Gazmend Freitag: Kam lindur bashkë me pikturën |
Publikuar më 13 nntor, 2015 në orën 01:10 ( ) |
Intervista | |
|
|
Serioziteti i të qenit piktor kërkon kohë e dije, kjo e detyron Gazmendin të kryen studime private tek disa mjeshtër me përvojë. Punimet e Gazmendit janë me motive të shumta: autobiografike, nga rrethi jetësor, peizazhe nga vendlindja, portrete njerëzish nga më të ndryshmit, kujtime nga fëmijëria në vendlindje, punime nudo, natyrë e qetë etj. Kryesisht teknikë nga grafika me laps, shkumës e tushe, ngjyra vaji në kanavace etj. Të gjitha këto vepra arti shprehin ndjeshmërinë shpirtërore të autorit ambicioz.
Si do i kujtonit sot, vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës, mes ëndrrave të artit dhe letërsisë?
Ju falenderoj përzemërsisht për intervistën, Fadil. Është e vërtetë se qysh në vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës, e kam dashur shumë artin dhe letërsinë, dashuri të cilat i ndjek dhe sot.
Si erdhi gjinia e pikturës tek ju?
Mbase dëshira për të pikturuar, ndoshta ka lindur bashkë me mua, ndërsa seriozisht fillova të merrem me magjinë dhe madhështinë e pikturës qysh në fillim të viteve 1990, kur u largova nga Prishtina, duke lënë përgjysmë studimet dhe emigrova në Gjermani.
Ju keni studiuar për shkencat politike, dega juridik, përse nuk studiuat për degë tjetër?
Është e vërtetë se kam përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme dhe atë teknike për punët administrative në Prizren, të cilat të ofrojnë kushtet bazë për tu imatrikuluar në fakultetin Juridik po në Prishtinë. Punova një periudhë, e cila më dha shumë eksperiencë, pasi aty ndodhej dëshira e prindërve të mi dhe dëshira ime.
Kur ende ishit në përfundim të studimeve, i ndërprisni ato dhe shtegtoni në Gjermani. Cili ishte motivi, i cili bëri të ndërmerrnit këtë vendim?
Në vitin 1989, shpërthyen protestat masive në të gjithë trupin e Kosovës, kundër diktaturës së egër kriminale të regjimit jugosllav. Në Prishtinë vinin mbarë populli nga të gjitha viset e Kosovës,duke u bashkuar protestave të studentëve. Ishte periudha më e hidhur në jetën time e ndoshta dhe shumë bashkëstudentëve të mi, ku pas disa javësh, na e mbyllën Universitetin në Prishtinë. Ende ruaj në kujtesë si periudhë të hidhur ato ngjarje prekëse,tronditëse ku u burgosën,u masakruan dhe u vranë shumë shqiptarë, ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve, u detyruan të linin trojet e tyre dhe të shpërnguleshin nga vendlindja.
A e menduat me veten tuaj në këtë periudhë, se tashmë piktura, do të mbetej veçse një ëndërr në jetën tuaj?
Në fillim po. Pasi në atë kohë, Kosova dhe populli i saj, po përjetonin tronditjen më të madhe të shekullit. Ndërkohë pasionin tim të hershëm pikturën, ende e mbaja brenda shpirtit tim. Falë zotit tani unë jam vetëm piktor.
Jetuat 13 vjet në Gjermani, duke iu përkushtuar tërësisht pikturës, dashurisë suaj të hershme. Kur e kuptuat kthimin në identitet dhe se talenti juaj po vlerësohej?
Në Gjermani fillimisht gjeja ngushëllim, duke bërë vizatime që e kisha pasion nga fëmijëria si dhe nisa të futem në mrekullinë e jetës dhe natyrës gjermane. Nisa të punoja e përkushtohesha pikturës, ku hapësirat për të ecur përpara po më krijoheshin në këtë shtet modern europian. Po aktivizohesha rregullisht në kurse e shkollë pikture, madje nisa të punoja gjithçka që i përkiste zhvillimit modern të jetës gjermane. Realisht talenti im në pikturë filloj të vlerësohej dhe të pëlqehej më shumë, me ardhjen time dhjetë vjet më vonë. Duke u shpërngulur tashmë në qytetin piktoresk Linz, Austri, në të cilin vazhdoj të jetoj dhe sot.
Kur ishit integruar bindshëm me jetën dhe zhvillimin e jetës gjermane, ku piktura po dimensionohej brenda shpirtit tuaj, ju braktisni atë. Përse?
Kisha lexuar më parë dhe isha në dijeni për qytetin Linz në Austri, të cilin e kam vizituar disa herë, edhe për faktin se këtu prej vitesh jeton vëllai im i cili punon si mjek. Divorci im me bashkëshorten nga Gjermania, me të cilën kemi tre vajza, bëri që unë të kaloja në Austri. Mbase në Linz ekziston edhe Universiteti i Artit, ku arrita të përfundoja atë me sukses në zhanrin e nudos, duke patur pedagogen më të njohur në këtë fushë, profesoren vjeneze, Annelies Oberdanner.
Sa ju kanë shërbyer këto dy vende me kulturë botërorë, në jetën dhe profesionin tuaj si piktor?
Gjermania dhe Austria pas Kosovës, padyshim janë bërë vendlindje të reja në jetën time. Unë kam mësuar dhe jam zhvilluar shumë nga kultura e këtyre dy vendeve, të cilat kanë ndikuar mjaftë në integrimin tim në emigracion si qytetarë dhe artist, si dhe formimin tim si piktor,ku arti është i lartësuar në muzetë, galeritë e ndryshme dhe zemrat e popujve të këtyre vendeve.
Lëvroni me mjeshtëri disa rryma brenda pikturës, ndërkohë në vite i mbeteni besnik, artit pamor, përse?
Dua të them se me artin pamor jam dashuruar qysh herët,ndaj ai është profesioni im i vërtetë.
A mundet një piktor të zotëroj dhe realizoj suksesshëm njëherësh, artin pamor, abstrakt, kreativ, kavaletin..
Secili artist e posedon gjininë dhe stilin e vet në art. Unë preferoj dhe më shumë kënaqësi e kultivoj një lloj realizmi modern, një gërshetim ndërmjet impresionizmit dhe ekspresionizmit.
Çfarë cilësish duhet të zotëroj një piktor për t’u vlerësuar i kompletuar.
Për të qenë piktor i kompletuar, mendoj se duhet lindur si gjeni, të kesh talent, të punosh shumë dhe me përkushtim, të sjellësh gjithmonë ide të reja që nuk ka pa bota gjer me tani, inovativ…
Keni realizuar me qindra piktura në vaj, tushe dhe laps, nga motivet me të ndryshme si peisazhin, portrete, figura njerëzish, nudo, etj.. Madje keni hapur disa ekspozita personale dhe keni qenë pjesëtar në ekspozita kolektive në disa vende. Cilat prej punëve tuaja janë vlerësuar më tepër nga publiku?
Peisazhi dhe portretet në vaj, pëlqehen nga artdashësit, që e njohin krijimtarinë time.
Ku qëndron suksesi dhe e veçanta e pikturave tuaja, të cilat bëhen të besueshme dhe të pëlqyera për publikun e çdo moshe?
Pyetje mjaftë e mirë. Unë punoj ngadalë, me durim, me një përkushtim të madh thuajse në çdo pikturë të madhe. Në një pikturë vaji në pëlhurë, pa marrë parasysh çfarë motivi, peisazh, portet, natyrë e qetë apo nudo, punoj me muaj, deri në finale dhe pikërisht ky intensitet vërehet në fund përgjatë vështrimit. Unë e preferoj të bukurën, estetikën e njerëzve, objektet e natyrës. Të bukurën që unë e ndjej, mundohem ta shpreh sa më vërtetësi e origjinalitet në art.
Cilat prej punimeve tuaja mund të cilësoni si ajka e krijimtarisë suaj më se njëzetë vjeçare?
Janë disa piktura vaji, me dimensione të mëdha,që tashmë ndodhen në pronë private nga koleksionerë të ndryshëm, siç është piktura “Venediku”, “Nudo e shtrirë në kanapen e kuqe” “Modelja”. Ndërsa piktura “Ura e gurit në Prizren”, “Baresha” dhe “Nadege në Prizren” mendoj se identifikohem më së shumti me to dhe janë seleksionuar gjithmonë për ekspozita.
Pas evenimentit si pjesëmarrës në Bienalen e parë të artit kreativ në Verona, Itali, vitin e kaluar ishit pjesë e ekspozitës me piktorë të disa vendeve,e cila u hap në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë. Si i keni përjetuar këto dy evenimente si piktor shqiptar?
Seleksionimi dhe pjesëmarrja ime në Bienalen e parë kreativ në Verona me 2014, ka qenë kulmi i suksesit tim në art. Ndjehem i realizuar që isha pjesëmarrës me dy piktura mes artistësh të njohur nga e gjithë bota, si dhe pjesë e katalogut e publikuar në anglisht dhe italisht. Ftesa për të ekspozuar me artistët italian në Bratisllava të Sllovakisë, ishte si pasojë e këtij suksesi me nivel internacional. Në të gjitha rastet vërehet influenca ime si artist shqiptarë, duke qenë i lumtur që krijimet e mia, pëlqehen tek popujt e tjerë. Si i tillë ndjehem krenar.
Cila prej ngjyrave mbetet për ju preferencë më e veçantë,të cilën e përdorni më shumë në punimet tuaja?
Në punën time me vaj, preferoj kryesisht ngjyrën e kaltër, të kuqen dhe ngjyrë bari.
Jeni shprehur se muzika dhe poezia, mbeten motivet më frymëzuese në punën tuaj. Përse?
E vërtetë. E dua muzikën dhe letërsinë përgjithësisht, të cilat janë padyshim burime frymëzimi dhe inspirimi, duke plotësuar në çdo kohë qenien time.
Kohët e fundit përfunduat një studim universitar në zhanrin nudizëm. Përse përzgjodhët këtë degë dhe jo një tjetër?
Mbase unë jam piktor autodidakt, por sidoqoftë e ndjeva nevojën dhe dëshirën për ta bërë këtë studim, i cili ka si traditë, Universitetin e Artit në Linz. Këtu, kisha rastin të njihem me artistë nga vende të tjera të Europës. Madje u njoha më nga afër me punën e tyre në art, shkëmbime idesh, lidhje të reja miqësore.
Cilat vende pëlqeni për të realizuar këtë lloj pikture?
Unë punoj zakonisht në banesën time, e cila njëkohësisht ka dhe studio ku unë punoj në çdo kohë.
Shohim se në këtë aspekt punimet më të shumta janë kryesisht femra. Në realizimin e tyre, komunikoni ju, apo mjaftë femra vijnë në studion tuaj dhe kërkojnë të pozojnë hiret e tyre nudo?
Femra është gjinia e butë dhe e ndjeshme që e respektoj dhe e dua shumë. Nuk është e rastësishme që ato kanë vendin mjaftë dominant në artin tim. Janë kryesisht femrat që i njoh personalisht, janë mikesha të mia dhe shprehin vetë dëshirën për të pozuar lakuriq për mua. Kryesisht ato i ftoj të vijnë tek unë, mbase edhe vet ambienti këtu është inspirues. Por ka raste dhe në natyrë.
Ju ka ndodhur ndonjëherë që gjatë punës t’ju tërheqë bukuria e ndonjërës prej tyre, apo ndonjë prej tyre të dashurohet me ju?
Po. Kjo më ka ndodhur me një franceze, bukuria e së cilës bëri që më pas të përjetonim një dashuri trevjeçare. E kam përjetësuar atë në shumë piktura, nga portrete, situata jete dhe në mjaft akte.
Realizoni suksesshëm, portretin, peisazhin, kompozimin, natyrën e qetë…Në cilën prej tyre ndodheni më mirë?
Më pëlqen shumë të realizoj portrete lapsi në letër por edhe peisazhin me vaj, në pëlhurë njëkohësisht.
A kanë lënë gjurmë në jetën tuaj, ngjarjet e luftës në Kosovë, ku disa syresh ju i keni përjetuar në vendlindjen tuaj në Potaqan të Poshtëm, pranë Prizrenit?
Këto 25 vitet e fundit, vetëm në vitin 2004 isha për disa muaj në vendlindje. Pra, ishte kjo koha kur lëshova Gjermaninë. Pas disa muajve qëndrimi në Kosovë dhe Shqipëri, kalova në Austri ku jam ende dhe sot. Gjithçka nga vendlindja e mbart, në zemrën dhe mendjen time. Me disa bashkëatdhetarë të mi, bashkëpunoj në art dhe kulturë. Dy raste do ti nënvizoj me shumë dëshirë, Hazir Mehmeti, publicist në Vjenë, i realizoj ilustrimet e tregimeve të tij. Ndërsa me Riat Ajazaj shkrimtar që jeton në Shtutgart të Gjermanisë, punoj kopertinat e librave të tij. Riati është një nga shokët e mi që nga koha e gjimnazit ne Prizren, ku pas 25 viteve e kemi gjetur njëri tjetrin, falë botës së internetit. Gjithashtu jam pjesë e ilustrimit të disa prej librave që vazhdon të botoj, shtëpia e njohur botuese “Axiomy Verlag” në Gjermani, pronare e së cilës është shkrimtarja e njohur, Sandra Rehschuh.
Ç’është piktura për ju?
Piktura është ushqim shpirtëror, një arsye që përmbush qenien time. Është ajri, toka, qielli…gjithçka.
Sipas jush, një artist i mirefilltë, pikturën duhet ta konsideroj si vlerë të veçantë artistike apo materiale?
Mendoj se për çdo artist të mirëfilltë, piktura është vlerë e veçantë, krijim i mendjes dhe shpirtit të tij.
A e dini se shkolla për Juridik që ju vazhduat, është më e paguar se ajo e piktorit?
(Qesh) Së paku profesioni i juristit do të kishte një pagë të rregullt mujore, ndërsa për artistin si në rastin tim momentalisht, nuk ka garanci mujore, por gjithsesi pasion, vlerat … e bëjnë artistin, të ndihet shumë herë më i pasur se profesioni i juristit.
Jeni bërë pishman që zgjodhët dhe u dashuruat përjetësisht me pikturën?
Aspak. Dashuria ime në pikturë është e madhe.
Keni tre vajza…..Cila prej tyre qëndron më afër magjisë që të fal piktura?
Për fat të mirë, jam babai i tre vajzave të bukura që i dua shumë. Majlinda, Mirjeta dhe Miranda,të cilat tashmë jetojnë në Gjermani, pranë nënës së tyre. Që të trija janë magjepse dhe i pikturoj shpesh, edhe pse i shoh rrallë. E përbashkëta e tyre qëndron në faktin se ato e pëlqejnë artin skenik dhe pikturën.
Cilët prej piktorëve shqiptarë dhe të huaj mbeten model në rrugëtimin e pikturës suaj?
Nga piktorët shqiptarë më ka pëlqyer puna e Ibrahim Kodrës, që ka jetuar në Itali, ndërsa nga bota, preferoj Luçian Freud.
Në muajin nëntor në Vjenë do hapni ekspozitën tuaj personale, ku momentalisht po i jepni, dorën e fundit mjaft punimeve. Cilat do të jenë motivet që do të ofroni në këtë eveniment?
Po. Në 22 Nëntor në Vjenë do të organizohet një ekspozitë personale nga SVA (Enti i Sigurimeve Sociale). Ky Institucion organizon për çdo vit ekspozitë personale të një artisti brenda vendit. Këtë vit, ishte fati im që më përzgjodhën mua. Ndjehem vërtetë i lumtur për këtë privilegj të veçantë. Doja të falenderoja organizatorët e këtij evenimenti madhor artistik, të nderuarat Yumiko Ishii dhe Ursula Pfeiffer. Në këtë ekspozitë do paraqitem me motive të natyrës së qetë, natyrës nga Kosova, Shqipëria, motive nga vendlindja dhe nudo.
Intervistoi: Fadil Shehu
Për më tepër Klikoni:
http://www.gazmendfreitag.net/
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 65 vizitorë |
Lexuar:
5,461 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|