërkesën e drejtë dhe legjitime për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ashtu siç është prononcuar publikisht, edhe kryeministri i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama “duam bashkim qoftë përmes BE-së, qoftë në “mënyrë klasike” sipas së drejtës ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë dilemë se ne i jemi mirënjohës qeverisë së Norvegjisë, ashtu sikurse Suedisë dhe Danimarkës për ndihmën e gjithanshme humanitare të strehimit dhe të trajtimit më human dhe më demokratik të qindra e mijëra refugjatëve shqiptarë që nga vitet e 80-ta të shekullit XX, e edhe sot, ku shumicës dërrmuese ua kanë njohur statusin e shtetësisë, duke i integruar në sistemin e jetës politiko-shoqërore dhe, duke u siguruar mirëqenie të plotë si qytetarë me liri dhe të drejta të barabarta sikurse norvegjezët, suedezët dhe danezët.

Pse z.ambasador Braathu mbështet deklaratën e Rugovës, kjo fare nuk duhet të na shqetësojë, sepse është opinion personal i tij, jo i Osllo-s zyrtare.

Mirëpo, janë të diskutueshme dhe të papranueshme këto vlerësime hipotetike të tij, kur thotë se: 1) ““Në momentin që Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, mendoj se Prishtina nuk do të jetë kryeqytet i Shqipërisë së Madhe. Nuk besoj se Kosova do të jetë në qendër të aktiviteteve. 2) Nuk besoj se Kosova do të jetë pjesë e politikave funksionale të Shqipërisë së Madhe. E më pas do të lindte problemi mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë, kështu që mendoj se qasja e Ibrahim Rugovës e shpjegon më së miri këtë gjë”, u shpreh ambasadori norvegjez Braathu, raporton Koha Ditore.”

Këto dy teza spekuluese politike, nuk kanë lidhje me realitetin historik, as faktik dhe të ligjshëm, se gjoja, nëse do vinte deri te marrëveshja dhe pëlqimi i dy qeverive që të ribashkohej Kosova me Shqipërinë, Prishtina do ta “humbiste” rolin, rëndësinë dhe statusin e saj si qendër politike. Përkundrazi, do ta fuqizonte edhe më shumë përmes Tiranës zyrtare, ku përgjithmonë, do të mirrnin fund pretendimet territoriale dhe përzierja e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës së Shqipërisë. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Prishtinës dhe e Tiranës. Shkurt e shqip, pa Tiranën, Prishtina, nuk do të ishte kurrfarë kryeqendre politike dhe diplomatike me ndikim as në Ballkan e as në Evropë. Këtë, realitet, duhet ta mbajnë parasysh të gjithë ata faktorë qoftë të brendshëm a të jashtëm, që kanë qëndrim negativ dhe po e pengojnë ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Së pari, nuk do të kishte kurrfarë problemi a mosmarrëveshjeje, se cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë së ribashkuar, Prishtina apo Tirana.

Kjo nuk është e diskutueshme fare, sepse dihet, se cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë së ribashkuar, ai që si kryeqytet është më i vjetër historikisht, kombëtarisht, politikisht, diplomatikisht dhe ndërkombëtarisht-Tirana si kryeqendër e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomiko-shoqërore etj., jo Prishtina, e cila ende nuk është njohur nga OKB-ja.

Fundja, për Prishtinën si kryeqytet të Kosovës, nuk ka qenë propozim, as miratim i popullit shqiptar të Kosovës, sepse pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Prizreni ishte kryeqendër e Kosovës. Mirëpo, duke qenë se Prizreni ishte shumë afër kufirit me Shqipërinë, politika fashiste serbomadhe antishqiptare me në krye Titon dhe Rankoviqin dhe me kolaboracionistët e tyre shqipfolës (thjesht për çështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, duke u frikësuar nga Shqipëria), kryeqytetin e Kosovës-Prizrenin e zhvdenosin në Prishtinë.

Me këtë desha ta vërë në dijeni ambasadorin norvegjez, Braathu, se po qese do bëhej ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, fare shqiptarët e Kosovës nuk do të ishin nostalgjikë nëse kryeqyeti i tyre, do të ishte Tirana, edhe pse ne kemi jetuar të ndarë nga vëllezërti tanë, Tiranën gjithmonë në mendje, në shpirt dhe në zemër, e kemi kosnideruar si kryeqytetin tonë, jo Prishtinën, edhe pse kjo formalisht dhe de fakto ishte kryeqyteti i Kosovës.

Shqipëria nuk është Afrikë “Veri-Jug”!

Prandaj, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, nuk do të thotë “Shqipërinë e madhe”, por vetëm Shqipërinë etnike natyrale, e cila fatkeqësisht, është copëtuar dhe kolonizuar nga Serbia e Madhe (1912).
Këtë të vërtetë historike, do të duhej ta kishte ditur ambasadori Jan Braathu, jo të shërbehej me sintagmën serbe “Shqipëria e Madhe” e cila, sipas opinionit të tij të paqëndrueshëm dhe të imagjinuar “ do të shkaktonte problemin mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë, kështu që mendoj se qasja e Ibrahim Rugovës e shpjegon më së miri këtë gjë”, u shpreh ambasadori norvegjez Braathu, raporton Koha Ditore.”!?

Jo, jo z.ambasador Braathu, tezat e juaja, janë plotësisht të gabueshme, sepse në Ballkan, nuk “banon” kurrfarë “Shqipërie e Madhe”, as kurrë në historinë e deriostme të Ballkanit, nuk ka pasur “problem Veri-Jug” mes shqiptarëve, edhe pse këta u përkasin tri feve të ndryshme (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë) jetojnë në harmoni dhe në paqe të qëndrueshme, të cilët janë shembull unik në botë, sepse kanë një gjak, një gjuhë, një kulturë, një komb dhe një atdhe të përbashkët-Shqipërinë natyrale, jo kurrfarë “Shqipërie të Madhe”.

Gjithashtu, ia vlen të theksojmë se, kurrë shqiptarët nuk kanë zhvilluar kryengritjet dhe luftërat e tyre vetëm për Veriun ose vetëm për Jugun, por është e kundërta kanë luftuar dhe flijuar bashkërisht (toskë dhe gegë) vetëm për një Shqipëri etnike (as të madhe e as të vogël, por ajo që ishte dikur brenda katër vilajeteve shqiptare, të njohura qysh nën sundimin 500-vjeçar të Perandorisë Osmane).

Edhe pse z.ambasador norvegjez, Jan Braathu e mbështetë këtë dekelaratë të Rugovës, kjo është plotësisht e gabueshme si në aspektin historik, ashtu edhe në të së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve në Ballkan, sepse është fjala për një popull dhe për një territor të copëtuar, të aneksuar, të kolonizuar dhe të shtypur egërsisht nga Serbia kolonialiste mbi 100 vjet (1912-1999).

Si rrjedhim, nuk ka kurrfarë kuptimi që ky popull, domethënë populli shqiptar, t’i ketë dy shtete në të njëjtin territor etnik dhe gjeopolitik; t’i ketë dy qeveri, dy kryeqytete, dy politika, si dhe të ketë dy shtete të njëjta shqiptare në BE,në NATO dhe në OKB.

– Një status i këtillë politiko-juridik dhe kushtetues i këtyre dy shteteve, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht nuk është i justifikueshëm as në kuptimin e politikës së brendshme, as në atë ndërkombëtar.

Ndaj, na pëlqeu apo jo, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i domosdoshëm dhe plotësisht i arsyeshëm dhe i justifikueshëm edhe sipas së drejtës ndërkombëtare, sepse ky lloj integrimi i të njëjtit popull dhe i të njëjtit territor nuk ka të bëjë me Serbinë, sepse kjo nuk ka asnjë pëllëmbë territor në Kosovë, edhe pse Kosova dikur ishte koloni e saj 100-vjeçare (1912-1999). Me një fjalë, Serbia as serbët nuk kanë humbur kurrfarë Kosove, por vetëm koloninë e tyre njëshekullore, as më pak e as më shumë. Prandaj, rrjedhimisht, logjikisht, ligjërisht dhe praktikisht Serbia nuk ka kurrfarë të drejte të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës, as të Shqiprisë, sepse ribashkimi i tyre është i ligjshëm dhe varet vetëm prej vullnetit dhe dëshirës së tyre, jo prej Serbisë.

Deklarata e Rugovës si Kushtetuta e Kosovës

Nuk ka asnjë dyshim se kjo deklaratë e Rugovës, e rikujtuar nga z.ambasador Jan Braathu, është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008) ku thuhet : “ Neni 1, paragrafi 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.” (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kapitulli I, Dispozitat themelore).

Nga kjo “klauzolë” juridike kushtetuese del se qeveria e Kosovës de fakto dhe de jure, është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ashtu sikurse Rugova me deklaratën e tij “secili le të rri në shtëpinë e vet”.

Mirëpo, duhet të pranohet fakti se si Kushtetuta e Kosovës, ashtu edhe deklarata fatkeqe e Rugovës, janë në kundërshtim me të drejtën historike dhe me Kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë (1998), ku thuhet “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për idenitetin dhe bashkimin kombëtar” (Preambula).

Gjithashtu, si Kushtetua e Kosovës, ashtu edhe deklarata e Rugovës, janë në shpërputhje me deklaratat e kryeministrit aktual të qeverisë së Shqipërisë, Edia Rama, që Kosova dhe Shqipëria do të ribashkohen qoftë përmes BE-së ( e në rast refuzimi të BE-së), qoftë sipas “mënyrës klasike” siç parashikon e drejta ndërkombëtare, në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore.

Ndryshe nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga deklarata e Rugovës kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama si pauses konsekunet i mbështetjes së amanetit të Rilindësve tanë për ribashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë, me gjithë “pluhurin” dhe me shantazhet propagandistike të reagimeve dhe të kritikave të serbomëdhenjve dhe të mbeturinave filoserbe në shkallë ballkanike dhe evropiane, jo që u pendua dhe u frikësua para tyre, por ashtu si i ka hije një burrë shteti të formatit të Ismail Qemalit të Shqipërisë Etnike, me të drejtë, me guxim, me vendosmëri, me krenari, me konsekuencë, me urti dhe me takt diplomatik racional (përmes një interviste dhënë “TV Sky News Arabia”) iu përgjegj të gjithë oponentëve të deklaratave të tij se ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është i domosdoshëm. Ai me këtë rast përsëriti mesazhin e deklaratve të tij të mëparshme se, në qoftë se nuk ndodh ribashkimi “via” BE, atëherë do të vinte në shprehje “mënyra klasike” siç dikton e drejta ndërkombëtare. -Kam thënë se bashkimi për neve është diçka i pashmangshëm, do të ndodhë në rrugën drejt Evropës, siç besoj unë. Nëse jo, atëherë, do zgjedhim një rrugë tjetër, në rast se Evropa nuk përzihet në kalkulimet strategjike të shteteve Ballkanike, dhe ta ndryshojë pamjen e Ballkanit.” (http://www.kohajone.com/nuk-ndalet-rama-ose-bashkim-ne-evrope-ose-ndryshe.html/17 prill/2015).

Këtë vlerësim të peshuar të kryeministrit Edi Rama, e përligj, edhe ky konstatim objektiv dhe i qëndrueshëm i Astrit Lekës (ish-kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Slidaritetit për Zhvilimin e Vendeve të Evropës Juglindore(Solidest) : “Ka ardhur koha që bota t’I mbështesë shqiptarët në përpjekjet e tyre për vetëvendsje dhe, pse jo, për ribashkim në një shtet shqiptar me madhësinë e Zvicrës, duke krijuar kështu një ekuilibër ballkanik në rajonin e Ballkanit, që historikisht është konsideruar fuci baruti. Në këtë mënyrë shtetet e Gadishullit Ballkanik do të integroheshin në mënyrë paqësore dhe të qytetëruar në Evropën e bashkuar të asë ardhmes.” ( Astrit Leka, “Shqiptarët dhe Evropa”, “Laura”, Tiranë, 1993, f.16).

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 52 vizitorë
Lexuar: 883 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi